Siç e kam shkruar edhe herë të tjera, besoj fort se e vërteta është sublime. Asnjëherë nuk mund të jetë pronë e një partie, e një individi, e një pozite apo opozite. Një opinion, një mendim, nuk mund të përmbajnë asnjëherë të vërtetën e plotë, thjesht ndihmojnë për të hedhur pakëz dritë, ose për të bërë të kundërtën, në rastin e linçuesve profesionistë, për ta errësuar më shumë. Jo të gjithë kanë informacione të pastra dhe jo të gjithë, pastaj, i përdorin ato informacione të padeformuara. Më naivët bien shpejt prehë e linçuesve profesionistë, duke mos dalluar gënjeshtrën nga e vërteta. Këtu lind ai keqkuptimi i madh se kush po e thotë të vërtetën më të vërtetë në shoqëri?
Gazetarët e drejtë e të mirë, për shembull, përbëjnë atë shtyllë të vlefshme të demokracisë, e cila ka mundësinë të mbledhë informacione nga shumë burime. Nëse ndodh një ngjarje, një gazetar nuk mund të qëndrojë vetëm me të vërtetën e policisë, ose vetëm të një banori, ose vetëm të një politikani etj. Këto mund të quhen intervista, dëshmi, por jo fjala e fundit e të vërtetës; ajo plotësohet me copëza dhe sa më shumë dëshmitarë të dëgjohen e ballafaqohen, aq më e plotë, ose aq më dritë ka mbi një ngjarje, mbi një person, mbi një zhvillim.
E megjithatë, edhe gazetari nuk mund ta ketë në dorë të vërtetën absolute. Një gazetar i mirë, është ai që në tekstin e tij shtron rresht pas rreshti fakte dhe dëshmi sa më bindëse. Sa më shumë të ketë të tilla, aq më perfekt është gazetari. Kjo, rrallë ndodh në Shqipëri. Një shoqëri, sa më e civilizuar e demokratike të jetë, aq më shumë gazetarë të mirë nxjerr, të cilët me seriozitet, pasion e durim, punojnë për të vërtetën.
Shteti, është një tjetër shtyllë e fortë në Demokraci për të nxjerrë në dritë të vërtetën. Sa më të drejtë ta ketë ndërtuar Shtetin e vet një shoqëri, aq më e kristaltë del e vërteta e ngjarjeve, e personave. Shteti përmes strukturave të tij të shëndetshme e ka mundësinë totale, që si një zinxhir të pastrojë, lajë e të nxjerrë me gjithë shkëlqimin e saj një ngjarje, një zhvillim, që keqbërës të ndryshëm e kanë mbuluar, manipuluar për përfitime personale. E kundërta ndodh kur Shteti nuk është në shërbim të së vërtetës, por të interesave personale të individëve, pushtetarëve. Dhe modeli i fundit është ai që për shumë vite është përdorur në Shqipëri.
Faktet, veprimet, dokumentet, ofrojnë elementët e të vërtetës. Shpifjet kërkojnë vetëm mbulimin e saj me çdo qëllim. E meqë jemi tek këto të fundit dhe meqë rrjetet sociale ua sjellin si në tabaka qytetarëve, edhe këtu, duhet punë e durim. Shpifja ka disa tipare për t’u dalluar: Eshtë shpesh delirante, nuk njeh modesti. Eshtë e veshur me urrejtje, mllefe, fjalë të rënda e ofendime personale. Shpifja nuk ka asnjë qëllim të merret me të vërtetën, por përkundrazi ta mbulojë e ta deformojë mesa të mundet.
Sot, në epokën e rrjeteve sociale, kur ne shqiptarët ende nuk kemi bërë një Shtet që të punojë për të Vërtetën e pastër, duhet të pajisemi me një instikt vetëmbrojtjeje: Atë të dallimit të shpifësve e manipuluesve: Ata nuk merren me faktet, punën, veprimet e një njeriu. Shpifësit do të merren me linçimin, trembjen përmes ofendimeve raciste, denigruese që kanë lidhje me emrin, familjen, seksin, profesionin.
Shumë janë të terrorizuar nga linçimi sot nëpër rrjete; e në fakt është një absurd që një popull si i yni, i linçuar nga shpifësit e manipuluesit në 50 vite diktaturë, ta pësojë edhe tani. Por, derisa të bëjmë një Shtet me demokraci si ato të Perëndimit, le të përdorim instiktin tonë e të izolojmë gjithnjë e më shumë linçuesit e tranzicionit. T’i përbuzim e me trimëri t’u lemë vend e hapësira më seriozëve dhe më të mirëve, të cilët, për natyrë, apo edukim, kanë për zemër të Vërtetën.