Kreu i shoqatës eksportuese, Alban Zusi i ftuar në ‘Shtypi i ditës dhe Ju’ tha se bujqësia sidomos gjatë kohëve të fundit ndodhet në një krizë. Sipas tij janë 3 faktorë që e kanë çuar në këtë gjendje.

“Bujqësia është një sektor më jetik që ne kemi, është baza në Shqipëri, por duhet ta them që është në krizë nga shumë indikatorë. Këtë e kam parë nga marrëdhënet që kam me tregun dhe fermerët.

E para bujqësinë e ka goditur sistemi fiskal, është dega më e mbingarkuar me taksa se çdo sektor tjetër. Shumë njerëz hiqen si ekspertë kur flasin për bujqisënë, por nuk njohin si funksionojnë mekanizmat e saj. Për shkak të kësaj krize edhe vetë bujqit duan të largohen nga bujqësia.

E dyta është mungesa e mbështetjes me fonde, bllokimi i fondeve të IPARD, mungesa e donacioneve edhe dhënia e gabuar e grabnteve që jep qeveria. Fermeri ka nevojë për stabilitet, për të shitur produktin e tij në treg”, tha Zusi për për gazetarin Andi Kapxhiu.

Sa i përket faktorit të tretë ai theksoi se mënyra e funksionimit të infrastrukturës institucionale është thelbësore.

“Infrastruktura institucionale duhe të insoektojë dhe të komtrollojë, që fermeri të bëjë gjënë e duhur atje ku do të investojë dhe që të mos dështojë me produktin e tij. Kështu 2-3 muaj e fundit ata janë detyruar të hedhin produktet e tyre”shtoi, Zusi.

Në fund të intervistës Zusi theksoi se kryeministri Edi Rama duhet të ngrejë një grup pune me 4 apo pesë persona për një funksionim më të mirë të këtij sektori jetik.

Kriza në sektorin bujqësor është thelluar edhe më shumë në 5-vjeçarin e fundit. Referuar shifrave në një dekadë, pesha e bujqësisë në Prodhimin e Brendshëm Bruto është tkurrur me afro 4%, ndërkohë që rënia vijon edhe përgjatë këtij viti. Vjet 15.45% e prodhimit vinte nga bujqësia, nga 19.12% që ishte në vitin 2014.