Theo Jacobs, pa dyshim përfaqësuesi më i famshëm në Shqipëri i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit që mbikëqyr procesin e Vetingut në drejtësi, vijon të ‘tmerrojë’ gjyqtarët dhe prokurorët e Shqipërisë, me prezencën e tij, në seancat dëgjimore, në shkallën e parë të Vetingut. I shndërruar me shpejtësi në ‘makthin’ e njerëzve të drejtësisë shqiptare, disa gjyqtarë dhe prokurorë kanë preferuar të përfaqësohen me avokat, vetëm që të mos përballen me prokurorin belg.

Të tjerë kanë kërkuar sqarime se pse Theo Jacobs është përzgjedhur nga OMN për të vëzhguar procesin e tyre. Arsyeja është e kuptueshme: Prokurori belg Theo Jacobs është ‘përvëlues’ me pyetjet që bën, është i prerë, korrekt dhe i pakompromis. Gjyqtari i Apelit në Durrës Tritan Hamitaj, ish-anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, është befasuar kur ka parë Theo Jacobs, për të vëzhguar gjatë seancës së tij dëgjimore në Komisionin e Vetingut, në 14 shtator 2020. Tritan Hamitaj priste që si vëzhgues të ishte Ferdinando Buatier dhe jo Theo Jacobs. Në këto rrethana, gjyqtari i ka kërkuar ‘llogari’ për këtë ndryshim.

Në kërkesën e tij, gjyqtari Tritan Hamitaj shkruante:

“Sapo u njoh me këtë vendim të trupit gjykues, subjekti ka paraqitur një kërkesë tjetër, ku ka parashtruar: “Në nenin C të Aneksit të Kushtetutës pika 3, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit udhëhiqen nga 3 parime themelore dhe i treti është parimi i transparencës. Nga materialet që më janë dërguar, doja të dija, vëzhgues ndërkombëtar ka qenë z. Buatier. Sot në seancë është z. Theo Jacobs.

Jam përpjekur nga mjetet e informimit publik të njihem me organizmin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe nuk kam arritur të marr një informacion, a ka apo jo një rregullore të brendshme, si zgjidhen komisionerët, sa është mandati, si zëvendësohen dhe në funksion të këtij parimi edhe për një proces të rregullt ligjor, duke vënë në vëmendje që vëzhguesi ndërkombëtar nuk është thjesht një vëzhgues në momentin që vendi jonë aplikon për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe është i detyruar të ndjekë hapat e përcaktuar prej tij për të marrë ftesën e anëtarësimit dhe janë ca kërkesa që për ne janë të detyrueshme.

Edhe Kryeministri i Shqipërisë gjithmonë flet për detyrat e shtetit shqiptar për t’u anëtarësuar në Bashkim Evropian. Në funksion të saj, vëzhguesi ndërkombëtar, pavarësisht se me procedurë ligjore nuk ka vendimmarrje, por siç e dimë, për shkak të kësaj që thashë dhe siç e dimë që ndodh de facto vëzhguesi ndërkombëtar është shumë, është shumë në këtë proces, madje edhe më shumë se ju, sepse rekomandimet e vëzhguesit janë themelore edhe për integrimin e shtetit shqiptar në Bashkimin Evropian. Në funksion të kësaj, doja një informacion”.

Gjyqtarit Tritan Hamitaj i është përgjigjur vetë prokurori belg Theo Jacobs. Në përgjigjen e tij, Jacobs shkruan:

“Ne jemi thjesht vëzhgues, pra, nuk kemi fuqi vendimmarrëse në proces, në fakt ne nuk mund të ankimojmë, ne thjesht rekomandojmë dhe të kërkojmë që të apelohet, kështu që mos e mbivlerësoni kontributin tonë, kjo e para dhe e dyta ka të bëjë që vëzhguesit ndërkombëtar mund të vendosin midis tyre se kush do të bëjë secilën nga çështjet. Dhe për arsye të bazuara ne mund të shkëmbejmë çështjet në organizatën tonë, që do të thotë mund të fillohet me një vëzhgues dhe të përfundohet me një tjetër, është absolutisht e mundur sepse jemi absolutisht të zëvendësueshëm. Kjo është e vetmja gjë që duhet të dini për ONM-në, nuk ka arsye të veçanta pse sot jam unë këtu dhe jo kolegu im. Herën tjetër do të zëvendësohem nga një koleg tjetër kur të mos jem i disponueshëm, sepse jemi thjesht vëzhgues. Ata mund të punojnë përsosmërish pa ne, por kanë gjithsesi nevojën që dikush ta vëzhgojë procesin dhe prandaj ndodhi edhe në këtë çështje”.

Në seancën e 14 shtatorit 2020, për tre orë me radhë, gjyqtari paraqiti kërkesa të ndryshime, që kishin si qëllim shtyrjen e procesit. Të gjitha kërkesat iu rrëzuan, por seancën arriti ta shtynte vetëm me një ditë. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të shkarkonte nga detyra gjyqtarin Tritan Hamitajn në datën 17 shtator 2020, vetëm për kriterin e pasurisë.