Transferimi i problemeve nga PD në Parlament përshpejton shthurjen

Transferimi i problemeve nga PD në Parlament përshpejton shthurjen

Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Oborri i PD mbetet i boshatisur ndonëse vapa iku me gushtin dhe kanë mbetur pak ditë për hapjen e Parlamentit. Deputetët e rinj të opozitës do të rikthehen aty pas gati dy vjet e gjysëm abandonim, pra mbi gjysëm mandati pushim, dhe kjo natyrshëm do të nënkuptonte që padurimi për të shpalosur energjitë e pakonsumuara në betejat parlamentare me maxhorancën, të shtonte trafikun njerëzor në korridoret e PD. Por jo. Oborri i saj mbetet bosh, me drejtues që nxitojnë të futen në zyra dhe deputetë që iu shmangen kontakteve me median. Shurdhëri zërash në ambientet e partisë më të madhe të opozitës, shurdhëri që duket më pa tingull që kur dhe Mark Marku dha dorëheqjen nga mandati i deputetit dhe politika. E gjithë kjo situatë absurdi ku gjithkush nxiton të fshihet e të largojë mikrofonët mediatikë për tu prononcuar lidhet jo me me masat anti Covid. Në PD kanë frikë nga një tjetër virus dhe që duan ti rrinë larg dhe pa u shprehur dhe kjo është çështja Berisha me një damkosje Non gratta ku vula e inspektimit është prej Departamentit të Shtetit. Tashmë Berishës i rrinë larg edhe ata që dikur të merrnin gjak në vetull në emër të tij, por gjithësesi hija e tij mbetet e rëndë në PD. Nuk ka guxim as Basha të prononcohet kundër tij apo të bëjë një ndarje rrugësh midis PD dhe Berishës. Gjithësesi data e nisjes së aventurës së re parlamentare po afron dhe PD ende nuk ka ndarë mendjen nëse do të duhet të mbajë ende në kurriz Berishën apo poltronat do të jenë të ndara.

U bënë shumë kohë që nga kërkesa e drejtpërdrejtë e ambasadores së SHBA për të mbajtur një qëndrim të qartë lidhur me ish kryeministrin Berisha me këshillën se fati i një partie politike nuk mund të lidhet me fatin e ish liderit të saj që është shpallur përson non grata nga Departamenti i Shtetit. Nga Basha ka vetëm heshtje në gjithë këto ditë. Asnjë deklaratë lidhur me këtë çështje ndonëse trysnia ka qenë e madhe ndaj tij, si mediatike ashtu dhe nga segmente të politikës dhe fraksione në PD. Nga ana e tij, Berisha e ka bërë të qartë se është për betejë të ashpër dhe jo vetëm do të jetë pjesë e parlamentit në shtator por se do të tërheqë në kauzën e tij luftarave ndaj gjithkujt edhe vetë PD. Po ashtu dhe idhtarët e tij kanë shtuar presionet ndaj Bashës me kërcënimin se nëse lëshon Berishën më mirë të shkojë të kërkojë strehim në kampin e majtë. Situata është inkandeshente në selinë blu, me qëndrime diametralisht të kundërta, pro Berishë në antitezë me pro PD, nga ku të parët për hir të liderit të tyre shpirtëror janë të gatshëm të shpallen deri në antiamerikanizëm. Çka natyrshëm do të ketë pasoja për ardhmërinë dhe peshën e PD në betejat e mëtejshme elektorale apo si partner i besueshëm në tryezat me ndërkombëtarët. Në gjithë këtë rrëmujë Basha mbetet i pavendosur si të veprojë. Sytë i ka sërish nga Berisha se mos zgjidhjen e jep ai. Në fakt deri më tani për çështjet kryesore zgjidhjet kanë ardhur nga i njëti Berishë që sot ndodhet në hall. Ndaj Basha mbetet në pritje. Deri më sot nuk i janë djegur duart ndonjëherë për të nxjerrë gështenjat nga zjarri. Ndaj pas gjithë këtyre ditëve nuk ka asnjë prononcim, asnjë lëvizje politike si përshembull të mbidhte ndonjë forum partie për ti dhënë qëndrimit ndaj Berishës një vendim më kolegjial. Asgjë nga këto. Basha thjesht mbetet në pritje çdo të ndodhë nga të tjerët. Pavarësisht se vapa e gushtit iku, dhe afatet për për të përcaktuar qëndrimin e ti përfundojnë me nisjen e punimeve në parlament.

E gjithë kjo situatë pritet të ndikojë në zhvillime që do të devijonin rrjedhat normale politike. Së pari PD do të ketë një bjerrje të peshës së saj politike pavarësisht numrit të deputetëve që ka siguaruar në zgjedhjet e 25 prillit. Energjitë e saj më së shumti do të drejtohen në problematikën e brendshme që hap mbajtja në kurriz e Berishës që gjithësesi do të helmojë komunikimin e brendshëm dhe interesat e ngushta të karrierës së deputetëve të rinj. Shumë prej tyre nuk mund të pranojnë të marrin kosto për ecurinë e tyre politike për hir të kujtimit historik të Berishës në PD. Ca më tepër kur kjo kosto do të ndikojë dhe në marrëdhëniet e PD me ndërkombëtarët, marrëdhënie të cilat ishin ftohur që nga koha e lënies së mandative dy vjet e gjysëm më parë. Në këto kushte, dhe siç po flitet, nuk do të ish e largët dita kur një grup i rëndësishëm deputetësh të PD të nisnin një rrugëtim të ndryshëm me PD e Basha-Berisha. Rrugëtim që do të sillte një copëtim të ri të opozitës dhe që si grupim do të gëzonin mbështetje dhe nga ndërkombëtarët. PD do të shtyhej në një izolim më të thellë dhe lufta e asaj që dikur quhej opozitë, më së shumti do të drejtohej ndaj grupimeve që do të dalin dhe që do të synojnë sa më shumë peshë elektorale në kurriz të njëra tjetrës. Ndaj në këto kushte e përfituara e madhe do të ish maxhoranca socialiste që në kushtet e një opozite të copëzuar dhe që do ti duhet kohë për një process riformatimi, do ta kish shumë të lehtë fitoren për mandatin e ardhshëm.

Nëse mbetemi tek ky skenar i kushtëzuar nga frika ndaj Berishës, atëherë dhe ato piketa paraprake që ka shtruar opozita për parlamentin e ardhshëm do të jenë çështje të harruara apo të bëra në nxitim e sipër. Pra çështjet që janë përmendur në deklaratat mediatike se do të synohet për një sistem të ri zgjedhor, për ndryshim dhe një ndarje të re administrative, apo rregullime kushtetuese pas marrëveshjes së dikurshme të 2008, këto do të jenë sërish pa ndikim nëse opozita do të humbasë peshën e saj në parlament. Midis grupimeve të ndryshme të opozitës, maxhoranca ka hapësira manovrimi për të mbrojtur sërish interesat e saj në ndryshimet që mund të bëhen, çka mund të bëjë që këto inisiativa të mos prodhojnë asgjë reale. Opozita mund të humbi vetveten si dhe aleatët nëse me hyrjen në parlament ka humbur motivin për të bërë opozitë. Transferimi i problemeve të brendshme nga PD në Parlament thjesht do të përshpejtojë procesin e shthurjes, e cila është më keq se humbja e vazhdueshme e zgjedhjeve.

Të njohësh totalitarizmin përmes martirëve

Një ekspozitë që priret të jetë një përvojë. Dhe si e tillë, e vështirë të harrohet. E krijuar nga Platforma e Kujtesës dhe Ndërgjegjes Evropiane dhe partnerët e saj, “Century of Martyrs” vjen në Shkodër falë bashkëpunimit me MEMO për t’u përjetuar më 18 shtator, ora 11.00 në Muzeun e Dëshmisë dhe Kujtesës. Mes 27 martirëve nga e gjithë bota, të përzgjedhur për këtë ekspozitë, që nuk hoqën dorë nga shërbimi ndaj Zotit dhe njerëzve edhe kur iu kërcënohej jeta nën regjimet totalitare të shekullit XX, është edhe shqiptari Vinçenc Prennushi. Prennushi u lind në Shkodër më 4 shtator 1885 dhe u diplomua për teologji në Salzburg ku u shugurua meshtar më 19 mars 1908. Shkroi, por edhe drejtoi për disa vite revista fetare kulturore në Shkodër dhe u shqua si publicist, poet, por edhe si përkthyes i veprave të njohura të letërsisë europiane. Gjatë Luftës së Dytë Botërore iu kushtua ndihmës për familjet e dëmtuara nga lufta. Së bashku me famullitarin e Tiranës, Dom Shtjefën Kurti, shpëtoi shumë hebrenj nga internimi në kampet e shfarosjes naziste. Në vitin 1943 i ngarkohet edhe administrimi apostolik i Shqipërisë së Jugut dhe më 25 maj 1946, është Primat i Kishës Katolike Shqiptare, detyra që do t’i mbante deri në fund. Më 19 maj 1947 u arrestua me një akuzë qesharake: “Në mbarim të Meshës ke bërë përshëndetjen fashiste”, i thanë. Në gjyq u akuzua për agjitacion dhe propagandë kundër regjimit, për premtimin për ndihmë “reaksionarëve”. U dënua me 20 vjet burg. Dëshmitë e bashkëvuajtësve tregojnë për torturat që pësoi padër Vinçenci: “E kanë lidhur këmbësh e duarsh dhe ashtu është venë në nji tra, deri sa i ka rënë të fiktë”. “E ngarkonin me mbajtë trarë deri sa rrëzohej”. “Mbi te kanë ushtruar torturën e pikës së ujit” etj… Prennushi, prej kohësh e dinte se çfarë e priste. 17 vite më parë, në vizin 1929, kur u vra At Shtjefën Gjeçovi, pat shkruar: “Nëse Hyji do prej nesh flije të reja, do të përpiqemi me ndihmen hyjnore të mos kthehemi mbrapa, kjoftë edhe me çmimin e gjakut dhe të jetës për lavdinë e Fesë së Krishtit”. U shua më 19 mars 1949 ndërsa ishte i burgosur në Durrës. Është shpallur martir dhe i lumë nga Kisha Katolike. Këtë titull jo të gjithë të krishterët e ekspozitës, e kanë marrë zyrtarisht. Megjithatë, që të 27-të klerikët, misionarët apo besimtarët e thjeshtë, janë martirizuar për hir të besimit, nga viti 1919 deri në vitin 1991. Një fermer austriak në Berlin sepse refuzoi të luftonte për Hitlerin; një misionare skoceze në Aushvic sepse mbrojti nxënëset hebreje të një shkolle në Hungari; një aktiviste kineze në Shangai me plumba për të cilat qeveria i kërkoi paratë familjes së saj; dy françeskanë të rinj polakë në Peru nga një grup terroristësh komunistë… Kjo ekspozitë me fotot dhe jetëshkrimet e 27 martirëve, është një leksion i gjallë dhe origjinal për regjimet totalitare dhe lëvizjet e frymëzuara prej tyre që përfshinë botën nga Lindja e Largët në Amerikën e Jugut, gjatë shek XX. Një leksion që, i përjetuar në këtë formë, nuk harrohet!/ Gazeta "Fjala" 

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Izraeli dhe Hamasi akuzojnë njëri-tjetrin për dështimin e një marrëveshjeje armëpushimi

Izraeli dhe Hamasi akuzojnë njëri-tjetrin për dështimin e një marrëveshjeje armëpushimi