Speciale/ Ngjarjet kriminale që tronditën vitin 2024! Nga vrasja e djalit të ‘Buzëderrit’, tek Martin Cani e masakra e Dobraçit me 4 viktima

Me “fikjen” e dritave festive pas ndërrimit të viteve në fillim të janarit 2024 do të vinte shpejt edhe nisja e ngjarjeve kriminale në vend, disa prej të cilave në 365 ditët që po lëmë pas tronditën opinionin publik, nga krimi në familje deri te atentatet me breshëri plumbash mes grupeve apo organizatave kriminale. Qetësia do të prishej shpejt dhe festimet do të zëvendësoheshin me titujt e kronikës së zezë.

Një grua në Durrës u vetëhelmua një ditë pas Vitit të Ri me fostoksinë, për shkak të dhunës barbare të bashkëshortit, ndërsa më pas, ngjarjet e kronikës, një e nga një, edhe këtë vit krijuan statistikë.

Statistikat 2024

Viti 2024 nisi vrullshëm me atentate mafioze, krime në familje, ngjarje të pazakonta të kronikës së zezë, duke shënuar rritje në raport me trendin e viteve të fundit, por sërish pa kaluar 50 vrasje në total. Referuar statistikave zyrtare, në vitin 2024 u regjistruan 41 ngjarje kriminale me viktima në vend, nga veriu në jug, 6 më tepër se viti 2023, ku u regjistruan 35 vrasje. Më poshtë të renditura kryesisht  kronologjikisht, përpiqemi të kujtojmë disa prej ngjarjeve më të rënda, ato që morën vëmendjen e publikut, duke ngritur herë pas here edhe shqetësimin për sigurinë në vend.

Vrasja e Gëzim Sinomatit – 7 janar

Gëzim Sinomati sapo doli në ballkonin e shtëpisë për të tymosur një cigare 7 janarin e vitit 2024. Të riut që fati deshi të ishte i biri i një të forti, pak do ia merrte mendja se do të ishte viktimë e një të shkuare brezash që vite më parë prodhoi kufoma e hakmarrje. Atë mbrëmje 22-vjeçari sapo ndezi cigaren e tij, ndërsa një plumb i vetëm i depërtoi kokën, duke e lënë të vdekur në vend. Nga distanca, plumbi i snajperit nuk gaboi të tejkalojë në trup të gjallë, por me gjasë jo në shënjestrën kryesore të atentatit që ishte përgatitur. I riu sapo ishte kthyer nga Belgjika për të kaluar festat e fundvitit.

Tashmë një vit më vonë, Policia e Vlorës nuk e ka zbardhur vrasjen tipike mafioze të djalit të Sokol Sinomatit, i njohur si Buzëderri, anëtar i bandës së Gaxhait. Hetimi vijoi për javë të tëra, por deri sot asnjë provë nuk ka për të akuzuar qitës apo porositës. Megjithatë, grupi hetimor është i bindur se Gëzim Sinomati është viktimë kolaterale, shënjestra e vërtetë me gjasë ishte Bernard Sinomati, vëllai i Buzëderrit, hijes që për së dyti i shpëtoi eliminimit në janar, pas tritolit në makinë në vitin 2022. Bernard Sinomati, apo Spiro, siç njihej më herët, nuk do të flinte i qetë sërish. 12 muaj më vonë, më 22 dhjetor, në ballkonin e katit të 9-të në një apartamenti në Tiranë u hodh sasi tritoli me dron, duke sjell vetëm dëme materiale. Në atë apartament Bernard Sinomati bashkëjetonte me një grua, banesë e marrë me qira nga kjo e fundit. Kur policia mbërriti në vendin e ngjarjes, e thirrur nga fqinjët për shkak të zhurmës së fortë të shpërthimit, nuk gjeti njeri. Brenda saj kishte sende personale dhe dokumente të Sinomatit, ai me bashkëjetuesen ia mbathi. Për herë të tretë, 44-vjeçari shpëtoi sërish!

Vrasja e Pëllumb Metës – 23 shkurt

Gjatë vitit që lamë pas, opinioni publik do të tronditej nga dy krime në familje në Shënavlash të Durrësit, krime të ngjashme që në pamje duken si fotokopje të njëra-tjetrës.

Më 23 shkurt, policia zbardhi një prej ngjarjeve më horror të viteve të fundit, vrasjen nga fëmijët e tij, të Pëllumb Metës. 49-vjeçari ishte denoncuar i zhdukur më 13 shkurt nga djali i tij, por hetimi i policisë zbuloi gjithçka fshihej nga krimi i rëndë. Trupi i pajetë i Metës u gjet i groposur në kasollen e bagëtive, ndërsa rezultoi se ishte vrarë brenda në banesë. Fillimisht gjithçka u mor përsipër nga e bija 19-vjeçare e viktimës, Hygerta Meta, por më pas policia gjeti indicie se ekzekutor ishte djali i madh i familjes, Hysen Meta, ai që kishte bërë dhe denoncimin në polici të zhdukjes.

Në pranga përfunduan të 3 fëmijët, Hygerta, Hysniu dhe Amarildo, 21 vjeç, ndërsa nëna e tyre Blerina Meta nisi të hetohej në gjendje të lirë. Policia foli për një krim të mirëmenduar dhe jo të çastit ku nga të gjitha veprimet që janë kryer rezulton se djali i familjes ka kryer qitjen, pra ka qenë ekzekutori i të atit, ndërsa 19-vjeçarja bashkëautore. Dëshmia e fëmijëve pas arrestimit tregoi për një baba të dhunshëm, i cili donte të fejonte Hygertën me dikë që nuk e donte. Në gjykatë, ngjarja mori rrjedh dhe dëshmi të tjera, ndërsa gjithë ngjarjen e mori përsipër Hygerta, duke përjashtuar vëllezërit, edhe pse gjyqi për ta akoma nuk ka nisur. Për të humbur gjurmët, fëmijët e Pëllumb Metës inskenuan zhdukjen e të atit, lanë makinën e tij te Sektori Rinia dhe pas kësaj bënë denoncimin.

Vrasja e Enver Ballës – 5 shtator

Pothuajse me të njëjtin skenar, disa muaj më vonë u vra 62-vjeçar Enver Balla, i cili u gjet në një pus jo shumë larg stanit të tij në Shënavlash. Në të njëjtën mënyrë si rasti i Pëllumb Metës, disa ditë më vonë, djali i Enverit, Esmerald Balla, denoncoi disa ditë më vonë humbjen e të atij. Në polici, ai kallëzoi se i ati ishte larguar nga banesa me një grua të panjohur dhe pas këtij momenti nuk kishte mundur të lidhej më me të. Po ashtu, ai ka hedhur dyshimet se ajo grua mund ta kishte vrarë 62-vjeçarin, pasi ai nuk kishte arsye që të largohej nga banesa.

Djali tjetër i viktimës, Andi Balla, pasi mori vesh zhdukjen, u kthye nga Italia dhe kallëzoi se në Instagram i kishte shkuar mesazh nga një grua që i thoshte që familjarët të mos e kërkonin më babanë e tij, pasi ishte larguar me pushime. Përmes përgjimeve dhe taktikave policore, u zbulua se vrasës ishte djali i tij, pas një sherri për para në sy të një tjetri, i cili më pas e ndihmoi të fshihte kufomën, që po ashtu u arrestua.

Vrasja e Grei Bihucit – 11 mars

Grei Bihuci, 19-vjeç, ishte nxënës i shkollës së mesme në Fier. Ai u bë viktimë rastësore e një konflikti mes adoleshentësh në Fier. Paraditen e 11 Marsit, sapo kishte mbaruar mësim dhe u thirr në telefon nga shoku i tij i mitur, cili ishte ne telashe. 11 adoleshentë të moshës nga 15 deri në 19 vjeç u përfshin në një konflikt fizik para hotel “Fieri”, me zanafillë një thikë që autori Florian Muka ia kishte dhënë mikut të Greit për ta mbajtur, me të drejtë kthimi. Por ky i fundit nuk ia ktheu dhe këtu lind debati sa në rrjetet sociale aq dhe në lulishtet e qytetit. Muka goditi me thikë Grei Bihucin, me të cilin nuk kishte njohje, por siç ka deklaruar në polici, e ka qëlluar për shkak se gjatë sherrit një person e goditi me përforcues grushti.

Ngjarja tronditi opinionin publik, ndërsa më 27 nëntor ishte gjykimi paraprak, ku prokuroria e Fierit ngriti dy akuza “vrasje me paramendim e kryer ne bashkëpunim” dhe “armë të ftohta pa leje”. Në vendimin e saj, Gjykata e Fierit e ktheu dosjen për hetim deri në datën 27 shkurt, duke i lëne kohë prokurorisë të mbledhë prova dhe të kryejë ekspertim për të gjithë personat e përfshire ne konfliktin qe çoi në vrasje.

Vrasja e Gentian Bejtjes – 15 mars

Ish-polici dhe eksponenti i njohur i botës së krimit, Gentian Bejtja, u ekzekutua pasditen e 15 marsit në shtëpinë e tij në Larushk të Fushë Krujës në një atentat i mirëorganziuar, ndaj të cilit u derdhën breshëri plumbash kallashnikovi, pasi më herët i kishte shpëtuar 3 herë atentateve për eliminimin e tij mafioz. Në korrik 2023 ishte provuar të vritej, por në atë kohë vdekjen e gjeti kunati i tij, Ramazan Sino dhe u plagosën dy djemtë.

Ndaj Bejtjes u qëllua me 4 kallashnikovë, teksa ishte në një serë në oborr. Pasi derdhën 4 karikatorë, autorët u larguar pa lënë gjurmë nga vendi i ngjarjes. Pak pas vrasjes, mjeti i tyre tip 'Land Rover' u gjet i shkrumbuar në fshatin Hasan, brenda të cilit u gjetën 4 kallashnikovët. Të paktën 4 persona dyshohet se morën pjesë. Pesë muaj pas krimit të rëndë, policia tha se nga hetimet doli që autorët iu afruan banesës së Gentjan Bejtjas, me automjetin “Land Rover Discover” me ngjyrë të zezë dhe pasi e vranë, po me këtë automjet u larguan.

Policia thotë se është vërtetuar që autorët u larguan me një mjet “Volksëagen Golf” i zi, pa targë në pjesën e pasme, duke ndjekur itinerarin nga vendi i djegies së automjetit në drejtim të rrugës kryesore Thumanë-Fushë Krujë. Më pas devijuan djathtas në mbikalimin e Fushë-Krujës në drejtim të fshatit Bubq. “Volksëagen Golf” me targë AB960GG, ishte pronë e Edison Haxhiut, 30 vjeç, nga Miloti por banues në Tiranë. Po kështu, kjo makinë ishte përdorur edhe nga Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari, po nga Miloti por me banim në Tiranë, të cilët un arrestuan. Përveç tyre u shpall në kërkim ndërkombëtar Flodian Plaku, 41-vjeç, i cili përdor edhe 2 mbiemra (Serjani dhe Mamo), pjesë e grupeve kriminale të Vlorës.

Vetëvrasja e gruas më fëmijë në Shkodër – 2 maj

Një ngjarje tronditëse e padëgjuar më parë në Shqipëri, në kufijtë e të pabesueshmes, ndodhi në Shkodër më 2 maj. Dhuna në familje u bë shkak që nëna Alma Arrazi, me 3 fëmijët e saj të mitur t’i japë fund jetës, pasi u vetëmbytën në lumin “Buna”. Trupat e pajetë u gjetën një e nga një në nga palombarët, që kërkuan për orë me radhë. Bashkëshorti i saj, Erdgys Arrazi, bëri denoncim në polici pasi gruaja me 3 fëmijët prej 2 ditësh ishte zhdukur.

Ngjarja tragjike u zbulua kur u gjet rastësisht nga një peshkatar trupi i vajzës së parë, ndërsa trupat e tjerë u gjetën pas 3 ditë kërkimesh. Tragjedia e familjes Arrazi dyshohet se është pasojë e dhunës psikologjike dhe tradhtisë bashkëshorte. Në akuzë, si shkaktar i vetëvrasjes është bashkëshorti i të ndjerës, Erdgys Arrazi, i cili u la pas hekurave nga Gjykata e Shkodrës ku, në atë kohë, para togave të zeza, u shfaq në gjendje të rënduar psikologjike, ndërsa çështja është ende në gjykim.

Masakra në Memaliaj – 20 korrik

Krimi për hakmarrje mes grupeve kriminale do të godiste dhunshëm sërish. Këtë herë në një qytet të vogël në jug të vendit si Memaliaj. Tre të vrarë dhe një i plagosur, bilanc lufte në atentatin e 20 korrikut, vrasje e një natyre që nuk ishte parë më herët në këtë qytezë të vogël. Shënjestër ishte Shyqyri Kalemi, babai i Andrea Kalemit, i cili mbeti i vdekur, por nga breshëria e kallashnikovit nuk mbijetuan kamerieri Gledio Muka, 36 vjeç, dhe klienti 47-vjeçar, Marsel Çela, të dy pa asnjë lidhje me hasmërinë me familjen Kalemi, ndërsa i plagosur mbeti Artur Kalemi, xhaxhai i Andrea Kalemit.

Pista kryesore vijon të jetë hakmarrja, pas një zinxhiri vrasjesh, të cilat dyshohet se nisën prej vrasjes në qershor 2022 të Aleksandër Sadikajt me sasi tritoli të vendosur në makinë në Tiranë, konflikt që dyshohet se nisi për prishje të pazareve të drogës në Greqi.

Vrasja e Egli Progës – 10 gusht

Një tjetër ngjarje e ngjashme ndodhi në Pogradec, kësaj here me 10 gusht, e cila shënjestroi rëndë policinë lokale mbi akuzat se tentoi të fshihte ngjarjen. Vrasja e Egli Progës dhe mënyra se si policia trajtoi ngjarjen irritoi opinionin publik, me dhe pa arsye. Qytetarët u ngritën në protesta dhe me qirinj e fotot e Eglit në duar, kërkonin drejtësi.

Proga u dhunua nga Denis Meçe, nipi i Valter Gorës, ish-drejtorit të Postës Shqiptare. Ai i kërkoi disa herë Progës që t’i dridhte një cigare dhe pasi ky i fundit ia bëri gati i tha të shkojë ta marrë, por Meçe u fut në lokal, debatuan dhe dolën jashtë dhe pas debatit Denis Meçe goditi me grusht Egli Progën, koka e të cilit u përplas me një makinë të parkuar dhe në asfalt. Njerëzit i ofruan ndihmë, por nuk reagoi. Disa minuta më vonë mbërriti ambulanca, dhe pasi u transportua në spital, u konfirmua i vdekur. Fillimisht ngjarja u raportua si aksidentale dhe 42-vjeçari, babai i dy fëmijëve u raportua si një njeri i dehur që u gjet i pajetë. Një ditë pas ngjarje, më 11 gusht, policia doli në një deklaratë dhe u shpreh se vdekja nuk ishte aksidentale por se bëhej fjalë për “vrasje me dashje”, u arrestua Denis Meçe dhe disa persona që nuk kallëzuan krimin.

Më 13 gusht Meçe doli për masë sigurie dhe prokuroria ndërroi veprën penale në “vrasje nga pakujdesia”. Kaq mjaftoi që mes institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë të niste një betejë e gjatë përgjegjësish, të cilat kërkonin të pasonin topin nga njëri te tjetri. Autori Meçe vijon në burg ndërsa edhe hetimet vijojnë. 

Masakra e Dobraçit – 30 tetor

Një prej ngjarjeve më të rënda të vitit 2024, e lidhur me krimin e organizuar, është masakra me 4 viktima në Dobraç, pranë bazës së fisit Bajri. Ishte pasditja e 30 tetorit, kur Shkodra u trondit sërish nga breshëria e kallashnikovëve. Nga një automjet në tjetrin u qëllua, duke lënë të vdekur Hamza Licin, vëllain e Ibrahim Licit të shpallur në kërkim për vrasjen e Endri Mustafës në 2022-shin dhe djalin e politikanit shkodran, Xhemal Bushati, Arlind Bushati.

Tragjedi ishte për një çift totalisht të pafajshëm. Nga breshëria e plumbave makina e viktimave humbi kontrollin dhe goditi motoçikletën me të cilën po lëviznin Bashkim dhe Flutura Basha, që humbën jetën, duke rënduar bilancin e ngjarjes së rëndë.

Një video amatore e xhiruar pak sekonda pas ngjarjes shfaqi një persona i cili dyshohet se ishte Ibrahim Lici, por që policia sot e kësaj dite nuk e pohoi asnjëherë nëse ishte vërtetë. Ai dyshohet se ishte me viktimat dhe pak ditë para masakrës u kthye në Shkodër. Në atentat Lici mendohet se mbeti i plagosur lehtë, u kthye në shtëpi por nga aty u largua për mjekim të specializuar. Dyshimet e policisë janë se “fantazma”, nofka me të cilën njihet, të jetë nisur drejt jugut të vendit për t’u mjekuar, i ndihmua nga një grup kriminal me influencë. Blutë kryen kontrolle gjithandej, por pa mundur të kenë rezultate.

Ndërkohë, autorët e masakrës, dogjën makinën e tyre disa kilometër larg Dobraçit, e cila rezultoi të ishte vjedhur në Durrës. Hajduti i saj u arrestua nga policia, por asgjë nuk rrëfeu. Hetimi i masakrës i kaloi SPAK, pasi prokuroria në Shkodër gjeti element të grupit të strukturuar kriminal, jashtë kompetencës së saj. SPAK ushtroi më vonë kontrolle me RENEA-n në Dobraç, ku u sekuestruan disa makinave të Bajrajve dhe vlera monetare, ndërsa hetimi për zbardhjen e saj vijon. E gjithë kjo ngjarje dyshohet se është pasojë e hakmarrjes mes fiseve Lici e Bajri, konflikt i cili prej 2018-ës ka prodhuar mbi 20 viktima nga të dyja palët.

Vrasja e Eduart Reçit – 13 nëntor

Mbrëmjen e vonë të 13 nëntorit Tirana u trondit nga një atentat që shkaktoi mister për ditë me radhë për policinë. Eduart Reçi u qëllua me një tek plumb në kokë, i cili i kaloi tej për tej, duke i marrë jetën, teksa ishte me gruan e tij në oborrin e shtëpisë pranë Fakultetit të Histori-Filologjisë. Për disa ditë asnjë gjurmë e autorëve nuk u gjet. Për të kamufluar zhurmën e armës, autorët hedhën disa fishekzjarrë të cilët kanë bërë shpërthime të njëpasnjëshme. Në mesin e kësaj zhurme, njëra prej tyre ishte e armës që vrau Reçi rrëzohet përtokë, siç edhe kamerat e sigurisë e kanë fiksuar. Gruaja e tij besoi se ndonjë cifël e fishekzjarrëve i kishte rënë në kokë, duke mos kuptuar se ishte plumb. Vetëm kur mbërriti ambulanca, mjekët zbuluan se kishin të bënin me plagë të shkaktuar nga një plumb tejshpues.

Pas disa ditësh hetime, u zbulua se një oficer policie i Komisariatit nr. 2 dhe vëllai i tij ishin autorë të vrasjes, të cilët u arrestuan, Shkëlqim Dukaj, 48 vjeç, oficer Policie dhe Florian Dukaj, 45 vjeç. Efektivi Dukaj, i njohur si një qitës shumë i mirë mes uniformave blu, që sipas policisë ka qëlluar mbi 52-vjeçarin me origjinë nga Dibra që vite më parë kishte qenë edhe pjesë e shërbimit informativ shtetëror, qëlloi, ndërsa vëllai e ndihmoi në ekzekutim që dyshohet për shkak të konflikteve për motive pronësie. Hetuesit, pas provave kanë përcaktuar edhe vendin nga ku u qëllua, pasi kanë mundur të sigurojnë edhe pamje nga kamerat e sigurisë të autorit.

Vrasja e Martin Canit – 18 nëntor

Një prej ngjarjeve kriminale që mori më tepër vëmendjen e opinioni publik dhe krijoi një fortunë mediatike në vend ishte vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, nga n një bashkëmoshatar vetëm 200 metër larg shkollës “Fan Noli” në Tiranë. Ngjarja ndodhi më 18 nëntor, 3 ditë pasi kishte lindur konflikti mes dy adoleshentëve brenda shkollës, për motive krejt banale, i cili në dukje u mbyll, por që u rindez sërish po brenda shkollës.

2 të miturit u takuan paradite në tualetet e shkollës, debatuan sërish por u ndanë nga roja i sigurisë. Pas mësimit, me shokët respektivë, u takuan jo shumë larg oborrit të shkollës, ku nisi një sherr që përfundoi me vrasjen e Martinit, plagosjen e shokut të tij dhe vetëplagosje të autorit me thikën e tij. Pas ngjarjes autori e hodhi çantën me thikën në një ndërtesë të vjetër, e cila u gjet disa ditë më vonë dhe ekspertiza nxori se me të njëjtën thikë ishte goditur viktima dhe i plagosuri.

Autori u arrestua.

Për ditë me radhë ngjarja u mbulua me mister. Babai i 14-vjeçarit të plagosur akuzoi policinë se ngjarja po fshihej dhe se në konflikt janë përdorur 2 thika dhe se djali i tij ishte goditur me të dyja. Këto deklarata të ripërsëritura detyruan policinë të bëj disa reagime publike, duke u shprehur se në ngjarje, referuar pamjeve te kamerave, dëshmive dhe provave, në sherr ishte përdorur vetëm një thikë dhe autori i dytë i pretenduar nuk kishte rol dhe thikë tjetër. Ngjarja vijon të hetohet në prokurori, e cila po punon për dokumentimin e plotë të saj.

Çështja mori edhe kontekst politik pasi protesta të shumta u organizuan, me kërkesë për më shumë siguri në shkolla dhe dorëheqje të ministres së Arsimit. Një konsultim i gjerë publik, i urdhëruar nga Kryeministri Rama, me prindër në të gjithë vendin konkludoi në vendimin e qeverisë për të mbyllur rrjetin social “TikTok” si një hapësirë bullizmi dhe dhune, ku adoleshentët nisin përplasjet mes tyre.

Vrasja e Klaudio Prendit – 19 nëntor

Më 19 nëntor Klaudio Prendi, djali i ish-gjyqtarit të Krimeve të Renda dhe GJKKO, Fran Prendi, u eliminua në një atentat mafioz sapo dali nga një lokal në rrugën “Xhanfize Keko” në Tiranë. 27-vjeçari sapo hyri në makinën e tij luksoze, paralel me të erdhi një makinë “Audi” nga e cila u qëllua me pistoletë me silenciator dhe u largua. Nga pas iu vu një efektiv policie i cili me 2 të tjerë ishin në kafe me viktimën para ngjarjes, por makina e autorëve humbi gjurmët te Rrethrrotullimi i Shkozës dhe më pas u dogj në Farkë, duke humbur çdo gjurmë. Policët e tjerë dërguan Prendin në spital me makinën e tij, por nuk mundi të mbijetojë.

Grupi hetimor nuk ka asnjë gjurmë nga autorët sot e asaj dite, ndërsa pistat që po verifikohen janë ato të fajdeve dhe basteve sportive, përfshirë edhe lidhje me aktivitete dhe lidhje të dyshimta jashtë vendit. Ka dyshime se persona të ndryshëm të kenë fituar shuma të mëdha parash në baste, të cilat Prendi nuk ika shlyer. Babai i tij, gjyqtari Fran Prendi, i larguar nga sistemi i drejtësisë kur nisi procesi i vetting-ut, njihet për dënimin e grupeve të mëdha kriminale, përfshirë Emiljano Shullazin. Gjykoi dhe Salvatore Lettizian, një anëtar i Camorras italiane, për masakrën me tre viktima në bulevardin “Zogu I” në vitin 2015, por pista që ngjarja të ketë ndodhur për vendimet e tij deri tani është përjashtuar. Prokuroria e Tiranës gjeti element që mbështesin veprën penale të grupit të strukturuar kriminal, arsye për të cilën shpalli moskompentencë dhe ia kaloi SPAK.

Ndryshimet në polici

Viti 2024 do të mbahet mend që për herë të parë në historinë e Policisë së Shtetit, të gjithë drejtuesit kryesor të saj, nga drejtori i përgjithshëm, 12 drejtorët e qarqeve dhe 48 shefat e komisariateve u zgjodhën me garë, në përpjekje për të emëruar më të mirët, iniciuar nga ndryshimet e shtatorit të ligjit të bluve. Kryepolici i ri Ilir Proda u përzgjodh ne mesin e pesë kandidaturave finale, në të cilën u kualifikuan edhe Altin Mena, Ardian Çipa, Neritan Nallbati dhe Skënder Hita. Nga drejtimi i Policisë së Elbasanit, Proda zëvendësoi në drejtori të përgjithshme Muhamet Rrumbullakun, pas 2 vitesh në detyrë. Pas zgjedhjes së kryepolicit, të radhës ishin drejtuesit e policive në qarqe, në procesin e të cilit dolën jashtë sistemit të drejtimit “uniformat e vjetra”, dhe u zëvendësuan me drejtues të rinj, përveç Skënder Hitës që i rezistoi garës dhe mori sërish emërim, nga Durrësi në Fier.

Tiranës iu besua eksperienca e Elton Alushit, me detyra të rëndësishme si shef krimesh e shef komisariati në disa qarqe së fundmi. Megjithatë, në 11 drejtorët e rinj të qarqeve, një pjesë e tyre akoma nuk kanë kaluar vetting-un. Në fillim të janarit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore pritet të hedh shortin për caktimin e trupave të vlerësimit, të cilat do të filtrojnë në tre shtylla drejtuesit që akoma nuk kanë kaluar në vetting, pasuri, pastërti figure dhe aftësi profesionale.

Emërimi i 12 drejtorëve të rinj, pasoi me nisjen e garës për shefat e komisariateve. Gati 300 kandidatë shfaqën interes për 48 poste në të gjithë vendin, përfshirë 9 gra. Pas përfundimit të gjithë procesit, asnjëra prej tyre nuk mori emërim, pavarësisht se një pjesë e kaluan pragun prej 70 pikësh. Në Tiranë, qarkun më të madh në vend, u emëruan shefa të rinj, me karrierë në të tjera komisariate, si shefa komisariatesh ashtu dhe shefa krimesh.

Fundi i vitit 2024 e gjeti Policinë e Shtetit me fytyrë krejtësisht të re, e cila pritet të që rezultatet t’i tregojë në 2025-ën, provë e cila do të testojë se sa efektive ishte gara dhe vullneti për të ndryshuar dhe investuar në njërën prej strukturave më të mëdha të rendit dhe sigurisë në vend. Përgjatë vitit që shkoi, brenda bluve nuk munguan skandalet e përfshirjes së tyre në krim të organizuar, për të cilët SPAK lëshoi urdhër arresti. Më kryesori mbetet ish-drejtori i Policisë Lezhë, Henerigert Mitri, i përfshirë në lejimin e kultivimit të kanabis sativa në qark, arrestuar për dosjen “Revanshi”.

Ndryshimi i ministri të Brendshëm

Në vitin që lamë pas Ministria e Brendshme u drejtua thuajse barabar nga 2 ministra, të dy socialistë, por krejtësisht të ndryshëm nga mënyra dhe protagonizimi i drejtimit. Taulant Balla i cili ishte emëruar korrikun e vitit 2023, kishte një rol aktiv në mediat më të spikatur, ndërsa synoi investime në polici, nga ndryshimi i ligjit e deri këmbëngulja për rritje të pagave në korrik 2024, teksa do të mbahen mend si vetmi drejtues i këtij dikasteri që nuk bëri asnjë ndryshim në polici.

Megjithatë, mes ndryshime të rëndësishme të kabinetit qeveritar, ditëve me temperatura të larta të verës, Taulant Balla do të largohet nga pozicioni që kishte vetëm një vit që e mbante dhe në vend të tij Ervin Hoxhën, një figurë më shumë teknike sesa politike, i cili para emërimit ishte drejtor i IKMT, ndërsa më herët pjesë e Policisë së Shtetit. Në këto muajt e parë të detyrës, Hoxha ndoqi personalisht të gjithë procesin e garës për drejtuesit e rinj të Policisë së Shtetit, prova e vërtetë e të cilëve, policisë dhe ministrit, do të lexohet në dhjetorin e vitit 2025.

365 ditët në vijim
Viti 2025, i konsideruar i vështirë në teori për shkak të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, për të cilat përgjegjësia më e madhe e rendit dhe sigurisë mbahet nga Policia e Shtetit, jo vetëm ditën e zgjedhjeve, por edhe 30 ditë fushatë elektorale. Policia e Shtetit vjen pas një eksperience negative të zgjedhjeve të vitit 2021, ku 3 ditë para votimeve, një vrasje në lidhje me zgjedhjet ne Elbasan tronditi opinionin publik. Ulja e vrasjeve, parandalimi i ngjarjeve të tjera kriminale, kontrolli i territorit kundër kanabis sativa, menaxhimi i miliona turistëve që pritet të vijnë në vend për sezonin veror, kontrolli i plazheve, pikave kufitare, janë disa prej prioriteteve të drejtuesve të rinj, të cilët morën besimin si më të mirët për të ndryshuar faqen e policisë, njëherë e përgjithmonë.

VRASJET NË 5 VJET
2020 – 52 vrasje
2021 – 61 vrasje
2022 – 43 vrasje
2023 – 35 vrasje
2024 – 41 vrasje

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord me vendimin e gjykatës për detyrim paraqitje të Berishës?



×

Lajmi i fundit

Iraku drejt legalizimit të abuzimit seksual ndaj të miturve, parlamenti diskuton ligjin që mund të detyrojë 9-vjeçaret të martohen

Iraku drejt legalizimit të abuzimit seksual ndaj të miturve, parlamenti diskuton ligjin që mund të detyrojë 9-vjeçaret të martohen