Ekzekutimi me një armë MP5 me silenciator i Hekuran Billës alias Herland Bilali ka sjellë nxjerrjen në dritë të një rasti të dënuar me burgim të përjetshëm, por që çuditërisht shëtiste i lirë dhe me BMWX6, në Shqipëri.  Hekuran Billa ishte i dënuar me burgim të përjetshëm për akuzën e “Vrasjes në rrethana cilësuese ndaj 22 vjeçarit Prel Marku dhe plagosjen e rëndë të Musa Rrahmanit dhe një personi tjetër. Ngjarja ka ndodhur në “Park Royal” të Londrës më 14 tetor 2006 dhe në vitin 2008, Hekuran Billa është dënuar nga gjykata e Kurorës Snaresbook, Angli me burgim të përjetshëm. 

Hekuran Billa ishte arrestuar në Angli një vit pas vrasjes në datën 15 nëntor 2007 dhe në 14 tetor 2008 Gjykata e Snaresbook Angli, e ka shpallur fajtor duke e dënuar me burgim të përjetshëm për tre vepra penale. Më pas Billa është deportuar nga Anglia në Shqipëri me qëllim vuajtjen e dënimit me burg përjetë në Shqipëri. Në 13 maj 2014 gjyqtari i Tiranës Altin Abdiu ka vendosur të pranojë njohjen e vendimit anglez duke njëhsuar burgimin e përjetshëm në Shqipëri. Por ky vendim në muajin korrik 2016 është rrëzuar në Apel nga treshja e gjyqtarëve Fatmira Hajdari, Lefter Jahja dhe Shkëlqim Mustafa, duke e dënuar Hekuran Billan përfundimisht me 25 vite burgim.

Pas këtij vendimi Billa është akomoduar në ambientet e burgut të Fushë-Krujës, ku nga ky burg ka filluar të depozitojë kërkesat për lirim nga qelia. Kërkesa e parë për ulje dënimi me 90 ditë në gjykatën e Krujës është pranuar nga gjyqtarja Enkelejda Hoxha, e cila në 25 maj 2017, ka vendosur uljen e dënimit për Billa. E njëjta gjyqtare brenda një dite, pra në 25 maj 2017 ka marrë në shqyrtim një kërkesë të dytë të depozituar nga Hekuran Billa, duke vendosur uljen e dënimit me 24 muaj burgim.

Ndërsa në 14 shkurt 2018, ditën e Shën Valentinit, gjyqtarja Enkelejda Hoxha, ka vendosur ti njohë Hekuran Billës periudhën e paraburgimit nga data 15 nëntor 2007 në Angli deri në datën 20 korrik 2016, ku vendimi për dënimin e tij me 25 vite burgim ka marrë formë të prerë në Apel. Pra në total kjo gjyqtare i ka ulur dënimin në masën e 9 viteve, kohë kjo që gjyqtarja argumenton se Billa ka qëndruar në periudhë paraburgimi. Pa kaluar shumë muaj nga ky vendim, në 21 nëntor 2018 gjyqtarja Enkelejda Hoxha, ka vendosur ti njohë amnistinë e vitit 2016 këtij personazhi, duke i ulur dënimin në 1 vit burgim. Ndërsa në muajin janar 2019 Hekuran Billa sërish ka përfituar një ulje dënimi me 90 ditë, ku sërish ka qenë gjyqtarja Enkelejda Hoxha.

Një muaj pas këtij përfitimi të radhës, Hekuran Billa, nëpërmjet avokatit të tij Aldo Tabaku, në datën 22 shkurt 2019, ka fituar prej Enkelejda Hoxhës, lirimin me kusht e cila i ka falur 5 vjet e 2 muaj e 11 ditë burgim. Në të gjitha këto vendime prokurori Bujar Memia, nuk ka paraqitur ankimim në gjykatë, duke bërë që vendimi të hyjë në fuqi menjëherë dhe mos pasur asnjë mundësi të kthimit në burg të Billës. Për gati 1 vit e gjysëm Billa, ka qëndruar i lirë në rrugët e Tiranës ku në letra figuronte i punësuar si postier pranë studios ligjore Duka në Tiranë. Por në janar të 2020 Hekuran Billa kishte hapur dhe një biznes në Tiranë për dhënien e makinave me qira.

( Kliko këtu ) Dokumenti i plotë heqja e dënimit burgim të përjetshëm i Hekuran Billës

Argumenti si u lirua Hekuran Billa
Report Tv ka zbardhur vendimin që çoi në faljen e 5 viteve burg dhe lirimin me kusht 5 vite në shërbim prove të Hekuran Billës në 22 shkurt të vitit të kaluar. Hekuran Billa gjatë kohës së qëndrimit në lirim me kusht duhet të punësohej pranë studios ligjore "Duka" në pronësi të Alma Dukës. Nga burgu korrier. Është ndjekur e njëjta skemë si me Endrit Doklen. Fillimisht e ka pasur gjyqtarja e Krujës Engjëllushe Tahiri. Por Aldo Tabaku, avokati i Billës kërkoi përjashtimin e saj. Kërkesa është pranuar dhe cështjen e ka marrë Enkelejda Hoxha e cila ka filluar të njohë uljet e dënimit për Billën dhe njohjet e amnistisë, fiks si me skemën e Endrit Dokles.

Me pas në shkurt 2019 kemi ardhur në momentin e lirimit me kusht duke i falur plot 5 vjet e 2 muaj e 11 ditë killerit Hekuran Billa. Kushti ishte që të punësohej pranë studios ligjore me emrin "Duka". Çuditërisht ky vendim lirimi me kusht nuk është apeluar në asnjë moment nga prokurori i ceshtjës Bujar Memia dhe vendimi ka hyre menjëherë në fuqi. Prokurori ka qenë dakord me lirimin e Hekuran Billës, duke pohuar në fund se e linte ta çmonte gjyqtarja vendimmarrjen. Por cilat ishin argumentet që paraqiti Billa në kërkesën për lirimin nga burgu? Tre vite pasi ishte transferuar në burgun e Fushë Krujës ai bëri kërkesën për lirim. Gjykata thekson në vendim se kërkesa për lirimin me kusht është pranuar, pasi Billa kishte prindërit të moshuar, të pamundur ekonomikisht dhe jo në gjendje të mirë shëndetësore.

"Hekuran Billa ka arsye të veçanta që përligjin kërkesën e tij për lirimin me kusht, që janë gjendja familjare ku konkretisht është në përbërje familjare me dy prindërit, gjendja shëndetësore e tyre paraqitet me probleme të shëndetit, të dokumentuara. Gjithashtu arsye tjetër është gjendja ekonomike e vështirë, pasi të vetmet të ardhura janë pensioni i prindërve të tij, i cili është i pamjaftueshëm për ilaçet e tyre, ndaj ai ka paraqitur edhe një kontratë punësimi" thuhet në vendim. Gjithashtu theksohet sjellja e mirë e Billës në burg. Po ashtu, në vendim thuhet se shërbimi i provës është shprehur se perspektiva e riintegrimit të tij në shoqëri është e konsiderueshme.

Vendim i lirimit te Hekuran Billës ne 22 shkurt te vitit te kaluar

VIDEO nga vendi ku ndodhi vrasja e Hekuran Billës në Tiranë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:36
Ekzekutimi i Hekuran Billës, ortaku i tij në biznes mesazh ngushëllimi në rrjetet sociale

Ekzekutimi brenda në makinë e 40-vjeçarit Hekuran Billa te Komuna e Parisit, ka sjellë dhe reagimin e ortakut të tij në biznesin që kishin së bashku ku jepnin makina me qira.

Elton Puci, bashkëpronar në biznes me Hekuran Billën, i ka kushtuar këtij të fundit një status ngushëllimi në facebook, që u nda nga jeta aq shpejt, ndërsa zbulon se atij i thërrisnin dhe 'daja'.

" 'Daja' Allahu të mëshiroftë dhe zoti të dhëntë xhenetin, t'u bëftë dhe i lehtë. Ma këpute zemrën sa shpejt ike", shkruan Puci.

Hekuran Billa, 40-vjeç me origjinë nga Kukësi, i njohur dhe me emrin Herland Bilali, u ekzekutua mbrëmjen e djeshme pranë qendrës Tregtare "Kristal Centre".  Ai u qëllua në kokë dhe në trup me armë me silenciator  duke humbur jetën menjëherë, teksa ishte në ecje me makinë  e tij BMË X6 me timon dhe targa angleze 'SS777 OHO'.

Ora 15:54
FOTO-Momenti i ekzekutimit mafioz të Hekuran Billës

Report Tv siguron fotot e momentit kur u ekzekutua me silenciator Hekuran Billa mbrëmjen e djeshme. Makina e autorëve tip 'Benz' pasi e ka ndjekur e ka qëlluar në lëvizje dhe Billa ka humbur kontrollin duke u përplasur me makinat e tjera. Qytetarët nuk kanë dëgjuar të shtëna, pasi ekzekutimi ishte me silenciator. Drejtuesit e dy makinave që përplasi, por edhe qytetarët fillimisht nxituan me shpejtësi duke u afruar, pasi menduan se ishte aksident. Por kur panë se kishte të bënte me një ekzekutim u shtangën. E para që ka mbërritur ishte policia rrugore, ndërsa më pas të rendit dhe grupi hetimor, teksa vendi i ngjarjes u rrethua nga qytetarë të shumtë. Pas ekzekutimit autorët janë larguan duke u kthyer mbrapsht nga rruga që erdhën në drejtim të Unazës së madhe për të djegur më pas makinën në Pezë.

Ora 14:08
Dinamika e vrasjes së Billës, autori e priti dhe e qëlloi me 15 plumba! Motra tregon telefonatën e fundit


Report Tv zbardh dinamikën e ekzekutimit të Hekuran Billës mbrëmjen e djeshme në Tiranë. Gazetari i Shqiptarja.com Elton Qyno mëson se autori ka qenë i veshur me një kostum sportiv dhe kapele në momentin që ka pritur viktimën e tij që hipte në makinë, ku sapo është nisur e ka qëlluar me breshëri mbi 15 plumba. Viktima ka qenë i vetëm në makinë, pa armë me vete dhe mundësi reagimi.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur vetëm gëzhojat e qitura nga MP5-sa me silenciator dhe asnjë gjurmë tjetër. Nga vendi ku ndodhi vrasja te Komuna e Parisit, autori është larguar duke dalë në rrugën kryesore në unazën e re, që ndodhet 100 metra nga vendi i krimit. Largimi ka qenë i lehtë, pasi në atë pjesë nuk ka as postbllok. Pamjet e kamerave të sigurisë nuk japin një imazh të saktë të autorit duke vështirësuar punën e grupit hetimor.

Personi i fundit me të cilën foli Billa, ishte motra e tij, që punon te qendra Kristal, dhe që po shkonte ta takonte. Në dëshminë e saj në polici, motra e Hekuran Billës është shprehur se i vëllai e telefonoi dhe do ta takonte, por takimi nuk u realizua kurrë. Policia nisur hetimet por fokusi është i vështirë, pasi e kaluara kriminale e viktimës është e ngjeshur, nga vrasje, grabitje, trafik droge, etj.

Ora 13:41
20 m nga rruga kryesore, pamjet nga vendi i ngjarjes ku vrasësit e Billës dogjën makinën (VIDEO)

Report Tv ishte sot në vendin ku autorët e vrasjes së Hekuran Billës dogjën makinën mbrëmjen e djeshme në Pezë të Vogël. Vendi ku është djegur makina është rreth 20 metra nga rruga kryesore. Më pas autorët i ka pritur një tjetër makinë duke u larguar me shpejtësi. Makina tip Benz me portobagazh që u përdor në vrasje dhe u dogj u vodh në Kukës, ndërsa targat i përkasin një mjeti "Renault", vjedhur në Lezhë. Brenda makinës u gjet e djegur edhe arma MP5.

1591960271_stemabenxit.jpg

Ora 12:56
Me kufje dhe shenjën e plumbit në kokë! Momenti kur Billa nxirret i pajetë nga makina (FOTO)

Report Tv pamjet e momentit kur Hekuran Billa i pajetë nxirret nga ekspertët e mjekësisë ligjore nga makina e tij dhe transportohet në morg. Billa ka qenë me kufje në vesh në momentin që është vrarë. Nga pamjet duket edhe shenja e plumbit në kokë. 

Ora 11:53
Nga burg përjetë, fitoi lirinë, ILD: Po verifikojmë vendimet e gjyqtarëve për Hekuran Billën

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka nisur verifikimet e vendimeve që sollën lirimin nga burgu të Hekuran Billës, i cili pavarësisht se ishte dënuar me burg përjetë, arriti që të dilte falë manovrave të drejtësisë.

"Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka ndjekur informacionet publike lidhur me vrasjen mbrëmjen e kaluar të Hekuran Billës në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë dhe të dhënat se ndaj këtij shtetasi ishte dhënë një dënim me burgim të përjetshëm.

Duke marrë shkas nga faktet e bëra publike në media ditën e sotme, zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ka nisur verifikimin e këtyre fakteve dhe të rastit" deklaron ILD-ja.

Por si u lirua Billa? I dënuar me burg për jetë në Angli, gjyqtari Altin Abdiu në 13 maj 2014 bëri njohjen e vendimit të përjetshëm, por në 20 korrik 2016 gjyqtarët Fatmira Hajdari, Lefter Jahja dhe Shkëlqim Mustafa vendosën të ndryshojë vendimin e gjykatës së Tiranës për njohjen e burgut përjetshëm dhe dënimin e tij përfundimisht me 25 vite burgim. Ndërkohë që gjyqtarja e Krujës Enkelejda Hoxha vitin e kaluar i njohu uljet dhe i fali 5 vite duke e liruar me kusht.

Ora 10:57
Detaje të reja nga ekzekutimi me silenciator, Billa po shkonte të takonte motrën (VIDEO)

Report Tv mëson se Hekuran Billa mbrëmjen e djeshme ishte drejtuar për te qendra Kristal, pasi kishte planifikuar që të takonte motrën që punonte në një prej dyqaneve. Takimi nuk është krye kurrë, pasi ai u ekzekutua ndërsa për ngjarjen menjëherë është marrë në pyetje dhe motra e tij.

Ora 09:54
U hapi derën e burgut disa të dënuarve përjetë, historitë e gjyqtares së Krujës që i fali 5 vite edhe Billës që u vra mbrëmë

 

 

Gjyqtarja e Krujës, Enkelejda Hoxha doli sot sërish në skenë për një tjetër vendim që ka dhënë duke sjellë lirimin nga burgu të Hekuran Billës, që u ekzekutua mbrëmjen e djeshme. Gjyqtarja i fali 5 vite duke e nxjerrë me kusht. Por kush është Enkelejda Hoxha, për të cilën Inspektorati i Lartë i Drejtësisë ka nisur hetimin administrativ?

Emri i gjyqtares lidhet me lirimin nga burgu të disa të dënuarve, përmes vendimeve të dyshimta, para se ajo të përballej me vetingun. Hoxha u ka hapur dyert e burgut ish-numrit dy të bandës së Durrësit Endrit Dokle, duke i shuar dënimin përjetë, Genc Tafilit, i dënuar për vrasjen e komisarit të Policisë Arben Zylyftari si dhe Ilir Pajës, të cilit i kishte mbetur mbi një vit dënim. Hekuran Billës kjo gjyqtare i fali 5 vite burg duke e nxjerrë në lirimin me kusht.

Ministrja Etilda Gjonaj e cilësoi një kambanë alarmi për drejtësinë lirimin e Dokles pak muaj më parë. Ministrja deklaroi se ka kërkuar pezullimin e gjyqtares Enkelejda Hoxha, si edhe ka kërkuar prokurorisë ndjekje penale për të, ndërsa ILD-ja nisi hetimin administrativ.

Hekuran Billa dhe gjyqtarja Enkelejda Hoxha

Ora 08:40
Ekzekutimi me silenciator i Billës! Makina e përdorur për vrasjen u vodh në Kukës, kamerat kapën autorët, çfarë ka mbetur në vendin e ngjarjes

Hekuran Billa u ekzekutua mbrëmjen e djeshme në Tiranë, ndërsa ende nuk ka asnjë gjurmë nga autorët, të cilët dogjën makinën dhe u zhdukën. Autorët pasi e ndoqën vendosën që ta qëllonin për vdekje 40-vjeçarin në një zonë të populluar dhe në momentin që kishte shumë lëvizje, te Komuna e Parisit. Vrasja u krye me silenciator. Ndërsa më pas autorët dogjën në Pezë makinën tip Benz me portobagazh, e ndërsa targat i përkasin një mjeti "Renault".

Makina rezulton të jetë vjedhur në Kukës ndërsa targat e automjetit të cilat i përkisnin një makine tip Renault janë vjedhur në Lezhë. Report Tv ishte sot sërish në vendin e ngjarjes, ku u ekzekutua Billa, ku kanë mbetur disa pjesë të makinës së viktimës BMW X6 me targa dhe timon anglez 'SS777 OHO', e cila u përplas me dy të tjera dhe bordurën, pasi Billa humbi kontrollin teksa u qëllua në ecje nga autorët. Shpresa e policisë janë kamerat e sigurisë në zonë, që kanë kapur makinën dhe mund të zbulojnë autorët e vrasjes mafioze.

Hekuran Billa, i njohur ndryshe si Herland Bilali, është një emër i njohur për drejtësinë angleze. Ai u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e Prel Markut, ngjarje e ndodhur në 2006. Ai u shpall fajtor për tre akuza, “Vrasje” , “Vrasje mbetur ne tentative" dy herë si dhe “Plagosje me dashje". Dy persona të tjerë u plagosën nga plumbat gjatë të shtënave. Pronari i klubit në Angli Musa Rrahmani u plagos edhe u hodh nga dritarja e katit të dytë për të shpëtuar. Billa nuk e ka kryer dënimin, në rrethana ende të paqarta ka ardhur në Shqipëri dhe ka hapur një biznes për dhënien me qira të makinave. Bëhet fjalë për një biznes të lokalizuar te "Qytet Studenti" i hapur në 27 janar të këtij viti.

VIDEO/Kamerat e sigurisë pranë vendit të ngjarjes

 Pjesët e BMW që kanë mbetur në vendin ku ndodhi vrasja