Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta, ka zbardhur detaje të reja mbi dy bosët shqiptarë të arrestuar për trafikimin e 1 ton kokaine në Spanjë.
Gazetari deklaroi këtë të premte në emisionin ‘Repolitix’, të gazetarit Denis Minga, në Report Tv, se njëri prej personave të arrestuar, shtetasi Julian Deblini njihet edhe me një tjetër emër, si Julian Gjoka.
Sipas Rustës, dy bosët e kokainës të arrestuar nga autoritetet spanjolle në fund të muajit prill të këtij viti, kanë lëvizur për herë të fundit në kufirin shqiptar në muajin janar-shkurt.
Ky grup ka pasur qendra shumë të rëndësishme në Barcelonë. Arjan Ndoci rezulton nga shenjat e gishtërinjve se nuk ka asnjë lidhje me djalin e ish-gjyqtarit Dritan Gradica. Ndërsa Julian Deblini njihet dhe me emrin Julian Gjoka, person që ka hyrje-dalje në Shqipëri. Dyshohet se në këtë aktivitet është përfshirë vitet e fundit. Janar-shkurt është lëvizja e fundit e tyre në kufi në mënyrë legale.
Arsen Rusta, gazetar
Report Tv siguroi ekskluzivisht dhe foton e Deblinit (Gjokës), i cili u prangos në Spanjë.
(Julian Deblini, Gjoka)
Ndërsa bosi tjetër i arrestuar në Spanjë, Arjan Ndoci, rezulton se është vëllai i biznesmenit të njohur Viktor Ndoci. Për të dy këta persona, që sipas policisë spanjolle janë në krye të grupit kriminal të trafikut të kokainës, policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë nisur verifikimet e pasurisë.
Në sitën e verifikimeve do të kalojnë në fakt të gjitha pronat e familjarëve të Arjanit, përfshirë edhe ato të vëllait të tij, biznesmenit Viktor Ndocit, i njohur si biznesmeni i një nga Qendrat Tregtare të rëndësishme në kryeqytet dhe pronar i shumë pallateve.
Vetë Arjan Ndoci nuk ka në pronësi biznese në Shqipëri, ndërsa rezulton se vite më parë ka pasur në pronësi kompaninë Arvi, të cilën e ka shitur te persona të tjerë kundrejt 12 milionë lekëve.
Verifikimet, sipas burimeve për Report Tv nga Krimet e Rënda, do të kryhen në zyrat e hipotekës, bizneset, bankat e nivelit të dytë, pronësitë mbi automjetet dhe agjencitë e transfertave dhe këmbimeve valutore. Pas verifikimeve nga policia dhe prokuroria, dosja do kalojë në Gjykatë për vënien e pasurive nën sekuestro.
Me charter nga Kolumbia drejt Spanjës, si u zbulua kokaina me etiketa "CR 7"
Më 30 prill të këtij viti, autoritete spanjolle goditën bandën shqiptare, duke sekuestruar 1 ton kokainë dhe 1.5 milionë euro cash. Autoritetet njoftuan se hetimi për bandën kriminale filloi nëntorin e kaluar, ndërsa grupi kishte bazën në Shqipëri. Pas hetimeve, rezultoi se kokaina në Spanjë futej nga banda shqiptare me fluturime çarter nga Kolumbia më pas shpërndahej në të gjithë Europën.
Përveç drogës dhe 1.5 mln eurove cash, që do të bëheshin për pagesën e transportit, bandës shqiptare i janë sekuestruar edhe pesë makina luksoze, karta telefonike dhe pajisje të tjerë që përdorte banda shqiptare.
Kjo nuk është herë e parë që shqiptarët janë të përfshirë në trafik kokaine nga Amerika Latine. Në fund të muajit shkurt nga Kolumbia në Shqipëri u transportuan përmes kontenierëve 613 kg kokainë. Në Kolumbi janë bërë atentate ndaj disa shqiptarëve, tre prej të cilëve kanë mbetur të vdekur, i fundit u vra në fillim të muajit prill, Adriatik Lagjaj.