TIRANË - Pasi futi në ngërç ngritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe paralajmëroi të padisë të hënën në Prokurori, kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka vendosur të kërkojë takim me të gjithë kryetarët e Partive jo parlamentare që braktisën Kuvendin në shkurt të 2019.

Ai i ka dërguar një letër kryedemokratit Lulzim Basha, kryetares së LSI Monika Kryemadhi dhe aleatëve të tjerë të djathtë ku shkruan se vendi është në një situatë dramatike dhe pasojat janë të paparashikueshme, ndërsa i fton në një takim para ditës së mërkurë.

Ditën e sotme Meta priti në një takim edhe kryetaren e Grupit Demokratik në Kuvend, Rudina Hajdari. Takimi u zhvillua mëngjesin e sotëm, ndërkohë që nuk dihet arsyeja dhe se çfarë është biseduar në këtë takim.

Dy ditë më parë në një intervistë televizive Meta i dha shuplakë të fortë edhe opozitës, tashmë joparlamentare, kur tha se "PD dhe LSI janë më shumë pranë qeverisë se sa Presidentit. Me ato akte e veprime që kanë bërë deri tani, siç është dhe djegia e mandateve, e dëshmon këtë. PD dhe LSI i kanë lënë rrugë të hapur kapjes së institucioneve nga Rama. PD dhe LSI e kanë lënë Presidentin e ekspozuar ndaj një bande. Por unë do flas dhe me popullin dhe ta dijnë mirë se unë nuk jam i vetëm. Unë kam popullin dhe do flas me ta. Një deklaratë bëra në Pogradec dhe doli në 1 mijë media ndërkombëtare, ndaj e them që e dinë mirë ata kur flet Ilir Meta dhe i drejtohet popullit".

Ditët e fundit, Presidenti Ilir Meta është përplasur me mazhorancën për sa i përket plotësimit me anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Pas emërimit pasditen e së mërkurës që lamë pas të Marsida Xhaferllarit, nga Presidenti Ilir Meta si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, ky institucion u fut në 'ngërç' për shkak se më parë ishte emëruar anëtarja Arta Vorpsi, automatikisht si e para në listë pas përfundimit të afatit 30 ditorë që presidenti Meta kishte në dispozicion për të zgjedhur. 

Ndërkohë, kreu i PD, Lulzim Basha, reagoi mbrëmjen e djeshme në lidhje me këtë situatë, duke akuzuar edhe njëherë kryeministrin Rama se të gjitha janë lëvizje të tij për të kapur drejtësinë.

Letra drejtuar Opozitës jashtparlamentare për takim 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:43
Meta ndërmerr hapin e pazakontë, fton përfaqësues të fondacionit SOROS për të diskutuar për Gjykatën Kushtetuese

1573830510_ilimeta.jpg

Presidenti Ilir Meta ka ndërmarrë një hap të pazakontë lidhur me ngërçin e krijuar në vend për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese. Meta ka ftuar në takim përfaqësues të shoqërisë SOROS, por edhe përfaqësues të shoqërisë civile të angazhuar me Reformën në Drejtësi.

Ora 18:08
Javën e ardhshme Meta thërret në takim edhe ish-ambasadorët e drejtuar nga Besnik Mustafaj

Burime nga Presidenca thonë se kreu i shtetit Ilir Meta pritet të ftojë për takim Këshillin e Ambasadorëve Shqiptarë javën e ardhshme për t'i informuar për "situatën e rëndë të funksionimit të shtetit ligjor që rrezikon izolimin e vendit", siç shprehen burimet. Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë është një organizatë e pavarur, jo fitim prurëse, themeluar së fundmi nga një grup ish- ambasadorësh, president i të cilit është Besnik Mustafaj, ish-ambasador i Shqipërisë në Francë dhe ministër i Jashtëm në qeverinë "Berisha".

Ora 15:32
Meta-Bashës, Kryemadhit dhe aleatëve: Vendi në situatë dramatike, pasojat të paparashikueshme! Takohemi para të mërkurës

 

Report Tv siguron letrën që presidenti Ilir Meta i ka dërguar partive aleate të djathta për të zhvilluar një takim. Në letër Meta shkruan se në takimin e thirrur do të diskutohet lidhur me situatën dramatike në të cilën ndodhet vendi dhe pasojat e saj të paparashikueshme. Ai thotë se takimin duhet të zhvillohet përpara ditën së mërkurë.

"Nisur nga situata dramatike në të cilën ndodhet vendi dhe pasojat e saj të paparashikueshme ju ftoj juve dhe të gjithë kryetarët e Partive të Opozitës së Bashkuar në një takim, në një kohë sa më të shpejtë, mundësisht përpara ditës së mërkurë, datë 20.11.2019.

Ju lutem nëpërmjet Kabinetit tuaj saktësimin e ditës dhe orës së përshtatshme të takimit, për ju dhe për kryetarët e partive të tjera", shkruan Meta.

Letra i drejtohet kryedemokratit Lulzim Basha dhe për dijeni kryetares së LSI Monika Kryemadhi, kreut të PR, Fatmir Mediut, kreu të PAA Agron Duka, kreut të PBDNJ Vangjel Dule, kreut të PDK Nard Ndoka,  kreut të LZHK Dashamir Shehi, kreut të Shpëtim Idrizi, dhe kreut të Partisë Lëvizja e Legalitetit, Shpëtim Axhami.

Ora 12:15
Padia për Dvoranin/ Blushi: Prova përvëluese po bëhen gati! VIDEO që nxjerr zbuluar bandat që po dhunojnë Kushtetutën

1564578345_tediblushi.jpg

Presidenca jo vetëm që do të padisë të hënë kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, por edhe do të paraqesë provë në prokurori, një video që sipas zëdhënësit të Ilir Metës, tregon dhunimin "që një bandë ka tentuar t'i bëjë kushtetutës dhe Gjykatës Kushtetuese". Në reagimin e zëdhënësit Tedi Blushi, nuk kuptohet qartë nëse video kompromentuese, që ai thotë se presidenca po e përgatit edhe në gjuhë të huaj, është për Dvoranin, apo ndonjë zyrtar tjetër. Pasi në reagim thuhet se "po administrohen prova të reja përvëluese që shtojnë mundësinë për të pasur edhe padi për persona e zyrtarë të tjerë".

Reagimi i plotë.

Të dashur kolegë gazetarë që më pyesni vazhdimisht a do të bëhet ditën e hënë kallëzimi penal i paralajmëruar nga Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta, ju konfirmoj me përgjegjësi maksimale se:

Pa asnjë diskutim, ditën e hënë do të bëhet kallëzimi penal, madje po administrohen prova të reja përvëluese, që shtojnë mundësinë për të patur edhe padi për persona e zyrtarë të tjerë.

Gjithashtu, ju bëj me dije se brenda javës Institucioni i Presidencës do të publikojë një VIDEO me fakte të pakundërshtueshme për opinionin vendas dhe botëror, që të mos ngelet asnjë analfabet në planet, i cili të mos e kuptojë dhunimin që një bandë ka tentuar t’i bëjë Kushtetutës dhe Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.

Kjo VIDEO me prova të pakundërshtueshme, do zbulojë fytyrën e vërtetë të një individi të papërgjegjshëm, i cili guxoi në mënyrë të tmerrshme kriminale t’i përvetësojë kompetencat kushtetuese Presidentit të Republikës, që as noterja e nderuar znj.Miranda Xhemalçe nuk pranoi ta bënte, pasi e dinte shumë mirë se betimi me dorën mbi Kushtetutë bëhet vetëm në Institucionin e Presidentit të Republikës dhe askund tjetër.

Përveçse në gjuhën tonë të bukur shqipe, kjo VIDEO, po përgatitet edhe në anglisht, në gjermanisht, në italisht, në frëngjisht, dhe në disa gjuhë të tjera europiane, në mënyrë që të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë, që janë të interesuar, jo vetëm për realizimin me sukses të Reformës në Drejtësi, që u votua me konsensus, por edhe që janë kaq të shqetësuar për problemet skandaloze të funksionimit të shtetit të së drejtës në Shqipëri, të mos mashtrohen më.

Në këtë mënyrë, jo vetëm mbrojmë Kushtetutën e Republikës dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve shqiptarë, por edhe tregojmë përgjegjshmëri për të gjithë taksapaguesit e vendeve partnere, që paguajnë aq shtrenjtë që ky vend i NATO-s dhe nesër i BE-së, të arrijë standardet e tyre, të shtetit ligjor dhe të demokracisë.