Eksperti ushtarak Arben Çuko, teksa ka komentuar ashpërsimin gjatë ditëve të fundit të sulmeve ruse në Ukrainë, është shprehur se Moska e ka rritur intensitetin e goditjes, për të mbuluar dështimet në vijën e frontit.
Komentet Çuko i ka bërë në emisionin ‘Bota Report’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, ku tha se Rusia ka përparësi të dukshme në teknologjinë e raketave, krahasuar me shtetet e Perëndimit.
“Rusia e ka rritur intensitetin e goditjes, për të mbuluar dështimet në front. E kemi përsëritur shumë herë se objektiva strategjikë me goditje nga ajri, nuk mund të realizohen. Rusia për të mbuluar mediatikisht, duke kryer sulme masive me raketa dhe duke përdorur këto raketat e reja që kanë ata. Ritmi i prodhimit të këtyre raketave nga ana e industrisë ruse nuk është i lartë. Sepse rusët përdorin njëherë në 10 ose 20 ditë nga 10 ose 20 raketa të reja. Rusët janë në avangardë përsa i përket raketave balistike. Duke qenë se janë 20 vite pas amerikanëve në aviacion, ata kanë zhvilluar teknologjinë e raketave balistike dhe janë të parët në botë”, tha mes të tjerash Çuko.
Më tej Çuko ka theksuar se teknologjia e re ruse e raketave ka bërë të mundur shmangien e interceptimit të tyre, duke e bërë të pamundur kapjen nga radarët.
Për Çukon, sulmet masive ruse me raketa përdoren nga presidenti rus Vladimir Putin për qëllime të brendshme politike dhe për t’i bërë presion Europës.
“Të gjitha raketat balistike janë hipersonike. Teknologjia e re ruse ka bërë të mundur shmangien e interceptimit. Ajo kur futet në atmosferë, ndërron drejtimin derisa shkon në objekt dhe kjo e bën thuajse të pamundur mbrojtjen ajrore. Pra dështimin në vijën e frontit, rusët e mbulojnë herë pas here me sulme masive, të cilat nuk kanë asnjë objektiv strategjik. Pra këto sulme i përdor Putini për qëllime të brendshme. Po ashtu ka të bëjë me operacionet psikologjike brenda Europës. Pra Putin i thotë Europës që me këto raketa unë ju shkatërroj”, tha mes të tjerash Çuko.
Komente









