Kaq mjaftoi që Shqipëria tradicionale të shuajë çdo shpresë ndryshimi e reflektimi, të mbyllë çdo shteg integrimi dhe progresi, të errësojë çdo dritë në fundin e tunelit të tranzicionit, - fatkeqësisht, duke u fshehur edhe këtë herë pas alibive mbi integrimin, rregullat, moralin dhe legjitimitetin, - katër cilësi që mungojnë tërësisht prijësve politikë të dy dekadave tranzicion. Konflikti i mentaliteteve po kthehet në konflikt brezash dhe konflikt shoqëror: një shumicë që kërkon stabilitet e demokraci funksionalë dhe një pakicë që sundon në emër të shumicës, e cila me veprimet dhe mosveprimet e tyre shkelmon shanset e integrimit! Kemi një shumicë që kërkon sjellje qytetare dhe përgjegjshmëri politike dhe një pakicë, e cila e trajton publikun dhe interesat e tij si bezdi përpara agjendës së vet personale për ruajtjen me çdo kusht të pushtetit apo marrjen me çdo kusht të tij.
Një shoqëri që me reformë zgjedhore quan ndarjen e posteve PD-PS në KQZ apo veton e tyre periodike në (keq)numërimin e votave, me reformë institucionale quan ndarjen e minutave të sharjeve para ose pas votimit parlamentar dhe që njëherësh, me President dinjitoz nënkupton imponimin e emrave, të cilët me karrierën e bilancin e tyre negativ janë një fyerje ndaj memorien tonë kolektive dhe intelektit qytetar, - është dhe do të jetë e dënuar të mbetet viktimë e një sistemi politik antivlerë dhe të moçalosur. Dhe siç thoshte Konica i madh, nga moçali në vend të buqetave me lule e frutave të shëndetshme dalin përherë vetëm kallama të gjatë, skelete bimësh pa fruta ose thithëlopa!
Nëse nuk reflektohet në kohë, nuk ka sens përgjegjësie dhe as presion direkt detyrues publik e ndërkombëtar, atëherë rezultati është i paevitueshëm: në lojë nuk janë votimi elektronik dhe as kryetari i KQZ, nuk janë presidenti i ri dhe as emërtesat e tij, nuk janë 12 prioritetet e kërkuara me ngulm ultimativ nga BE dhe as pesë kërkesat e parashtruara nga H.Klinton muajin e kaluar. Në lojë është dhe mbetet aftësia e jonë për të pasur një demokraci funksionale, për të qenë serioz dhe të përgjegjshëm në raport me qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë, - një lojë periodike që si përherë mund të ketë dy - tre politikanë të fituar, por që ka nisur në formë e përmbajtje të gabuar, dhe me këtë ritëm zhgënjyes rrezikon të shndërrohet në pengesën më të madhe për progres shoqëror e shtetëror në Shqipëri.
(Shkrimi u botua ne gazetën Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)
