Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u prit këtë të premte nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni në Palazzo Chigi, në takimin e fundit të vizitës së tij zyrtare në Romë.

Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, takimi mes Rubios dhe Melonit u zhvillua “për të forcuar partneritetin strategjik afatgjatë mes Shteteve të Bashkuara dhe Italisë”.

“Rubio rikonfirmoi angazhimin e SHBA-së për koordinim të ngushtë mbi prioritetet e përbashkëta”, deklaroi zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Tommy Pigott.

Në deklaratë thuhet se gjatë takimit u diskutua për “sfidat e sigurisë rajonale, përfshirë Lindjen e Mesme dhe Ukrainën, si edhe rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm transatlantik për përballimin e kërcënimeve globale”.

Më herët gjatë ditës, Rubio zhvilloi një takim edhe me ministrin e Jashtëm italian Antonio Tajani në Farnesina, ku në fokus ishin tensionet në Lindjen e Mesme, Irani, Ukraina dhe siguria në Ngushticën e Hormuzit.

Pas bisedimeve, Tajani e cilësoi takimin “pozitiv” dhe deklaroi se “Italia dhe Shtetet e Bashkuara janë të lidhura nga një marrëdhënie e pandashme”.

Gjatë një deklarate për mediat në ambasadën amerikane në Romë, Rubio tha se SHBA presin një përgjigje nga Irani për negociatat.

“Kemi bërë hapa të mëdhenj përpara dhe presim një propozim gjatë ditës së sotme. Shpresojmë të jetë një ofertë serioze”, deklaroi ai.

Ai pati një paralajmërim gjithashtu për situatën në Ngushticën e Hormuzit.

“Çdo vend duhet të pyesë veten nëse dëshiron të normalizojë faktin që një shtet të kontrollojë një rrugë ujore strategjike. Nëse përgjigjja është jo, atëherë duhet të jemi gati për më shumë sesa vetëm fjalë të forta”, u shpreh Rubio.

Sekretari amerikan komentoi edhe mundësinë e tërheqjes së trupave amerikane nga disa vende të NATO-s.

“Gjithmonë ka plane për rotacione brenda NATO-s, por në fund vendimi i takon Trump”, tha ai, duke shtuar se gjatë vizitës në Itali “nuk janë diskutuar detaje specifike për praninë e trupave amerikane”.

Rubio foli edhe për situatën në Liban dhe rolin e Hezbollahut.

“Arsyeja pse Libani bombardohet është Hezbollah. Të gjithë kemi të njëjtin objektiv: një qeveri libaneze të fortë pa një Hezbollah të armatosur që vepron në territorin e saj”, deklaroi ai.

Duke komentuar luftën në Ukrainë, Rubio tha se SHBA mbeten të gatshme të ndërmjetësojnë, por paralajmëroi se nuk duan “të humbasin kohë nëse përpjekjet nuk po sjellin progres”.

Pas përfundimit të takimeve në Itali, Rubio u largua nga Roma përmes aeroportit ushtarak të Ciampinos.