TIRANË- Qeveria shqiptare mohoi edhe njëherë publikisht akuzat se Shqipëria do duhet të paguajë 1 mld dollarë për tu ulur në tryezën e Bordit të Paqes për administrimin e Gazës. Ishte ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali e cila në një konferencë për mediat i hodhi poshtë akuzat duke i konsideruar si trillime të opozitës, ndërsa mohoi edhe lajmet që kanë qarkulluar për strehimin e palestinezëve në vendin tonë.
Duke e konsideruar ftesën e Trump një vlerësim të lartë për rolin që Shqipëria ka marrë ndër vite në çështjet e paqes, ministrja Spiropali tha se është e turpshme se si në Tiranë “morën dhenë” lloj tregimesh a thua se Shqipëria u përjashtua me turp, jo që u ftua me nder nga presidenti amerikan Donald Trump.
“Teksa ky zhvillim dërgon gjithashtu mesazhin e Amerikës së re, se në politikën ndërkombëtare të sotme, madhësia gjeografike apo demografike e një vendi nuk është faktor përcaktues, po vlejnë mbi të gjitha autenticiteti, koherenca dhe aftësia për t’i kontribuar paqes, stabilitetit e sigurisë - çka Shqipërisë ia njohin e çmojnë të gjithë prej disa vitesh tanimë - në Tiranë plas marazi e marrin dhenë lloj-lloj tregimesh me miliarda dollarë që do paguakemi për bordin, e me palestinezët që do i sillkemi në Shqipëri në këmbim të prezencës sonë në atë bord”, tha Spiropali.
E pyetur nga gazetarja e Report Tv, Raziela Myslimaj nëse Shqipëria synon të jetë anëtare e përhershme në Bordin e Paqes, Spiropali dha këtë sqarim.
“Duhet të sqaroj që në fillim se Bordi i Paqes nuk është vetëm për Gazën, edhe pse zgjidhja e situatës në Rripin e Gazës ka urgjencë më të madhe dhe buron edhe nga plani i paqes i presidentit Trump me 20 pika, ku në fazën e dytë për planin gjithëpërfshirës, pas kalimit të rezolutës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, i hapet rrugë krijimit të Bordit të Paqes. Nuk ka detyrime financiare. Është një ftesë nga presidenti Trump, pra e drejtpërdrejtë. Nuk ka angazhim tjetër përveçse angazhimit të shpallur botërisht dhe që ne sot e deklarojmë për marrjen pjesë në këtë bord. Shqipëria, me statusin e anëtarit themelues, do të shohim në vijim angazhimet që burojnë nga statuti”, tha Spiropali.
Ministrja nuk la pa përmendur edhe akuzat e opozitës se Shqipëria është futur në listën e zezë të SHBA-së pas vendimit për pezullimin e vizave migratore për 75 vende, duke u thënë kundërshtarëve politikë se përgjigjen e morën direkt nga Donald Trump me ftesën e Bordit të Paqes, duke konfirmuar se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të mrekullueshme.
“Të gjithë ata që pa asnjë përgjegjshmëri publike, u turrën ta helmojnë publikun me parrullën “SHBA-të vendosën Shqipërinë në listën e zezë”, duke komentuar me ngazëllim gënjeshtrën se vendimi në fjalë, na lidhej me ndëshkimin e narkoshtetit të tyre imagjinar, e kanë marrë përgjigjen as më shumë e as më pak, po direkt nga Presidenti Donald Trump, i cili ka nënshkruar në letrën e tij se, Shqipëria është një partner i mrekullueshëm dhe Edi Rama është një udhëheqës i respektuar botërisht”, tha Spiropali.
Ishte media amerikane “Bloomberg” që sqaroi se si do të funksionojë Bordi i Paqes, ku vendet amëtare si Shqipëria do të kenë një mandat 3 vjeçar. Nëse ky mandat 3-vjeçar do të zgjatej apo jo, kjo do të varej nga drejtuesi i Bordit. Pagesa prej të paktën 1 miliard dollarëshe i referohet vetëm atyre shteteve që do të duan një mandat të përhershëm në Bord.
E pyetur nga gazetarja e Report TV për deklaratën e kryeministrit Rama në mbledhjen e grupit parlamentar të PS ku e quajti “dështim” Ministrinë e Jashtme, Elisa Spiropali tha se është dakord për reformimin.
Ministrja tha se MEPJ duhet të ngrihet në një nivel të ri përgjegjësie e përfaqësimi lidhur edhe me negociatat për anëtarësimin në BE. Sa për ligjin e shërbimit të jashtëm, Spiropali tha se do të favorizojë meritokracinë dhe talentet e reja.
“Në dukje ka një kontradiktë mes nivelit të përfaqësimit, respektit që Shqipëria ka krijuar në nivelin ndërkombëtar dhe asaj që u tha mbi nevojën për një reformim të shërbimit të jashtëm, trupës diplomatike dhe MEPJ, me të cilin konstatim unë jam plotësisht dakord. Në këto 100 ditë që unë drejtoj MEPJ kam parë njerëz me ekspertizë të jashtëzakonshme, kontribut shumë të madh në shërbimin e jashtëm, ashtu siç kemi bërë edhe një analizë të nevojave për reformim duke nisur nga ligji për shërbimin e jashtëm që kalon në Kuvend më 28 janar që do t’i japë më shumë hapësirë meritokracisë, promovimit të talenteve të reja, hapjes së ministrisë për të rinj apo kontributorë që kanë punuar në organizata ndërkombëtare dhe duan të japin shërbim për Shqipërinë. MEPJ duhet të ngrihet në një nivel të ri përgjegjësie publike, jo vetëm sa i përket reformës dhe ligjit, por edhe të përfaqësimit, diplomacisë publike. Ky rol i ri i Shqipërisë kërkon të ndiqet edhe nga një administratë, trupë diplomatike që mirërregullohet, kalon në një proces meritokratik, në gjykimin tim edhe shpërblehet më mirë, i shërben vendit në kapacitete të reja. Ka shumë hapësirë për këtë përmirësim.
Duke qenë një strukturë që ka trashëguar histori, por edhe që gjatë një tranzicioni të gjatë ka pasur ulje-ngritjet e veta, pse jo, emërime, promovime, mungesë gradimi e vlerësimi për diplomatët në meritë, ka krijuar një ngërç. MEPJ ka kontributin e vet të padiskutuar edhe për rolin e Shqipërisë në botë, por besoj që ka ardhur koha që në këtë rol të ri në diskutimet e negociatat kaq intensive me BE për anëtarësimin e Shqipërisë brenda 2029 dhe mbylljen e negociatave brenda 2027, jemi duke parë një reformim tërësor të ligjit e trupës diplomatike dhe për më shumë prezencë të MEPJ në diskutime të hapura e publike për procesin e integrimit. Plani për 27 vizita në 27 vende anëtare brenda këtyre dy viteve është një projekt shumë ambicioz që kërkon gjithë angazhimin e kësaj trupe që është një shtyllë e funksionimit të shtetit shqiptar dhe duhet të ngrihet në lartësinë e këtij misioni”, tha Spiropali.
Ministrja e Jashtme Elisa Spiropali në konferencë për shtyp, i është përgjigjur pyetjeve lidhur me luftën që SHBA i ka hapur grupeve kriminale, duke cekur dhe Shqipërinë që përballet me fenomene të tillë.
Spiropali thotë se partneriteti i SHBA-së me Shqipërinë jo vetëm që mbetet e i palëkundur, por është forcuar më tej dhe se prioritet i përbashkët është lufta kundër korrupsionit, krimit apo trafikut të drogës. Ndër të tjera, Spiropali duke iu referuar raporteve të BE-së, thekson pozicionimin e Shqipërisë si shtet pararojë përsa i përket Ballkanit Perëndimor në luftë kundër krimit.
Referuar pyetjes për ishullin e Sazanit ku dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner do të bëjë një investim, Spiropali thotë se ky është një projekt pjesë e projektit të madh të zhvillimit të Shqipërisë dhe partneriteteve.
“Ju besoj i referoheni prioritetit të shpallur të sekretarit të shtetit Marco Rubio për luftën kundër karteleve. Por dhe prioritetin e tyre për luftën kundër krimit të organizuar. Në asnjë moment sekretari Rubio nuk i janë referuar Shqipërisë, që nuk përjashtohet nga fenomene të tilla, por që nuk mbajnë përgjegjësi as shqiptarët si etni, as vendet e tjera ku këto shfaqen, ashtu si të gjitha shtet e tjera kanë sfidat e tyre kur vjen puna tek lufta kundër krimit të organizuar. Ajo që është e qartë dhe është e besoj si drita e diellit, është se Shqipëria dhe SHBA kanë një partneritet të fortë strategjik që nuk është lëkundur, dhe siç po e shihni, sigurisht që ky partneritet është i palëkundur. Shqipëria në raportet e BE, rezulton një vend që luftën kundër korruptonit, krimit të organizuar, pavarësinë e gjyqësorit, e ka sot në nivelin më të lartë të paktën për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Të tjerat janë spekulime politike që mund të rrohet përkohësisht, por nuk krijohet një alternativë e besueshme apo e qëndrueshme. Ivanka Trump jo vetëm familja e presidentit ,por të gjithë zyrtarët janë të mirëpritur në Shqipëri dhe nuk kemi detyrim të japim informacion për vizitat e tyre qoftë private apo zyrtare. Nuk ka plane për falje toka. Askush nuk kërkon që Shqipëria të falë toka, por ka projekte serioze që janë pjesë e projekteve tona zhvillimore”, tha Spiropali.
Ministrja e Jashtme Elisa Spiropali iu përgjigj në një konferencë për media të gjitha akuzave se Shqipëria do duhet të paguajë 1 miliardë dollarë për të qenë pjesë e Bordit të Paqes për Gazën. Spiropali tha se ky është trillim, duke theksuar se një ftesë e tillë është diçka e jashtëzakonshme me përmasë dhe peshë historike për vendin tonë të vogël.
Për Spiropalin, kjo ftesë është një përgjigje direkte nga Trump për opozitën, e cila prej kohësh artikulon se raportet mes dy vendeve nuk janë të mira e madje se Shqipëria u fut në listën e zezë me vendimin për pezullimin e vizave migratore për 75 vende. Spiropali tha se ata që u turrën të helmojnë publikun e kanë marrë përgjigjen direkt nga Trump, i cili ka nënshkruar se në letër se Shqipëria është partner i mrekullueshëm.
“Ne nuk e dimë ende sa janë udhëheqësit e ftuar nga Presidenti Trump, në kohë e kapacitete të ndryshme, për t’ju bashkuar nismës së tij globale, por dimë me siguri që as në Argjentinë e as në Turqi, ku udhëheqësit e atyre vendeve ku e ku më të mëdha se sa vendi ynë e kanë njoftuar publikun për ftesën, nuk ka pasur kurrëfarë debati mbi madhësinë e numrit të anëtarëve të Bordit të Paqes. Përkundrazi, përfshirja e vendit ndër të ftuarit është konsideruar diçka pozitive, e mirëpritur dhe e pranuar me falenderim.
E nëse për ato vende dhe të tjera në përmasat e në peshën e tyre të madhe gjeopolitike, kjo është diçka pozitive, për Shqipërinë e vogël kjo është diçka e jashtëzakonshme, me një përmasë e peshë historike. Bordi i Paqes përfaqëson një qasje të re, të ndryshme nga modelet tradicionale të trajtimit të konflikteve dhe mekanizmat ekzistues të menaxhimit të krizave. Ai lind në një kohë ndryshimesh të mëdha për botën dhe ofrohet si një prirje e re që sfidon inercinë në terrenet e konflikteve të shtresëzuara me dekada të tëra, duke synuar ndërtimin e një paqeje që funksionon dhe i reziston kohës.
Ne e shohim këtë nismë si një përpjekje të fortë dhe fisnike për të shkuar përtej deklaratave politike apo angazhimeve formale, në kërkimin e zgjidhjes së qëndrueshme të konflikteve. Përvoja jonë si vend që ka dalë nga një errësirë e thellë, ka lënë pas raporte të vështira dhe ka investuar në paqe, bashkëjetesë dhe bashkëpunim rajonal pa kufinj, por më lejoni të shtoj, edhe modeli ynë i jashtëzakonshëm i bashkëjetesës fetare, janë një vlerë e shtuar që Shqipëria do të çojë në tryezën e lartë të Bordit të Paqes, me statusin e Anëtarit Themelues, i cili i jep Shqipërisë një mundësi historike në formësimin e vizionit, parimeve dhe zgjidhjeve të Bordit të Paqes në të mirë të njerëzimit.
Sipas Statutit, anëtarët themelues kanë zë të barabartë dhe peshë reale në drejtimin strategjik të këtij organizmi, prandaj kjo ftesë nuk është vetëm një nder i madh, po është edhe një përgjegjësi e lartë shtetërore. Madje mbi të gjitha një përgjegjësi e madhe shtetërore. Më vjen vërtet keq për nevojën për të komentuar edhe politikisht, nuk do doja, kur në fakt ky i Bordit të Paqes s’ishte fare rasti për t’i mbushur kanalet e portalet me opozitarizmin e shiut e të borës, po ishte në rastin më opozitar momenti për të heshtur.
Por besoj se kjo ftesë është e mjaftueshme për të zhbërë të gjitha fabrikimet, që kanë qarkulluar kohët e fundit lidhur me qasjen e administratës së Presidentit Trump ndaj qeverisë sonë apo vetë kryeministrit Rama, të cilat kulmuan me agresionin dizinformues ndaj vendimit të brendshëm të SHBA-ve për të rishikuar politikën e vizave të qëndrimit e lejeve të punës në Amerikë për gati gjysmën e vendeve me të cilat SHBA-të kanë marrëdhënie diplomatike.
Të gjithë ata që pa asnjë përgjegjshmëri publike, u turrën ta helmojnë publikun me parrullën “SHBA-të vendosën Shqipërinë në listën e zezë”, duke komentuar me ngazëllim gënjeshtrën se vendimi në fjalë, na lidhej me ndëshkimin e narkoshtetit të tyre imagjinar, e kanë marrë përgjigjen as më shumë e as më pak, po direkt nga Presidenti Donald Trump, i cili ka nënshkruar në letrën e tij se, Shqipëria është një partner i mrekullueshëm dhe Edi Rama është një udhëheqës i respektuar botërisht”, tha Spiropali.
Komente












Po ishulli i sazanit qe do i dhurohet vajzes se Trump trillim eshte? Skemi opozite thuaj dhe ndaj beni cte doni. PD hedh miliona euro per keshilltaret e Trump, Agron Shehaj paguan 1 milione euro per vizite ne Mar a Lago. Ska mbetur kush te bej opozite e te ngrej zerin si ne Serbi qe e shporen Kushnerin me financimet e tij te dyshimta arabo saudite prandaj del kjo pjeshka e ben si e shkathet.
Përgjigjuo lisa moj elisa po cfar nderi eshte moj goc shqiptaret duan para, pune, dhe rend jo ftesa banditet kane pushtuar qytetet
Përgjigju