Organizatat dhe shoqëria civile kërkojnë më shumë rreptësi në kontrollin e financimeve për partitë politike, për të cilën PS e PD kanë gati një draft projektligj të dakordësuar.

Gjatë punimeve të Komisionit të Reformës Zgjedhore, ku u dëgjuan propozimet konkrete të shoqërisë civile, u artikulua qartë nevoja për më shumë transparencë në financimin por edhe shpenzimet e partive poltike.

“Formula e propozuar nuk jep një zgjidhje shteruese, pasi mbështetet kryesisht në monitorim administrativ dhe në krijimin e një databaze që aktualisht nuk ekziston. Mungesa e një sistemi të integruar e bën të vështirë verifikimin e financuesve, përfshirë rastet kur ata mund të kenë rekorde kriminale ose të jenë subjekt ndalimi. Nuk mendoj se KQZ ka kapacitetin për ta bërë këtë”, tha Afrim Krasniqi, drejtori i Institutit të Studimeve Politike.

Ndërsa Aranita Brahaj nga “Open Data Albania” kërkon që filtri i të ardhurave dhe shpenzimeve të mos kalojë vetëm nga Komisioni Qëndror I zgjedhjeve, por në lojë të hyjë edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit.

“Nuk mund të jetë vetëm KQZ institucion për monitorim. Sa kohë që partive politike u japim fonde publike, pse mos të kthehemi tek kontrolli I lartë I shtetit. Të shikohet mundësia që të kemi një kontroll periodik nga KLSH, vetëm për fondet publike”, tha Aranita Brahaj nga Open Data Albania.

Për Komitetin Shqiptar të Helsinkit shqetësuese mbetet mundësia e financimit të partive politke nga krimi i organizuar.

“Lidhur me pjesën e burimeve që vijnë nga financimi i krimit të organizuar, është parashikuar ndalimi i financimit nga persona të dënuar për vepra të caktuara penale, por kjo qasje mbetet e kufizuar pasi ndalimi lidhet vetëm me persona të dënuar, ndërkohë që mund të ketë persona nën hetim, apo me lidhje indirekte me krimin. Ashtu sic mund të ketë biznese të financuara nga krimi I porganizuar e për rrjedhojë legjitimohet financimi i partive politike”, tha Erida Skëndaj, drejtoreshë ekzekutive e Komiteti Shqiptar i Helsinkit.

Ndërkohë qeveria miratoi këtë të mërkurë krijimin e bazës së të dhënave shtetërore të Platformës Elektronike të Raportimit Financiar që do të administrohet nga KQZ dhe ku do të publikohen të dhëna që kanë raportet financiare vjetore të partive politike, raportet e fushatave zgjedhore, të dhënat për burimet e financimit, përfshirë financimet publike dhe jopublike apo edhe të dhënat për dhurimet monetare.