TIRANË- E kapur për krahu me mjekun që e shëroi, e veshur me të zeza si një gjurmë e lënë nga jeta, por e lumtur, ka lënë spitalin një tjetër e moshuar e cila triumfoi në betejën me COVID-19.
Nënë Veziko, 80-vjeç u shtrua para 14 ditësh në spitalin Infektiv dhe ishte në gjendje të rëndë në terapi intesive, por nuk e lejoi koronavirusin që ta mundte. Sot ajo është kthyer në shtëpi, më e fortë se kurrë, dhe do të ketë një histori më shumë për t'u treguar nipërve dhe mbesave nga jeta e saj, e cila ka qenë jo pak e lehtë për t'u jetuar. Lajmi është konfirmuar nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
"Nënë Veziko u shtrua në spitalin infektiv 14 ditë më parë, në gjendje shumë të rëndë, me vështirësi në frymëmarrje. Pas disa ditësh në terapi intensive, (CPAP) falë trajtimit me terapi mjekimi bashkëkohore, 80-vjeçarja nga Vlora sot kthehet në shtëpi", shkruan Manastirliu. Shqipëria është vendi i dytë në rajon, pas Sllovenisë për numrin më të lartë të të shëruarve në 1 mln banorë. Deri më tani kanë fituar betejën me koronavirusin 99 persona, 10 ditën vetëm e sotme, teksa numri total i prekurve ka shkuar në 333 dhe 18 viktima.
Postimi i ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu
Komente


Lajm shume i bukur. Mirenjohje stafit te Spitalit Infektiv, qe shpetoi edhe nje jete tjeter. Jete nene Vezikos.
Përgjigju