‘Suhadja, e bija e firmëtarit të pavarësisë në ‘12-ën, u diplomua në Firence dhe vdiq në çmendinë pasi…’/ Refleksione të shkrimtarit të njohur

‘Suhadja, e bija e firmëtarit të pavarësisë në ‘12-ën, u diplomua në Firence dhe vdiq në çmendinë pasi…’/ Refleksione të shkrimtarit të njohur

Sportisti kampion, në burg Qazim Dervishi (1908 – 1994)

Atleti i parë, ai që do t:ë shënonte golin e parë… por dhe përkthyes nga anglishtja…! Babai i tij kishte ardhur nga Tuzi në Shkodër, nëna ishte nga Mjeda, tregon Pjetër Logoreci, miku i Qazimit, që dhe ai ishte përndjekur, me të arratisur…!

…ishte fëmijë i dhënë për lojnave Qazimi, si i lindur për to, tip sportiv. Luante me shokët me një top lecke, që ia kishte bërë e ëma, megjithëse myslimanët e kishin për “gjynah”, thoshin.

Mbeti jetim kur ishte 12 vjeç dhe donin ta çonin të shkollohej në Turqi, por jo, gjimnazin e Shkodrës, këmbënguli Qazimi. Me gjithë ato dhunti për sportet, e dërgojnë në Tiranë, në shkollën e re amerikane të Harry Fultz-it.

Punonte, merrej me sporte, nismëtar me të gjitha dhe shkëlqente te të gjitha, etj, etj, ndërkaq ishte dhe anglisht folës i shkëlqyer.

Kthehet në Shkodër si mësues, nuk u ndahet punëve, hap fusha të reja sportive, zhvillon veprimtari… dhe 1945, viti i parë i çlirimit, do ta gjente bashkë me të shoqen, mësuese dhe ajo, në Lezhë, në Gjirokastër, në Shqipërinë e Mesme, etj.

Po përkthente letërsi për fëmijë dhe programet e shkollave amerikane, pa le, kërkonte të lidhej dhe me to, me imperialistët. Donte të zhvillonte mësime dhe për shurdhë-memecët, e tillë po dukej se po bëhej koha e gjithë…!

E arrestojnë pas dy vjetësh. 22 muaj hetuesi, tortura të tmerrshme, agjent, armik, e varin nga këmbët me tel bashkë me një prift katolik dhe i ulnin me kokë poshtë në gropat e ujërave të zeza.

Kishte zili priftin që nuk i duroi dot torturat dhe mbaroi,, ai ishte i fortë prej sporteve. Ashtu i rrëzuar, mbi të kullonte i vdekuri. E dënojnë me 18 vjet burg…

…është nderuar me titullin “Mësues i popullit” nga Presidenti i Republikës, një vit para vdekjes, kurse pallati i ri i sportit ne Shkoder, mban emrin e tij.

FAMILJA E MADHE CAKRANI

“Kalorësja e Arteve të Bukura”, Suhade Cakrani (1920 -1955)

E bukura dhe tragjikja, Suhadja, bija e familjes së madhe Cakrani…!

Porta aristokratike, e lavdishme e tyre sikur e ka të shkruar gjithë historinë e Shqipërisë të shekullit XX, madhështinë dhe luftën për pavarësinë e atdheut dhe lirinë, humanizmin e lartë dhe humbjen, persekutimin mizor të diktaturës komuniste, ikjet nëpër botë, vrasjet, burgjet, internimet, përçmim harbutëror dhe çmendinën, harrimin e qëllimshëm… dhe….dhe ringjalljen. Aktet e dramës së kësaj familjeje janë akte të dramës shqiptare.

Kur Shqipëria do të shpallte pavarësinë në vitin 1912, në sarajet e Cakranve do të ndalte shpallësi i saj, themeltari i shtetit modern Shqiptar, Ismail Qemali, teksa shkonte për në Vlorë, për të vendosur qeverinë e tij të parë.

Hajredin bej Cakrani do të ishte atje shpallës dhe firmëtar i pavarësisë, kurse i vëllai, Bektash beu, do të emërohej Ministër i Thesarit, jo për të marrë nga qeveria, por për të dhënë, ai do ta financonte administratën me të ardhurat e tij, nga pasuria e vet.

Dy vëllezër që jo vetëm ëndërronin një Shqipëri të lire dhe perëndimore, por i përkushtoheshin këtij ideali. Do t’i gjejmë të bashkuar dhe me Kongresin e Lushnjës, në 1920, pavarësinë e dytë Shqipërisë.

Dhe po këtë vit themelojnë fondacionin e parë “Vëllezërit Cakrani”, kishte rënë “Gripi Spanjoll” nëpër Europë dhe ata u gjenden shqiptarëve me ndihma dhe mbështetje, konak e ushqim e barna…!

Po kështu dhe bijtë e kësaj familje të madhe plot me histori do t’i përkushtoheshin dhe dijes, shkollave të larta, studimeve në universitete e njohura, në Francë, Sorbona, Austri, Vjena, Itali, Bolonjë, Firence, Romë, Rumani, Hungari, etj., të bëheshin për atdhen që priste, mbrojtës të tij, ekonomistë, agronomë, profesorë, jurist, diplomatë, politikanë, etj., dhe, nëse do të duhej, luftëtarë me armë në dorë sërish.

Hajredin Beu vajzën e vetme, Suhaden e bukur, e dërgoi të studiojë në Itali dhe ku? Në Firencen mahnitëse të Dantes dhe të Rilindjes Europiane, Mikelanxhelo e Makiavel, të themeluesve të shkollave të ndryshme botërore…!

Po çfarë do të studionte ajo? Për mjekësi, financë, shkencë? Jo, për Artet e Bukura, ashtu siç ishte dhe vetë. Se atdheut do t’i duhej dhe art, kulturë, që të bëhej sa më i bukur. Suhadja dhe atje do të ishte e veçantë, me vrullin e atdheut të saj dhe urtësinë e familjes. “Rebelja e flokëve dhe kravatave” e quanin, se guxonte dhe në pamje.

Janë imazhet e saj mes shoqeve, nga pas kupolat e kishave fiorentine, e shohim dhe me dy vëllezërit e saj pranë Kullës Eifel ne Paris, por dhe me qen, që duket se i donte, por dhe mbi kalë, ndanë dallgëve në bregun e detit, mbase në Durrës, si “artiste filmash”, kalorëse e arteve të bukura.

Vëllai, Kadriu, do të burgosej si kundërshtar i Mbretit Zog, por dhe në burg, do të ishte aq i hijshëm, me shokët, me borsalinë e kravatë e këpucë që i shkëlqenin.

Kur atdheu do të pushtohej nga Italia fashiste, në vitet e Luftës së Dytë Botërore, Kadri Cakrani, si Komandant i ‘Ballit Kombëtar’, në Berat, do të shpëtonte nga përndjekja 450 familje hebrenjsh, akti më i madh human në Ballkan, po kështu do të ndihmonte dhe ushtarët italianë, të mbetur rrugëve pas kapitullimit të Italisë fashiste. E gjithë kjo mes dy zjarreve, atij të ushtrisë gjermane dhe të partizanëve.

Ndërsa motra Suhade, donte të ishte e bukur, e bukur në shpirt si sfidë luftës. Jo modele të reja armësh, por ‘mode culture’. Lexonte në italisht dhe frëngjisht libra, seç shkruante mbi një fletore, ndoshta mbante ditar a kishte nisur një novelë a bënte skica, vizatime nga lufta, nuk ka mbetur gjë.

Fitimtarët, me të marrë pushtetin, që në vitin e parë, do të pushkatonin Bektashin 75 vjeçar, kurse vëllai, Hajredin Beu, kishte pak që kishte vdekur, atij do t’i prishnin varrin, do i’a hidhnin në erë fitimtarët. Ata tani do të luftonin me të vdekurit.

Kadriu dhe Kujtimi do të iknin, i pari në SHBA-ës, i dyti në Itali. Atdheu i komunistëve i kërkonte për t’i vrarë, bota e lirë demokratike i dekoronte për aktet e tyre heroike dhe humanizmin.

Regjimi po kërkonte bijtë e tjerë të familjes Cakrani. Hajdarin e varin në mes të qytet të Fierit, ata që ende s’i kishin hequr uniformat e partizanit, as entuziazmin e fitores si pluhurin e luftës, madje qeshnin tani me masakrat e tyre, të lirë.

Në sheshin e varjes, në mes të qytetit të Fierit, mes gjindjes së turbulluar u shfaq një fantazmë gruaje, si një Madalenë, u gjunjëzua para të varurit, po i puthte këmbët, ishte e motra, Suhadja. Dhe do të endej nga njeri burg në tjetrin për të ndihmuar të vëllezërit, besnike ndaj tyre si balada.

Në vitin 1953 i vdes dhe nëna. E vetme, mbase vegime të zymta tani po i dyndeshin më me çmenduri, lehnin qentë e saj, të tërbuar nëpër çizme policësh, kali i saj ishte bërë erë me jele të përgjakura, dhe mbi kalë, lëkundej në këmbë një i varur fytyrë-hënë, vëllai i saj i zi

Mbas dy vjetësh, në vitin 1955, Suhade vdes në çmendinë. Ishte vetëm 35 vjeçe. Bashkë me të sikur u shuan dhe mësimet e Arteve të Bukura. Fytyra i mori bukurinë e fundit, si një pikturë ngjyrë qiriri, nga ato që nuk i lanë t’i bënte.

A ka piktura të saj, shkrime? Jo, nuk dihet. As varri i saj nuk dihet se ku është. Kështu u shuan dhe të tjerë nga familja e madhe e Cakrajve, në internime, ndërsa vëllai tjetër, Vasfiu, që kishte studiuar për diplomaci në Sorbonë, mbas 3 burgjeve, dha shpirt në mjerim në një azil…!

Po shpirti s’vdes. Mbas rënies së perandorisë komuniste, rrënimit të diktaturave së saj, patjetër dhe në Shqipëri, do të ringjallej dhe kujtesa. Do të ndryshonte shumëçka. Edhe ndryshimet që i kishin bërë dhunshëm të kaluarës, historisë …

Do të vinin libra dhe nga familja Cakrani. Ka memoaristikë nga Kadri Cakrani, të shkruara në SHBA-ës, të atij shpëtimtarit të qindra familjeve hebreje, na rrëfen dhe për luftën e tij, që s’ishte vetëm e tij, por e shqiptarëve.

Dhe më tutje, si kreu para atij, nga i ati, del tani libri shumë i çmuar “Kujtimet e një firmëtari” i Hajredin Cakranit. Si e shpallën pavarësinë? Ato firma që hodhën ashtu atë ditë, ishin vija të kiromancisë në pëllëmbën e atdheut, u bënë udhë e shtigje, të tatëpjeta dhe të përpjeta të fatit. Ai libër sikur ri zgjon dhe ndërgjegjen kombëtare.

Ndërkaq, në vitin 2000 është themeluar dhe “Fondacioni Cakrani”. Nipi, Avokat Kujtimi, është vërtet dhe një avokat i kujtesës kolektive, rimëkëmbës i asaj kështjelle që ngritën të parët e tij, po kështu një zelltar i dënimeve të krimeve të komunizmit, me moralin e ligjit.

“Besoj atë që bëj dhe bëj atë që besoj”, thotë Kujtimi. Ai kërkon që kujtesa të çlirohet nga dhuna dhe t’i shërbejë së ardhmes…!

Dëgjohen ndërkaq tringëllima prangash në ndërgjegjen e kohës.

Po edhe troku i një kali prej nate. Mos po vjen ajo, Kalorësja e Arteve të Bukura, vajza me flokët prej ere? Po thërret. Ka një kumt për të sjellë…!/Memorie.al

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion