Zjarri shkrumbon spitalin COVID, humbin jetën 12 pacientë dhe 2 familjarë! U konstatuan gabime gjatë ndërtimit të godinës! Maqedonia e Veriut shpall 3 ditë zie

14 persona humbën jetën dhe 12 të tjerë kanë mbetur të plagosur mbrëmjen e djeshme në Tetovë të Maqedonisë së Veriut, pas përfshirjes nga flakët të spitalit COVID. Zjarri tashmë është shuar plotësisht, ndërsa flakëve iu deshën vetëm disa minuta për të 'gllabëruar' godinën, të ndërtuar vetëm disa muaj më parë. Viktima më e re është një 20 vjeçare e afërme e një pacienti të shtruar. Nga shpërthimi ka ndërruar jetë edhe një laborant i infektuar me COVID që ishte i shtruar prej 3 javësh. Deri më tani janë identifikuar 12 viktima dhe sipas Gëzim Nuredinit përgjegjësi i spitalit COVID ata janë pacientë. 2 viktimat e tjera thotë ai ende nuk janë identifikuar ndërsa dyshohet se kanë qenë të afërm të pacientëve.

Në lidhje me ngjarjen e rëndë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka caktuar sot në orën 10:00 një mbledhje të jashtëzakonshme në të cilën është marrë vendimi që të shpallet 3 ditë zie në gjithë territorin e vendit. Paraprakisht edhe Komuna e Tetovës pas mbledhjes së Shtabit të krizës, njoftoi shpalljen e 3 ditë zie në Tetovë.

Gazetari nga Maqedonia Visar Sadiku ka konfirmuar në një lidhje telefonike për Report Tv se të gjithë të plagosurit janë transportuar për në Spitalin e Shkupit, jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, sipas mediave vendase, rezulton se në spitalin në Tetovë, në mesin e muajit prill është raportuar se janë konfirmuar gabime gjatë ndërtimit, që kishin të bënin kryesisht me dyshemenë dhe gabime të tjera infrastrukturore. Ka pasur një deklaratë nga drejtori ekonomik i spitalit të Tetovës se qendra ndihmëse për pacientët me COVID-19 nuk ka kushte të mjaftueshme për t’u kujdesur për pacientët. Kompania që kishte marrë përsipër ndërtimin e spitalit duhej të rregullonte këto gabime, por nuk dihet nëse një gjë e tillë është bërë.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se është kërkuar urgjent dorëheqja e ministrit të Shëndetësisë Filipçe si dhe e kryetares së Komunës së Tetovës, Teuta Arifi

Deri tani nuk dihen shkaqet e shpërthimit të zjarrit, ndërsa pesë prokurorë janë angazhuar dhe janë në terren ku po kryejnë ekspertizë për të vërtetuar shkaqet që sollën deri te djegia e spitalit COVID në Tetovë.

Zjarri në Qendrën COVID shpërtheu rreth orës 21:00 dhe për një kohë të shkurtër është djegur e tëra, ndërsa sipas autoriteteve ekziston frika që numri i viktimave mund të rritet. Viktimat janë 14 pacientë, të cilët nuk janë identifikuar ende, ndërsa pritet t'i kryhet analiza e ADN. Paraprakisht mendohet se brenda spitalit, në momentin kur ka rënë zjarri, ndodheshin 26 pacientë të shtruar, 8 persona nga stafi mjekësor dhe disa familjarë të të sëmurëve. Fatmirësisht nuk ka patur viktima mes stafit mjekësor. 

U deshën vetëm 20 minuta që Spitali Modular COVID në Tetove të shkrumbohej. Dhe, mesa duket përhapjen e tij e ka ndihmuar edhe shpërthimi i një bombole oksigjeni. Lajmin e bëri të ditur komandanti i Njësitit të kundër zjarrit, Uka Aliti në një deklaratë për mediat.

Pas ngjarjes së rëndë reagoi edhe politika shqiptare, duke shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave dhe duke u solidarizuar me dhimbjen e tyre.

 

VIDEO- Të dhenat e fundit nga Tetova

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:49
U fut për të shpëtuar nënën, digjet bashkë me të, kjo është viktima më e re në Tetovë

Një 29-vjeçare  është viktima më e rë që ka humbur jetën si pasojë e flakëve që shkrumbuan spitalin COVID në Tetovë.

Sipas mediave, e reja ka qenë në spital pasi ka pasur të ëmën të shtruar me COVID. Në momentin që spitali është përfshirë nga flakët ajo është futur që të shpëtojë të ëmën nga zjarri, por nuk ia ka dalë dot. Si pasojë e flakëve, ajo humbi jetën së bashku me të ëmën.

Historinë e rëndë e tregoi për Report Tv dhe një banor në Tetovë, ku tha se fati i keq e deshi që të digjeshin së bashku.

'Vajza 29 vjeçare që është djegur bashkë me nënën ka shkuar që të shpëtojë nënën e vet. Fati e ka desh që të vdesin.'- tha ai.

Ora 19:47
I kërkojnë dorëheqjen, ministri i Shëndetësisë në Maqedoni refuzon: Nuk i iki përgjegjësisë, të presim hetimin për tragjedinë në Tetovë

Në një kohë kur të gjithë kërkojnë largimin e tij pas 14 viktimave që u shënuan në shpërthimin e Spitalit të Tetovës, ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe ka deklaruar se nuk do ta japë atë, të paktën deri kur të përfundojnë hetimet. Në deklaratën e tij të parë pas ngjarjes tragjike, Filipçe u shpreh se nuk do të largohet nga përgjegjësia nëse ajo vërtetohet.  

Ministri nuk dha hollësi mbi detajet e hetimit, por tregoi se në momentin e shpërthimit në spital ishin 26 pacientë, 2 mjekë dhe 4 infermierë. Autopsia gjithashtu saktësoi edhe moshën e të vdekurve, përkatësisht viktimat ishin nga mosha 29 deri në 79 vjeçe.

“Në qendrën COVID në Tetovë gjatë kësaj ngjarje të rëndë kanë qenë të hospitalizuar 26 pacientë. Personeli shëndetësor ka qenë i përbërë nga 2 mjekë dhe 4 infermiere.  Në Insitutin e Mjekësisë Ligjore janë dorëzuar trupat e 14 pacientëve, për një pjesë ka mbaruar ekspertiza ndërsa për një pjesë ka vijuar gjatë ditës. Viktimat janë të moshës prej 29 deri në 79 vjeçe. Përveç gjetjeve klasike të ekspertizës, do të bëhen edhe analiza të ADN-së, për ç’ka janë informuar edhe familjarët. Jo vetëm për COVID-in, por ku ka repart infektiv, vizitat janë të ndaluara. Kështu do të këmbëngul në qasje institucionale, pra analizë të saktë lidhur më çështjen konkrete që t’ia shpalosim të gjitha informacionet publikut. Prandaj thashë se vizitat janë absolutisht të ndaluara. Për atë se çfarë ka ndodhur do e shohim nga mbikëqyrja. Përcaktimin e përgjegjësisë do ua lë organeve hetuese dhe inspektoriatit. Ashtu siç nuk do të iki askush nga ajo përgjegjësi, nuk do të iki as unë nëse vërtetohet ajo”, tha Filipçe.

Ora 18:59
Flakët shkrumbuan spitalin, banorët e Tetovës: Janë djegur më shumë se 14 persona! Spitali nuk kishte pajisje antizjarr, faji i autoriteteve

Banorët e Tetovës rrëfyen për Report Tv si si e kishin parë ngjarjen e rëndë ku u dogjën të paktën 14 bashkëqytetarë. Disa fajësojnë autoritete se struktura ishte pa pajisje anti-zjarr ndërsa të tjerë pretendojnë se ka më shumë se 14 viktima 

'Ajo që ka ndodhur është një tmerr i vërtetë, një krim makabër. Spitali i Tetovës ka një tre kate që nuk përdoren fare dhe të sëmurët me COVID, i kaluan këtu në këto kabina plastike. Ndërtimi është bërë nga një kompani e afërt e kryeministrit Zaev dhe nuk dihet sesi janë bërë inspektimet, nuk ka informacione nëse ka qenë i pajisur me hidrante apo aparate për të parandaluar zjarrin. Spitali ka gjasa që instalimet elektrike, kabllot nuk kanë qenë me standarde. Shumica nga pacientët kanë pasur edhe familjarë. Nga takimet që kam pasur edhe me efektivë, shumë flitet që kanë nxjerrë më shumë se 26 kufoma. Jemi në shok total'- tha një qytetar.

Një tjetër banor i Tetovës rrëfeu edhe historinë e një 20-vjeçarje e cila u dogj brenda spitalit, pasi ishte duke ndihmuar nënën e saj e cila ishte shtruar pasi ishte e sëmurë me COVID.

'Jemi banor këtu. U afruam, por flakët kishin përfshirë gjithë spitalin. Këto i fshehin viktimat, janë më shumë se ato që thonë këto. Djali shkon kërkon nënën e vet aty. Nuk kam pasur familjarë shyqyr zotit. Pas 25 min mbërriti zjarrfikësja. Aty ka marrë shumë shpejt flakë, pasi ishte ndërtuar me kualitet të dobët. Për to kujdeseshin familjarët. Vajza 20 vjeçare që është djegur bashkë me nënën ka shkuar që të shpëtojë nënën e vet. Fati e ka desh që të vdesin. Fati jonë në dorë të politikanëve.'- tha një qytetar tjetër.

'Kemi qenë prezent gjatë ngjarjes së mbrëmshme. Nuk kam pasur familjarë, por kemi pasur qytetarët tanë që kanë qenë të njohur dhe në vjen shumë keq, sikur të na ndodhte ne në familjet tona.'- u shpreh një tjetër banor i Tetovës.

Ora 17:07
Zjarri në spitalin COVID në Tetovë, kryetarja e Komunës për Report Tv: Kemi alokuar fondin emergjent për t'u ardhur në ndihmë sado pak familjarëve të viktimave

 

Teuta Arifi, Kryetare e Komunës së Tetovës refuzoi që të jepte një shkak mbi zjarrin në një spital në Tetovë, pa dalë në përfundim autoritetet hetimore, por tha se Komuna pritet t'u vijë në ndihmë familjarëve të viktimave ekonomikisht, edhe pse kjo absolutisht nuk ua lehtëson dhimbjen. Në intervistë për Report Tv, në emisionin 'Studio Live', Arifi tha se Komuna do të përdorë fondin emergjent, teksa tha se si pasojë e zjarrit ka pasur dhe 12 të plagosur, që janë dërguar në spital.

"Ka rezultuar me viktima, përfundimisht numri zyrtar është 14, dhe 12 që kanë arritur që të shpëtohen dhe janë të shtruar në spital në gjendje stabile. Autoritetet shtetërore ishin në Tetovë, përfshirë edhe Prokurorin, dhe deri në vendosjen e pistës zyrtare, nuk mund të flitet mbi shkaqet, por që është një nga tragjeditë më të mëdha që ka përjetuar vendi ynë.

Sipas informacioneve, janë bërë disa spitale modulare, që janë të njëjta me spitalin e Tetovës dhe ka shkuar me një ligj special që është aprovuar nga parlamenti, gjithçka tjetër sa i përket mundësive teknike apo funksionalitet, mbetet çështje e prokurorisë apo autoriteteve që duhet të hetojnë. Mbajtëm mbledhje Këshilli, dhe do të përdorim fondin emergjent për të ndihmuar familjarët e viktimave dhe të atyre pacientëve që kanë arritur që të mbijetojnë", tha Arifi.

Ora 16:53
Tragjedia në Tetovë, përgjegjësi i spitalit COVID: 12 viktimat e identifikuara janë pacientë, 2 të tjerë dyshohet se janë të afërm

Gëzim Nuredini përgjegjësi i spitalit COVID në Tetovë që u shkrumbua nga flakët bën me dije se 12 viktima janë identifikuar dhe janë pacientë kurse 2 të tjerët ende nuk janë indentifikuar por dyshohet se janë të afërm të të shtruarve.

“Familjarët nuk kanë qëndruar gjatë natës në spital. Të shpëtuarit i kemi hospitalizuar në një covid tjetër dhe janë mirë. Viktimat 14, 12 janë pacientë të hospitalizuar ndërsa 2 të tjerë duhet të identifikohen dhe mendohet se janë familjarë. Me i riu nga ta është 38 vjeç, ndërsa më i vjetri 72 vjeç. Në këtë moment do bëhet identifikimi i  2 te tjereve. U kemi bërë thirrje familjarëve që të vijnë të identifikojnë të vdekurit”, tha ai.

Ora 14:19
Zjarri në spitalin COVID që i mori jetën 14 personave në Tetovë, Presidenti i Maqedonisë së Veriut: Nuk ka të dhëna se ishte zjarrvënie e qëllimshme

Stevo Pendarovski

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ndërsa ka folur për ngjarje e rëndë në Tetovë, ku zjarri në spitalin COVID i mori jetën 14 personave, u shpreh se nuk ka të dhëna se zjarri ka qenë i qëllimshëm. Për mediat ai u shpreh se hetimet vijojnë dhe se një raport mbi shkaqet e zjarrit pritet të dalë në orët në vijim.

“Deri në këtë moment nuk ka kurrfarë të dhënash se kjo është e qëllimshme, me qëllim që të arrihet ndonjë qëllim tjetër politik. Por e them se kjo është në këtë moment dhe kuptohet se këtë do tua thotë sot apo ditëve në vijim prokurori kompetent. Prokurori publik më njoftoi se për një deri në dy orë edhe formalisht do të kryhet hetimi, dhe pastaj mund të dalin me raportin e tyre.”, u shpreh Pendarovski.

 

Ora 13:41
Zëvendëskryeministri maqedonas: Prokuroria të përmbyll sa më shpejtë hetimin! Ekspertët e NATO-s mbërrijnë brenda dy-tre ditësh

Zëvendëskryeministri, Artan Grubi pas mbledhjes në Qendrën e Shëndetit Publik në Tetovë tha se ekzekutivi ka kërkuar nga Prokuroria që të përmbyll sa më shpejtë hetimin në lidhje me zjarrin në Qendrën COVID në Tetovë.


“Insistuam edhe në komunikim me prokurorin e përgjithshëm edhe me të gjithë prokurorët e rastit që ky hetim të përmbyllet sa më shpejtë, por edhe të bëhet sa më i detajuar dhe sa më i thellë që është e mundur, në mënyrë që mos të lihet asnjë grimcë e pa zbuluar rreth kësaj tragjedie”

I pyetur për angazhimin e ekspertëve ndërkombëtarë në hetimin e rastit, Grubi tha se të njëjtit pritet të arrijnë në vend brenda dy-tre dite.

“Sot kemi dërguar kërkesë, ka pasur kontaktte me ambasadorët e vendeve, në veçanti me ambasadoren e Gjermanisë, por edhe me autoritete e NATO-s por edhe të SHBA-së. Është çështje ditësh, po flasim për dy-tre ditë, ku ata mund të vijnë dhe të shqyrtojnë provat të cilat i ka edhe Policia edhe Prokuroria edhe Forenzika nga vendi i ngjarjes”

Ndërkohë që të përballur me kërkesat në rritje për dorëheqjen e Ministrit të shëndetësisë dhe Kryetares së Komunës së Tetovës, zëvendësministri i shëndetësisë, Ilir Hasani u shpreh i prerë se tani nuk është koha për dorëheqje, por për përballje me sfidat. Sipas tij organet kompetente janë duke punuar në mënyrë intensive në zbardhjen e plotë të rastit dhe priten raportet oficiale të tyre.

“Nuk është koha për dorëheqje, është koha kur ne duhet të ballafaqohemi me sfidat. Organet e hetuesisë dhe organet e prokurorisë janë të gjitha të aktivizuara dhe po presim raportet oficiale nga ta”, tha ai për mediat vendase.

Ora 13:05
Qeveria pranon ekspertët e NATO-s të hetojë shkaqet e zjarrit në spitalin COVID në Tetovë

Qeveria e Maqedonisë së Veriut shpalli tre ditë zie për zjarrin në spitalin COVID në Tetovë, ndërsa vendosi të pranojë ekspertë të NATO-s për të hetuar shpërthimet dhe zjarrin në spital.

“Në këtë drejtim, Qeveria miratoi një përfundim me një rekomandim që ekipet e ekspertëve të Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Shëndetësisë të vihen në dispozicion maksimal të prokurorisë në procedurat hetimore. Qeveria udhëzoi institucionet kompetente që të përcaktojnë se çfarë lloj ndihme dhe mbështetje shtesë nevojitet për familjet e të vdekurve dhe të plagosurve, në mënyrë që ajo të ofrohet në kohën më të shkurtër të mundshme”, thonë Qeveria.

E enjte, e premte dhe e shtunë është shpallur ditë zie dhe gjatë ditëve të zisë flamuri i Republikës së Maqedonisë Veriore do të ngrihet në gjysmështizë.

Ora 12:17
Ministria e Shëndetësisë hedh poshtë pretendimet për mungesën e standarteve në ndërtimin e Spitalit të Tetovës: Godina është brenda të gjithë paramentrave

Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut komunikon se Spitali modular në Tetovë ka qenë i ndërtuar sipas të gjitha standardeve dhe procedurave, pavarësisht diskutimeve të orëve të fundit, pasi spitali u përfshi nga flakët ditën e djeshme. Sipas këtij institucioni, të 19 spitalet modulare për Covid në vend janë ndërtesa tipike të ndërtuara sipas standardeve më të larta mjekësore dhe të sigurisë.

“Qendrat modulare të COVID -it, përfshirë spitalin në Tetovë, janë të hapura pas kontrolleve teknike. Gjatë ndërtimit të të gjitha spitaleve modulare, materialet e përdorura janë të certifikuara. Ministria e Shëndetësisë informon se qendra e COVID -it në Tetovë është projektuar me tre hyrje, korridoret janë të gjera 2.4 metra dhe parmakët e dritareve janë të ulëta për raste evakuimi. Në objekt nuk është përdorur dru dhe të gjithë elementët e tjerë të nevojshëm për mbrojtje u respektuan”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Nga MSH thonë se spitali i posedon të gjithë certifikatat për mbrojtje nga fatkeqësitë dhe dokumentacioni do t’u shpërndahet sot mediave.

“Gjatë ndërtimit ka procesverbale të rregullta të dokumentuara për vërejtje teknike të parëndësishme, silikonim i lajsnave në dysheme, nivelizim i sifonit në tualet, vazhdim i ulluqeve, etj. Për këto kërkesa është vepruar dhe janë zgjidhur para lëshimit në përdorim dhe hospitalizimit të pacientëve”, thuhet në njoftim.

Më tej ministria kërkon të mos spekulohet me informacione për mangësi gjatë ndërtimit.

Ora 12:14
Dëshmitarët okularë, tragjedi si kjo nuk mbahet mend! Ngado mund të shikoje pikëllim e të dëgjoje britma njerëzish

 

Një ngjarje e tillë nuk është parë tillë, kurrë në historinë e qytetit, është shprehur kështu një nga dëshmitarët okular të zjarrit të mbrëmshëm.

“Mbrëmë kemi parë një tragjedi të cilën nuk e kemi parë që 40 vite në këtë lagje. Jetoj këtu afër t’ju them të drejtën jam pa gjumë, sikurse e dhe ju, me siguri gjithë natën keni bërë hulumtime. Kjo si ngjarje që kam parë unë, ka ndodhur diku ora 21:04 ose 21:05 minuta, në këtë moment dikush është lajmëruar, ka njoftuar organet kompetente, zjarrfikësit, policinë. Në ora 21:10 minuta kam qenë këtu afër diku, zjarrfikësit ishin në vendngjarje, aq sa kanë mundur ata ta bëjnë punën e vete… Kemi ndihmuar familjarët me ujë me diçka, u munduam që të ndihmojmë të shpëtojmë, por ata që kanë shpëtuar nga brenda kanë ndihmuar veten, kanë pas fuqi dhe kanë dalë, sepse e dimë që kanë qenë në terapi intensive”, u shpreh një dëshmitar okularë.

Ndërkohë një tjetër dëshmitarë hedh dyshime se mos vallë zjarri ka qenë i qëllimshëm, duke pas parasysh se kohë më parë persona të panjohur tentuan ti dëmtojnë gypat e oksigjenit.

“Jam jashtëzakonisht i shqetësuar, kjo nuk përshkruhet me fjalë, mendoj mos është e qëllimshme. Në rast se është e qëllimshme, nuk është e njerëzishme… Se njëherë gypat i prenë për aspiratorët, e tash kjo e dyta…”,  u shpreh një tjetër dëshmitarë.

 

Dëshmitarët të tjerë shprehen se ka pasur britma të mëdha njerëzish, ndërkaq shtojnë se flakët kanë shpërthyer shumë shpejtë. Qytetarët thonë se në vendin e ngjarjes për rreth 10 minuta kanë qenë prezent edhe zjarrfikësit, por fatkeqësisht zjarri ka shkrumbuar godinën për shumë pak kohë.

“Jam shumë i tronditur! Nuk e di deri ku do të shkojë, ky shtet si do të funksionojë kështu. Më vjen keq për njerëzit që jetojnë këtu. Unë jam mysafir jam këtu në pushim. Më vjen keq për njerëzit që jetojnë këtu. Kjo është skandal!”, thotë një mërgimtar nga Tetova.

“Isha brenda në oborr. Dëgjuam disa britma njerëzish, çfarë ishte…Nuk i dhashë rëndësi, thash fëmijët janë. Kur pas 10 minutave dëgjova se është djegur spitali. Zjarr i madh. Britma të mëdha kanë qenë, tragjedi. Pas 10 minutave a kishte vetura të zjarrfikësve? Po po kishte”, thotë një qytetarë i Tetovës.

“Me sy kur erdha unë vetëm flakën e pashë, tymin. Prej nga ura poshtë e pash tymin. Dmth shumë tym, shunë lartë, dmth edhe era vinte deri poshtë. 30 metra lartë zjarri. Katastrofë ka qenë, ulërime e madhe pikëllim e madhe”, tha një dëshmitar.

Ora 11:55
Tragjedia në Tetovë, këngëtarja e njohur, Fitnete Tuda e revoltuar: Spitalet janë në gjendje të mjerueshme, në komunat me shumicë shqiptare mungojnë investimet

Këngëtarja Fitnete Tuda

E revoltuar ka reaguar këngëtarja e njohur shqiptare nga Struga, Fitnete Tuda, në lidhje me tragjedinë në Tetovë, ku zjarri në spitalin COVID i mori jetën 14 personave. Me një postim, ajo shkruan se spitalet janë në gjendje të mjerueshme, pa infrastrukturë. Po ashtu ajo shtoi se në Komunat me shumicë shqiptare, investimet mungojnë dhe për këtë fajësoi faktorin politik shqiptar.

“Është një papërgjegjësi totale, spitalet janë në gjendje të mjerueshme! Kjo vlen për komunat shqiptare, po flas këtu për Strugën prej nga vi, ku nuk është investuar asgjë as nga niveli qendror as ai i komunal! Infrastruktura, spitalet, ndërtesat e vjetra jashtë çdo standardi! Një spital i ngjashëm për Covid, si ai që u dogj në Tetovë është improvizuar edhe në Strugë! Ministri shëndetësisë Filipçe, para disa ditësh paska deklaruar se spitalet e tilla janë zgjidhje sepse kushtojnë më lirë! Përgjegjës është edhe faktori politik shqiptar që i ka sjellë në këtë gjendje komunat me shumicë shqiptare në Maqedoni”, shkruan ajo.

Ora 11:38
14 viktima nga zjarri në spitalin COVID në Tetovë, gazetari nga Maqedonia e Veriut për Report Tv: Ka pasur denoncime para disa muajsh për anomali në ndërtimin e godinës

Tetova u trondit mbrëmjen e djeshme nga një zjarr që përfshiu spitalin COVID, ku la të vdekur 14 pacientë. Ngjarja e rëndë tronditi të gjithë rajoni , ndërsa Tetova shpalli 3 ditë zie. Kush ishin shkaqet e zjarrit, ende nuk dihet. Gazetari nga Maqedonia e Veriut, Zekirja Mexhiti në një lidhje për Report Tv tha se kanë nisur hetimet për të zbuluar shkaqet e rënies së zjarri dhe pa u kuptuar kjo nuk mund ‘i vihet gishti se kush është fajtori dhe duhet të mbajë përgjegjësi. Gazetari u shpreh se në media ka pasur denoncime para pak muajsh në ligje me anomalitë që janë bërë në ndërtimin e këtij spitali COVID, por është ende e paqartë nëse ngjarja tragjike ka ndodhur prek këtyre anomalie apo jo. Ai tha se ka pasur reagime që kërkojnë dorëheqjen e qeverisë.

Nga zjarri janë konfirmuar 14 viktima, pacientë të spitalit COVID, ndërsa ende nuk dihet identiteti i tyre. Gazetari shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Mexhiti tha se gjendja e të plagosurve është e qëndrueshme dhe se janë dërguar në spitalin e Shkupit.

“Gjendja e tyre paraqitet stabel, por për shkak të situatës në Tetovë janë transferuar në klinikën e Shkupit. Janë 14 viktima të konfirmuara, kanë nisur hetimet për shkaqet që çuan në këtë tragjedi, është herët për të folur për shkaqet e zjarrit dhe pritet një hetim i detajuar për të parë se ku janë bërë gabimet. Fillimisht duhet gjetur si ka ardhur deri te zjarri dhe më pas të shikohet se ku është gabuar në ndërtim, në instalimin e rrjetit të oksigjenit dhe më pas se ku do të bie përgjegjësia. Përgjegjësia po kërkohet aktualisht nga ministria e shëndetësisë duke kërkuar dorëheqjen e tij por edhe të qeverisë. Është denoncuar në media para pak muaj një anomali që ka pas spitali kur është ndërtuar dhe kjo është anashkaluar, por nuk dihet nëse kjo çoi në këtë tragjedi, duhet hetuar se nga ka ardhur zjarri. Po vijon procesi i identifikimit të viktima dhe nuk kemi ende asnjë emër dhe asnjë detaj”, tha Mexhiti

Ora 10:46
14 viktima nga zjarri në spitalit COVID, Tetova shpall 3 ditë zie

Pas tragjedisë që ndodhi mbrëmë në Covid-Qendrën në Tetovë, në një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Komunës, u vendos që në Tetovë të shpallet tre ditë zie.

Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi në një dalje për media, bëri të ditur se do të ndihmohen familjet për të tejkaluar këtë situatë. Teksa shprehu ngushëllimet, Arifi tha se shkaqet e kësaj tragjedie do të hetohen deri në fund.

“Jam shumë e bindur që institucionet do të shikojnë të gjitha pistat dhe pasojat janë aq të mëdha dhe duhen gjetur shkaqet e kësaj tragjedie. Ju shpreh ngushëllime familjarëve që kanë humbur familjarët e tyre”, tha Arifi.

Ora 10:13
Tragjedia në spitalin e Tetovës, Manastirliu bisedon me homologun e Maqedonisë së Veriut: Të gatshëm për të ndihmuar në këtë moment të vështirë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale gjatë bisedës me homolegun e saj të Maqedonisë së Veriut, Venko Filipce, i ka shprehur ngushëllimet për qytetarët që humbën jetën në tragjedinë e Tetovës. Manastirliu e siguron homologun e saj për gatishmërinë, për të ndihmuar me të gjitha mundësitë dhe burimet tona, në këtë moment të vështirë.

"Gjatë bisedës me kolegun Venko Filipce të Maqedonisë së Veriut, i shpreha ngushëllimet për qytetarët që humbën jetën në tragjedinë e Tetovës dhe e sigurova për gatishmërinë tonë, për të ndihmuar me të gjitha mundësitë dhe burimet tona, në këtë moment të vështirë për fqinjët tanë”, është postimi i Manastirliut.

Ora 10:07
Tragjedia në Maqedoninë e Veriut, Vuçiç telefonon Zaev: Serbia ndan dhimbjen me qytetarët e Tetovës

Përmes një telefonate të zhvilluar me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, Presidenti ser, Aleksandar Vuçiç ka shprehur ngushëllimet e tij për tragjedinë e ndodhur mbrëmë në Tetovë. Vuçiç në emër të popullit serb ka shprehur ngushllime deri tek familjet e viktimave.

 “Qytetarët e Serbisë ndajnë dhimbjen së bashku me qytetarët e Tetovës. Jemi të gatshëm të ofrojmë çfarëdo ndihme vëllazërore, për shkak se qytetarët e Maqedonisë nuk janë të vetëm në këtë tragjedi”, ka theksuar Vuçiç në bisedën telefonike me kryeministrin Zaev.

Ora 10:05
Zjarri në spitalin COVID në Tetovë, BE: Ngushëllimet për familjarët e viktimave, ndajmë dhimbjen me ta

Bashkimi Evropian ka shprehur ngushëllime pas tragjedisë që ndodhi mbrëmë në spitalin COVID në Tetovë. Zëdhënësja e BE, Ana Pisonero shkruan se "BE shpreh ngushëllimet më të thella deri tek familjet dhe miqtë e viktimave të këtij zjarri tragjik në spitalin COVIDnë Tetovë ku trajtoheshin personat e prekur nga COVID-19. Të lënduarve iu dëshirojmë shërim të shpejt”.

Edhe Ambasadori i BE -së në Maqedoninë e Veriut, David Geer gjithashtu shprehu ngushëllimet e tij.

“Ndajmë dhimbjen me njerëzit e Tetovës këtë mëngjes pas zjarrit tragjik në spitalin COVID. Ngushëllimet e sinqerta për familjet dhe miqtë e atyre që kanë humbur jetën dhe urimet më të mira për një shërim të shpejtë për të plagosurit”, shkruajti Geer.

Edhe ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca tha se “Mendimet tona janë me njerëzit e Tetovës”.

Ora 08:41
14 viktima nga zjarri në spitalin COVID në Tetovë, Xhaçka: Ngushëllime, dhimbja juaj është dhimbja jonë, tragjedia juaj është tragjedia jonë

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave që humbën jetën tragjikisht në “shpërthimin” e zjarrit në spitalin COVID në Tetovë.

Një ngushëllim ka shprehur edhe për të gjithë komunitetin shqiptar duke thënë se dhimbja e tyre është edhe e jona dhe anasjelltas.

“Dhimbja juaj është dhimbja jonë, tragjedia juaj është tragjedia jonë.”, shkruan Xhaçka.

Ora 08:35
Tragjedia në spitalin COVID në Tetove, Rama: Ngushëllime familjarëve të viktimave, një përqafim për mbarë popullin e Maqedonisë së Veriut

Kryeministri Edi Rama e ka nisur mëngjesin e tij me ngushëllime për familjet dhe viktimat e tragjedisë së mbrëmjes së djeshme në spitalit COVID në Tetovë.

Me në fjongo e cila simbolizon zinë, kryeministri i ka dërguar edhe një “përqafim vëllazëror” komunitetit tetovar dhe mbarë popullit të Maqedonisë së veriut për këtë ngjarje të rëndë.

“Mirëmëngjesi dhe duke u bashkuar me të gjithë ju në ngushëllimet më të ndjera për familjet e viktimave të tragjedisë së mbrëmshme në spitalin Covid të Tetovës, si edhe në përqafimin vëllazëror për krejt komunitetin tetovar dhe mbarë popullin e Maqedonisë së Veriut, ju uroj një ditë të qetë juve e gjithë familjeve tuaja”, shkruan Rama në rrjetin e tij social.

Ora 00:48
Digjet spitali COVID në Tetovë, Basha: Pikëlluese, një ditë tragjike

Për ngjarjen e spitalit të COVID-19 nuk mungoi as reagimi i kreu të Opozitës, Lulzim Basha ku nëpërmjet një postimi në Twitter e ka konsideruar ngjarjen tragjike, duke i shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave dhe shërim të shpejtë të plagosurve.

"Pikëlluese lajmet e hidhura qe vijnë nga Tetova. Në këtë ditë tragjike i bashkohem dhimbjes së familjarëve dhe të afërmve të viktimave e ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Shërim të shpejtë të lënduarve. Lutemi për Tetovën!", shkruan Basha.

Ora 23:32
Shpërthimi në spitalin e Tetovës, Meta: Ngjarje tronditëse

Ngjarja e rëndë e ndodhur mbrëmjen e kësaj të mërkure në spitalin COVID-19 të përfshirë nga flakët në Tetovë ka tronditur gjithë opinionin publik. Nëpërmjet një mesazhi, Presidenti Meta ka shprehur ngushëllimet e tij për familjarët e viktimave.

"Me shqetësim dhe trishtim të thellë po përcjell tragjedinë e ndodhur në spitalin e Tetovës.

Një ngjarje tepër e rëndë dhe tronditëse, veçanërisht për numrin e viktimave të raportuara!

Shpreh ngushëllimet më të ndjera për jetët e humbura dhe ndaj dhembjen e madhe me familjarët e tyre.

Ju uroj shërimin sa më parë të lënduarve!

Shpreh solidaritetin e plotë me autoritetet shtetërore të Maqedonisë së Veriut, që po bëjnë përpjekje maksimale për të shpëtuar sa më shumë jetë dhe vënë nën kontroll situatën.

Mendimet dhe lutjet e mia janë me Tetovën!" shkruan Meta.

/M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Plena: 09/09/2021 07:37

    O plena a duhet me shku dikush ne burg per tan kto problematika Te njepasnjeshme , e kalon me nje fjale Thjesht gabim njerzor, fatkeqsi !!! Ne burg nga inxhinieri deri te puntori qe ska zbatu detyren me profesionalizem Gje qe po na kushton perdite jete njerezish, Ata te shkretet thane se shpetuan nga covid 19, Por jo, duhet te digjeshin!!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat