Rama: Nëse KE do reformën zgjedhore para vendimit për negociatat, e miratojmë pa PD-në...sipas OSBE-ODIHR

Deputetja Rudina Hajdari kërkoi që opozita e re të jetë pjesëmarrëse në procesin për reformën zgjedhore, duke e quajtur të turpshme ftesën e Partisë Socialiste për të pritur deri më 5 maj Pardinë Demokratike jashtë parlamentare për të dhënë sugjerimet e saj për reformën. Ajo tha se opozita e re duhet të shfaqë idetë e saj për sistemin e ri zgjedhor. Përgjigjet kryeministri Edi Rama, duke sqaruar se opozitën e vjetër e pret vetëm për këtë pikë, duke qenë se reforma ka nisur me PD-në e vjetër.

Megjithatë, kreu i qeverisë tha se nuk mund të presë PD-në pas 5 majit, dhe nëse Komisioni Evropian e sheh reformën si kyçe për raportin e progresit të qershorit për çeljen e negociatave, atëherë Kodi i ri zgjedhor do të miratohet pa PD-në e vjetër, me votat e opozitës së re, vetëm sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe asnjë sugjerimi të jashtëm. Për miratimin e saj duhen 84 vota, pra edhe votat e deputetëve të rinj nga opozita. Shefi i mazhorancës tha se me opozitën e re do të votohen ndryshime të tjera të Kodit, pasi pritet të ketë ndërhyrje për të miratuar votën e emigrantëve. Po ashtu do të duhet vota e tyre edhe për ndryshimet penale për ndëshkimin e shit-blerjes së votës.

"Me opozitën e re, miratojmë gjithçka tjetër. Me PD-ne na lidh VETEM reforma zgjedhore", theksoi Rama. Ai u shpreh se ndryshimet në sistemin zgjedhor nuk do të mund të zbatohen në procesin e afërt zgjedhor, atë të 30 qershorit 2019 kur pritet të mbahen zgjedhjet lokale.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:11
Kuvendi miraton zgjatjen e afatit të Komisionit për Reformën Zgjedhore, opozita e re kundër... përveç Aurora Marës

Kuvendi miratoi sot zgjatje me një muaj të afatit për Komisionin e Reformës Zgjedhore. Ky vendim u miratua me 75 vota pro, 15 kundër dhe 4 abstenim nga 88 deputetë të pranishmë në Kuvend.

Gazetarja e Report Tv Esiona Konomi raporton se deputetët e opozitës së re kanë votuar kundër këtij vendimi përveç Aurora Marës e cila votoi pro.

Gjatë seancës së sotme, Kuvendi miratoi me 76 vota Projekt/rezolutën e veprimtarisë vjetore të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2018.

Deputetët miratuan me 73 vota pro, pr/rezolutën veprimtarinë vjetore të Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2018.

Gjithashtu, Kuvendi miratoi me 74 vota pro projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për akuakulturën”. Kuvendi miratoi kandidaturën e Denis Derallës, si anëtar i Bordit të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare.

Ora 13:57
Rudina Hajdari akuza për tre partitë e mëdha: Takoheni jashtë vendit, jua di shumë mirë kodet tuaja

Depuetja demokrate e cila gjatë gjithë seancës së sotme ka qenë mjaft aktive ka hedhur akuza ndaj partive kryesore të cilat sipas saj bëjnë pazare me njëri-tjetrin dhe takohen jashtë vendit.

"Ju vini këtu dhe flisni me opozitën jashtë. Unë i kuptoj shumë mirë kodet dhe e di shumë mirë që bëni dhe takime jashtë Shqipërisë dhe diskutoni cfarë do bëni dhe kujt do ja bëni qejfin. Po unë nuk bëhem pjesë e këtij skenari. Le të flasim për një sistem zgjedhor që e meriton Shqipëria", u shpreh Hajdari.

1554281926_rudina5.jpg

Ora 11:30
Rama: Nëse KE kërkon reformën zgjedhore para vendimit për negociatat, e miratojmë pa PD-në

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Kuvend, se nëse reforma zgjedhore do të jetë kyçe në vendimin që Komisioni Evropian pritet të mbajë në qershor për çeljen e negociatave për anëtarësim, atëherë mazhoranca do ta miratojë reformën pa pritur asnjë rekomandim nga Partinë Demokratike jashtëparlamentare, por do të bazohet vetëm në rekomandimet e OSBE-ODIHR.

Më herët pati kritika nga ana e deputetëve të PD që nuk hoqën dorë nga mandati, që përse PS i bëri ftesë opozitës së vjetër, të bëjnë bashkë reformën zgjedhore, duke kërkuar edhe shtyrjen deri më 5 maj të komisionit parlamentar për reformën zgjedhore.

Rama tha se kjo është ftesa e vetme ndaj opozitës jashtë Parlamentit, dhe e vetmja pikë negocimit për të bërë reformën zgjedhore bashkë me sugjerimet e tyre, pasi është PD-ja që e ka futur reformën zgjedhore si kush detyrues në raport me integrimin.

Nëse PD-ja nuk vjen të ulet në karrigen e komisionit deri më 5 maj, atëherë PS do e votojë e vetmej reformën zgjedhore, por ndryshimet nuk do të hyjnë në fuqi në këto zgjedhje lokale - tha Rama.

Nëse ndodh kështu, atëherë Rama tha se do të ketë sërish më vonë ndërhyrje në Kodin Zgjedhor, dhe këto ndryshime, siç është vota e emigrantëve që nuk është ne rekomandimet e PD-së, do të miratohet me sugjerime të deputetëve të rinj të opozitës.

Me opozitën e re në Kuvend, tha Rama, do miratohen masat e reja në Kodin Penal, për ndëshkimin e shit-blerjes së votës.

"As nuk kanë ardhur të thonë si e duan atë reformë zgjedhore, ne do t'i presim aq sa pret puna. Nëse nga ana e KE, do të kuptojmë se ligji zgjedhor duhet kaluar përpara se të merret vendimi për çeljen e negociatave, ne do ta kalojmë këtu, dhe do ti bazohemi vetëm rekomandimeve të OSBE-ODIHR, do të jetë një vendim që nuk vlen në këto zgjedhje vendore, nuk mund të bëhet depolizimi. Do të votojmë vetëm kornizën e OSBE, ODIHR. Për ne është kantier i hapur reforma zgjedhore, dhe do t'i kthehemi përsëri për votën e emigrantëve. dhe me ju jemi gati të diskutojmë çdo gjë tjetër.  Karrigia e tyre vlen vetëm për kaq, dhe është me afat. Ata mund të kenë shpresë që këtu do vinë nga qielli negociatorë e do na ulin në tavolinë e do na thonë hë tani djema si do e zgjidhni këtë punë.Kjo duhet të jetë sh e qartë për të gjithë, nuk është ideja që së bashku me ta të bëjmë asgjë tjetër përveçse kaq", theksoi kryeministri.

VIDEO/Fjala e plotë e kryeministrit Rama në parlament

Pjese nga fjala e Rames

"Nuk e kemi futur ne reformën zgjedhore si kusht për një proces skanimi të plotësimit të detyrimeve të Shqipërisë në raport me integrimin, e kanë futur ata dhe miqtë e tyre në Berlin, në partitë simotra në Berlin, dhe ne e kemi mirëpritur. Pse? Për të njëjtën arsye, për t'i thënë fund administratës zgjedhore politike, dhe për ta kthyer në një administratë të depolitizuar që i shërben vetëm procesit. Nëse një militant i verbër është në gjendje të shkojë dhe t'i bjerë me kokë derës së kryeministrisë të hedhë bojë mbi murin e ministrisë së Brendshme, të bëjë burg për llogari të atyre që e shtynë në atë rrugë, shkon në komision zgjedhor edhe shkel ligjin. Ndërkohë që një mësues, apo cfarëdoqofftë punonjësi që zgjidhet me short a cfarëdoqoftë, kur shkon në komision të votimit nuk shkon as të mbushë as të zbrasë kutinë për llogari të asnjë kryetari partie. Jemi gati ta largojmë këtë barbari. Jemi gati për të gjitha rekomandimet e tjera, që sigurisht nuk zgjidhin problemin e besimit, sepse nuk është shpikur akoma një sistem zgjedhor që t'i japë Bashës pushtetin në tavolinë apo pa e fituar në vota, ne kemi një qasje tonën dhe ne do ta bëjmë këtë. Votën e shqiptarëve, jashtë atdheut, duan s'duan ata, ne do ta bëjmë. Jemi gati të bëjmë edhe diçka që nuk është qasja jonë, por unë e shoh me optimizëm, votimi elektronik, ne i kemi bërë testet, dhe jemi gati të provojmë në atë rrugë, të fusim teknologjinë offline, jo online në votim. Njëra është pjellë e çadrës, dhe nevojë e kohës, për të futur votën e emigrantëve që nuk janë në rekomandimet e OSBE.

Qasja e zgjedhur nga sekretari ynë për çështjet zgjedhore dhe propozimi i tij për të përfshirë PD-në në komision me një karrige, dhe me të drejtën për të dhënë opinionin e vet, është vullnet i mirë nga ana jonë, për të krijuar hapësirë që të përfundojë i vetmi proces që ne kemi bashkë me ta. Procesi i rregullave të lojës, reforma zgjedhore cakton rregullat e lojës për në zgjedhje. I vetmi, i vetmi rast dhe e vetmja pikë ku jemi gati të ulemi me ta, të dëgjojmë të pranojmë sugjerime brenda kornizës së Osbe. Për të tjera çështje, ju e keni të drejtën e pjesëmarrjes në Kuvend, mund të ishim ne që e kemi problem, se bëheni shumicë, ju do keni pjesën tuaj, dhe ju bëni shumicë, ata kanë karrigen e tyre.

Ne jemi njëra anë tjetër, e pangjitshme me ju, nuk ngjitemi dot, duhet të qahemi ne, se ata kanë një karrige që e kanë ata të lirë për ta përdorur. As nuk kanë ardhur të thonë si e duan atë reformë zgjedhore, ne do t'i presim aq sa pret puna. Nëse nga ana e KE, do të kuptojmë se ligji zgjedhor duhet kaluar përpara se të merret vendimi për çeljen e negociatave, ne do ta kalojmë këtu, dhe do ti bazohemi vetëm rekomandimeve të OSBE-ODIHR, do të jetë një vendim që nuk vlen në këto zgjedhje vendore, nuk mund të bëhet depolizimi. Do të votojmë vetëm kornizën e OSBE, ODIHR. Për ne është kantier i hapur reforma zgjedhore, dhe do t'i kthehemi përsëri për votën e emigrantëve. dhe me ju jemi gati të diskutojmë çdo gjë tjetër.  Karrigia e tyre vlen vetëm për kaq, dhe është me afat. Ata mund të kenë shpresë që këtu do vinë nga qielli negociatorë e do na ulin në tavolinë e do na thonë hë tani djema si do e zgjidhni këtë punë", tha Rama.

Ora 11:28
Rudina Hajdari replikë me Ballën: Kahet politike kanë bërë marrëveshje për të mbajtur njëri-tjetrin në këmbë

Pas fjalës së kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, deputetja demokrate Rudina Hajdari tha se ka qëndruar në parlament për t'i thënë të gjitha kaheve politike se kanë bërë marrëveshje për të mbajtur njëri-tjetrin në këmbë duke mos bërë asnjë ndryshim për popullin shqiptar.

"Zoti Balla unë fola qartë, edhe ajo që po bëni ju, e para një herë ai komision i posacëm, nuk mund të vini të tregoni arsyet pse u mandatua. Komisionin e keni bërë me ata deputetë, nuk di cfarë keni folur me ta, dhe cfarë duan të bëjnë ata me atë reformë zgjedhore, Ky është një parlament i ri dhe ju duhet ta pranoni këtë realitet, të pranoni  që do vijnë propozime të reja. Unë nuk kam ardhur këtu të respektoj rekomandimet e OSBE-së, vetëm! Unë kam qëndruar në këtë parlament, për t'ju thënë të gjitha kaheve politikë, që keni bërë marrëveshje me njëri tjetrin për të mbajtur njëri tjetrin në këmbë, për të mbajtur një pushtet që jeni të njëjtët njerëz në këtë parlament dhe nuk keni bërë asnjë ndryshim për popullin shqiptar", u shpreh Hajdari.

Ora 11:21
Rama - deputetëve të rinj: Ju jeni njësoj si ata...por jeni akoma në fazën e ambientimit

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në Kuvend, ju drejtua deputetëve të rinj të opozitës duke i thënë se janë njësoj si ata që tanimë janë jashtë parlamentit dhe kërkojnë të futen sërish brenda me protesta - siç ai u shpreh.

"Ju jeni njësoj si ata, por jeni akoma në fazën e ambientimit, por pres që shumë shpjet edhe ju të jeni në lartësinë e pritshmërive të atyre që ju kanë futur në lista. Kryetari juaj, pavarësisht se zoti Murrizi e mohon, është kryetari i zotit Murrizi", tha Rama.

(ndërhyn Murrizi): Është miku jot

Rama: Është miku im? Por është kryetari jot!

"Duhet të ndaheni nga ata, jo kush është jashtë, kush është brenda, ato dy siglat ne do t'i çojmë për skrap", tha Rama.

Kryeministri foli edhe për sistemin zgjedhor, duke thënë se për herë të parë kuvendi ka përfaqësi të lartë të grave, ndërsa ka edhe një përfaqësim të larmishëm që i përshtatet zhvillimit që vendi ka marrë.

"Debati për sistemin, është debat që s'ka fund, dhe s'ka për të pasur fund jo vetëm në Shqipëri po askund. Me sistemin që kemi zgjedhur, pavarësisht se si është dëshiruar të interpretohet dhe të komentohet lartë e poshtë nga të interesuarit për të justifikuar humbjet e tyre, apo axhendat e tyre mediatike, kemi sot një parlament që s'do ta kishim kurrë me sistemin e kaluar. Mjafton të shikojmë numrin e grave në parlament. Me gjithë respektin për sa tha parafolësja, ose përsa mund të thuhet me të drejtë, për disa avantazhe të një sistemi që kalon drejtpërdrejt nga zgjedhja mazhoritare, ishte vetëm 10 vjet - 15 vjet më parë, kur parlamenti kishte 2-3 gra. Është fakt që me këtë sistem ne kemi krijuar kushte, për të pasur një zgjedhje shumë më përfaqësuese të shoqërisë, dhe jo thjesht për tu lidhur pas individësh që mund të realizojnë marrjen e mandatit në një zona a tjetër, por që nuk garantojnë të paktën në këtë fazë zhvillimi të vendit tonë, një përfaqësim të larmishëm, dhe shumë më pranë ngjyrave të vetë shoqërisë. Ky është fakt, dhe mund ta dëshmojnë të gjitha zonjat në parlament. Parlamenti është vendosur në shënjestër, është përqeshur, e kështu me radhë, për një mijë e një arsye, sikundër treguan edhe faktet, se e gjithë ajo baltë në pjesën e saj më të madhe, ishte propagandë. Unë do ti lutesha të mbajnë parasysh dinamikën e zhvillimit, shoqërinë ku jetojmë, nga vijnë, dhe të kemi gjithmonë në sy horizontin ku duam të shkojmë", tha kryeministri Edi Rama.

Ora 11:03
Zgjedhjet/ Bashkim Fino: PS të tërheqë listat nga KQZ, duhen komisionerë jo politikë

Deputeti i partisë Socialiste, Bashkim Fino i ka bërë thirrje partisë së tij që të tërheqë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, listat e komisionerëve në KQZ

"Ne jemi koshient që ndryshimet dhe perspektiva e proceseve zgjedhore po shkojnë drejt krijimit të administratës zgjedhore jopartiake, profesionale, të përgjegjshme dhe të barazlarguar nga palët politike. Ndaj nëse KQZ arrin të plotësojë numrin e domosdoshëm me komisionerë, unë do i propozoj Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, që të tërheqë listat për komisioner të dorëzuara në KQZ.

Sot ashtu si neser, por sot më shumë se kurrë administrata zgjedhore, mund dhe duhet të jetë e përbërë e gjitha nga individë të lirë, të përgjegjshëm dhe të barazlarguar edhe nga PS. Ky do ish një sinjal i pastër për partitë e spektrit opozitar që ne e kemi seriozisht. Qe ata nuk mund te na terheqin zvarre ne rrugen e tyre te braktisjes se sistemit. Duhet të jetë e qartë që sulmi i tyre nuk bëhet ndaj nesh, por ndaj sistemit. Ndaj ne SOT duhet të mbrojmë sistemin. Të dashur kolegë, të Partisë Socialiste dhe deputetë të rinj të mandatuar rishtazi! Administrata zgjedhore sot duhet të bëhet sfida e shqiptarëve për Shqipërinë", tha Fino.

Ora 11:03
Balla: Partitë që nuk përmbushin detyrimet duhet të kthejnë paratë! PD ka 120 milionë lekë borxh pranë KQZ

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka replikuar me deputeten demokrate lidhur me propozimet e saj për ndryshimet ne Reformën Zgjedhore.

"Pastërtia dhe transparenca e financimit të partive politike është thembra e Akilit. Është një alarm i madh se si ligji i financimit të partive politike në Shqipëri nuk funksionon si rrjetë për shkelësit e ligjit. Duhet të ngremë një ligj të ri.

Ata që numërojnë duhet të jenë një trup vullnetarësh. Një student apo një studente është tërësisht më e pastër se sa kushdo tjetër. Ia kam kërkuar kolegëve opozitarë që në dhjetor të vitit të kaluar/

Ndryshimet në kod nuk mund të jenë të implimentueshme për zgjedhjet e 30 qershorit. Duhet të vijojë puna me përpikmëri. Partitë opozitare kanë detyrimin të plotësojnë vendet në KZAZ. Këtë duhet ta bëjnë qytetarët nuk mund ta bëjmë ne. Partitë politike funksionojnë për shkak të zgjedhjeve. Një parti që nuk hyn në zgjedhje nuk është më parti. Ky parlament është legjitim.

Për sa i përket sistemit zgjedhor ai e ka burimin në Kushtetutë. PS ka pasur dhe ka vetëm një kusht.

Kemi 28 vjet që mbahemi gjallë nga emigrantët dhe i kemi mohuar votën në territorin e vendit. Janë më shumë se 1/3 që jetojnë jashtë vendit. Në zgjedhjet e 2021 do ishte mirë ta kishim këtë mundësi. Për sa i përket partive politike cdo parti që financohet nga KQZ dhe nuk përmbush detyrimin duhet t'i kthejë paratë. PD i ka borxh 120 milionë lekë për shkak se nuk e ka respektuar kutotën gjinore", u shpreh Balla.

Ora 10:48
Rudina Hajdari kritikon ftesën e Gjiknurit: Reformën zgjedhore duhet ta bëjë opozita e re

Ftesës së Damian Gjiknurit për të pritur opozitën jo parlamentare, në një tryezë negociatash për reformën zgjedhore deri më 5 maj, është pritur keq nga deputetja e Partisë Demokratike Rudina Hajdari. Ajo e quajtur të turpshme ftesën që Gjiknuri i bëri ish-opozitës, kur tashmë në Kuvend, kanë ardhur deputetë të rinj që kanë zëvendësuar opozitën që dogji mandatet. Në fjalën e saj në Kuvend, Rudina Hajdari tha se duhet dëgjuar zëri i tyre sa i përket ndryshimeve të mundshme në Kodin Zgjedhor. Hajdari sqaroi se mandati i komisionit parlamentar të reformës zgjedhore, ka mbaruar më 21 shkurt 2019, dhe se në 1 vit nuk dha asnjë rezultat.

"Ata deputetë që ishin sot nuk janë më, dhe ju e keni bërë marrëveshjen me ta, jo me ne. Me këtë parlament që është sot, erdhi si erdhi puna tanimë i përket të shkuarës, dhe duhet të bëjmë të pamundurën. Deklaratat e zotit Gjiknuri ishin shëmbëlltyra më e keqe se cfarë ndodh në këtë sistem. Zoti GJiknuri pa pikë turpi, jashtë Kushtetutës, i shtriu dorën opozitës dhe tha: Do bëheni pjesë në komisionin e reformës zgjedhore.

Ky komision duhet të mbyllet, duhet të merren parasysh këta deputetë që kanë ardhur nga një listë e caktuar, dhe ju duhet të shpalosni idetë tuaja, përsa i përket sistemit zgjedhor. Unë do jap propozimet e mia si deputete, se çfarë dua të shoh unë të ndodhë në muajt e ardhshëm", tha Rudina Hajdari.

PD i kërkoi Kuvendit shtyrjen e afatit të Komisionit të reformës zgjedhore deri më 5 maj, kohë brenda së cilës pret opozitën jo parlamentare për të dhënë qëndrimet e saj në lidhje me reformën zgjedhore, dhe më tej t'i votojnë deputetët e rinj të opozitës, që erdhën nga listat e PD-së dhe LSI-së në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës.

Ora 10:43
Rudina Hajdari propozon ndryshime në Reformën Zgjedhore

Depuetja e Partisë Demokratike, Rudina Hajdari në fjalën e saj në Kuvend bëri disa propozime për reformën zgjedhore. Ajo tha se partitë politike nuk duhet të cënojnë parimet demokratike. Ajo kërkoi 

"Neni 9 i Kushtetutës thotë se partitë politike nuk duhet të cënojnë parimet demokratike. Mendoj se duhet të ketë propozime të hapura që populli shqiptar të votojë në mënyrë të ndershme dhe të lirë. Duhet të kemi një ide të qartë për sa i përket financimit të partisë politike. Ky parim ishte dhe në raport po nuk është zbatuar asnjëherë.

Duhet të ketë një organizim ndryshe brenda partive politike. KQZ duhet të shohë se cfarë bëjnë këto parti në grupimet etyre për të parë nëse zbatohen rregullat.

Duhet që të eleminojnë partitë e vogla që nuk kanë asnjë lloj funksioni dhe paguhen nga taksat e shqiptarëve dhe nuk bëjnë asgjë tjetër.

Te kodi zgjedhor duhet të depolitizojmë në mënyrë thelëbësorë administratën. Që këtu ne bëjmë tallje me popullin.

Unë nuk do ulem në asnjë lloj komisioni për reformën e zgjedhore pa pasur eskpertët e OSBE dhe një përfaqësues të KQZ.

Duhet të kemi një sistem cfarëdo por jo këtë aktual", u shpreh Rudina Hajdari.

Ora 10:37
Rudina Hajdari propozon një minutë heshtje për viktimat e 2 prillit, Ruçi: U prehshin në paqe (VIDEO)

Deputetja demokrate Rudina Hajdari para nisjes së fjalës së saj në Kuvend, ka kërkuar nga kolegët deputetët në sallë që të mbahen një minutë heshtje për vitkimat e 2 prillit.

“Në radhë të parë meqë dje ishte 2 prilli do doja të mbanin një minutë heshtje për martirët e demokracisë”, u shpreh Hajdari. 

Thirrja e saj u dëgjua nga deputetët e pranishëm në sallë të cilët u ngritën në këmbë, ndërkohë që kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, tha: U prehshin në paqe.

2 prill shënoi një ndër revoltat më të mëdha popullore në vend. Pikërisht pas zgjedhjeve të marsit, edhe pse ishte rrëzuar busti i Enver Hoxhës në Tiranë disa muaj para, shteti autoritar vazhdonte të ishte në këmbë. 

Katër viktima e dhjetëra të plagosur ishin pasojat e plumbave ndaj forcave policore drejt turmës që protestonte. Bujar Bishanaku, Arben Broci, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka ishin të vrarët e asaj dite, sot të shpallur martirë të demokracisë.

Ora 10:18
Zguri prezanton raportin vjetor: Shqiptarët duhet të zgjedhin jo vetëm të votojnë

Kryetari i Komisonit Qëndror Zgjedhor prezantoi pëpara Kuvendit raportin e veprimtarisë vjetore të KQZ. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Zguri tha se raportimet nuk janë thjesht pasqyrë e një pune por duhet t'i shërbejnë të ardhmes. Zguri vuri theskin se zgjedhjet e 30 qershorit duhet të jenë të lira dhe të ndershme ndërkohë që shtoi se ajo që duhet t'i ofrohet votuesve nuk është thjeshtë mundësia për të votuar por për të zgjedhur.

"Partitë politike duhet të tregojnë përgjgjshmëri. Një detyrë që Kuvendi i la KQZ ishte mbledhja e detyrimeve financiare. Janë mbledhur të gjitah detyrimet financiare përvecc një sanksioni i cili është duke ndjkeur procedurat. Nga ana e KQZ janë marrë masa për bashkëpunim me këtë strukturë. Kjo pasqyrë informative nuk duhet të mbyllen këtu. Raportimet bëhen që t'i shërbejnë të ardhmes, Sfida jonë është administtrimi i zgjedhjve me standarte dhe na duhet që administrata zgjedhore të jetë e besueshme jo vetëm për ata që kandidojnë por mbi të gjitha për ata që votojnë. Administratorët zgjedhorë i përzgjedhin bashkarisht KQZ dhe partitë politike. Kur ata të mos funkionojnë nuk do tregohen me gisht ata por ne dhe partitë politike. Zgjedhjet e 30 qershorit duhet të jenë të lira. Shqiptarët duhet të zgjedhin jo vetëm të votojnë. Këtë herë dhe në këtë rast Kuvendi mund të mos ketë nevojë të votojë vetëm një rezolutë", u shpreh Zguri.

Ora 10:16
Betohet Ambra Borova, Kuvendi me 101 deputetë (VIDEO)

U betua në seancën plenare të kësaj të mërkure në Kuvendin e Shqipërisë, deputetja më e re nga radhët e LSI-së, Ambra Borova,m në qarkun e Shkodrës. Kandiadatja në listat e LSI-së në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës, mori mandatin më herët nga KQZ, por nuk mundi të ishte në seacën e shkuar plenare, pasi kishte vetëm pak ditë që u bë nënë. 

Në pritje për të marrë mandatin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, janë edhe dy kandidatë të tjerë, Korab Litja dhe Halil Jakimi nga PD, të cilët dorëzuar formularin e vetëdeklarimit. Bashkë me ta, Kuvendi pritet të shkojë në 101 deputetë.

79 deputetë të maxhorancës

Tre nuk u dogjën që në fillim:

1. Lefter Koka

2. Myslim Murrizi

3. Rudina Hajdari

Janë betuar 16:

1. Ylli Shehu

2. Aurora Mara

3. Enver Roshi

4. Edmond Rrushi

5. Lefter Maliqi

6. Alban Zeneli

7. Ligoraq Karamelo

8. Majlinda Halilaj

9. Ediola Braha

10. Edlira Hyseni

11. Elda Hoti

12. Ralf Gjoni

13. Nimet Musaj

14. Enada Kociraj

15. Arben Elezi

16. Adriatik Alimadhi

17.Ambra Borova

Pritet të betohen

2. Korab Lita

3.Halil Jakimi

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ari: 03/04/2019 11:25

    Mir ka than jozefina qa dojn keto.deputet lanen nam edhe galania e shkodres do bahet depute

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Putin: Ne duam t'i japim fund luftës, jo thjesht ta ngrijmë atë! Negociatat? Në Sllovaki

Putin: Ne duam t'i japim fund luftës, jo thjesht ta ngrijmë atë! Negociatat? Në Sllovaki