Sali Berisha vijon edhe në Kuvend ta sulmojë protestën para Kryeministrisë, ndërsa akuzon partitë e vogla si mjerane dhe opozitë të opozitës. Por deputetja e tij, Ina Zhupa, thotë se qytetarët janë të shqetësuar për mbrojtjen e natyrës. Kreu i grupit socialist, Taulant Balla, i kujtoi Berishës një udhëtim me makinën e Artur Shehut të pronave në Zvërnec, ndërsa tha se projekti 4 miliardë dollarësh do të realizohet.
***
Protesta disaditore në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, e nisur për anulimin e projektit të Zvërnecit, por që po vijon me thirrje kundër gjithë klasës politike shqiptare, i ka vënë në vështirësi jo vetëm mazhorancën, por edhe opozitën.
Qeveria flet për ndërhyrje të huaja dhe keqdashje nga fqinji grek, ndërsa Partia Demokratike, e sfiduar nga numrat në shesh, thotë se është mazhoranca që po i dirigjon këto protesta me qëllimin për të sabotuar projektin.
“Hiqni dorë nga keqpërdorimi i opozitës së opozitës, që është krijesë mjerane, shërbëtore mjerane e qeverisë”, tha Berisha.
“Pasi nuk iu ngjiti teza që fajin e ka Izraeli, Greqia… gjetët shpëtimin tek teza që fajin e ka opozita. Keni çuar atje disa partiçka që i keni themeluar vetë për të thënë që janë të gjithë njësoj, s’ka nevojë për t’i ndryshuar gjërat. Çoni atje freshistët tuaj”, tha Klevis Balliu.
Madje Berisha aludon edhe për një antimiting të socialistëve në Vlorë, që sipas tij ka për qëllim sfumimin e protestës.
“A ka akt më të turpshëm të marrësh nëpunësit dhe të dalësh në anti-miting ndaj protestës qytetare? A ka akt më përçarës? Hiqni dorë, anulojeni. Keni dërguar mesazh te të gjithë punonjësit e të gjithë Jugut”, tha Berisha.
“Po bën diversion, në Vlorë ne kemi një festë ditëlindjeje, nuk kemi antimiting. Siç ju kemi mundur, do ju mundim përsëri. Zini mend se nuk po ju kupton askush”, iu përgjigj Balla.
Lëvizjen Bashkë dhe të vetmin deputet të saj në Parlament, opozita e vuri në shënjestër si bashkëpunëtore të mazhorancës.
“Shqipëria po zien nga entuziazmi. Sot flisni për kërkesat e protestuesve.”
“Ti leninini atje (Redi Muçit), nuk mund të të dhimbset flamingoja atje kur këta do t’ua ndryshojnë me taksat tona seksin fëmijëve. Ti je bashkëpunëtor i tyre. 60-70% janë demokratë. I ke marrë dje dhe i ke sjellë tek PD-ja atje, marksistë-leninistë të vegjël”, tha Strazimiri.
“Ata të rinj dhe të reja protestojnë kundër jush, kundër dëmit që i keni bërë këtij vendi, kundër shkatërrimit. Dilni dhe jepuni llogari”, tha Muçi.
Megjithatë, demokratët jo të gjithë janë në një linjë kur vjen puna te qëllimi kryesor i protestës.
“Bëtë Gjirin e Manastirit kompleks, nuk pyetët se ishte zonë e mbrojtur, Butrintin po ashtu… nuk po pyesni as për Zvërnecin. Sot shqiptarët janë çuar për një betejë që unë e kam nisur që me Butrintin dhe PD e ka çuar në Gjykatën Kushtetuese. Duhet të tërhiqeni dhe të trembeni nga shqiptarët e ndershëm që protestojnë atje përtej çdo partie. Nuk mund të thoni se janë anti-mjedisit, se duan të respektojnë natyrën dhe mjedisin”, tha Zhupa.
Kundërpërgjigjen nga mazhoranca ua dha socialisti Ardit Bido, që flet për një opozitë të kompromentuar.
“Pse reaguat ditën tjetër kur patë që kishte sensacion? Ulaj, Ulaj, Ulaj… pse u ulët? Pse nuk folët? Fisi Moçka, fisi Balliu kanë të drejtën e pronësisë, pse nuk e thoni? Se nuk keni guxim, se jeni hipokritë”, tha Bido.
Ndërkohë, Balla, i kujtoi Berishës një udhëtim në makinën e Artur Shehut, pronar i pronave në Zvërnec, ndërsa tha se projekti 4 miliardë dollarësh do të realizohet. Shehu është i fortë i Vlorës në vitet ’90, emrin e të cilit në historinë e Zvërnecit mediat e lidhin me Berishën, duke thënë se ka përfituar nga pushteti i PD-së, duke u bërë pronar tokash në jug.
Pas debateve të shumta në seancë, në përfundim projektligji për ratifikimin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Polonisë për sigurimet shoqërore, është miratuar me 74 vota pro, 0 abstenim dhe 0 kundër.
Ndërsa projektligji për nënproduktet me origjinë shtazore miratohet me 76 vota pro, 0 abstenim dhe 0 kundër.
Lajmi në përditësim...

Në Kuvendin e Shqipërisë, pas diskutimeve dhe debateve të shumta, janë miratuar me votat e mazhorancës 2 projektligje, që ishin pjesë e rendit të ditës.
Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Polonisë për sigurimet shoqërore, është miratuar me 74 vota pro, 0 abstenim dhe 0 kundër.
Projektligji për nënproduktet me origjinë shtazore miratohet me 76 vota pro, 0 abstenim dhe 0 kundër.

Në sallën e Kuvendit u shkëmbyen replika të forta mes deputetit socialist Erion Braçe dhe ministrit të Bujqësisë Andis Salla, lidhur me cilësinë e plehut Ure (përqindja e azotit në të cilin, doli e ndryshme në 2 analiza të zhvilluara).
Gjatë fjalës së tij, Braçe tha se shteti e ka humbur seriozitetin, teksa shtoi se origjina e Uresë në Shqipëri është nga Turkmenistani, ndërkohë që duhet të ishte nga vendet e BE-së.
Braçe shtoi gjithashtu se Ministria e Bujqësisë duhet t’u vijë në ndihmë fermerëve dhe jo t’ua bëjë atyre punën më të vështirë.
“Gjatë gjithë javës që shkoi, çështja që ka shqetësuar pafund bujqësinë, ka qenë çështja e Uresë që është në treg. Natyrisht një shoqatë që merret me konsumatorin, më kanë shkruar, më kanë çuar video që tregojnë përmbajtjen e Uresë. Është investuar edhe laboratori shtetëror që ka nxjerrë një analizë dhe tregon produktin e kompanisë Agroblend, ku përqindja e Azotit është vetëm 34.3%. Dje lexova një komunikatë shtypi të AKU-së, që ka gjetur Ure të kësaj kompanie me një përbërje tjetër azoti. Ndërkohë që më lejoni t’ju them se unë kam monstra të asaj Ureje që ka vajtur në laboratorin e Fushë-Krujës. Dhe natyrisht do i çoj në laborator të tjerë. Sepse shteti e ka humbur seriozitetin. Kompania menjëherë pas publikimit, ka bërë një operacion të tërheqjes së Uresë nga tregu. Mund ta di si ky laborator nxjerr 2 rezultate të ndryshme të këtij produkti? Dhe e dyta origjina e këtij produkti është Turkmenistani. Të tillë tregtarë kontrollojnë edhe mediat”, tha Braçe.
I ashpër ka qenë reagimi i ministrit të Bujqësisë, Andis Salla, i cili akuzoi Braçen se ka ngritur disa herë alerte të rreme në Kuvend, duke keqinformuar sipas tij fermerët.
Më tej gjatë fjalës së tij, Salla paraqiti edhe disa analiza, që sipas tij vërtetonin se plehu Ure në Shqipëri është sipas standardeve.
“Më vjen mirë që e ngrite edhe njëherë shqetësimin për fermerët në raport me Urenë e përdorur në treg. Dua t’ju siguroj ju dhe të gjithë fermerëve që ne nuk mbrojmë asnjë palë interesi apo subjekt. Por duke bërë analizat e duhura dhe duke iu përmbajtur ligjit ne informojmë të gjithë fermerët për atë çfarë ata duan që ne t’i garantojmë. Dua të të them disa fjalë. Ne jemi duke bërë më së miri atë që duhet të sigurojë fermerin në këtë drejtim. Dua të analizoj pak këtë procedurë që ju sapo thatë. Po ju citoj atë raport që ne kemi marrë, për këtë shqetësim që ju ngritët. Kemi analizat. Ne nuk mund të keqinformojmë të gjithë fermerët dhe të ngremë alerte të tilla, që ju të dilni këtu në Parlament dhe të ngrini zërin për një produkt që ne akoma nuk na kishin dalë analizat dhe ju donit përgjigje pa dalë një analizë shtetërore. Mos keqinformoni dhe krijoni alerte për fermerët. Më vjen shumë keq që e bëni. Është e disata herë që e bëni këtë gjë dhe nuk është mirë që ju bëni të tilla skena dhe keqinformoni fermerët për raste që nuk është e nevojshme”, tha ministri Salla.
Braçe e mori sërish fjalën, ku teksa i kërkoi ministrit që të tërhiqte pas ‘historinë e përsëritur të alerteve false’, tha se Salla është i vetmi ministër që sipas tij mbledh pronarët e fabrikave për të bërë deklarata kundër deputetëve.
Më tej Braçe tha se serioziteti i institucionit që Salla drejton është një problem shumë i madh. Sipas Braçes, Salla është i vetmi ministër që nuk e pranon se sistemi i TVSH-së që Shqipëria ka, ka groposur blegtorinë.
“Atë historinë e përsëritur të alerteve false merre mbrapsht. Duhet ta marrësh mbrapsht. Sepse në njërën nga rastet fola për kafshët shoqëruese që nuk i mbulon ministria jote. Hiqe njërin nga rastet. Rastin tjetër e ke të provuar. Ti je i vetmi ministër që nuk e pranon se sistemi i TVSH-së që ne kemi ka groposur blegtorinë. Madje ti je i vetmi ministër bujqësie që mbledh ata të fabrikave për të bërë deklarata kundër deputetëve. E treta gjë që doja të thoja, po mirë mo ministër si mund të thuash që ka rënë shi në atë rastin atje. Po shi ka rënë vetëm dje more ministër. Me ça laget në magazinë, apo i ka hedhur ujë ai. Serioziteti i këtyre institucioneve që ju drejtoni, është një problem shumë i madh. Është i njëjti laborator që brenda 3 ditëve jep rezultate të ndryshme”, vijoi më tej Braçe.
Deputeti demokrat Saimir Korreshi, e nisi fjalën e tij në Kuvend me protestat për projektin në Zvërnec. Sipas Korreshit Zvërneci ishte pika që derdhi gotën dhe njerëzit të protestojnë.
“Ne kemi detyrimin t’i dëgjojmë ata, sepse njerëzit e thjeshtë nuk kanë mundësi të ulërasin nga kjo foltore. Zvërneci ishte ajo pika që derdhi gotën. Janë lodhur duke dëgjuar marrëzitë tuaja. Flasin për pensionet por a i kanë pyetur pensionistët sa i shkon muaji. Ju që thoni që jemi një hap larg Uropës. A e dini që këta njerëz e mbajnë frymën nga ata fëmijë që kanë. Ja pse njerëzit janë në shesh, ja pse dergjen në rrugë”, tha Korreshi.
Më tej ai u ndal edhe te spitali i Lushnjës, ku sipas tij në këtë qendër spitalore ka mungesë të tetanosit.
“Mikesha jonë në Lushnjë u detyrua të blejë tetanos jashtë se s’ka spitali. Po ky shtet bën dy analiza njëra me leucemi dhe tjetra normale. Më erdhën analizat pasi dhurova gjak, s’ke rruaza të bardha më dolën, Shkova bëra analizat, u alarmova ca ndodhi, shkova i bëra prapë më dolën në rregull.
Se i merr analizat mrroklla hipën në autobus 40 gradë pale kur të shkojë në Tiranë, pastaj kur të vij radhe, dhe ti je me leucemi po gjak mund të japësh prapë, a ka budallenj më të mëdhenj për këto shkresa kush i firmos. I ftoj lushnjarët të dielën në orën 10:00 të protestojnë.
Mësuesit po punojnë pasdite, që dje ishte shtresa më luksoze. Prandaj ikin njerëzit, ikin të rinjtë. Po ata nuk blejnë dot një sufllaqe për veten e vet. Në këtë vend është shtuar maskarallëku, dhe ndodhi ajo që ndodhi sot (vrasja e policit në Maliq)”, tha Korreshi.
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, është përplasur ditën e sotme në Parlament me kreun e grupit të PS-së, Taulant Ballën, lidhur me protestën për ‘Zvërnecin’.
Zhupa është shprehur se mazhoranca socialiste ka bërë gjithçka për të dezinformuar publikun mbi protestën qytetare të zhvilluar kundër ndërtimit të një resorti në Zvërnec të Vlorës.
Komentet Zhupa i ka bërë gjatë fjalës së saj në Parlament, ku tha se kryeministri Edi Rama nuk mund të pretendojë që meqë e kanë lënë Zvërnecin të papastër për një kohë të gjatë, aty mund të ndërtohet.
Më tej duke folur për investimin që pritet të realizohet në Zvërnec, Zhupa tha se një investim serioz nuk ka tela me gjemba, banditë me uniformë apo tërheqje zvarrë, referuar ngjarjeve të ndodhura disa ditë më parë në Zvërnec të Vlorës.
“Shikoj një postim në Facebook të Taulant Ballës, i cili ka bërë vetë një poster në greqisht dhe e ka nxjerrë aty sikur është posteri i protestës. Keni prodhuar vetë që në fillim gjëra fake, duke bërë deziformim, për të ngjyrosur me ngjyra nacionaliste një betejë që është vetëm shqiptare dhe e drejtë. Nacionalizmi është streha e fundit e maskarenjve. Por në këtë rast ju jeni duke bërë dezinformim. Nxorët 2 deputetë nëpër studio që shpikën autobusa grekë me targa.... Shqiptarët e ngritur për dinjitet, duhet të kuptoni se Shqipëria u takon atyre. Ju takon atyre protestuesve që e duan zhvillimin shumë më shumë se një qeveri hajdute. Duhet të kuptoni se Shqipëria u takon atyre protestuesve që e duan zhvillimin shumë më shumë sesa një qeveri hajdute, që 4 miliardë euro i ka vetëm abuzime te AKSHI. Investimet e huaja janë shumë të rëndësishme, por kur janë në harmoni me standardet e BE-së. Sot nuk do protestohet vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë. Pse nuk nxirrni edhe mediat italiane, amerikane e gjermane që i kanë bërë jehonë protestës. Ajo që na paraqiti sot kryeministri, ishte një Zvërnec i ndotur. Një qeveri që e qeveris Vlorën 20 vite në pushtet lokal dhe 14 vite pushtet qëndror, thoshte ‘shiko sa të ndotura i kemi ne zonat e mbrojtura’. Por ky është turpi juaj, nuk është arsye që ta betonizosh pse është e pisët. S’kam dëgjuar që meqë nuk kanë bërë mirë punët e tyre kryetarët e bashkive dhe i kanë lënë zonat e mbrojtura si një thes i madh plehrash, hajde t’i ndërtojmë. Nuk ka investimi serioz tela me gjemba, banditë me uniformë dhe tërheqje zvarrë”, tha mes të tjerash Zhupa.
Ndërkohë gjatë fjalës së tij Balla iu drejtua ashpër Ina Zhupës duke e quajtur ‘gënjeshtare’, pasi ajo deklaroi se kreu i grupit të PS-së kishte bërë fotografi me inteligjencë artificiale, me qëllim që ta pasqyronte protestën për Zvërnecin si të organizuar nga qarqe greke.
Balla kërkoi gjithashtu që PD të mos ndërhynte në protestën për ‘Zvërnecin’, pasi sipas tij, kur kjo forcë politike del në protestë, nuk mbledh më shumë se 40 vetë.
“Ti je një gënjeshtare, sepse the që këtë foto e kam publikuar unë. Sepse duhet të kërkosh falje që the e kam bërë unë këtë, ndërkohë unë ta publikova që është publikuar dje nga një faqe greqisht. Dole këtu dhe the që e kam prodhuar unë me IA dhe unë të them e kam marrë në këtë faqe dhe jam i gatshëm të përballet me ty edhe në Gjykatë. Ti je një gënjeshtare që s’të skuqet fytyra kur gënjen. Dëgjo këtu tani. Që ju e bëni piruetën në kuptimin e ndryshimit të qëndrimit, padyshim. Tani kam një pyetje, protestuesit thonë që ‘Sali Berisha është hajdut’, çfarë mendimi keni ju për të? Aaa këtu e paskan gabim. Që Sali Berisha është hajdut, kjo s’ka dyshim se ka edhe çështje penale për këtë punë. Lerini të protestojnë çunat e gocat, s’kanë nevojë për ju ata. Kur dilni ju në protestë, 40 vetë bashkë me rojet jeni”, tha mes të tjerash Balla.
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, është shprehur se çdo projekt i madh në Shqipëri shoqërohet automatikisht me mosbesim (referuar kështu investimit për ndërtimin e një resorti në Zvërnec).
Komentet Tabaku i bëri gjatë fjalës së saj në Parlament, ku deklaroi se sëbashku me organizata të shoqërisë civile e çuan çështjen e aeroportit të Vlorës dhe ligjin për zonat e mbrojtura në dyert e Komisionit dhe Parlamentit Europian.
Më tej Tabaku tha se ligji i investimeve strategjike është një rrezik i vërtetë për Shqipërinë, pasi sipas saj, ky ligj zapton pronën e pronarit legjitim dhe i kërkon shtetit të ndërhyjë në një marrëveshje mes pronarëve.
“Sot dua të flas për atë sistem që ka mbledhur sot qytetarët përballë qeverisë. Për sistemin që ka bërë të mundur që çdo projekt i madh në Shqipëri të shoqërohet automatikisht me mosbesim. Sepse shqiptarët e dinë nga përvoja se ligji nuk i trajton të gjithë njësoj. Që ditën e parë i jap bashkuar asaj proteste si qytetare, sepse kam besuar se protesta e tyre është e drejtë. 3 vite më parë disa organizata të shoqërisë civile trokitën në derën e zyrës sime dhe ngritën shqetësimin për ligjin e zonave të mbrojtura. Iu bashkova shqetësimeve të tyre dhe arritëm ta çojmë çështjen e aeroportit të Vlorës dhe ligjin e zonave të mbrojtura në dyert e Komisionit dhe Parlamentit Europian. Dy ligje të kapura që sot po i prodhojnë efektet. Ashtu siç 10 vite më parë kam nisur të flas për ligjin e investimeve strategjike si një rrezik i vërtetë. Një rrezik i vërtetë për sistemin që po ngre sot ekonomia shqiptare. Një ligj që merr e zapton pronën e pronarit legjitim dhe i kërkon shtetit të ndëryjë për një marrëveshje mes pronarëve. Një ligj që lindi i i përkohshëm dhe sot është ligj i përhershëm. Një ligj që ka sjellë vetëm një investitor të huaj. Sot po protestohet edhe për faktin se projekte të tilla të mëdha kanë nevojë për një debat publik. Jo çdo gjë të trajtohet si shteti personal i Ramës”, tha mes të tjerash Tabaku.
Deputeti demokrat Eno Bozdo ka replikuar ditën e sotme në Parlament me ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, lidhur me situatën ekonomikë ne vend.
Ministrja Ibrahimaj tha gjatë fjalës së saj se BE ka vendosur në buxhetin e tyre një buxhet specilik që quhet ‘Grouthplan’ dhe që sipas saj është i lidhur me rritjen e buxhetit që vendet kandidate marrin, në bazë të reformave që ato aplikojnë.
Lidhur me pensionet në Shqipëri, ministrja Ibrahimaj tha se në qeveri janë të vetëdijshëm se pensionet janë të ulëta, teksa shtoi se vijon puna për të përmirësuar skemën për rritjen e të ardhurave për të moshuarit.
“Ne nuk e mohojmë që kemi shumë për të bërë, që të arrijmë divergjencat me ekonomitë europiane. Kjo ishte arsyeja pse BE vendos që në buxhetin e tyre të vendosë një buxhet specifik, që quhet Grouthplan. Pra një plan i lidhur me rritjen e buxhetit që vendet kandidate marrin, në bazë të reformave që ato aplikojnë. Sa i takon pensioneve, ne jemi të vetëdijshëm që pensionet janë të ulëta”, tha ministrja Ibrahimaj.
Nga ana tjetër, deputeti demokrat Eno Bozdo është shprehur se në Shqipëri varfëria është rritur gjatë këtyre viteve.
Teksa theksoi se vendi është ‘zbrazur’ gjatë qeverisjes socialiste, Bozo tha se në Shqipëri kanë dështuar reformat e thella strukturore.
Treguesit ekonomikë të Shqipërisë Bozo i krahasoi me ato të vendeve të botës së katërt, teksa shtoi se korrupsioni dhe informaliteti në vendin tonë po bëjnë kërdinë.
“Këtu varfëria relativisht është rritur. Vendet e tjera kanë ecur përpara. Të ardhurat bruto në Shqipëri 10 mijë euro në vit, sa 1/5 e vendeve të BE-së. Niveli më i ulët ndër vendet e rajonit. Shqipëria është boshatisur. Këtu sipas INSTAT janë vetëm 2.4 milionë shqiptarë. Nuk ka ç’na bën asnjë fond kohezioni i BE-së. Kanë dështuar reformat e thella struktorore. Ne sot kemi problematikë të tmerrshme me skemën e pensioneve. Dhe ju e dini fare mirë. Problematikë e cila edhe pse u premtua në Reformën e 2015-ës, nuk u zgjidh. Me ndihmën ekonomike mbulojmë vetëm 20% të shqiptarëve dhe ky është një tregues i botës së katërt. Korrupsioni dhe informaliteti bën kërdinë”, tha mes të tjerash Bozo.
Ndërkohë Ibrahimaj iu përgjigj Bozos duke thënë se në kohën e qeverisjes së PD-së, ekonomia shqiptare ka qenë në ditët e saj më të zeza.
“Ju mbase e keni shumë kollaj t’i thoni shifrat si të doni. E vërteta është që varfëria ka rënë. E vërteta është që skema e pensioneve ka qenë në ditëm më të zezë në kohën e PD-së. E vërteta është që numri i kontribuuesve është rritur. E vërteta është që në 2013 rritja ekonomike ishte 1 %. Ekonomia në 2013 ishte në ditën e vetë më të zezë. Është e vërtetë që PBB për frymë në Malin e Zi dhe Serbi është më e lartë se në Shqipëri, por në vendet e tjera të rajonit është më e ulët”, tha ministrja Ibrahimaj.
Deputeti socialist Erion Braçe i ka kërkuar shtetit grek që të nënshkruajnë marrëveshjen e pensioneve me Shqipërinë.
Nga salla e Kuvendit, Braçe tha se e drejta e drejta e sigurimeve shoqërore për shqiptarët që jetojnë në Greqi, është një e drejtë themelore e tyre, e cila sipas deputetit socialist, po iu mohohet. Braçe shtoi se Greqia ua ka njohur sigurimet shoqërore polakëve e rumunëve.
Ai tha gjithashtu se Sali Berisha në kohën që ka qenë kryeministër, nuk ka bërë asgjë për njohjen e pensioneve të shqiptarëve që jetojnë në Greqi.
“Ajo që dhemb shumë në këtë histori, është marrëveshje me Greqinë. Berisha ka qenë disa herë kryeministër i Shqipërisë disa herë, por nuk ia doli të arrijë një marrëveshje për punëtorët shqiptarë që kanë qenë, kanë punuar e kontribuar, kanë mbajtur ekonominë e Greqisë, në harkun e viteve të tij. Edhe sot që e kishte mundësinë të fliste për këtë gjë, nuk e tha asnjë fjalë. Sepse për të shqiptarët e Greqisë, apo punëtorët shqiptarë të Greqisë, janë kundërshtarë. Janë njerëz që kanë votuar 90-95% PS-në.
Prandaj për ta nuk duhet folur. Kjo nuk është një histori pensionesh, por një çështje themelore e të drejtave të njeriut, e shqiptarëve që punojnë e jetojnë në Greqi. Greqia s’ka asnjë të drejtë të mbajë atje kontributet e sigurimeve shoqërore të shqiptarëve. Kur nuk u jep atyre asnjë shërbim. Konkurrojmë ne si vende fqinje edhe për informalitet. Greqia po shkel të drejtat themelore të shqiptarëve. Polakëve e rumunëve Greqia ua ka njohur sigurimet shoqërore. Si ka mundësi që Greqia kujtohet për të drejtat e shtetasve shqiptarë këtu në Shqipëri dhe nuk kujtohet për të drejtat e shtetasve shqiptarë në Greqi”, tha mes të tjerash Braçe.
Lidhur me protestën e zhvilluar gjatë këtyre ditëve kundër ndërtimit të resortit turistik në Zvërnec të Vlorës, Braçe tha se atje ka shumë qytetarë të ndershëm, ashtu siç sipas tij ka edhe njerëz që kërkojnë ta shfrytëzojnë këtë situatë për qëllime politike.
Ai gjithashtu akuzoi kryedemokratin Sali Berisha për ndryshim të qëndrimit për investimin në Zvërnec dhe protestat që po zhvillohen kundër ndërtimit të resortit.
“Me thënë të drejtën Sali, unë nuk hiqem, unë jam. Ashtu siç edhe ti Sali je. Të njohin shqiptarët, të njohin ndërkombëtarët, të njeh edhe drejtësia. Je njeri i famshëm Sali në këtë lëm. Por kjo që bën që një ditë thua një gjë, ditën tjetër thua një gjë tjetër, natyrisht që kjo na ndan. Unë nuk e bëj dot atë gjë. Unë them qartësisht atë që mendoj. Me këtë historinë e kësaj protestës, unë nuk e ndërroj qëndrimin si ty. Në atë protestë ka shumë qytetarë, ashtu siç ka edhe përfitues politik. Janë banalë. Janë gjithmonë atje në atë protestë. Ashtu siç ka doemos njerëz që protestat duan t’i evidentojnë, t’i bëjnë më të mëdha seç janë. Janë edhe këta konspiracionistët konservatorë që sajojnë shitjen e një vendi, ashtu siç ka edhe të rreshtuar me ta, që i bësojnë të gjitha. Në fund ka edhe rrugeçër banalë, që nuk u vjen turp fare nga robt e tyre, kur shajnë robt e të tjerëve”, vijoi më tej Braçe.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i ka kërkuar Greqisë që të miratojnë marrëveshjen e pensioneve me Shqipërinë, nga e cila do të përfitojnë emigrantët shqiptarë.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Balla tha se në Greqi ka të paktën 1 milionë shqiptarë, që janë me letra, por edhe që kanë punuar në të zezë dhe sipas kreut të grupit të PS, shteti grek ia ka borxh kaq gjë shqiptarëve.
“Mu në kulm të sezonit turistik duhen shpërndarë mesazhe që në Shqipëri nuk ia vlen të bësh pushime se ka protesta. Unë e di fare mirë që aty ka pasur një komunitet që fliste një gjuhë të përafërt me greqishten që i thoshin Nartçe. Por nuk mund të thuash që aty ka vetëm grekë
Tani kam dhe unë një kërkesë për Greqinë. Kemi të paktën 1 milionë shqiptarë që disa kanë punuar në të zezë dhe disa kanë punuar me letra. I kemi rifilluar negociatat dhe unë mezi pres nga Parlamenti grek dhe shqiptar që të mriatojmë marrëveshjen e pensioneve njësoj si me Poloninë. Ia ka greqia kaq gjë borxh shqiptarëve”, tha mes të tjerash Balla.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka ironizuar ndryshimin e qëndrimit të kryedemokratit Sali Berisha, lidhur me investimin në Zvërnec dhe protestat qytetare.
Gjatë fjalës në Parlament, Balla tha se Berisha (i cili deri dje thoshte se protestën e organizon kryeministri Edi Rama, që të largojë investitorët) është trembur nga protestuesit që shkuan dje para selisë së PD-së.
Balla dënoi grumbullimin e protestuesve para selive të PS dhe PD, pasi sipas tij, kjo mund të çojë në përplasje mes qytetarëve.
Teksa i qëndroi pretendimit se protestat për Zvërnecin organizohen nga qarqe greke dhe nga shtete që duan të ‘godasin’ turizmin shqiptar, Balla shtoi se Narta është tokë autoktone shqiptare, duke i quajtur të pabaza pretendimet e fundit nga disa media dhe faqe interneti greke.
“Fati i keq i juaji është që zotëria i ka përzënë të gjithë dhe s’mund të ftojë asnjë prej themeluesve. I ka ngelur vetëm Tritani i shkretë që e mban si relike. Çfarë piruete ishte kjo fjalë tani. E paimagjinueshme sesi mund ta dredhë burri në një moshë kaq të përparuar, brenda 72 orëve.
Të mbaj njeriu këtë ndryshim qëndrimi. Erdhi këtu dhe tha që mbështes protestën, ndërkohë që vet doli dhe tha se protestën e organizon Rama sepse do të përzërë investitorët. Tani ose jeni trembur, se ju erdhën protestuesit te dera e partisë, që unë e dënoj. Kush është pas atyre që sjellin protestues në selitë e partive, nuk ja do të mirën partive. Kushdo që çoi protestues mbrëmë te selia e PD dhe parmbrëmë te selia e PS, është gabim. Sepse atje mund të ndodhen militantë të partisë tjetër dhe çon në vëlla-përplasje.
Në rastin në fjalë, investitorët nga Katari kanë paguar 225 milionë dollarë dhe kanë blerë tokën. Shteti është garant me ligjin e investimeve strategjike. Unë nuk di që Katari dhe Izraeli janë vende të njëjta. Një mikut tim në Rumani i kishin nxjerrë një foto nga Lungomare plotë me njerëz, sikur protesta bëhej atje. Në kulm të sezonit, bëhen këto gjëra që të krijohet përshtypja sikur në vendin tonë nuk bëhet turizëm. Nuk pranoj dot që të më thonë që Narta është tokë e një komuniteti pakice kombëtare. Narta është tokë shqiptare autoktone. Aty ka pasur një popullatë që fliste një dialekt të gjuhës greke, që quhej Nartçe”, tha mes të tjerash Balla.
Kryedemokrati Sali Berisha është shprehur se qeveria shqiptare duhet të bëjë më shumë transparencë dhe më shumë dialog me qytetarët, në lidhje me investimin që do të kryehet në Zvërnec.
“Siç e shihni është bërë botërore. Si ka mundësi që asnjë deputet, asnjë qytetar i Vlorës apo i Shqipërisë, nuk dinë absolutisht asgjë për këtë investim disa miliardësh. Por le të marrim pak nga ana qeveritare, shtetërore. Kur një qeveri pranon një projekt ide të një investitori të huaj, s’mund të japë kurrë leje zhvillimi pa sqaruar pronësinë në çdo metër katror. Çfarë del tani? Nga kockat mafioze të Pjerin Ndreut... A të kujtohet kur thoshte ka ardhur Gjoni nga Mirdita ka marrë kaq metër katror në Karaburun? Ja kush është Gjoni nga Mirdita, Pjerin Ndreu.
Qeveria duhet të shpallë parimet. A ka një zotim, a keni parë ju ndonjë studim të mjedisit? Zero keni parë. Keni parë ju një direktivë, çfarë do ndërtohet aty? Me çfarë materiali do të ndërtohet? Çfarë habitati do prekësh? Si ky habitat do kompensohet? Dhe a lejohet apo nuk lejohet nga direktiva ‘Natyra 2000’? Sepse nëse nuk lejohet, absolutisht do i vësh drynat Brukselit, se nuk pranohesh. Sepse pasuria natyrore e njërit vend, është pasuria e Europës. Zonat e mbrojtura të njërit vend janë për të gjithë Europën.
Dhe ata kanë një ligj shumë të fortë. Ku i keni këto ju? Zero. Aty janë edhe disa fshatarë që i kanë mbjellë rrënjë për rrënjë ato ullinj. Që kanë kockat e të parëve aty. Ata u gdhinë me tela me gjemba. Ju akuzoni jo i ka futur greku, jo i ka futur rusi. Mafje, mafje dhe vetëm mafje. Pse kjo mungesë totale transparence? Sikur e ka pronë të vetën ai që po vjedh Gjipenë, një nga kanionet më të bukura në botë. Nga mos të revoltohen qytetarët? Dhe ndaloni menjëherë kundër-mitingjet, sepse do të keni pasojat”, tha mes të tjerash Berisha.
Rruga e hyrjes së Shkodrës do të jetë e përfunduar brenda 23 qershorit, tha ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, gjatë interpelancës me deputetët Kliti Hoti e Gjin Gjoni për projektet në Shkodër e Lezhë. Një tjetër projekt i rëndësishëm që do të përfundojë në dhjetor 2026, është ura e Bahçallëkut.
Sa për Milot-Balldrenin, Karakaçi tha se ka një vonesë dyjavore pasi është në fazën përmbyllëse të koncensionimit.
“Jemi në përputhje me kushtet e kontratës. Që nga maji është e aksesueshme në të dyja korsitë. Do të përfundojë brenda afatit, brenda datës 23 qershor do të jetë i përfunduar. Është shtuar një rrethrrotullim që u konsiderua i nevojshëm për komunikimin e banorëve dhe bizneseve në dy anët e rrugës. Jam i pakënaqur sepse humbet lëvizshmëria, por projektet rrugore lidhen edhe me ndërlidhjen e banorëve.
Brenda muajit nëntor-dhjetor të vitit 2026, ura e Bahçallëkut është e përfunduar. Lumi ka qenë në nivel të lartë dhe është e pamundur të punohet.
Sa i përket rrugës së Dukagjinit, punimet e parashikuara janë përfunduar dhe kolauduar gjatë 2025 në përputhje me afatet.
Ura e Matit, ka pasur ndërhyrhje në këmbët e urës që të mos kishim rrezik. Ajo urë është pjesë e projektit të Bankës Botërore për riasfaltimin në tërësi. Riveshja me asfalt e asaj ure besoj duhet të fillojë në muajin shtator.
Ura e Lezhës, është në vëmendje dhe grupet e terrenit janë në monitorim të vazhdueshëm.
Milot-Balldreni është projekt jashtëzakonisht shumë i rëndësishëm. Ai aks është në kohën jashtë sezonit veror dhe është jashtë kapaciteteve. Fituesi duhet të kishte dalë brenda datës 20 maj, kërkoj shumë ndjesë sepse i ndiej ato dy javë të humbura. Projekti i Milot-Balldrenit është në fazë koncensionimi, është në fazën përmbyllëse”, tha Karakaçi.
Sali Berisha kundërshtoi takimin e PS në Vlorë që do të mbahet të premten, në kuadër të 35-vjetorit të partisë. Gjithashtu, pati akuza edhe për “opozitën e opozitës” (lëvizjen e Ervin Salianjit) duke e quajtur si shërbëtore të qeverisë.
"Denoncoj me forcën më të madhe qëndrimin stalinist të Edi Ramës për të organizuar kundërmiting në Vlorë, ka organizuar një akt të shëmtuar, kriminal. Merrni masa të anuloni kundërmitingun", tha Berisha.
Taulant Balla ia ktheu Berishës se fatkeqësisht s’mund të jetë i ftuar në festat e ditëlindjes së PS ndërsa shtoi se në zgjedhjet e ardhshme, opozita do të mposhtet sërish.
“Insistoni me padurim të merrni pjesë në festat e PS. Kemi një kalendar të parashikuar të festave tona. Sigurisht që s’mund të jeni i ftuar në ditëlindjet e PS as në Vlorë, as në Tiranë, asgjëkundi. Ne ju kemi mundur 15 herë nga 20 beteja elektorale, me Edi Ramën ju kemi mundur 8 herë rresht. Do ju mundim pas një viti, edhe në 2029. Nesër në Vlorë kemi një festë ditëlindjeje dhe populli i Vlorës është kryeqyteti i PS", tha Balla.
Në interpelancën me opozitën lidhur me emigracionin e paligjshëm dhe trafikimin e qenieve njerëzore, Besfort Lamallari tha se nuk bëhet fjalë për asnjë urgjencë. Sipas ministrit të Brendshëm, Shqipëria nuk është kamp tranziti për emigracionin ilegal dhe as hapësirë për korridoret e krimit.
“Në 2024 janë evidentuar 1540 emigrantë të parregullt, në 2025 1926. Kemi një rritje me 25%, por duhet parë në perspektivë. Në 2022, u evidentuan mbi 8000, në 2023 mbi 6000. Niveli aktual s’ka krahasim fare. S’ka asnjë sens urgjence që justifikon një interpelancë urgjente. Rritja e 2025 nuk duhet lexuar jashtë kontekstit rajonal. Një fenomen i ri ka qenë hyrja e shtetasve nga Bangladeshi, Nepali dhe Sri Lanka nga Mali i Zi. Autoritetet shqiptare kanë punuar menjëherë për rikthimin e tyre në vendin e origjinës. Numri i azilkërkuesve në Shqipëri ka rënë në 104, ndërsa pjesa e tyre më e madhe vijnë nga Pakistani. Shqipëria nuk perceptohet si destinacion përfundimtar, por vend tranziti. Sfida jonë kryesore mbetet menaxhimi i flukseve. Rrjetet ekzistojnë, por goditen me intensitet në rritje. Përgjigjja për pyetjen lidhur nëse Shqipëria është shndërruar në kamp tranziti për emigracionin ilegal është e qartë dhe e prerë, jo. BE ka vlerësuar pozitivisht strategjinë për migracionin, planin e bashkëpunimit për kthimin dhe ripranimin. Shqipëria nuk është një hapësirë ku krimi organizon korridore të lira kalimi përkundrazi, po dëshmon se është një partner i besueshëm dhe serioz në mbrojtjen e kufijve të Europës”, tha Lamallari.
Qëndrimi i grupit parlamentar të PD u përfaqësua nga Klevis Balliu, i cili tha se ministri i Brendshëm është rasti i vetëm që nuk sheh si emergjencë sigurinë kombëtare. Duke sjellë një sërë raportesh e shifrash, Balliu tha se problemi është lidhja mes shtetit e krimit, pasi ky i fundit nuk ekziston në boshllëk.
“Rast unik që ministri i Brendshëm thotë s’është emergjencë siguria kombëtare. Shqipëria është përdorur si korridor i rëndësishëm për emigracionin dhe trafikimin, organizatat kriminale kanë ndërtuar rrjete të sofistikuara. Pas çdo organizate kriminale fshihet pyetja: ku ishte shteti? Si ka mundësi që organizatat kriminale veprojnë pa u goditur? Problemi është lidhja mes krimit dhe shtetit. Kush përfiton nga kjo veprimtari? Krimi nuk ekziston në vakuum”, tha Balliu.
Gent Strazimiri pati një përplasje në Kuvend me deputetin e Lëvizjes Bashkë, Redi Muçin. Ai e quajtur “marksist-leninist” e “komunistuc”. Sipas deputetit demokrat, po përkrahin protestën e Zvërnecit kur ndërkohë ka dalë urdhri për terapinë hormonale të transgjnorëve. Më tej, i hodhi akuza se kanë larguar protestuesit duke e kthyer tubimin në politik.
“Tani dy fjalë për të gjithë dashnorët e flamengove dhe pelikanit kaçurrel. Ti, Lenini… nuk mund të të dhimbset pelikani kaçurrel dhe flamengo ditën kur këta kanë nxjerrë fonde me terapi për të ndryshuar seksin e fëmijëve tanë. Me taksat tona, që të dhimbsen aq shumë. Atë sheshin që e ke plot aty, 60-70% e ke demokratë. ‘Rama dhe Berisha njësoj në burg’, ke nxjerrë dje një pankartë dhe disa qindra prej atyre i ke sjellë të PD-së. Marksista-leninista të vegjël… Marsi ka një faturë të papaguar… Ti, komunistuc i vogël, jashtë kohe… qorra apo çfarë jeni ju që vazhdoni të thoni Marksi dhe Lenini? Mirë është po ta paguash ti, të vijnë ta paguajnë këta. Nëse do ta hapësh këtë lojë, ne e hapim, por ty nuk të leverdis. Gjëja e vetme që ke bërë duke çuar njerëzit atje është se treçerekun e sheshit i ke larguar, se nuk është protestë politike, por qytetare. Me kujdes herë tjetër, edhe me batuta, edhe me të gjitha, fol se të përgjigjem prapë unë”, tha Strazimiri.
Muçi iu përgjigj se të rinjtë që protestojnë s’njohin Marksin, por Berishën dhe Ramën, ndaj protesta është kundër tyre.
“Meqenëse këtu ndodh shpesh që nga të dyja krahët të më referohen mua dhe Lëvizjes Bashkë si marksistë dhe leninistë, dua t’u them që ata të rinj që protestojnë në atë shesh nuk e njohin Marksin. Ata që kur kanë hapur sytë kanë parë Sali Berishën, që kur kanë nisur të ecin kanë njohur Edi Ramën. Ata të rinj dhe të reja protestojnë kundër jush, kundër dëmit që i keni bërë këtij vendi, kundër shkatërrimit. Dilni dhe jepuni llogari! Mund të vazhdoni pafundësisht me batuta të dala boje. Ju duhet të mbani përgjegjësi për çfarë keni bërë 35 vjet dhe keni fytyrë e na drejtoheni ne!”, përfundoi Muçi.
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari iu kthye opozitës e cila po akuzonte socialistët se duan të përçajnë protestën për Zvërnecin dhe se kanë dhunuar të rinjtë. Lamallari tha se ky është një teatër i shëmtuar që opozita po e përdor për qëllimin e tyre populist. Pas kësaj, Lamallari u largua nga salla.
“Të çohesh në 1 minutë heshtje në nder të policit dhe të vijosh me këtë teatër të shëmtuar. Ruaj zot shqiptarët nga ata njerëz të paskrupujt me maska që janë të gatshëm të ecin mbi viktima vetëm për qëllimin e tyre populist. Po ju s’keni lidhje me atë protestë, ata ju përbuzin. Është një teatër që unë e përbuz. Mund të shkoni në protestë të kapin ndonjë reels, por nuk keni lidhje me atë protestë, nuk frymëzoni.
Po komunikoja me drejtuesin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit i cili më njoftoi se efektivi është jashtë rrezikut për jetën. Do të bëhet gjithë vlerësimi i situatës, do të merren të gjitha masat, administrative, ligjore. Nëse vazhdojmë më këtë teatër, turpi qoftë me ju, është më e rëndësishme te jem në spital të vizitoj policin, se të rrije me një shoë të shëmtuar që qytetarët e përbuzin”, tha Lamallari.
Deputeti Pirro Vëngu iu drejtua Sali Berishës duke thënë se vlonjatët s’kanë për t’i kërkuar leje kur të mblidhen, duke iu referuar takimit të së premtes së PS në kuadër të 35-vjetorit.
“Kanë ikur vitet kur intimidoje vlonjatët, gjyshërit dhe baballarët tanë. Kjo gjeneratë në Vlorë s’ka për t’ju kërkuar leje as kur të mblidhet, as kur të festojë. Nga kolegët e nderuar të opozitës që e përfaqësojnë Vlorën me korrespondencë, keni filluar të interesoheni se çfarë duan vlonjatët. Kërkojini bizneseve, rinisë vlonjatë se çfarë kërkojnë pastaj linçoni këtu! Nëse doni që ligjet të reformohen, ejani, propozoni, sepse jemi këtu për t’ju dëgjuar dhe edhe për t’ju refuzuar se siç e keni emrin, jeni opozitë. Është për t’u vlerësuar fakti që po flasim për shumë më shumë sesa Zvërneci. Zhvillimi i këtij vendi duhet të jetë debat maturie. Doktor, nga vlonjatët mos prit kurrë të të kërkojnë leje”, tha Vengu.
Ndërsa Berisha iu përgjigj deputetit duke i thënë se është dezertor që më pas doli në krye të ushtrisë. (Përpara Ermal Nufit, Pirro Vengu mbante detyrën e ministrit të Mbrojtjes).
“Folësi, pasi dezertoi nga ushtria, bëri mashtrimin madhor se është pasardhës i Marko Boçarit dhe Sali, mos i bjer në qafë kot. Ky është pasardhës i një familje kallajxhi. Hiqni dorë nga antimitingu. Ke dezertuar apo jo? Dezertove dhe dole pastaj në krye të ushtrisë”, tha Berisha.
“Jam krenar që kam prejardhje suljote, jam krenar që kam edhe mamanë minoritare. Jam krenar edhe që kam pasur pjesëtarë të familjes si pjesëtarë të Pavarësisë. Vlonjatët nuk iu kërkojnë leje dhe nuk kanë nevojë të marrin leje nga ju”, ia kthe Vëngu.
Sali Berisha u shfaq sërish nga foltorja e Kuvendit duke mbrojtur investimin në Zvërnec, por akuza hodhi ndaj mazhorancës se po ka organizuar antimiting në Vlorë.
“Denoncoj me forcën më të madhe qëndrimin stalinist të Edi Ramës për të organizuar kundërmiting në Vlorë, ka organizuar një akt të shëmtuar, kriminal. Merrni masa të anuloni kundërmitingun. Të garantoj, shërbëtorët e qeverisë se asnjë forcë në botë nuk mposht dot këtë opozitë o mjeranë. Opozita e opozitës është shërbëtorja e qeverisë, loja e ndyrë e Edi Ramës. Ta harrojë kush se ne do të pajtohemi me aktet e Edi Ramës, me epitete të tipit të Spirokolekës, Enver Hoxhës, xhelatit Rama, topat e ujit kundër nënave me fëmijë. Partia e krimit ju ka vënë një fashë përpara. S’ka asgjë që mund të devijojë këtë forcë politike, asgjë. Do të qëndrojë e palëkundur”, tha Berisha.
Përgjigjen e mori nga kreu i grupit të PS, Taulant Balla i cili me ironi i tha Berishës se s’mund të jetë i ftuar në festat e ditëlindjes së PS ndërsa shtoi se në zgjedhjet e ardhshme, opozita do të mposhtet sërish. Duke u ndalur tek Zvërneci, Balla tha se Shqipëria nuk e ka luksin ta humbasë një investim të kësaj përmase, ndërsa Berishës i kujtoi emrin e Artur Shehut. Një i fortë i Vlorës në vitet ’90, emrin e të cilit mediat në historinë e Zvërnecit e lidhin me Berishën, duke thënë se ka përfituar nga pushteti i PD-së, duke u bërë pronar tokash në jug.
“Insistoni me padurim të merrni pjesë në festat e PS. Kemi një kalendar të parashikuar të festave tona. Sigurisht që s’mund të jeni i ftuar në ditëlindjet e PS as në Vlorë, as në Tiranë, asgjëkundi. Ne ju kemi mundur 15 herë nga 20 beteja elektorale, me Edi Ramën ju kemi mundur 8 herë rresht. Do ju mundim pas një viti, edhe në 2029. Nesër në Vlorë kemi një festë ditëlindjeje dhe populli i Vlorës është kryeqyteti i PS. Me makinën e Artur Shehut ka shkuar në Vlorë ky, pyete! Merre me qetësi, siç ju kemi mundur, do të vazhdojmë t’ju mundim përsëri dhe bëni mirë që të vini mend se nuk po ju kupton askush. Zotëria del dhe thotë mbështesim investimin, të paktën tregon kulturë. Ai investim do të realizohet se Shqipëria nuk e ka luksin dhe as shansin ta humbë sepse do ta vendosim aty ku na takon, në ligën e vendeve të turizmit të zhvilluar. Ata që dalin kundër. Tregohuni me një qëndrim, dilni këtu dhe thoni, jeni pro apo kundër këtij investimi”, tha Balla.
Artur Shehu është një nga pronarët e tokave në Zvërnec ku pritet të ndërtohet resorti turistik. Në llogaritë e Shehut dhe të tjerëve i është vendosur sekuestro shifrës prej 195 milionë dollarësh, e cila sapo ishte transferuar nga vëllezërit nga Katari, llogaritë e të cilëve tashmë janë zhbllokuara nga SPAK.
Por, ndonëse Taulant Balla hodhi akuza se Berisha ka shkuar në Vlorë me makinën e Artur Shehut, kreu i PD heshti dhe nuk tha asnjë fjalë. Ai vijoi akuzat për antimitingun që pretendon se është thirrur nga PS nesër në Vlorë.
“Dekoratat e turpit në partinë e krimit në degën Vlorë u shpërndanë pardje. U dekorua famozi Mezan Malaj, tjetri me radhë dhe ky është mashtrim publik që bëni. Tani thoni se do të shkoj në fshat, bëni mbledhje 4 orë, s’flisni dot një fjalë. Nesër është antimiting dhe mos guxoni ta organizoni. Ku është Erioni? E dekoroi bashkë me Gramozin. Hiqni dorë nga antimitingu, dhuna ndaj protestuesve paqësorë, keqpërdorimi i opozitës së opozitës që është krijesë mjerane, shërbëtore mjerane e qeverisë”, tha Berisha.
Kreu i PD, Sali Berisha akuzoi Edi Ramën se po organizon antimiting s ai përket çështjes së Zvërnecit. Nga Kuvendi, Berisha pretendoi se mazhoranca u ka kërkuar punonjësve të administratës në jug, që të dalin në protestë nesër në Vlorë, me qëllim përçarjen e protestës në kryeqytet. Berisha e quajti praktikë fashiste.
“Denoncoj me forcën më të madhe vendimin e kreut të Meduzës, kreut të organizatës kriminale për të organizuar nesër në Vlorë anti-mitungun e turpshëm të historisë. Ju paralajmëroj se antimitingjet tuaja nuk do të tolerohen, do të marrin atë përgjigje që do të mjeroheni me të. A ka akt më të turpshëm të marrësh nënpunësit dhe të dalësh në anti-miting ndaj protestës qytetare. A ka akt më përçarës? Hiqni dorë, anulojeni. Keni dërguar mesazh te të gjithë punonjësit e të gjithë Jugut, njësoj si Ramiz Alia që donte të shpallte Republikën e Vlorës me vullnetarët e Enverit. Tani janë vullnetarët e Edit. Dënoj edhe dhunën ndaj qytetarëve në protestë. Është fashiste, staliniste praktika e anti-mitingjeve. Kam publikuar mesazhet që keni nisur në administratë”, tha Berisha.
Deputeti socialist Ardit Bido i kërkoi llogari opozitës për mungesën e saj në protestën e 30 majit në Zvërnec. Duke veçuar Lëvizjen Bashkë, Bido tha se opozita u zgjua vetëm të nesërmen për të shfrytëzuar reagimin publik, diçka që e quajti “teatër.”
“Ku ishit ju teatri? Pse u kujtuat të nesërmen kur patë se kishit sentiment publik dhe të shfrytëzoni sentiment publik?”, tha Bido.
Ndër të tjera, i pyeti pse nuk flasin për pronarët e vërtetë të Rrjollit, por heshtin për shkak të Bashkim Ulajt, ndërtuesit dhe botuesit pranë familjes Berisha.
“Jeni të pabesueshëm! Nuk folët kur ishte për të folur, dolët dhe na bëni shoë sot! Ulaj, Ulaj, Ulaj, pse u ulët? Kur keni këtu emra, dilni flisni me emra! Fisi Moçka, fisi Balliu kanë të drejtën e pronësisë! Pse s’e thoni? Sepse s’keni guxim, sepse jeni hipokritë!”, përfundoi Bido.
Erald Kapri hodhi akuza drejt nënkryetares së Kuvendit, Klodiana Spahiut, për shkelje të rregullores së parlamentit pasi kryeministri nuk është thirrur për t’u përgjigjur para parlamentit. Gjithashtu, ai iu drejtua ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallarit, duke i kërkuar llogari për deklaratën e Ramës se Shqipëria është në luftë hibride.
Kapri e akuzoi ministrin edhe se policia ka përdorur dhunë në protestat për Rrjollin e Zvërnecin, gjë për të cilën i tha të jepte dorëheqjen.
“Kemi bërë pyetjet për kryeministrin dhe ai duhet të vijë këtu. Nuk mblidhni seancën e të mërkurave që kryeministri të vijë këtu dhe të japë llogari. Silleni në momentin më të parë të mundshëm. Së dyti, kemi bërë kërkesë për interpelancë me ministrin e Brendshëm për dhunën që ka ndodhur në Rrjoll dhe Zvërnec. Kryeministri deklaroi dje për CNN se jemi në luftë hibride. Ministri drejton antiterrorin në Shqipëri. Dil dhe jep llogari se kush po e sulmon Shqipërinë. Dje policia juaj në mënyrë të palajmëruar bllokoi bulevardin dhe nuk e mbajti dot atë gardh. Po në Rrjoll nuk e patë dhunën e policisë private ju? Lërini dopio standardet, nëse ke guxim, jep dorëheqjen për provokimin që i bëre dje rinisë shqiptare që s’ka pasur guxim ta bëjë as diktatori i fundit! Jep dorëheqjen!”, tha Kapri.
Deputetja Ina Zhupa kërkoi llogari në Kuvend për mospërfshirjen e interpelancës së saj me ministrin e Mjedisit. Gjithashtu Zhupa foli edhe për protestën për Zvërnecin duke thënë se qeveria duhet të tërhiqet pasi s’ka turizëm të qëndrueshëm me beton.
“Kam kërkuar interpelancë me ministrin e Mjedisit për projektin e Zvërnecit. Ku e keni ministrin? Pse nuk është futur në rendin e ditës interpelanca? Bëtë Gjirin e Manastirit kompleks, nuk pyetët se ishte zonë e mbrojtur, Butrintin po ashtu… nuk po pyesin as për Zvërnecin. Sot shqiptarët janë çuar, për një betejë që unë e kam nisur që me Butrintin dhe PD e ka çuar në Gjykatën Kushtetuese. Nuk ka turizëm të qëndrueshëm me beton të qëndrueshëm. Duhet të tërhiqeni dhe të trembeni nga shqiptarët e ndershëm që protestojnë atje përtej cdo partie. Nuk mund të thoni janë anti mjedisit se duan të respektojnë natyrën dhe mjedisin”, tha Zhupa.
Komente








