Studio e Blendi Fevziut është shndërruar prej vitesh në një arënë kaotike personale në të cilën u lan këmbët miqve dhe shqyen armiqtë. Eshtë e pamundur për Fevziun të mbulojë dobësinë e tij për Partinë Demokratike, të cilës i ka shërbyer me devotshmëri prej 20 vitesh por sidomos që nga koha kur televizioni i tij kaloi zyrtarisht në shërbim të qeverisë Berisha. Kush mund ta harrojë intervistën e gjunjëzuar që i bëri në 2008 trafikantit Damir Fazlliç i cili kishte ardhur kastile të shfajësohej në studion e Fevziut tamam në kohën që prokuroria (shtirej) se po e kërkonte për ta arrestuar për aferat e Porto Romanos? As nuk mund të harrohen intervistat plot lajka protagonistëve qeveritarë të 11 janarit 2011 kur betoheshin se 4 protestuesit ishin vrarë nga vetë socialistët me çadra pistoletë. Ndërohë që një koleg i Fevziut i plagosur po atë 21 janar nga plumbat e gardës u pushua nga puna vetëm se ishte betuar se do të tregonte të vërtetën; nuk mbahet mend as edhe një përkjekje e vetme e Fevziut për ta mbrojtur siç bën tani në studio kur Rama “guxon” të kundërshtojë analistët e pranishëm në panel me detyrën preçize të linçimit.

Mbrëmë ama Fevziu e shndërroi studion e tij përfundimisht në Opinionin dixhital. Fillimisht u lodh të organizonte fshehurazi replikën e Lulzim Bashës me një ndërhyrjen e tij telefonike në studio, sapo mësoi se Edi Rama do të publikonte dokumenta kundër Bashës. Nuk mbahet mend asnjë rast tjetër që Fevziu të jetë shqetësuar e t’i ketë ruajtur të njëjtën të drejtë replike në kohë reale viktimave të shpifjeve të Berishës apo të Bashës të cilët janë të lirë të baltosin këdo me Fevziun në gjunjë që mjaftohet t’u drejtojë mikrofonin pa i kujtuar asnjëherë të drejtën e prezumimit të pafajësisë.

Por kulmin edhe për Opinionin e ri dixhital e arriti kur Fevziu vendosi të lexojë live sms që i kishte dërguar ‘’doktori’’ gjatë emisionit në të cilin krahasonte nënën e sapovdekur të Edi Ramës me nënën e Enver Hoxhës. Një paralel pa asnjë logjikë politike dhe pa asnjë lidhje as me realitetin dhe as me temën e debatit që po zhvillohej në studio. Një media quhet media sepse duhet të bëhet mediator mes asaj që mëson dhe asaj që duhet të publikojë. Ajo sms aq banale që Berisha as e mori guximin ta publikojë në faqen e vet Facebook, meritonte të transmetohej? Sigurisht që jo. Por Fevziu e bëri sepse nuk ka autoritetin dhe forcën të refuzojë një urdhër të Berishës. Ashtu siç nuk ka pasur kurrë kurajon t’i bëjë Berishës asnjë pyetje mbi aferat e fëmijëve të tij dhe të shpifjeve të përditshme, as t’i kërkojë llogari Bashës për gënjeshtrat e tij, për 4 vilat dhe as për aferat e tij apo për oligarkët që paguajnë kunatin e tij vetëm e vetëm që të mos sulmohen nga PD. Dhe meqë po flasim për oligarkët, pjesa më e bukur e emisionit ishte mbrëmë në fund, kur tamam siç bën Basha, që konsideron armiq vetëm oligarkët që nuk paguajnë kunatin e tij, e mbylli emisionin me një superqokë për një oligark.

Gjithë kjo parantezë për të arritur në një pyetje kryesore: Pse Edi Rama këmbëngul të hidhet me këmbët e veta brenda kurthit të Fevziut dhe të Opinionit të tij dixhital, duke kontribuar ne shikueshmëri  por duke u vetëgoditur politikisht? Kryeministrit nuk mund te qahet per vizibilitet mediatik. Atëherë ç’shije mazokiste e shtyn të hidhet në kurthin e drejtuesit televiziv më pak korrekt nga gjithë të tjeret, sepse shtiret si mik me telekamera të fikura, ndërsa në studio shndërrohet ne një hijenë?