Të sodisësh vërsuljen e tërbuar të Berishës mbi Altin Dumanin?

Të sodisësh vërsuljen e tërbuar të Berishës mbi Altin Dumanin?

Noka vërsulet drejt foltores

Në mënyrë krejt të palogjikshme dhe të jashtëligjshme për më shumë se 4 orë kreu i SPAK Dumani u përball me deklaratat politike të deputetëve të PD që në bazë të rregullores së Kuvendit duhet të pyesnin sot kreun e Prokurorisë së Posaçme për raportin e punës të vitit 2023.

Halli familjar i Sali Berishës dhe i disa deputetëve të PD që janë nën hetim pasuror nga SPAK, ishte sot dhe halli i PS, deputetëve dhe drejtueses së seancës plenare. Kjo u pa qartë kur katandisja e deputetëve të PD me pyetje banale, detaje hetimore dhe halle personale madje dhe kërcënuese ndaj shefit të SPAK gjeti hapësirën dhe miratimin në heshtje nga mazhoranca.

Kush deputet nuk e di që kreu i prokurorisë së çdo niveli nuk mund të japë përgjigje për një çështje nën hetim? Kush deputet nuk e ka kuptuar që çështjet e SPAK janë në proces që kërkon kohë dhe hapësirë për shkak të personave të përfshirë? Kush ligjvënës nuk e ka kuptuar që tashmë ish zv kryeministër, ish ministra apo kryetarë bashkie janë nën hetim apo pas hekurave? Jam e bindur që të gjithë edhe pse shumica me formim bazik e dinë këtë. Por interesi nuk ua do të sillen si deputet. Bullizim, denigrim dhe kërcënim, kjo ishte gjuha e deputetëve të opozitës me qeshjen nën zë të mazhorancës.

Në asnjë nen të rregullores nuk është shkruar që raportimi i drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme duhet pasuar me pyetje disa orëshe të hallexhinjve të Kuvendit. Ermonela Felaj që drejtonte sot seancën si rrallëherë gjeti mirëkuptim me kolegët e PD dhe bashkë me ta shijoi gjatë deklarimet politike dhe karshillëkun me të bërtitura që Albana Vokshi, Flamur Noka, Tritan Shehu, Edi Paloka dhe të tjerë në kor dhe sinkron i bënë Altin Dumanit. Madje dhe gjuhën kërcënuese të Bujar Leskajt e kaloi pa vëmendje.

Altin Dumani ishte sot në parlament për të raportuar për veprimtarinë e SPAK në vitin 2023. As për të treguar sekrete hetimore, as për të folur për dosje të veçanta, madje as për të treguar ku ndodhen hetimet për Sali Berishën, familjen biologjike dhe politike të tij. Nuk ishte as për të shuar kuriozitetin për banalitetet dhe thashethemet që qarkullojnë brenda “elitës” politike dhe të biznesit.

Të lejosh që kreu i SPAK të përballet me demagogjinë e Sali Berishës, duke i dhënë hapësirë retorikës politikës përballë drejtesisë do të thotë që i trembesh SPAK po aq sa ata që sot me fjalimet e tyre treguan frikë dhe inat me Prokurorine e Posaçme. PS dhe PD nuk kanë nevojë të na tregojnë se njëra është më pak e keqe se tjetra, se njëra ka hajdutë më të sofistikuar e tjetra më banalë. Mjafton skena e sotme, ku fytyrat e majmura të deputetëve të PS ishin sinkron me hakërrimet e opozitarëve pazarxhinj.

Nje institucion ku beson mbi 70% e shqiptarëve, bullizohet, denigrohet dhe kërcënohet në shkelje të ligjit dhe me shkeljen e syrit nga mazhoranca. Sepse frika nga SPAK i ka bërë bashkë. Dhe kur frika bën bashkë një klasë të tërë politike, asgjë e mirë nuk e pret një vend të zhytur në korrupsion.

Për fat të keq të shqiptarëve sigurisht.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Hapësirat publike në plazhe, sipas jush janë:



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Rama pazar me Greqinë, që lejoi Belerin nga burgu të udhëtoj jashtë

Spahiu: Rama pazar me Greqinë, që lejoi Belerin nga burgu të udhëtoj jashtë