TIRANË- Ndërsa jashtë dyerve të Kuvendit protesta përshkallëzoi deri në përplasje me policinë dhe sulm me vezë ndaj makinave të deputetëve, opozita dhe mazhoranca u përfshinë në debate. Për demokratët, është Policia e Shtetit ajo që ka dhunuar protestuesit dhe kjo duhet të ndalet.
“Sot protestuesit dhunohen nga Policia e Shtetit. Hedhja e vezëve ndaj politikanëve është formë e shprehjes së lirisë së mendimit. Taulant, të bëj thirrje të ndalohet dhuna jashtë!”, tha Blendi Himçi.
Taulant Balla, në një reagim të mëhershëm të tij tha se dhuna ishte ushtruar nga protestuesit kundrejt efektivëve.
“Linja terroriste e lidhur me Iranin sulmon Policinë e Shtetit dhe institucionet”, u shpreh ai përmes një videoje ku ndante edhe pamje të Dritan Goxhajt, i cili u shoqërua në Polici.
Në Kuvend, Balla tha se protesta jashtë është organizuar nga drejtuesit e partive të vogla.
“Sot para Kuvendit të Shqipërisë kanë ardhur ithtarët, anëtarët, shërbëtorët, çantëmbajtësit e Arlind Qorit, Adriatik Lapajt dhe Gone Shehajt. Dritan Goxhaj duhet të hetohet thellësisht”, u shpreh ai.
Që në nisje të seancës u rrëzuan kërkesat e depozituara nga opozita për, fillimisht, interpelancë urgjente me Edi Ramën e më tej mocion me debat për 5 kërkesat e protestuesve. Argumenti ishte i qartë: "Ne nuk e pranojmë partinë e Saliut si ndërmjetësuesen tuaj me ne”, tha Balla.
Replikën ia dha homologu demokrat, Gazment Bardhi.
"I bëni cv folësve? Ju me të pandehur ish zv kryeministren", tha Bardhi.
Kjo protestë, tha kreu i grupit parlamentar socialist më shumë sesa PS ka dobësuar vetë Partinë Demokratike.
“Kjo protestë nuk e shpëton PD. Fryma e protestës është anti-establishment për ata që e kuptojnë. Nga kjo protestë nuk do të lindë dot një PD e re, ndërkohë që ne PS e kemi shumë të re. Mund të lindin vetëm parti ideologjike”, tha ai.
Ndërsa partitë vogla i akuzoi se fshihen pas shfaqjes me vezë para parlamentit.
"Sot para kuvendit të Shqipërisë kanë ardhur idhtarët, anëtarët, shërbëtorët, çantëmbajtësit e Arlind Qorrit, Adriatik Lapajt, dhe të Gone Shehaj. Këta kanë ardhur për hesape të këtyre. Këshilla, jo e imja, por e shumë të tjerëve, edhe mbështetës protestës, ka qenë: mos i lini partitë e vockëla t'ju vjedhin protestën", tha Balla.
Ndërsa në nisje të seancën, deputetja socialiste Elisa Spiropali tha për Report Tv se po punon mbi draftin e Shqipërisë së Re por mohoi distancimin zyrtar me Partinë Socialiste…
Në fund të punimeve të seancës plenare u miratuan projektrezolutat për 8 institucionet e pavarura me vlerësimet për veprimtarinë e tyre gjatë vitit 2025-ë dhe detyrat në vazhdim.
Konkretisht janë votuar projektrezolutat për veprimtarinë e komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, Komisionerit për të Drejtën e Informimit, Departamentit të Administratës Publike, Autoritetit të Konkurrencës, Komisionit të Prokurimit Publik, AIDSSH-së, Institutit të Studimeve për Krimet e Komunizmit, dhe Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.
Vetëm pak ditë pasi deklaroi largimin nga grupit parlamentar i Partisë Socialiste, mazhoranca ka vendosur ta zëvendësojë Marjana Koçekun në disa komisione parlamentare. Kështu Koçeku nuk do të jetë më anëtarë e Komisionit të Posaçëm të reformës territoriale, komisionit të Jashtëm apo edhe si zëvendësuese te Kultura.
Votimi në Kuvend:
Projektligji “Për kontrollet zyrtare dhe aktivitete të tjera zyrtare, të kryera për të garantuar zbatimin e legjislacionit për ushqimin dhe ushqimin për kafshë, të rregullimeve për shëndetin e mirëqenien e kafshëve, si dhe për shëndetin e bimëve e të produkteve për mbrojtjen e bimëve në Republikën e Shqipërisë” është votuar në tërësi 74 vota pro, 0 abstenim, 1 kundër.
Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil për vitin 2025” është miratuar me 74 vota pro, 0 abstenim, 1 kundër.
Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale për vitin 2025” miratohet me 73 vota pro, 0 abstenim, 1 kundër.
Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Departamentit të Administratës Publike për vitin 2025” është miratuar me 73 vota pro, 0 abstenim, 1 kundër.
Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2025” është miratuar me 73 vota pro, 1 abstenim, 1 kundër.
Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Komisionit të ProkurimitPublik për vitin 2025” është miratuar me 73 vota pro, 1 abstenim, 1 kundër.
Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit për vitin 2025” është miratuar me 73 vota pro, 0 abstenim, 0 kundër.
Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit për vitin 2025” është miratuar me 74 vota pro, 1 abstenim, 0 kundër.
Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin 2025” është miratuar me 75 vota pro, 0 abstenim, 0 kundër.
Deputeti Gjin Gjoni caktohet anëtar në sekretariatin për Procedurat e Votimit dhe Etikën. Vendimi miratohet në Kuvend me 73 vota pro, 0 abstenim, 0 kundër.
Largohet si anëtare e Komisionit për Reformën Administrative-Territoriale deputetja Marjana Koçeku dhe deputeti Onid Beleri caktohet si anëtar në këtë komision. Vendimi miratohet me 72 vota pro, 0 abstenim, 1 kundër.
Në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme, Marjana Koçeku largohet nga sekretare e Komisionit dhe caktohet deputetja Sara Mila. Vendimi votohet në Kuvend me 74 vota pro, 0 abstenim, 1 kundër.
Deputetja Marjana Koçeku largohet si anëtare e Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme. Vendimi miratohet me 73 vota pro, 0 abstenim, 1 kundër.
Marjana Koçeku largohet si anëtare zëvendësuese nga Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën dhe caktohet deputetja Ilva Gjuzi. Vendimi votohet në Kuvend me 73 vota pro, 0 abstenim, 1 kundër.
Seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë është ndërprerë për 5 minuta, me kërkesë të kreut të Grupit Parlamentar të PS, pas marrjes së informacioneve për aksidentin tragjik të ndodhur në aksin Durrës-Tiranë.
“Të gjithë jemi informuar për një aksident të rëndë të ndodhur në autostradë, dhe në raportime flitet për jetë të humbura. Kështu që do ishte mirë ta ndërprisnim 5 minuta seancën, edhe për të marrë më shumë informacion. Besoj që edhe zoti Leskaj dhe të tjetër janë dakord, që të marrim më shumë informacion”, kërkoi Balla.
Deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido, dënoi aktet e dhunës gjatë protestës së zhvilluar sot para godinës së Kuvendit.
Gjatë fjalës së tij në seancën plenare, Bido akuzoi aktivistët e Lëvizjes Bashkë për vendosjen e një koshi plehrash jashtë ambienteve të Kuvendit, ku ishin shkruar emrat e kryeministrit Edi Rama dhe vetë deputetit socialist Ardit Bido.
Bido tha se deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, nuk ka moral politik për të folur për hallet e qytetarëve, pasi sipas tij, ai babai i tij ka ndërtuar brenda oborrit të një shkolle, me leje të dhënë nga e ëma e tij, kur punonte në Këshillin e Rrethit.
“Teksa ne po diskutojmë për rezoluta, kemi qenë sot dëshmitarë të një tentative për të delegjitimuar institucionet. Jashtë u vendos një kosh plehrash dhe aktivistët e Lëvizjes Bashkë vendosën që të vendosnin 2 emra, Rama dhe Bido te koshi i plehrave. Dhe kjo është përgjigja që Red Muçi, i cili si një brejtës, që duke na folur për brejtësat sot ka ikur nga salla, i jep akuzave që janë të mirëqena. I fola përballë, qëndroi gëk mëk, nuk u përgjigj. Nuk fola me detaje, sepse doja të flisja për dyfytyrësinë. Fola për shkollën Koto Hoxhi dhe thashë që ai është një ndërtim me leje.
Nuk e thashë që leja është dhënë nga Këshilli i Rrethit ku punonte mamaja e Redi Muçit për babain e Redi Muçit, që ndërtonte në oborr të shkollës. Fola për dyfytyrësinë dhe për mungesën e moralit politik që një politikan që tenton të shkaktojë dhunë siç marksizmi i tij na mëson, ka 2-fytyrësinë e plotë dhe flet për arsimin në çastin që është zaptuar oborri i një shkolle, me leje të dhënë nga Këshilli i Rrethit ku punonte mamaja e vetë për babain e vetë. Ndaj i bëj thirrje si inxhinier që të shkojë e të aplikojë për shembjen e asaj godine. I garantoj që edhe unë do të loboj politikisht te instancat përgjegjëse, që ajo leje të miratohet sa më shpejtë brenda procedurave ligjore”, tha mes të tjerash Bido.
Po ashtu, Bido tha se nëse Muçi do të flasë në Kuvend për moral politik, duhet të ‘falë 3.3% të aksioneve që ka te Arameras’.
Bido tha gjithashtu se gjuha e aktivistëve të Lëvizjes Bashkë, por edhe e një pjese të protestuesve, është gjuhë e dhunës, e urrejtjes dhe denigrimeve.
Protestat që po zhvillohen gjatë kësaj periudhe në Tiranë, Bido i krahasoi me një periudhë të errët të Kombit shqiptar, kohën e luftës së klasave.
“I thashë për Aramerasin, ku ka 3.3 %, që t’i fali ato aksione nëse do të vijë dhe të flasë për moral politik këtu, por morali i tyre politik është vetëm gjuha e urrejtjes, gjuha e dhunës dhe këto denigrimet që bëjnë. Por e vetmja gjë që ata dijnë është që të fyejnë sepse nuk kanë argument. Dyfytyrësia e pafytyrshme e një klase që pretendon se është e re politike, por që në fakt na kujton ditët më të errëta të Kombit tonë, në kohën kur Kombi jonë gjendej në kohën e luftës së klasave. Nuk kanë punuar as edhe një ditë dhe vijnë këtu e bëjnë moral, duke na folur për popullin. Rastis që njoh shumë deputetë nga të dy anët e sallës këtu. Këta njerëz nuk kanë kontribuar me asnjë përveç gjuhës së dhunës dhe urrejtjes. Unë refuzoj të marr këshilla morale nga njerëzit që nuk kanë moralin më të vogël. Nga njerëz që mburren se kanë pasur lekë, sepse kanë qenë bijë oligarkësh”, shtoi Bido.
Deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj, i cili është njëkohësisht edhe kryetar i Komisionit Parlamentar për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, ka folur në Kuvend për “projektrezolutën për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil për vitin 2025”.
Xhafaj e nisi fjalën e tij me kritika ndaj institucioneve në vend, duke theksuar se ka institucione që nuk i përmbushin pritshmëritë dhe nuk japin shërbimin e duhur për qytetarët.
Socialisti Xhafaj theksoi se raportimi i këtyre institucioneve në Kuvend duhet të jetë një proces rutinë, teksa shtoi se duhet reflektim real mbi mënyrën sesi këto institucione funksionojnë dhe efektin që ato kanë në jetën e përditshme të qytetarëve.
“Qytetarët i matin institucionet në bazë të shërbimeve që marrin. Ka institucione që i përmbushin pritshmëritë, por ka edhe institucione që nuk arrijnë të japin shërbimin e duhur ndaj qytetarëve. Nuk ndjekin me rigorozitet rekomandimet e Kuvendit dhe nuk prodhojnë rezultatet që qytetarët presin prej tyre. Ky është një fakt që nuk mund të fshihet pas gjuhës formale të raporteve vjetore. Është pikërisht ky hendek që duhet të na shqetësojë seriozisht dhe të reflektojmë të gjithë, duke filluar nga Kuvendi i Shqipërisë. Ky proces raportimi nuk duhet të jetë rutinë. Ai duhet të jetë një moment reflektimi real mbi mënyrën sesi këto institucione funksionojnë dhe efektin që ato kanë në jetën reale”, tha mes të tjerash Xhafaj.
Më tej Xhafa theksoi se në disa prej kapitujve kryesor të negociatave me Bashkimin Europian, performanca e institucioneve të pavarura është një element përcaktues.
Për Xhafën, mbikëqyrja parlamentare nuk është vetëm një funksion i brendshëm institucional, por edhe ‘pjesë e detyrimit tonë europian për të ndërtuar institucione funksionale dhe të përgjegjshme.’
“Në disa nga kapitujt kryesor të negociatave me BE-në, performacna e institucioneve të pavarura është një element përcaktues. Mbikëqyrja parlamentare nuk është vetëm një funksion i brendshëm institucional, por edhe pjesë e detyrimit tonë europian për të ndërtuar institucione funksionale dhe të përgjegjshme. Në shumë raste procesi i mbikëqyrjes parlamentare ka qenë fragmentar, i shkëputur në kohë dhe jo gjithmonë i shoqëruar me ndjekje të qëndrueshme të rekomandimeve të Kuvendit”, vijoi Xhafaj.
Xhafaj theksoi gjithashtu se me projektrezolutën që po diskutohet në Kuvend, Komisioni që ai drejton synon që të sjellë një qasje të re në procesin e raportimeve vjetore të institucioneve të pavarura.
Sipas Xhafajt, këto masa kanë një qëllim të vetëm, të forcojnë cilësinë e qeverisjes demokratike, llogaridhënien dhe transparencën publike dhe për rrjedhojë kjo të përmirësojë besimin e qytetarëve te institucionet e shtetit.
“Pikërisht për këtë arsye, Kuvendi ka marrë ndryshime në rregulloren e tij, lidhur me mbikëqyrjen parlamentare, përfshirë edhe rolin e fokusuar të Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Parlamentare në këtë proces. Në këtë frymë, Komisioni ynë ka synuar të sjellë një qasje të re në procesin e raportimeve vjetore të institucioneve të pavarura. Në këtë proces një rol të veçantë kanë edhe rekomandimet e BE-së. Në rezoluta është propozuar edhe raportimi periodik, mbi zbatimin e rekomandimeve të Kuvendit, me qëllim forcimin e mbikëqyrjes së vazhdueshme. Këto masa kanë një qëllim të vetëm, të forcojnë cilësinë e qeverisjes demokratike, llogaridhënien dhe transparencën publike dhe për rrjedhojë kjo të përmirësojë besimin e qytetarëve te institucionet e shtetit”, dëklaroi Xhafaj.
Në përgjigje ndaj Blendi Himçit për protestën që po zhvillohet jashtë Kuvendit, Taulant Balla tha se është e organizuar nga drejtuesit e partive “Shqipëria Bëhet”, “Lëvizja Bashkë” dhe “Mundësia.” “3 dështakë” i quajti Balla që u mprehën për t’u bërë kryeministra, ndërsa një pjesë e protestës udhëhiqet nga Dritan Goxhaj, për të cilin u shpreh se duhet hetim i thelluar.
“Kjo nuk ka lidhje me protestën e vërtetë. Sot para Kuvendit të Shqipërisë kanë ardhur ithtarët, anëtarët, shërbëtorët, çantëmbajtësit e Arlind Qorit, Adriatik Lapajt dhe Gone Shehajt. Këta kanë ardhur për hesapet e tyre. Këshilla ime dhe e shumë të tjerëve ka qenë mos i lini partitë e vockla t’ju vjedhin protestën, kjo është pjesë e orkestruar nga 3 dështakë politikë. Njëri u mpreh që do bëhej kryeministër soli tezen, dy të tjerët mbajtësin e çantës. S’janë djemtë e vajzat që hynë në betejë për të mbrojtur flamingot. Ka një pjesë të drejtuar nga Dritan Goxhajn që jo vetëm duhet të ndalohej nga policia, por duhet të hetohet thellësisht nga policia”, tha Balla.
Blendi Himçi foli nga podiumi i Kuvendit për protestën që po zhvillohet jashtë dyerve ku protestuesit kanë sulmuar me vezë makinat e deputetëve dhe janë përplasur me Policinë e Shtetit.
Deputeti demokrat tha se ata po dhunohen nga policia dhe bëri thirrje për ndalimin e këtij akti. Më tej shtoi se Gjykata e të Drejtave të Njeriut thotë se hedhja e vezëve ndaj politikanëve është “formë e shprehjes së lirisë së mendimit.”
“Sot protestuesit dhunohen nga Policia e Shtetit. Hedhja e vezëve ndaj politikanëve është formë e shprehjes së lirisë së mendimit. Taulant, të bëj thirrje të ndalohet dhuna jashtë! Ndaj protestuesve, është formë e shprehjes së lirisë së mendimit, është një qëndrim i GJEDNJ. Hedhja e vezëve është gjëja më minimale që mund të bëjnë protestuesve ndaj pushtetarëve dhe keqqeverisjes së 13 viteve”, tha Himçi.
Taulant Balla ka reaguar në rrjetet sociale për protestën e tensionuar para parlamentit ku ka ndarë pamjet teksa protestuesit e policët përplasen, shoqërimin e Dritan Goxhajt.
“Linja terroriste e lidhur me Iranin sulmon Policinë e Shtetit dhe institucionet”, mbishkruhet në video.
Balla shprehet se protesta paqësore për flamingot ka degraduar në një shfaqje barbare të linjës terroriste e kriminale. Ai thotë se kushdo që tallet me ndërhyrjen e Iranit, po turpërohet teksa po shpërndahet mjegulla e histerisë dixhitale.
“Opaaaaa i doli koka muhabetit. Ajo që nisi si një protestë paqësore e disa djemve dhe vajzave, të cilët dashurojnë flamingot, e më pas mori shtysë nga një akt dhune i dënueshëm, sot degradoi në një shfaqje barbare e linjës terroriste dhe kriminale aty.
Dritan Goxhaj dhe elementë kriminalë të përfshirë mes protestës sulmuan sot Policinë e Shtetit dhe institucionet e zgjedhura demokratike.
Dhe kush bën shaka me ndërhyrjen agresive të Iranit në këtë protestë, po ndihet shumë i turpëruar ndërsa e vërteta po del në shesh, pasi e tërë kjo mjegull histerie digjitale po shpërndahet”, thotë Balla.
Anëtarësimi në BE do të realizohet me apo pa votën e opozitës, tha deputeti Blendi Klosi gjatë diskutimit për projektligjin për produktet agroushqimore. Një projektligj i tillë, tha ai, është mbështetje për biznesin dhe respektim i rregullave të tregut të BE.
“Ne duam të hyjmë në BE. Kjo gjë me ose pa votën tuaj do të realizohet. Premtimi i madh i 2025 do të kërkojë shumë shpejt ballafaqimin me të tilla praktika. Nëse duam të hyjmë në tregun ushqimor, të bujqësisë, duhet të rrisim standardet, cilësinë e këtij shërbimi. Ky është parim dhe nuk është ligj kundër biznesit, është ligj për mbështetjen e biznesit që respekton rregullat. Kur ne të hyjmë në tregun europian, duhet të mësojmë rregullat e tij. Duhet t’i mësojmë fermerët që situata do të vijë drejt tregut të përbashkët, por kjo duhet bërë me parime e standarde. Konkurrenca e pandershme duhet të kufizohet, konkurrenca me partnerët europianë vjen e vështirë, me rregulla që vjen t’i stabilizojë ky projektligj që vjen si negociatë me partnerët e Brukselit”, tha Klosi.
Ardit Bido akuzoi deputetin e Lëvizjes Bashkë, Redi Muçin se është një fëmijë oligarku që flet për të majtën e popullit kur familja e tij ka toka në Arameras dhe ka zaptuar oborrin e shkollës “Koto Hoxhi” në Gjirokastër.
“Të dëgjosh sot në parlamentin që të citohet komunizmi, marksistët, si pa të keq, për mua është mungesë respekti. Aq më tepër kur kjo vjen me hipokrizi, vjen nga një fëmijë oligarku që na flet sot për të majtën dhe popullin. Nëse Muçi dëshiron të jetë i sinqertë, unë e ftoj që 3.3% që familja e tij ka në Arameras, në zonë të mbrojtur, t’ua falë familjeve në nevojë dhe pastaj të vijë e të flasë si për të majtën, ashtu edhe për zonat e mbrojtura, ose hajde shkojmë në protestë, pavarësisht se unë jam pro ndërtimit. Nëse Muçi është i sinqertë dhe pro arsimit, në oborrin e shkollës “Koto Hoxhi” në Gjirokastër, të shembet godina ku do të jeni trashëgimtarë dhe t’i kthehet shkollës. Kujdes çfarë shkruani sepse Muçi ka shkruar që falë mbështetjes financiare të prindërve të tij, “pa të cilën edhe unë do të detyrohesha që ta siguroja jetesën si inxhinier ndërtimi si qindra kolegë e ish-studentë.” Të siguroj që s’është turp, turp është ta sigurosh jetën si përdredhës politik sepse përdredhja politike është turp, puna si inxhinier, jo”, tha Bido.
Redi Muçi sfidoi deputetët që nëse e konstatojnë akuzën, të vënë në lëvizje organet kompetente, ndërsa tha se deklarata është “salcë për sufllaqet e patronazhistëve.”
“Ardit Bido dhe deputetët e tjerë nëse konstatojnë një shkelje të një oborri shkolle, ndërtim në zonë të mbrojtur duhet të vënë në lëvizje organet kompetente për ta ndëshkuar, por nuk e bëjnë. Kjo që sapo dëgjuam është salca e radhës që u hidhet sufllaqeve të patronazhistëve që pasi e bluajnë, e nxjerrin me komente në rrjetet e mia sociale. Bido, çoji selam pashait tënd të vogël se unë për ato salcat që gatuani ju natën vonë, s’dua t’ia di fare! Sa më shumë gatuani ju, aq më shumë neveritemi! Kjo baltë që më hidhni jo që s’më bën pis, por më tregon që puna që kam bërë deri tani, është puna që duhet të vazhdoj të bëj”, tha Muçi.
Një deklaratë e Klevis Balliut nxehu gjakrat mes tij e deputetit të Lëvizjes Bashkë, Redi Muçit. Pa përmendur emra, deputeti i PD tha se bashkëshortja e kryetarit të njërit prej partive menaxhon fondet e IPA dhe ndërkohë promovohen shoqata e themelohen parti.
“Nëse do të donit të ishit seriozë mund të donit të flisnin për bashkëshortët e kryetarit të këtyre partive, njërit prej tyre, që këtej koordinon fondet IPA, për të cilat Beqja është në burg, i koordinonte kjo miliona euro. Këtej i mbani dhe i promovoni nëpër shoqata dhe na themeloni edhe parti”, tha Balliu.
Redi Muçi shfrytëzoi fjalën për replikë për t’i kthyer përgjigje Balliut duke mbrojtur bashkëshorten e kryetarit të Lëvizjes Bashkë, Arlind Qorit. Deputeti tha se këtë duhet ta ketë për nder e jo “të japë mend për gruan e tjetrit.”
“Përmendi gruan e kryetarit të partisë sime. Zotëria në fjalë, Balliu e nisi fjalën e vet duke akuzuar kolegët e vet që po merren me biografinë dhe përfundoi duke u marrë me gruan e Arlind Qorit. S’dua të merrem me Balliun, as kush është, as kush ka qenë babai i tij, unë s’merrem me biografinë e askujt. Nëse dikush ka një profesion dhe menaxhon fonde të BE, duhet ta kesh për nder dhe jo të na japësh mend çfarë bën gruaja e tjetrit. Ky Kuvend në këtë nivel do të marrë fund sepse shumë shpejt do të mbahen zgjedhjet e parakohshme dhe do të hyjnë njerëz që e meritojnë”, tha Muçi.
Balliu ia ktheu se nuk ishte ai që e nxori emrin e Qorit, por vetë deputeti.
“Mos u tallni me qytetarët sikur na vini këtu e na bëni sikur ju ka prerë barku për qytetarët. Merru ti me çështjet që merremi ne. Unë nuk merrem në planin personal, e nxore ti kryetarin tënd, s’e nxora unë. Se ia di ti muhabetet atij, s’është çështja ime”, tha Balliu.
Në përgjigjen ndaj Redi Muçit, Taulant Balla tha se problemi i tij është që parlamenti të mbarojë shpejt që t’i lëshojë mandatin pasardhësit, sipas marrëveshjes. Ai shtoi se e vetmja arsye që shkojnënë protestë është për të marrë ‘like’ në Facebook ose për të bërë selfie, teksa i përsëriti se PS nuk i merret dot asgjë me forcë.
“Deputeti që sapo foli ka një hall shumë të madh se do që parlamenti të mbarojë sa më shpejt se vitin tjetër duhet të lëshojë mandatin që të vijë ai tjetri siç e kanë marrëveshjen. Llapi ka sjellë tezen, ai tjetri ka sjellë atë që i mban çantën. Këta janë ata që shkojnë te protesta për ndonjë selfie dhe për të marrë ndonjë like në Facebook. Vuçiqi nuk i shkon krahasimi asnjë politikani shqiptar. Edi Rama e ka shkruar emrin e vet në historinë e këtij vendi si kryeministri i parë dhe i vetëm që në mes të Beogradit ia ka thënë mu në ballë historinë Serbisë sa i përket Kosovës, është udhëheqësi i vetëm që në Beograd ka shpallur pavarësinë e Kosovës. PS me forcë nuk i merrni dot asgjë. Sa kam parë si ty unë...”, tha Balla.
Deputeti i Lëvizja Bashkë, Redi Muçi akuzoi PS e PD se në seancën e para dy javëve ranë dakord që ta mbyllin për t’iu shmangur protestuesve.
“Protestuesit janë aty jashtë. Meqë Balla foli për parlamentarizmin, në seancën e para dy javëve të dyja palët ratë dakord ta mbyllet seancën që të shmangnit protestuesit. Balla iu qep protestuesve duke i akuzuar për krime të supozuara dhe u qau hallin këtyre që po bëjnë zhurmë tani. Një popull që nuk shkundet nuk mund ti ndjej zinxhirët me të cilët mbahet lidhur, populli shqiptar ka 31 ditë që po i përplas krahët për tu shqyer qytetarët me të cilët i mbani lidhur. Duhet të dini diçka, se ky popull e ka mposhtur frikën, shqiptarët po këndojnë poshtë patronazhistët. Tani që Vuçiç ra nga froni, radhën e ka ky i juaji”, tha Balla.

Duke i kërkuar qeverisë të anulonte koncertin e 11 korrikut të Kanye West në Tiranë, Gazment Bardhi e quajti ministrin e Kulturës, Blendi Gonxhen, “hajdut.”
“Na flisni ju për antisemitizëm? Po anuloni koncertin e Kanye West. A i është anuluar koncerti këtij në çdo vend për shkak të qëndrimeve që ai mban? Ti je një hajdut i certifikuar. Anuloni ju koncertin dhe pastaj hajde flisni për antisemitizëm!”, tha Bardhi.
Në përgjigje të ofendimit, kryeparlamentari Niko Peleshi aplikoi masën e “tërheqjes së vërejtjes”, ndërsa Gonxhja iu përgjigj deputetit që t’i merrte të keqen këngëtarit, ndërsa tha se koncerti është event që ndryshon në imazhin e Shqipërisë.
“T’i marrin të keqen Kanye West! Është super artist që ka performuar në Holandë dy net, një vend lider i BE që ka koncert në Spanjë, Portugali, ka bërë koncert në Turqi, Gjeorgji, SHBA e së shpejti në Shqipëri. Ata që kanë ndonjë gjë me koncertin, na vjen keq, do të jetë një nga eventet që na fut në ligën e ndërkombëtarëve sa i përket destinacionit e brand-it”, u shpreh Gonxhja.
Lidhur me kërkesën e PD për mocionin me debat për rezolutën e Parlamentit Europian për Shqipërinë, Gazment Bardhi tha se qeveria refuzon për t’iu shmangur ‘skanerit’ të PE.
“Na e servirët miratimin e rezolutës si arritje historike të Shqipërisë në procesin e integrimit europan, sot refuzoni të flasim për rezolutën e PE. Sot keni refuzuar me votë vetë PE. Jo thjesht sepse refuzoni debatin, por skanerin që PE i ka bërë qeverisë. Skaneri ju ka nxjerrë të sëmurë. Ju vuani nga sëmundja e rëndë e vjedhjes së zgjedhjeve, së taksave, korrupsionit, krimit të organizuar, thotë PE. Vetëm Rama ka frikë nga kjo rezolutë. Eurodeputetët grisën email-in e Taulantit dhe votuan për shfuqizimin e ligjit të zonave të mbrojtura. Sot s’flasim për rezolutën e PE sepse do të dalë që email-i i kolegëve është grisur dhe hedhur në kosh”, tha Bardhi.
Ai shtoi se raporti i Komisionit Europian rendit një sërë problematikash të qeverisë duke përsëritur edhe ndikimin e mbrojtjes së imunitetit të Belinda Ballukut në procesin e anëtarësimit.
“Nëse ai raport siç ua keni shitur çdo shqiptari në mënyrë të gënjeshtërt, si ka mundësi që nuk thoni hajde ta bëjmë debatin. Duhet ta nxisnit ju. Ligji na thotë kur vjen për të raportuar Këshilli i Ministrave për ecurinë e negociatave, Kuvendi bën debat dhe miraton një rezolutë. Ju refuzoni debatin sepse ua nis raporti i Komisionit Europian me vjedhjen e zgjedhjeve, përdorimin e administratës në zgjedhje, mbrojtjen ndaj korrupsionit me mbrojtjen ndaj ish-zv. kryeministres se thatë nuk ndikon, ja pra që u mbroka. S’mund të mbrohet me votë politike në parlament një person i korruptuar sepse kjo e minon rrugën e Shqipërisë në BE”, tha Bardhi.
Taulant Balla u ktheu përgjigje deputetëve të PD për deklaratat e tyre lidhur me protestën që mbahet prej një muaji para kryeministrisë. Shefi i grupit parlamentar socialist u tha se protestuesit u kanë marrë sheshin dhe ata duan t’u bashkohen.
Balla tha se PD e sheh protestën si shpëtim nga Berisha dhe tashmë janë të mundur prej saj, por PS nuk mposhtet dot.
“Axhendën e parlamentit e përcakton vetëm vota dhe interesi kombëtar. Demokracia është sistem që merr frymë vetëm përmes parlamentarizmit. Parlamenti është vendi ku forca e argumentit duhet të mbizotërojë mbi argumentin e forcës. Mua më duket se ju po vuani nga sindroma e Stokholmit. Ju kanë marrë sheshin dhe doni që të bashkoheni me ata që ju kanë marrë sheshin, edhe pse ata ju anatemojnë udhëheqësin. Dëgjova këtu një deputetin tuaj që në një lojë fjalësh për emrat e forcave tona politike, ra në kurthin e harresës mbi faktin se sot në krye të PD është një sekretar partie. I vetmi sekretar partie në krye të një partie politike sot në Shqipëri. Njëkohësisht edhe varkëtari i Enver Hoxhës që gëzohej kur ai i jepte dorën. Mes jush, edhe nga ata që gëzojnë kur thirret “Berisha në burg.” Ka mes jush nga ata që doni të ikë Saliu dhe shpresoni ta bëjë protesta. Juve protesta ju mundi, por ne protesta nuk na mund dot. Partinë Socialiste të Shqipërisë nuk e mund dot askush”, tha Balla.
Më tej, ai foli edhe për Dritan Goxhajn, për të cilin tha se “nuk ka shërbyer asnjë ditë në UÇK”, për të cilin akuzoi opozitën se u përpoq të përdorte dokumentin e OVL-UÇK për qëllime politike.
“U them protestuesve mos lejoni t’jua vjedhin protestën”, tha Balla duke shtuar:
“Protesta është privatizuar nga një grup shumë i vogël pa asnjë lloj legjitimiteti publik. Në çdo vend që kanë ndodhur ngjarje të tilla, elementë me program kriminal përfshihen”, u shpreh ai.
Balla ‘ia shoi’ shpresat PD për të gjetur shpëtim te protesta.
“Kjo protestë nuk e shpëton PD. Fryma e protestës është anti-establishment për ata që e kuptojnë. Nga kjo protestë nuk do të lindë dot një PD e re, ndërkohë që ne PS e kemi shumë të re. Mund të lindin vetëm parti ideologjike”, tha ai.
Me 75 vota kundër dhe 19 pro, u rrëzua mocioni me debat i kërkuar nga PD për 5 kërkesat e protestuesve.
Deputetja Marjana Koçeku, e cila u largua nga grupi parlamentar i PS, është zëëndësuar edhe në Komitetin e Stabilizim Asociimit. Ishte kryeparlamentari Niko Peleshi që njoftoi se Koçeku do të zëvendësohet me deputetin e PS, Erjon Malaj.
“Në komitetin parlamentar për stabilizim asocimin, deputetja Marjana Koçeku, largohet si anëtare dhe caktohet deputeti Erion Malaj.”, tha ai.
Në një prononcim për gazetaren e Report Tv Raziela Myslimaj, deputetja e PS Elisa Spiropali tha se po punon për draftin për Shqipërinë e re. E pyetur nëse do të largohej nga partia si Marjana Koçeku, pas pakënaqësive që ka shprehur për drejtimin e kryeministrit Edi Rama, Spiropali tha se vendi i saj është në PS dhe ato që i kanë bërë dëm partisë, të shkojnë aty ku e kanë vendin.
“Jemi duke punuar. E rëndësishme është ajo që do të bëjmë për Shqipërinë. Unë jam në PS, kam qenë në PS dhe do të jem gjithmonë në PS. Në PS duhet të jetë të gjithë ata që kërkojnë një Shqipëri më të mirë, e knë bërë historikisht, e kanë bërë sot. Ato që i kanë sjellë dëme PS le të shkojnë aty ku e kanë vendin”, tha Spiropali.
Kryeparlamentari Niko Peleshi refuzoi kërkesën për inteperlancë urgjente të Gazment Bardhit me kryeministrin Rama për 5 kërkesat e paraqitura prej protestuesve. Peleshi tha se çështjet kanë natyrë legjislative dhe jo me kërkim shpjegimesh.
“Shumica e çështjeve të ngritura ka natyrë legjislative pasi lidhen me ndryshimin ose shfuqizimin e akteve në fuqi dhe jo me kërkimin e shpjegimeve për veprimtari konkrete të Këshillit të Ministrave.
Kërkesa nuk pranon një objekt të veçantë dhe të pavarur që të justifikojë zhvillimin e një interpelance urgjente. Kërkesa nuk pranohet”, tha Peleshi.
Në arsyetimin e tij para Kuvendit, Bardhi tha se Peleshi po mbron kryeministrin nga llogaridhënia, ndërsa vijoi me akuzat ndaj këtij të fundit.
“Ky është një refuzim për parlamentin, një refuzim ndaj qytetarëve shqiptarë. Ju sot nuk dështuat vetëm në përmbushjen e rolit tuaj. Sot ju po mbroni kryeministrin nga llogaridhënia. Detyra juaj është të mbroni dinjitetin e Kuvendit për t’i kërkuar llogari qeverisë. Ju sot zgjodhët të mbroni kryeministrin dhe jo parlamentarizmin. Rama është peng i krimeve shtetërore dhe besoj se e ka menduar realisht dorëheqjen, por s’mund ta japë sepse është peng i sistemit që ka ndërtuar vetë. Edi Ramën nuk e lejojnë të largohet sepse ka ende borxhe për të shlyer që e bën duke shitur copa të Shqipërisë”, tha Bardhi.
Më pas, ai vendosi celularin te mikrofoni i podiumit për t’i treguar kryeministrit kërkesën e “shumicës së qytetarëve që protestojnë prej 30 ditësh” duke luajtur një video ku dëgjohej fraza “Rama jepe dorëheqjen.”
Duke iu drejtuar Arkend Ballës që foli nga vendi, Bardhi i tha:
“Arkend, në burg do të shkojnë Troplinët, ato që të kanë sjellë ty këtu. Uroj shumë t’u shkosh nga mbrapa”, përfundoi ai.
Me votimin e Kuvendit, kërkesa për interpelancë u rrëzua me 23 vota pro dhe 75 kundër.
Komente












Edhe sot do te kemi teatro shfaqa e radhes fillon Bardhi,pason Noka,triblin Balla,komenton shfaqen,Tabaku,ngren humorin e teatrit,plaku mere dhe perbyll shfaqen Pelishi.
PërgjigjuKe harruar Cunin e Fariut dhe Belo xhapsiun. Apo keta i mban rezerve ne rast demtimi?