Shëndetësia dhe e drejta e padiskutueshme për një kurim me dinjitet

Shëndetësia dhe e drejta e padiskutueshme për një kurim me dinjitet

Janë shpresëdhënëse dhe të ngrohin zemrën falenderimet publike të personave VIP që shprehin mirënjohjen e tyre ndaj shërbimit shëndetësor në vendin tonë pas një sëmundje të rëndë personale apo të afërmëve të kuruar si jo më mirë. E kush mund të mërzitej nga falenderime të tilla! Por ajo që të vjen menjëherë në mendje pas këtij gëzimi të shkurtër është një aspekt tjetër, shpeshherë aspak njerëzor që përjetojnë të tjerë qytetarë shqiptarë që pretendojnë të kurohen denjësisht. Dhe të gjithë e dimë mirë se nuk janë pak. Nuk kemi një statistikë të saktë, por redaksitë e mediave në kryeqytet jo rrallë përballen me qytetarë që trokasin në dyer televizionesh me shpresën e fundit për t’u dëgjuar, për t’u ndihmuar, për t’u kuruar. Dhe ky është një realitet.

A janë përmirësuar infrastrukturat tona spitalore? Patjetër që po. Shumë prej tyre nuk kanë të krahasuar me ç’ishin më parë! Por a mjafton kjo? A mjafton një strukturë e pastër kur ilaçet shpesh nuk mjaftojnë? Nuk duhet të zemërojë dhe të bezdisë askënd puna dhe lufta e një gazetari të përkushtuar, siç është Osman Stafa, i cili duket qartë se ngryset dhe gdhihet me peshën e padurueshme të një shëndetësie që nuk funksionon. Shpeshherë strukturat publike nuk sillen njësoj si ndaj personazheve të njohur dhe njerëzve të thjeshtë. Krahas një VIP-i që merr ndihmën perfekte në spital e më pas falenderon, janë 100 të tjerë që askush nuk shkon as t’ju masë tensionin, as të çojë ilaçet për të pirë, as t’i kontrollojë nëse ndërhyrja që iu bë dha apo jo rezultat. Prandaj lavdërimet nga eksperiencat personale të disa personave VIP, nuk duhet të shkojnë në përplasje me alarmin për korrigjime dhe veprime të një tjetër gazetari. Të dyja aspektet duhet të ecin paralel me qëllimin e vetëm që të gjithë të bëjmë sa të mundemi për përmirësim. Edhe pse një gjë është e qartë: Figura e një gazetari nuk duhet të jetë e dashur, lavdëruese, miqësore; është thartësia e një gazetari antibiotiku për një shoqëri që dëshiron të shërohet.

Në një vend si Italia fqinje, ku shëndetësia është ndër më humanet që një shoqëri mund të ëndërrojë, vështirësitë gjithashtu janë të pafundme. Mes mijëra mjekësh humanë, kronika dhe historia ka treguar se ka dhe të tjerë që sillen keq, që përfitojnë. Prandaj, vetë shoqëria italiane ka ngritur struktura kontrolli dhe vetëkontrolli. Njëra prej tyre “Gjykata e të drejtave të të sëmurëve” (Tribunale për i diritti del malato), është një strukturë që mbledh pikërisht ankesat e qytetarëve për shërbime të gabuara. Askush nuk e vë gishtin ndaj saj! Askush nuk anatemon punën shpeshherë vullnetare që bën, por që ndihmon qindra të sëmurë të kenë një “dritare” shprese në momentet më të vështira që kalojnë.

Duket sikur mes nesh kemi sedërlinj të mëdhenj kur të tjerë kritikojnë. Nëse kritikat janë shpifje, rrugët për të zbuluar të vërtetën ekzistojnë, por nëse nuk janë të tilla, por janë një realitet i panjohur nga elitat e privilegjuara, ku dhe gazetarët e njohur afërmendsh aderojnë, atëherë kuptohet se kush punën dhe detyrën që ka në shoqëri, nuk e bën.

a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    19 Dhjetor, 08:16

    5 vite nga krijimi i SPAK, jeni të kënaqur me punën e bërë?



×

Lajmi i fundit

Trump 'provokon' përsëri dhe trazon rrjetin: Kanadaja të bëhet shteti i 51-të i SHBA-ve!

Trump 'provokon' përsëri dhe trazon rrjetin: Kanadaja të bëhet shteti i 51-të i SHBA-ve!