TIRANË- Me 7 vota pro dhe 2 kundër, është miratuar kërkesa për shtyrjen me dy muaj të afateve të punimeve për Komisionin Hetimor për shkarkimin e presidentit Meta. Kjo kërkesë tashmë do t'i kalojë kuvendit, për miratim në seancën e datës 3 tetor. Dy deputetët që votuan kundër ishte Halit Valteri dhe Adriatik Alimadhin, me këtë të fundit që tha se Komisioni Hetimor nuk duhej të ekzistonte sepse sipas tij kreu i shtetit nuk ka marrë një vendim që ka sjellë pasoja të rënda për vendin.

Kërkesa erdhi për shkak se konkluzionet e komisionit të Venecias do të dalin më 12 tetor, disa ditë pas mbylljes së afatit ligjor të strukturës hetimore që është data 8 tetor.

Ndërkohë bëhet e ditur, se ditën e sotme, kreu i shtetit i ka dorëzuar këtij Komisioni dokumentin që dispononte për çështjen e djegies së parlamentit në protestën e opozitës më 8 qershor, por nuk është paraqitur anëtarëve të saj duke qenë se një pjesë e tyre nuk janë pajisur me certifikatë sigurie. Ndërkohë më herët, ai ka publikuat raportin 55-faqësh që do të përdorë para Komisionit të Venecias për të argumentuar vendimin e tij për të anuluar dekretin për zgjedhjet e 30 qershorit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:39
Miratohet kërkesa për zgjatjen e komisionit hetimor me dy muaj (VIDEO)

Miratohet kërkesa për zgjatjen e komisionit hetimor me dy muaj. Dy deputetët Adriatik Alimadhi dhe Halit Valteri votuan kundër.

Ora 10:19
Komisioni hetimor/ Alimadhi: Të thirren të gjithë krerët e institucioneve nga ku kemi marrë informacion (VIDEO)

I pari që mori fjalën ishte deputeti Adriatik Alimadhi. Ai ka kërkuar që ky komision të ndalojë punimet, pasi sipas tij nuk ka elementët e duhur për të hetuar Presidentit Ilir Meta.

"Ky komision nuk duhet të ekzistojë më se nuk ka elemntët e duhur për të hetuar presidentit. Nuk kemi të bëjmë me shkelje të rëndë që fajëson presidentin Ilir Meta se nuk ka marrë një vendim që prek interesat e vendit", tha Alimadhi.