Thjeshtësia e dashurisë ndaj Atdheut ose patriotizmi, thënë ndryshe

 Thjeshtësia e dashurisë ndaj Atdheut ose patriotizmi, thënë ndryshe

Alba Malltezi

Jeta dhe eksperienca na mëson se shpesh, ai ose ajo që propagandon më shumë një gjë, ndodh, nëse drita shtohet, të shohim që bën ose dëshiron të kundërtën. Po të sjellim nëpër mendje se si jemi sjellë në 30 vite liri ndaj Shqipërisë, ndaj natyrës së saj, ndaj pasurive kulturore dhe materiale që na lanë të parët tanë, biem në kundërshtim me patosin dhe flamujt e kuq që publikojmë ditën e shenjtë të Pavarësisë sonë. Sigurisht dhe për fat të mirë, përjashtime ka.

Si të gjitha dashuritë, edhe dashuria ndaj Atdheut është shumë e thjeshtë, shumë e dukshme: Bëjmë apo jo gjëra që e përmirësojnë bashkësinë e gjithë njerëzve që flasin shqip e që jetojnë në të mrekullueshmen hapësirë prej 28 mijë metra katrorë? Përmirësojmë me punën dhe veprimet tona familjen ku lindëm, përmirësojmë me veprimet dhe punën tonë, qytetin ku jetojmë? A është e përditshmja jonë një hap drejt më të bukurës, më pozitives, më të mirës? Apo, si në legjendën tepër domethënëse të Rozafës, ndërsa dikush ditën punon e ndërton, natën, të tjerë, qofshin edhe njerëzit më të afërt tanët, shkatërrojnë? A jemi ne apo të tjerët që natën apo në errësirat e të padukshmes shkatërrojmë? E në fund të fundit, më i brishti, më i drejti, më i vogli e pëson.

Është një fat i madh që një vend i vogël si i yni, nxorri një shenjtore planetare si Nënë Tereza, e cila nga madhështia e zemrës së saj na ka lënë perla mençurie: “Dëshiron të ndryshosh botën? - thotë ajo, – Atëherë, shko në shtëpi dhe nis të duash familjen  tënde”. Jemi në të vërtetë patriotë kur bëjmë çdo gjë për t’u hapur rrugën e për t’u dhënë dorën më të vegjëlve dhe më të pamundurve të ecin me këmbët e tyre e të forcohen përmes dinjitetit edhe ata. Është e vërtetë, ndokush këtë dorë e konsideron vetëm si një trung të cilit do t’ja thithë tërë linfën, por kjo nuk mund të dekurajojë. Edhe pemët qindravjeçare popullohen nga parazitë të ndryshëm, ndodh që parazitët e arrijnë qëllimin dhe pemën mund ta thajnë, por asgjë nuk shkon kot, ajo pemë, dikur e bukur, bëhet ushqimi më i mirë për dheun. Për Atdheun. Askush nuk është i përjetshëm, dobishmëria është ajo që na dallon si patriotë apo jo.

Prandaj i tillë, në të vërtetë, është kush në të mirë e në të keq e di se puna dhe vepra e tij ka shërbyer për diçka: dashuroi, ndërtoi, ushqeu, realizoi, përmirësoi, harmonizoi, zbukuroi, një familje, një lagje, një fshat, një qytet, një vend dhe e bëri më të mirë sa të parët e bënë. Është fare e thjeshtë: Patriotizmi është dashuria e fjalëve e bërë realitet.  

a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?