Tony Blair ka shtuar ndjeshëm kritikat ndaj qeverisë së Keir Starmer, duke paralajmëruar se Partia Laburiste rrezikon seriozisht të humbasë zgjedhjet e ardhshme nëse nuk ndryshon drejtimin politik dhe ekonomik. Vetëm pak orë pasi publikoi një ese të gjatë dhe shumë kritike ndaj Labour, ish-kryeministri britanik deklaroi se partia duhet të vendosë “politikat para politikës” dhe të ndalet për të kuptuar se si po ndryshon bota.

Në esenë prej 5,700 fjalësh, Blair argumenton se Labour po rrezikon të bjerë në vetëkënaqësi dhe po dështon të kuptojë transformimet e mëdha globale, sidomos në ekonomi, energji dhe inteligjencën artificiale. Ai kërkoi që qeveria të zbusë kufizimet ndaj industrisë së naftës dhe gazit, të ulë shpenzimet për mirëqenien sociale dhe të fokusohet shumë më fort te biznesi, teknologjia dhe rritja ekonomike.

Blair tha se revolucioni i inteligjencës artificiale është ndryshimi më i madh ekonomik dhe social i kohës sonë dhe e krahasoi atë me Revolucionin Industrial. “Do të ndryshojë absolutisht gjithçka”, tha ai për BBC Radio 4, duke shtuar se Britania ende nuk po e trajton seriozisht këtë transformim. Sipas tij, problemi i Laburistëve nuk zgjidhet thjesht duke ndryshuar liderin. 

“Nëse nuk vendos më parë drejtimin e politikave, nuk ka kuptim të ndryshosh liderin”, deklaroi Blair.

Blair u kërkoi deputetëve laburistë që para çdo debati për lidershipin, kandidatët të detyrohen të shpjegojnë qartë se çfarë ka bërë mirë qeveria, çfarë ka bërë gabim dhe çfarë duhet ndryshuar.

“Zgjidhni fillimisht drejtimin dhe sigurohuni që përpara çdo ndryshimi lidershipi, të gjithë kandidatët të shpjegojnë me detaje politikat e tyre, çfarë ka bërë mirë qeveria, çfarë ka bërë gabim dhe çfarë duhet bërë ndryshe”, deklaroi ai.

Ai argumentoi se Labour fitoi zgjedhjet e fundit më shumë sepse qytetarët ishin kundër konservatorëve dhe jo sepse partia kishte bindur me projektin e saj politik. Sipas Blair, shumë nga premtimet tradicionale të Labour funksionojnë “në kohë të lehta”, por jo në periudha ekonomike të vështira si sot.

“Kemi nevojë të prioritizojmë rritjen ekonomike, mbështetjen për biznesin dhe revolucionin e inteligjencës artificiale”, tha ai.

Ish-kryeministri paralajmëroi gjithashtu se Britania po shkon drejt një situate ku shteti mund të shpenzojë më shumë për përfitimet e paaftësisë sesa për mbrojtjen. Blair tha se nuk e sheh më debatin politik si ndarje klasike mes së majtës dhe së djathtës.

“Nuk më intereson nëse një ide konsiderohet konservatore apo laburiste. Pyetja është: çfarë funksionon dhe ku po shkon bota?”, deklaroi ai.

Sipas tij, politika duhet të fokusohet te ndryshimet e mëdha dhe jo te ruajtja e status quo-së. Ndërhyrja e Blair ka shkaktuar reagime brenda laburistëve, siç raporton The Guardian. Deputetja Rachael Maskell e quajti momentin e zgjedhur nga Blair “jashtëzakonisht të papërshtatshëm”, pasi partia po përgatitet për tre zgjedhje të pjesshme parlamentare muajin e ardhshëm.

Ajo tha se Blair “fitoi zgjedhje gati tre dekada më parë dhe duket sikur vazhdon ende debatin e asaj kohe, në vend që të shohë situatën e sotme”. Ndërkohë, ministri i Thesarit Dan Tomlinson tha se debati politik britanik ka ndryshuar shumë që nga koha e Blair dhe se qeveria aktuale po ndërmerr reforma që nuk janë bërë më parë, si ndryshimet në sistemin e planifikimit për ndërtimin e banesave.

Komentet e tij vijnë në një moment kur në Britani po shtohen diskutimet për të ardhmen politike të Keir Starmer dhe emrat që mund ta pasojnë në të ardhmen.