Te Kolegji Zgjedhor 2 ankime
në një nul/ Nga Ilir Dhima

Çdo të ndodhë me pjesëmarrjen apo jo të opozitës në zgjedhjet e përgjithshme të radhës dhe a do të zhvillohen ato më 18 qershorin e ardhshëm? Kjo është pyetja e shtruar më së shumti prej disa muajsh në shumicën e opinionit publik të vendit apo edhe të atij ndërkombëtar.

Ndonëse në një analizë të botuar javën e kaluar te ‘Shqiptarja.com’ kjo pyetje vihej në dyshim të fortë; ndonëse vetëm disa orë pas publikimit të atij artikulli analitik gjithë qytetarët shqiptarë morën mesazhin e fundit të Komisionerit të BE, Johannes Hahn, i cili bënte të qartë se opozita ka bojkotuar qëllimisht zgjedhjet që do të bëhen në datën e caktuar; ndonëse të gjithë e panë tri ditë më parë se si mitingu apo marshimi i Partisë Demokratike përgjatë Bulevardit kryesor të Tiranës “u katandis kokoshi një thelë”; ndonëse kreu i PD, Lulzim Basha ka vazhduar të shprehë kërcënimin, sipas të cilit, nuk ka zgjedhje pa opozitën; ndonëse edhe pas këtyre njoftimeve pothuajse të tëra mediat e vendit parashikonin mbërritjen e djeshme në Tiranë të Zëvendësndihmësit të Sekretarit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee, si shpresën e fundit mbi një kompromis për hyrjen në zgjedhje të të gjitha palëve etj., etj., tek e fundit nuk u vunë aspak në pikëpyetje vlerat Perëndimore. Pra, as Evropa nuk dështoi, as Amerika “nuk e preu në besë” partnerin strategjik të saj. Në emër të DASH, emisari diplomatik amerikan i pohoi në takimin pakminutësh eminencës në dukje të së djathtës këtu, në kundërshtim të hapur me këtë të fundit, se zgjedhjet më 18 qershor do të cilësoheshin legjitime edhe nëse opozita nuk merr pjesë në ‘to.

     Në situata të tilla, dëshpëruese për politikanët e pakicës në komunitetit politik shqiptar, e vetmja shpresë që i mbetet Partisë Demokratike të rrudhur sa më s’bëhet dhe aleatëve të saj simbolikë (çka u dëgjua edhe dje në fjalimin e zakonshëm brenda asaj çadrës bardh e blu që ka bllokuar edhe trafikun e Tiranës) nuk mund të mos jetë veçse vendimi pro saj i Kolegjit Zgjedhor më datën 18 të këtij muaji, pikërisht atë ditë kur fillon zyrtarisht fushata zgjedhore e subjekteve të pranuara ligjërisht për të konkurruar në këto zgjedhje. Një vendim ky që pritet të merret ndaj kërkesës së PD, të bërë nëpërmjet ankimit fillimisht të PAA dhe, tek e mbramja, edhe të PAP, për pavlefshmërinë e afatit të regjistrimit të listave shumemërore të 15 subjekteve elektorale, me pretendimin se regjistrimi i tyre është bërë një ditë më vonë se sa e parashikon Kodi Zgjedhor. Më poshtë nuk do të ishte e dëshirueshme ta shpërqëndronim vëmendjen e lexuesit me ato çkanë sqaruar deri tani media të ndryshme, as me aritmetikën e mbledhjes së ditëve, kur përfundon afati i regjistrimit të listave përpara datës së votimit dhe as me aplikimin e formulës së vendosjes së këtij afati që nga viti 2009. Mjafton të kujtojmë që, sipas nenit 125/2 të Kodit Zgjedhor në Republikën e Shqipërisë (në fuqi), afatet përcaktohen me ditë, duke përjashtuar ditën e ankimit. Më poshtë ndoshta është më mirë të merremi me thelbin ligjor të zgjidhjes së problemit, duke këqyrur më parë statusin elektoral të dy partive zyrtarisht ankuese në Kolegjin Zgjedhor.    
 
*  *Partia Agrare Ambientaliste është deklaruar dhe rreshtuar në krah të Partisë Demnokratike, si edhe të aleateve të tjera të saj. Mirëpo përshtypja rreth këtij fakti filloi të lëkundet kur u fol se PAA u regjistrua pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, e vetmja nga spektri opozitar. Dyzimi vazhdoi edhe pasi kryetari i PAA, Agron Duka u përpoq të sqaronte opinionin publik që ishte një nxitim i rastit dhe se do të kërkonte (apo kishte kërkuar) që KQZ ta çregjisstronte Partinë e tij. Luhatja e atyre që dëgjonin këtë ligjërim të Dukës përsëri nuk po centrohej fort ngaqë Kryetari i PAA prezantonte në disa prej qarqeve të vendit kandidatët për deputetë të kësaj Partie. Sidoqoftë, në mesnatën e datës 29 prill, kur përfundonte afati i regjistrimit të listave, në togun e këtyre të fundit nuk figuronte Partia e tij.

     Në të vërtetë, pas kërkesës së Partisë Agrare Ambientaliste për çregjistrimin e saj, KQZ nuk mori ndonjë vendim. Sepse asnjë dispozitë e Kodit Zgjedhor nuk e detyron këtë Institucion të Administrimit Elektoral që në raste të tilla, kur tërheqja është vullnetare, ashtu si edhe regjistrimi, kjo të shprehet me vendim. Por edhe nëse do të ekzistonte ndonjë dispozitë e atillë, i vetmi vendim që do të merrej do të kishte të bënte me kërkesën për çregjistrimin që kërkonte vetë partia përkatëse. S’duhet harruar që kërkesa e PAA për t’u çregjistruar është një dokument, me anë të të cilit Ajo ka kërkuar të mos jetë subjekt zgjedhor. Kjo vërtetohet edhe me faktin që kjo Parti nuk ka paraqitur ndonjë listë shumemërore. Por, edhe sikur ta paraqiste këtë listë, nuk kishte pse KQZ ta shqyrtonte atë, sepse vetë Partia Agrare Ambientaliste kishte kërkuar të çregjistrohej. Në vështrim të neneve 64 dhe 65 të Kodit Zgjedhor (Kapitulli IV “Regjistrimi i subjekteve zgjedhore”), Partia Agrare Ambientaliste nuk përbën ndonjë subjekt zgjedhor dhe as pjesë përbërëse të ndonjë kolalicioni zgjedhor, që kushtëzohet prej regjistrimit më parë të subjekteve të veçanta.

     Por ja që pas ankimit të PAA në Kolegjin Zgjedhor dalin nëpër ekrane televizive edhe ca ish kryetarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që duhet të jenë ekspertë të këtyre çështjeve. Teoprikisht, sepse praktikisht me intervistat e tyre ose nuk kanë informacionin e duhur, ose përpiqen të deklarojnë legjitimimin e PAA. Për shembull, njëri prej tyre thotë se për dijeninë e tij PAA “është regjistruar, ka kërkuar të çregjistrohet, dhe kjo parti politike është subjekt zgjedhor, ka të drejtën të ankimojë”(?) (‘Shqiptarja.com’, datë 12 Maj 2017). Ndërsa në po të njëjtin numër të kësaj gazete, një tjetër nga këta ish kryetarë të KQZ shkon më tej, kur thotë për PAA, se “...jo vetëm që është regjistruar atje, por partitë kanë  përfaqësuesit e tyre me emër në KQZ dhe KQZ është e detyruar të të dëgjojë” (?). Jo zoti ish kryetar, nëse bëni fjalë për PD-në, PR-në, PAA-në etj, duke mos qenë këto tani subjekte zgjedhore, përfaqësuesit e autorizuar prej tyre pranë KQZ-së duhet të jenë si të gjithë pjesëmarrësit në seanca të hapura të këtij Institucioni, domethënë duhet të jenë ata që mund të dëgjojnë, por jo të dëgjohen!

     Pas gjithë kësaj tollovie më shumë politike se sa ligjore, ata apo disa prej atyre që më parë dyshonin se Partia Agrare Ambientaliste kishte kapërcyer spektrin e opozitës me regjistrimin e saj në KQZ, tashmë do të kishin të drejtë të dyshonin se kësaj Partie i ishte caktuar një rol, sipas skenarit opozitar, që nëse nuk zëvendësohej qeveria e zgjedhur me qindra e qindra mijëra vota më 2013 përpara përfundimit të plotë 4 vjeçar të saj, të ngrihej një pengesë serioze për mbajtjen e zgjedhjeve më datën e dekretuar. Por, nëse edhe roli i PAA si subjekt jo zgjedhor do të dështonte, atëhere le të gjendej një Parti tjetër që do të pranonte rolin e përcaktuar më parë.

     Dhe fati u deshi që një parti e vogël, e cila në fushatën parazgjedhore të 2013-s ishte renditur në koalicionin e majtë, por nuk arriti të merrte qoftë edhe vetëm një mandat deputeti, të regjistrohej përsëri si subjekt zgjedhor. Ndërkohë që, me sa kuptohet, kreut të saj apo edhe elektoratit të vet nuk u ka ikur inati se përse Partia Socialiste në krye të koalicionit qeveritar nuk u kishte rezervuar atyre vende në këtë qeverisje dhe, aq më keq akoma, përse gjatë këtij mandati ishte afruar me Partinë shemrë të së njëjtës prejardhje – PDIU. “Për inat të s’ime vjehrre vete e fle me millonanë” – do të thuhej me plot gojën në këtë rast, po qe se kre i kësaj partie që del kështu papritur me këtë rol në skenën politike do të ishte i një gjinie tjetër nga ajo mashkullore.

Konkretisht, fjala është për Partinë Aleanca Popullore, e cila pak më vonë i dërgoi Kolegjit Zgjedhor një ankim me përmbajtje të njëjtë si ai i PAA-së. Por edhe atyre që e kanë hartuar këtë ankim, përveç që përfaqësojnë në këtë rast një subjekt zgjedhor, nga mendja u ka dalë apo nuk u ka vajtur fare në mendje të sqarojnë, ashtu siç duhet të bënte edhe PAA se, sipas një kriteri të Kodit Zgjedhor, çfarë e drejte u është cenuar subjekteve të tyre, që u drejtohen të dyja njëra pas tjetrës Kolegjit Zgjedhor? Ato duhej ta vinin veten në një pozicion të atillë sikurse parashikon Kodi: “Çdo parti politike pjesëtare ose jo e një koalicioni dhe kandidati i propozuar nga zgjedhësit kanë të drejtë të ankohen në KQZ kundër vendimeve të KZAZ-së që cenojnë interesat e tyre të ligjshme brenda 3 ditëve nga data e shpalljes së vendimit” (shih nenin 124).

Kështu, si ankimi i PAA-së që nuk është subjekt zgjedhor, edhe ai i PAP që e gëzon këtë status (pa çka se e kanë të kundërt me njëri – tjetrin), nuk paraqesin asgjë që të dëmtojë interesat e ligjshme të tyre, por duan të çregjistrohen listat e të 15 (ose po të heqësh emërtimin e Partisë Aleanca Popullore që ekziston në fletën e votimit, e cila po ciklohet po shumëfishohet në disa miljona kopje) e të 14 partive të tjera që kanë vendosur të garojnë në këto zgjedhje. Kjo po, kjo është e patolerueshme politikisht, e pafalshme moralisht, e papranueshme juridikisht.
 
*  *Me çka u parashtrua më lart kuptohet që në skrivanitë e gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor qëndrojnë dosjet me 2 ankime, që të përbashkëtën e tyre kanë 1 nul. Çfarë vendimesh do të marrin ata në të dy rastet? Pa dashur të paragjykojmë tani kryerjen e detyrës së tyre, mund t’i referohemi nenit 168/1 të Kodit Zgjedhor, te i cili përcaktohet që, në varësi nga çështja, Kolegji vendos: a) pushimin e çështjes; b) gjykimin në themel; c) detyrimin e KQZ për të marrë vendim. Ndërsa, sipas paragrafit 2 të këtij neni, pushimi i gjykimit vendoset kur Kolegji Zgjedhor konstaton që ankimi është paraqitur jashtë afateve të përcaktuara në këtë Kod, ose për mungesë kompetence.

     Kjo rrethana e fundit do të ishte sigurisht më e drejte dhe më e mbështetura për ata gjyqtarë, që për t’u paraqitur në këtë çështje si realisht të pavarur duhet të zbatojnë vetëm Kushtetutën dhe ligjin. Në rast ndërhyrjesh dhe kërcënimesh, që Lulzim Basha, si megafon i Sali i Berishës ka kohë që nuk i kursen aspak, ata dhe të tjerë që vihen në dijeni të atyre akteve do të ishte me vend t’i kujtonin atij se, sipas nenit 145/3 të Ligjit Themelor të Shtetit: “Ndërhyrja në veprimtarinë e gjykatave ose të gjykatësve passjell përgjegjësi sipas ligjit”.

     Në të kundërt, ca ish kryetarë të KQZ thonë që, po qe se Kolegji pranon ankimet për të cilat folëm në këto rradhë, ose duhet të ndryshojë Kushtetuta (gjë që në kushtet aktuale nuk mund të bëhet), ose të arrihet një kompromis politik për ndryshime në Kodin Zgjedhor (çka gjithashtu është si tepër vonë). Por ata harrojnë apo bëjnë sikur harrojnë, si disa politikanë të ditës, se vërtet që Kolegji Zgjedhor është instanca e fundit gjyqësore në këtë fushë, megjithatë askush nuk mund të ndalojë Gjykatën Kusahtetuese për gjykimin përfundimtar të ankesave të individëve për shkeljen e të drejtave të tyre kushtetuese (në këtë rast, e drejta për të votuar në afate periodike të caktuara) për një proces të rregullt ligjor, pasi të jenë shterur sigurisht të gjitha mjetet juridike për mbrojtjen e këtyre të drejtave.                            
 
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave