/ATSH/.- Komisioni i posaçëm për Reformën në Sistemin e Drejtësisë ka organizuar përgjatë kësaj jave tryeza pune konsultimi me pjesëmarrjen e ekspertëve të nivelit të lartë dhe grupeve të interesit.
Tryezat, që nisën të hënën, kanë përfshirë diskutimin e një sërë çështjes, të lidhura me problematikat që ka aktualisht sistemi i drejtësisë shqiptare. Në tryezën e parë u diskutua rreth kapitullit për masat antikorrupsion, pjesë e Dokumentit Analitik për Sistemin e Drejtësisë. Ky kapitull, është hartuar nga ekspertët vendas dhe ndërkombëtarë, pjesë e nëngrupit për masat legjislative antikorrupsion, që bashkëdrejtohet nga krerët e misioneve Euralius të BE-së dhe OPDAT-t të Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së.
Materiali i prezantuar për këtë kapitull jep një ekspoze të situatës dhe gjetjeve në lidhje me përhapjen endemike të korrupsionit në fushën e drejtësisë, nivelin e ulët të goditjes së këtij fenomeni dhe drejtimet kryesore ku mund të orientohet reformat ne këtë sektor.
Momenti më interesant i këtij takimi ishte ndërhyrja e znj. Laura Codruta Kovesi, kryeprokurore e Drejtorisë Kombëtare Anti- Korrupsion (DNA) në Rumani, e cila solli përvojën rumune në këtë drejtim duke përmendur rastet e arrestimit dhe dënimit të zyrtarëve më të lartë të shtetit atje, si kryeministri, zv.kryeministri, disa ministra, dhjetra deputetë, senatorë, gjyqtarë dhe prokurorë. Ajo nënvizoi se antikorrupsioni ka nevojë për mbështetje politike, por sidomos për mbështetjen e opinionit publik.
Në diskutimet e tyre, përfaqësues të institucioneve shtetërore vunë në dukje nevojën për t'u shmangur nga perceptimet e përgjithshme mbi përhapjen e fenomenit të korrupsionit brenda sistemit gjyqësor, si dhe nevojën për t'iu siguruar aktorëve të sistemit një status të duhur, që t'i bëjë ata indiferentë ndaj ndikimeve jo të përshtatshme që mund të çojnë në sjellje korruptive.
Tryeza e dytë e komisionit të posaçëm u përqëndrua në sistemin gjyqësor, ku ekspertët e nivelit të lartë bënë një ekspoze të situatës, sa i takon problemeve që prekin sot sistemin gjyqësor në vend, lidhur me  pavarësinë, paanshmërinë, përgjegjshmërinë, profesionalizmin, transparencën etj.
Nga analizat e ekspertëve konstatohen probleme serioze të ndikueshmërisë politike dhe financiare të gjyqtarëve gjatë ushtrimit të detyrës, ndërsa nga pikëpamja profesionale gjyqtarët kanë mangësi dhe janë larg standardeve dhe nivelit profesional që duhet të karakterizojë një gjyqtar të vendeve të BE-së.
Sa i takon efiçencës, rezulton se shqyrtimi i çështjeve gjyqësore nga gjykatat e të tre niveleve, nuk garanton plotësisht gjykimin e çështjeve brenda një afati të arsyeshëm; në të tre shkallët e gjykimit nuk garantohet pjesëmarrja e publikut në gjykimin e çështjeve të ndryshme gjyqësore; ekzekutimi i vendimeve të gjykatave është i dobët, veçanërisht në rastet kur institucionet shtetërore janë palë debitore etj.
Në këtë tryezë përfaqësues të gjyqësorit vlerësuan punën e bërë për hartimin e kapitullit të sistemit gjyqësor dhe adresuan sugjerimet dhe rekomandimet e tyre sa i takon vendosjes së kritereve objektive dhe profesionale për matjen e ngarkesës në punë të gjyqtarëve, organizimit të gjykatave dhe buxhetit gjyqësor, gjykimit të çështjeve brenda një afati të arsyeshëm, etj.
Reformës në Drejtësinë Penale iu kushtua një tryezë e posaçme në takimet konsultuese me ekspertët dhe grupet e interesit. Problematikat e trajtuara për këtë sistem lidhen me pozitën kushtetuese të Prokurorit të Përgjithshëm, organizimin e funksionet e Këshillit të Prokurorisë, organizimin dhe funksionimin e policisë gjyqësore, procesin gjyqësor penal, të Drejtën Penale e Procedurale, etj.
Në lidhje me pozitën kushtetuese të kryeprokurorit, u dhanë mendime se prokuroria mund të ishte pjesë e sistemit të drejtësisë. Gjithashtu në këtë tryezë u shpreh nevoja e hartimit të një Kodi të ri Penal, si dhe rishikimi i Kodit të Procedurës Penale. Nga përfaqësues të shoqërisë civile u kërkua që reforma në drejtësi të parashikojë hartimin e një Kodi Penal dhe Procedural Penal për të miturit, si dhe rritjen e transparencës gjatë hetimeve paraprake.
Edukimit Ligjor dhe Arsimit Juridik iu dedikua një diskutim i veçantë në këto tryeza. Ekspertë të nivelit të lartë evidentuan çështjet që lidhen me edukimin ligjor në arsimin parauniversitar, në atë juridik universitar, në arsimin profesional pasuniversitar, ku përfshihen Shkolla e Magjistraturës dhe profesionet e lira, si dhe në trajnimin vazhdues të juristëve të institucioneve të tjera.
Çështje të tilla si, edukimi ligjor i publikut, një rishikim cilësor i kurrikulave në sistemin arsimor parauniversitar, si dhe nevoja për një reformë në arsimin juridik, por gjithmonë duke respektuar parimet aq të rëndësishme si autonomia universitare e liria akademike, u theksuan si shumë të rëndësishme dhe me vlerë.