Subashi: KQZ e Kolegji
të ndryshojnë formulë

Subashi: KQZ e Kolegji<br />të ndryshojnë formulë
TIRANE- Nënkryetarja e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Dëshira Subashi në një intervistë për "Shqiptarja.com" është shprehur se KQZ dhe Kolegji Zgjedhor, si institucioni i mbramë ky i fundit për ankimimin e palëve në procesin zgjedhor, duhet jo vetëm të ndryshojnë formulë, por institucioni zgjedhor dhe përbërje. Madje e cilëson KQZ si një institucion në detyrë, duke u shprehur se nuk ka qënë kolegjial në vendime, e konstatuar dhe nga institucionet ndërkombëtare, OSBE/ODIHR-i në raportin e tyre por dhe nga Komisioni i Venecias në rekomandimet e ditëve të fundit për politikën dhe institucionet shqiptare. Nga ana tjetër duke parë dhe funksionimin e Kolegjit, Subashi është shprehur se është koncept antikushtetues pamundësia e ankimimit ndaj vendimeve të tij, duke kërkuar ndryshimin e formulës së ankimit pas procesit zgjedhor. Njëherësh Subashi nuk ka munguar të shprehet dhe në lidhje me akuzat që ka bërë gjatë tërë fushatës zgjedhore dhe procesit zgjedhor, ku konstatimet e saja janë "ratifikuar" të gjitha nga ana e vëshguesve ndërkombëtarë dhe të Komisionit të Venecias, të shprehura me raporte dhe me rekomandime.
Konstatimet tuaja në vijimësi gjatë debateve në KQZ, janë "ratifikuar" dhe nga rekomandimet më të fundit të Komisionit të Venecias, i cili kërkoi nga politika shqiptare ndryshimin e KQZ, duke hedhur kritika të forta ndaj tij. Komenti juaj?
Komisioni i Venecias, por edhe raporti i misionit të OCBE/ODIHR-it, kanë konstatuar, atë që në fakt u ka ndodhur që kohë më parë zgjedhjeve në institucionin më të lartë zgjedhor. Ndokush nxitoi ta trajtonte në atë kohë si një sjellje të njëanshme politike të tre anëtarëve të KQZ-së të propozuar nga opozita. E vërteta ishte krejt ndryshe, ashtu siç koha e provoi me opinionet e institucioneve ndërkombëtare të specializuara zgjedhore.
Reagimi juaj kishte të bënte me vendimmarrjen e KQZ...?
Ne bëmë një reagim ndaj faktit që, vendimarja e institucionit kolegjial e kishte humbur funksionin, qëllimin e ligjit elektoral. Kjo nuk ishte absolutisht sjellje politike, por një përgjegjshmëri e lartë e kryerjes së detyrës. Ngritëm zërin në kohën e duhur, por nuk u degjua sa duhet zëri ynë. Dhe nuk vonoi konkluzioni dhe dëmi i ardhur. Të ndryshojë përbërja e KQZ-së vjen si rekomandim nga ky institucion i lartë evropian. Në rradhë të parë ky rekomandim është përgjegjësi për KQZ-në në detyrë, madje detyrë që kjo KQZ të ndryshojë.
Komisioni i Venecias ka qenë shumë i ashpër dhe me Kolegjin Zgjedhor. Si e vlerësoni këtë konstatim të këtij institucioni të rëndësishëm të Parlamentit Evropian për institucionin që jep vendimin e fundëm për çdo ankimim nga palët për zgjedhjet në Shqipëri?
Në të vërtetë edhe raportet e mëparshme të ODIHR-it, kanë rekomanduar papajtueshmeri me detyrën e gjyqtarit, disa elementë që permban Kodi Zgjedhor. E tillë është e drejta e partive politike për të përjashtuar gjyqtarë të kolegjit zgjedhor nga kryerja e detyrës, pa asnjë argument, vetëm me faktin e kërkesës nga partitë politikë. Në vetvete ky element i parashikuar në Kodin Zgjedhor bie ndesh me Kushtetutën e Shqipërisë. Por jo vetëm kjo.
Çfarë nuk shkon tjetër me Kolegjin Zgjedhor në Shqipëri?
Ashtu siç orienton raporti i Komisionit të Venecias, shumë e rëndësishme dhe thelbësore është fakti antikushtetues që vendimet e Kolegjit Zgjedhor nuk kanë të drejtë ankimi. Këto, por dhe probleme të tjera që lidhen në tërësi me ankimimin e një procesi zgjedhor, janë elementë mjaft të rendesishëm që duhet domosdoshmërisht t'i nënshtrohen diskutimit të reformës zgjedhore. E thenë në mënyrë të përmbledhur ajo që është konstatuar tashmë është se kjo gjykatë, pra Kolegji Zgjedhor nuk funksionon mbi pricipet e Kushtetutës së Shqipërisë, dhe për këtë duhen bërë dhe përmirësimet e duhura për të garantuar një proces të pakontestueshëm zgjedhjesh në Shqipëri.
Si anëtare me shumë përvojë në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, cilat janë propozimet tuaja konkrete për zbatimin e këtyre rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe përmirësimin e punës së KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor?
Besoj se askush nuk duhet të ketë asnjë medyshje për një reformë zgjedhore tërësore dhe në të gjithë elementët e konstatuar dhe të rekomanduar nga ana e Komisionit të Venecias, por dhe më herët në raportin e OSBE/ODIHR-it. Dhe me reformë zgjedhore nuk kuptoj vetëm disa ndryshime teknike në Kodin Zgjedhor. Fjala reformë zgjedhore kërkon një ndërhyrje më të gjerë, bazuar kryesisht në problemet thelbësore, për të kthyer besimin politik tek sistemi, rezultati dhe administrata zgjedhore. KQZ dhe Kolegji Zgjedhor, që ju më pyesni janë dy hallka tepër të rëndësishme në një proces zgjedhor, madje determinate për rezultatin përfundimtar zgjedhor.
Pra konkretish ju mendoni...?
Përmirësimi i punës së KQZ-së kërkon një veprim kolegjial, kërkon një respekt në zbatim të ligjit për aktet që kërkojnë votim të cilësuar, një drejtim administrativ të institucionit nga kryetari dhe zëvendëskryetari njëherësh, siç e kërkon ligji dhe mbi të gjitha me një etikë të detyrueshme të një institucioni të lartë të shtetit. Ky është sistemi i administrimit të zgjedhjeve, bashkëjetesë e detyrueshme midis të propozuarve nga pozita e opozita, me qëllim që të rritet besimi zgjedhor, që bën të vuajë demokracia në vend.
Ju mendoni se është e domosdoshme vetëm ndryshimi i formulës së KQZ dhe Kolegjit?
Unë jam gjithnjë me mendimin që të zbatohet ligji me rigorozitet në të gjitha rastet, pasi për mua çdo përbërje apo formulë funksionon në këtë rast. Ndërsa po u shkel ligji, bëj çdo lloj formule dhe çdo lloj përbërjeje, asgjë nuk do të funksionojë siç duhet dhe do të kemi gjithnjë të njejtat probleme.
(shkrimi u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë