Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u prit këtë të premte nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni në Palazzo Chigi, në takimin e fundit të vizitës së tij zyrtare në Romë. Gjatë takimit, Meloni e mirëpriti Rubion me një shtrëngim duarsh dhe një përshëndetje miqësore, përpara se të pozonin për fotografinë zyrtare dhe nisjes së bisedimeve. Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, gjatë takimit u diskutua për Lindjen e Mesme, Ukrainën dhe sfidat globale të sigurisë.
“Rubio rikonfirmoi angazhimin e SHBA-së për koordinim të ngushtë mbi prioritetet e përbashkëta”, deklaroi zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Tommy Pigott.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se palët diskutuan për “rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm transatlantik për përballimin e kërcënimeve globale”. Më herët, Rubio zhvilloi një takim edhe me ministrin e Jashtëm italian Antonio Tajani në Farnesina, ku në fokus ishin tensionet në Lindjen e Mesme, lufta me Iranin, situata në Ngushticën e Hormuzit, armëpushimi mes Libanit dhe Izraelit, si edhe lufta në Ukrainë.
Pas takimit, Tajani e cilësoi bisedën “pozitive” dhe deklaroi se “Italia dhe Shtetet e Bashkuara janë të lidhura nga një marrëdhënie e pandashme”. Rubio dha edhe një mesazh të fortë për situatën në Hormuz gjatë një deklarate për mediat në ambasadën amerikane në Romë.
“Nëse nuk duam që Irani të ketë kontroll mbi një rrugë ujore strategjike, atëherë duhet të jemi gati për më shumë sesa vetëm fjalë të forta”, tha ai.
Sekretari amerikan komentoi gjithashtu edhe mundësinë e tërheqjes së trupave amerikane nga disa vende të NATO-s.
“Gjithmonë ka plane për rotacione brenda NATO-s, por në fund vendimi i takon Trump”, u shpreh Rubio.
Pas përfundimit të vizitës në Itali, Rubio u largua nga Roma nga aeroporti ushtarak i Ciampinos.
Komente








