U gjetën 17 të humbur/ Lot gëzimi, por edhe hidhërimi në vetëm 4 muaj! ’Pa gjurmë’, misioni vazhdon...(VIDEO)

TIRANË-Me dhjetëra histori në "Pa gjurmë". Një mision i vështirë, por jo i pamundur. Kemi përjetuar bashkë histori dhe ngjarje të pazakonta. Fate në udhëkryq, vite të gjata në pritje, zemra nëne të përmalluara, fëmijë të braktisur, motra në kërkim të motrës, vëllai në kërkim të vëllait, nëna dhe baballarë në kërkim të fëmijëve të humbur, në kërkim të dritës në fund të tunelit. Plagët e thella që solli emigracioni, në periudha tranzicioni, për të gjithë shqiptarët që u derdhën rrugëve të Europës.

Të rinj e të reja, të shfrytëzuar, të humbur, të mbajtur peng dhe deri tek eliminimi fizik i tyre. Histori të bujshme me momente të vështira dhe tensioni, emocioni, trishtimi dhe gëzimi, jo rrallë në studio edhe me surpriza të bukura. Ka marrë fund Odisea e një arratisje, kur kërkimet kanë kthyer në banesë një të humbur. Shumë të tjerë kanë thyer heshtjen, pas një dekadë nga zhdukja e tyre. Ku është vënë një kontakt, një tjetër është shkëputur. Ku është gjetur një i humbur, një tjetër ka ikur në drejtim të paditur. Ku është qarë edhe është gëzuar. Një simbiozë e pazakontë historish shpesh të vështira me mister. Me këmbëngulje dhe pasion, shërbëtor të një misioni i cili vazhdon...

Në kërkim të shqiptarëve të humbur, bashkim zemrash apo të vërtetës së munguar.

Nga njëri skaj në tjetrin, brenda dhe jashtë territorit shqiptar, deri në kontinentet më të largëta. 17 të humbur në 4 muaj, deri edhe 10 vite më pas. Histori njerëzore që ndryshuan jetët...

1- Elisa Dallo

Motra dhe nëna e deklaruan të rrëmbyer...motra 'bëhet e gjallë': Për kokën e 3 fëmijëve gënjejnë, më ra si bombë
Pasi u kërkua në emisionin ’’Pa gjurmë’’ nga e motra Paola, vendos të kthejë një përgjigje 4 vite pas Elisa Dallo 27 vjeçarja e cila bëri një deklaratë të fortë. Në një lidhje live për ’’Pa gjurmë’’ Elisa, ajo e cila u denoncua si e humbur nga nëna dhe motra sqaroi arsyet e humbjes së kontakteve, duke thënë së të dyja ato kanë gënjyer. Ajo pohoi se e kishte zgjedhur vetë të mos kishte kontakte me to, duke thënë se nuk është e humbur. Ajo jeton në Vlorë, por konflikti mes saj dhe motrës bënë që ata të mos kishin asnjë lloj komunikimi prej katër vitesh edhe pse jetonin në të njëjtin qytet. Ja cila ishte pohimi i Elisës në ’’Pa gjurmë’’, në përgjigje të kërkesës të së motrës:

Elisa Dallo: Po unë e pashë emisionin kur u trajtua rasti im dhe më ka rënë si bombë, pasi unë jetoj në një mënyrë që këtu në lagje s’jeton askush kaq mirë sa unë. Paola me mamanë gënjejnë dhe më besoni për kokën e tre fëmijëve. Gjithë spitali mua më ka ndenjur tek koka, nga më i madhi tek më i vogli, 24 orë.
Odeta: Si janë marëdhëniet mes jush?
Elisa: Ato gënjejnë për çdo gjë, të jap unë numrin e babait e të flasësh me të.

Ndërkohë në një lidhje "live" nga studio e "Pa gjurmë", vjehrra e Elisës, Luiza Grabova reagon duke mohuar gjithçka çfarë është deklaruar në studio, nga e motra e nuses së saj Paola.

2- Alesia Zekja

U kthye pranë familjes dy ditë pas zhdukjes e mitura. 13-vjecarja doli nga banesa në Kamëz, ndërsa një ditë më pas u denoncua zhdukja e saj, nga familjarët, në emisionin ’’Pa gjurmë’’.
Ajo u nis për në shkollë dhe nuk u kthye më. Një 16-vjecare, që pretendoi se njihej me të miturën solli dëshminë në studion e ’’Pa gjurmë’’.

Drilona ( pseudonimi i saj, për shkak të moshës) tha në studio se kishte qenë me 13-vjecaren atë ditë në Mbikalimin pranë Institutit Bujqësor në Kamëz, kur para tyre u shfaq një makinë e zezë me xhama të zinj, që u kishte kërkuar të shkonin me ta. Ajo nuk kishte pranuar, ndërsa Alesia po.

Pas apelit të bërë në emisionin ’’Pa gjurmë’’ dhe dyshimit se mbahej peng nga 3 djem, me kthimin e saj në familje 13-vjeçarja tregoi një tjetër variant, atë se ishte larguar me dëshirën e saj dhe se nuk mbahej peng nga askush.

3- Kastriot Mihalica
U zhduk në Francë, gjendet në Tiranë...historia e kosovarit që u strehua nga një familje 'heroike' nga Malësia e Madhe

32-vjecari nga Kosova Kastriot Mihalica, i zhdukur prej 16 shtatorit nga Pontarlier Francë, u gjet në Tiranë teksa qarkullonte me makinën e tij Volvo ngjyrë blu të errët me targa franceze. Ai u ndalua nga policia e kryeqytetit në gjendje të rënduar psikologjike pas denoncimit të bërë nga familjarët e tij në emisionin "Pa Gjurmë" të gazetares Odeta Dume.

Familja tregoi se i kishte bllokuar kartat e kreditit që 32-vjeçari kishte marrë me vete, pasi dyshonte se i riu, ndoshta mund të ishte implikuar në ndonjë grup kriminal këtu në Shqipëri.

Menjëherë pas apelit në ’’Pa gjurmë’’,  familja Halilaj nga Malësia e Madhe njoftoi se kishte strehuar për një ditë Kastriotin. Kjo e dhënë, vërtetoi përfundimisht që i riu gjendej në Shqipëri dhe familja bëri denoncim zyrtar në polici. Pa kaluar as 48 orë, ai u ndalua nga blutë e kryeqytetit falë targës franceze të makinës dhe u dërgua në komisariatin nr.3 të policisë së Tiranës.

4-Faslli Rusta
Kuçovë- U raportua nga familjarët i humbur, gjendet pas 5 ditësh i pajetë 76-vjeçari

U gjet i pajetë në një nga rrugicat e tregut të Kuçovës, 76-vjeçari Faslli Rusta. Policia kishte konstatuar trupin e pajetë, të gjetur në qëndrimin ulur, pa shenja jete.

I moshuari u denoncua si i humbur në ’’Pa gjurmë’’, ndërsa ishte zhdukur që më datë 22 shtator.

Momenti i fundit që tregoi lëvizjet e 76-vjeçarit ishin kamerat e sigurisë së një dyqani ku ai ishte pare, teksa kishte bërë rimbushjen e fundit në telefon.

5- Elson Abazi
Takim zemrash pas një dekade pritje! Djali përqafon i përlotur nënën që e braktisi para 10 vitesh: Më ka bërë kokën...

Report Tv solli momentin e lumtur të takimit të 21-vjeçarit Elson Abazi me nënën e tij, me të cilën kishte humbur kontaktet prej 10 vitesh. Vetë Elsoni u shpreh se nuk e mohonte dhe është shumë i lumtur për realizimin e këtij ritakimi të shumëpritur për të.

Një ngjarje e papritur ndryshoi rrjedhën e jetës për 21-vjecarit, ndërsa ai rrëfeu historinë e trishtë të jetës së tij, kur Afërdita, nëna e Elsonit mori në telefon gjatë transmetimit live duke folur me të birin 10 vite pasi e braktisi.

"Nëse ma sillni djalin do ta takoj patjetër. Sot jam e martuar, jetoj në Bushat dhe kam një vajzë 12-vjeçare. Elsonin e pashë në televizor dhe dua ta takoj. Më ka marrë malli. Kushtet e jetesës për mua janë shumë të vështira," u shpreh nëna e cila e pati të pamundur të vazhdonte telefonatën për shkak të emocioneve.

Ndërsa djali i saj u shpreh se ndonëse e ëma e ka braktisur nuk e mohon.

"Nënë a mund të të përqafoj. Dua të të takoj edhe pse më ke braktisur, unë nuk të shaj. Je prapë nëna ime", tha djali i përlotur.

Elsoni erdhi në jetë pas një martese që babai i tij pati me motrën e ish-bashkëshortes. Ai u rrit pa nënën, në një shtëpi me xhaxhanë e tij Agim Abazi i cili ushtronte dhunë ndaj tyre. Ai detyroi të vëllanë t'i jepte firmën duke i marrë të gjitha pronat. Babai i Elsonit u nda nga jeta një vit e gjysmë më parë, ndërkohë që xhaxhai i nxori djalin nga shtëpia.

6- Valentina Cuni
Ishte zhdukur prej një jave/ 17-vjeçarja gjendet në transmetim live, sms-ja e shoqes ndihmoi për kthimin e saj në shtëpi

Një javë nga zhdukja më 23 shtator u kthye në shtëpi 17-vjecarja nga Lezha, Valentina Cuni. Pas denoncimit në ’’Pa gjurmë’’ përfundoi Odisea e fshehjes së adoleshentes, dyshuar se u gënjye nga disa persona të cilët e mbajtën në Tiranë, me qëllim trafikimin. Këmbëngulja për të rënë në gjurmët e Valentinës, duke e risjell historinë e adoleshentes nga Lezha, ’’Pa gjurmë’’, solli kthimin e saj në shtëpi. Përgjatë 60 minutave transmetim live në kërkim të 17-vjeçares, pak minuta para përfundimit të emisionit, vëllai i Valentinës Kristjani njoftoi kthimit në shtëpi të 17-vjeçares, ndërsa në studio nëna Vitore Lazeri dhe vëllai Edmond Cuni bënin apel për ndihmë.

Ditën që Valentina Cuni u largua nga shtëpia ishte mjaftuar vetëm me një mesazh që i kishte dërguar të vëllait atë pasdite, ku i shkruante se ndodhej me një shoqe dhe se nuk dëshironte të kthehej.

7-Vasil Nexha
EMOCIONUESE/ Debatoi me të atin dhe u zhduk! Nënë e bir takohen në 'Pa Gjurmë' pas 3 muajsh

I humbur 3 muaj më parë, Vasil Nexha mbërriti në ambientet e Report TV, nënë e bir takohen live në studion e 'Pa gjurmë'. Mori fund 'rebelimi' i të riut, pas hatërmbetjes me të atin dhe njerkën. Emocione të papërshkrueshme gjatë transmetimit live, në këtë bashkim zemrash, kur Vasil Nexha, 22-vjecari i humbur më 30 qershor u takua me nënën Vjollca Cauli.

Vasili u largua nga shtëpia në Greqi ku jetonte me të atin, pas divorcit të prindërve. 

Falë shumë telefonatave si dhe këmbënguljes në 'Pa gjurmë' u bë e mundur që Vasili t’i bashkohet familjes. Fillimisht nëna u surprizua me një telefonatë live, ndërsa më pas i biri hyri në studio. Ai kishte mbërritur në ambientet e Report TV, pak orë para transmetimit të emisionit.

Çaste të papërshkrueshme që lanë pa fjalë në pak minuta edhe vetë stafin 'Pa gjurmë'.

8-Kujtim Bozhiqi
Gjendet tifozi i Tiranës, që humbi në derbin Tirana-Partizani, nipi: Faleminderit 'Pa Gjurmë'

Kërkuam ndihmë në ’’Pa gjurmë’’ teleshikuesit ndihmojnë në gjetjen e 45-vjecarit. Një ditë pasi u kërkua në emisionin ’’Pa gjurmë’’, Kujtim Bozhiqi nga Peqini u gjet, nga të afërmit, në qytetin e Elbasanit, ndërsa në gjendje të rraskapitur nuk ishte i aftë të sqaronte familjarët, sesi kishte përfunduar atje. Babai i tre fëmijëve ishte në Tiranë për të ndjekur derbin Tirana-Partizani.

"E kemi gjet rreth orës 1 e natës. e kishin parë disa shokë të mijë, fal emisionit tuaj e kishin njohur. Ai ishte i lodhur nga pagjumësia dhe kështu, nëpër rrugë ka qenë këto 4 ditë nuk ka mundur të kthehet në shpi. Ju falenderoj shumë shumë shumë."  tha nipi i Kujtimit, Elton Bozhiqi.

Kujtim Bozhiqi iu bashkua familjes.

9- Lila Mile
Gati për t'u 'arratisur' nga Bari drejt Shqipërisë, 70 km larg familjes! Gjendet Live në emisionin 'Pa Gjurmë' 18-vjeçarja

Vetëm 30 minuta pas publikimit në emisionin 'Pa Gjurmë' u gjet LIVE, 18-vjeçarja shqiptare Lila Mila, e cila ishte larguar nga banesa e saj në Fasano para 4 ditësh.

Ka qenë vëllai i saj Jorgo Mile i cili ka dhënë lajmin e mirë duke thënë se kishin qenë disa emirgantë që kishin njoftuar, pasi panë emisionin ’’Pa Gjurmë’’. Vajza ndodhej në portin e Barit. Vëllai falenderoi ’’Pa Gjurmë’’ dhe të gjithë ata që ndihmuan për gjetjen e motrës së tij.

Familja e vajzës jetonin prej 3 vitesh në Itali dhe nuk ishte larguar kurrë nga banesa. Pavarësisht kësaj, 18-vjeçarja u largua nga familja dhe u gjet në portin e Barit rreth 70 km larg nga shtëpia.

10-Rozalinda Nasufi
Gjendet 18-vjecarja e humbur, ’’Pa gjurmë’’ realizon live komunikimin atë e bijë

Rozaldina Nasufi u gjet falë denoncimit dhe thirrjes së vazhdueshme që u bë nga studio në Report TV. Ajo u bind t’i kthej përgjigje kërkesës së vazhdueshmë të të atit, duke dhënë sqarime për të gjithë këtë situate. Ajo tha se ka ndërtuar një jetë të re dhe është në pritje të një fëmije.

Përfundoi saga e largimit nga shtëpia të Rozaldinës, nga dyshimet se ndodhej në Dubai, me jetën që ka nisur në qytetin e Durrësit. Falë shumë telefonave pas prezantimit të këtij rasti në studion e emisionit. Babai ngriti dyshime se vajza e tij mund të ishte në kushtet e presionit nga persona të tjerë. Por pas këtij komunikimi në ’’Pa gjurmë 18-vjecarja’’ hodhi poshtë cdo dyshim.

11-Panajot Dolorezi
U zhduk para 10 muajsh pas zënkës me babanë, Pa Gjurmë gjen 21-vjeçarin! I riu transformohet në 'endacak' në rrugët e Londrës.

Pas denoncimit që erdhi ditë më parë në emisionin “Pa Gjurmë”, 10 muaj nga humbja e kontakteve me familjarët e 21-vjeçarit Panjot Dolorezi, nga Londra, mbërritën foto ekskluzive që treguan transformimin e tij. Fotoja e shfaqur për herë të parë në emisionin ''Pa gjurmë'' tregoi gjendjen aktuale të të riut.

Pas publikimit të këtij lajmi, reagime të shumta mbërritën në adresë të emisionit ’’Pa gjurmë’’ por edhe në Shqiptarja. com. Emigrantët shqiptarë zbuluan vendndodhjen  e 21-vjecarit, Panajot Dolorez. Stafi i emisionit “Pa Gjurmë” dhe bashkëpunëtorët në Angli nisën verifikimin mbi vërtetësinë e këtyre informacioneve. Fotoja tregoi gjendjen e të riut, i cili prej kohësh jetonte si endacak në rrugët e ‘British Museum’, në Londër .

Në gjendje të mjerueshme, Panajoti ka kohë që ka rënë pre e lëndëve narkotike, fakt për të cilin flasin dhe dëshmitë që erdhën në ''Pa gjurmë''.

21-vjeçari u largua nga shtëpia pas një debati të fortë me babain e tij. Ai humbi kontaktet me familjarët më 14 Janar të vitit 2019 ndërsa u lokalizua 10 muaj më pas.

12- Zoga Myrtaj
U trafikua nga xhaxhai në moshën 16-vjeçare! Pa Gjurmë gjen vajzën në Tel Aviv: Familja nuk më ka kërkuar kurrë! Nuk dua t'i shoh

Zogë Myrtaj e cila ishte denoncuar e zhdukur shkëmbeu një përshëndetje të ftohtë me nënën e saj, ndërsa nuk munguan akuzat e vajzës, që fajësoi familjen se nuk kishte bërë asnjë përpjekje për të gjetur vendndodhjen e saj. Ajo tha se xhaxhai i saj kishte tentuar ta trafikonte dhe nuk ia falte familjes që vazhdojnë të mbante kontakte me të.  

Pas 6 vitesh pa dëgjuar zërin e njëra-tjetrës, nënë e bij shkëmbyen telefonatën e parë gjatë emisionit ’’Pa Gjurmë’’, një telefonatë jo e zakontë. Zogë Myrtaj e cila ishte denoncuar e zhdukur jeton në Tel Aviv të Izraelit, ku është martuar dhe ka krijuar familje. Ajo pohoi se xhaxhai i saj ka tentuar ta trafikojë dhe nuk ia falte familjes që vazhdojnë të mbajnë kontakte. 

’’Ka shumë arsye pse nuk kontaktoj me familjen. Nuk dua të flas me ata fare. Kur nuk janë interesuar kur jam larguar të mos interesohem sa të jem gjallë. Unë kam familjen time, kam krijuar familjen time. Nuk i fal se nuk më kanë kërkuar që nga dita kur kam dalë nga shtëpia. Nuk më kanë marrë në telefon. Nuk dua të flas për të kaluarën. Xhaxhai ka dashur të më trafikojë. Të mos më kërkojnë më. Jam e martuar. Ata e dinë shumë mirë se unë nuk jam e humbur. Do ta mendoj njëherë. Nuk më kanë kërkuar që nga momenti kur kam ikur nga shtëpia. As më kanë shkolluar, as më kanë edukuar. Ata flisnin me xhaxhain. Çfarë janë këto gjëra. Qeshin kot me atë. Për mua nuk janë gjëra të falshme. Unë nuk jam fëmijë. Nuk mund të pranojë troç ajo që ne flasim me xhaxhanë. Unë do e kisha fal por të mos e kishte thënë atë. Është shumë e vështirë të falësh. Se kështu vriten njerëzit, vëllanë në burg, gocën e humbur. Nuk dua të ma përmendin xhaxhanë se do ia mbyll telefonin", tregoi Zoga.

Nëna e saj i bëri apel që të mbajë kontaktet me motrën dhe vëllanë, dhe me dhembshuri nuk i mban inat që vajza tashmë nuk do të ketë asnjë komunikim me të.   

"Është gabim moshë e re. Pse nuk përpiqet me nënën që e ka rritur dhe as i kam bërtitur asnjëherë. A ke ndërmend me fol me motrën dhe vëllanë, mirë nënën, por me ata.  Të marrsha të ligat", thotë nëna.

13- Izet Tosuni
Gjendet LIVE në 'Pa Gjurmë' 17-vjeçari, punonte në një stan! Pronari: Nuk e ngarkoj me dru si punë kafshësh

Adoleshenti 17-vjecar Izet Tosuni,  humbi kontaktet me familjen në datën 9/12/2019, nga Libohova në Gjirokastër. Gjatë transmetimit live, erdhi informacioni nga një shtetas shqiptar i cili u shpreh se e kishte takuar Izetin 3 orë më parë dhe se ndodhej në një stan në Qafëgjashtë në qytetin e Sarandës.

Pas bisedës telefonike me redaksinë e emisionit “Pa Gjurmë”, dëshmitari bëri te mundur lidhjen me pronarin e adoleshentit. Pas të cilës u bë e mundur edhe një bisedë telefonike me vetë të 17-vjecarin duke sqaruar arsyet e largimit nga shtëpia.

“Po ku ja kam numrin une atyre? A ja keni numrin ju? Dëgjo pak këtu, nuk ja kam numrin atyre.Ma dërgoni,” shprehet në lidhje telefonike adoleshenti.

Humbja e adoleshentit 17-vjeçarit, Izet Tosuni nga fshati Libohovë i rrethit të Gjirokastrës u denoncua ditën e hënë në emisionin “Pa Gjurmë”.

14-Lorenc Metaj
Ishte bashkuar me 'Dëshmitarët e Jehovatit', shqiptari gjendet i varur pranë varrezave në Greqi

Ishte nisur tek babai e tij në shtetin grek për të kaluar pushimet verore në ishullin Chios, më 29 korrik të vitit 2019, por ka rezultuar fatale për fatin e 26-vjecarit. I riu u gjet i varur mëngjesin e 26 dhjetorit, në një pemë pranë varrezave në Kalamoti të Greqi, afro 4 muaj pasi u largua nga shtëpia.

Nuk janë bërë të ditura ende shkaqet e ngjarjes, por autoritetet greke nisën hetimet mbi misterin që mbart vdekja e të riut shqiptar. Deri më tani nuk ka asnjë konkluzion, sesi ka përfunduar i varur mbi një pemë 26-vjeçari Lorenc Metaj. Lorenc Meta u denoncua në emisionin “Pa gjurmë” nga familjarët dhe prej muajsh kërkohej nga gazetarët me shpresën se do të mbërrihej drejt gjurmëve të tij.

Dyshimet e familjes lidhur me zhdukjen e tij u rrotulluan edhe rreth faktit se Lorenci para largimit nga shtëpia i ishte bashkuar sektit fetar të Dëshmitarëve të Jehovait. Ndërsa kushëriri i tij Bledar Metaj tregoi edhe dinamikën e zhdukjes. Personi i fundit që i telefonoi ditën e zhdukjes ishte  nëna.

Stafi i emisionit ''Pa gjurmë'', pasi mësoi këtë lajm të keq për fatin e 26-vjeçarit, i përcjell ngushëllime të sinqerta familjes Metaj.

15-Arta Mehmeti
'Pa Gjurmë' gjen 19-vjeçaren e zhdukur në Francë. Ajo ndodhej në kampin francez, ku kërkonte ndihmë.

Arta Mehmeti humbi gjurmët fundin tëe dhjetorit të 2019, afër Lion-it, ndërsa u gjet në një kamp të Francës, një javë më pas.

Informacionet që mbërritën në emisionin "Pa Gjurmë" fillimisht treguan vendndodhje kontradiktore pas zhdukjes së 19-vjecares. Kërkohej nga Turqia në Kosovë, ndërsa u dyshua se ajo mund të ishte rrëmbyer nga tre persona, për çudi të të gjithëve, Arta Mehmeti kërkonte ndihmë në azil. Ajo u gjet në një kamp të Francës shumë pranë vendit ku u zhduk, një javë më parë. Një foto ekskluzive që mbërriti në ’’Pa gjurmë’’ zbuloi vëndndodhjen e saj. Lajmin e konfirmoi i vëllai i saj Agroni.

16-Petrit Lekvukaj
Bëhet i gjallë pas 7-vitesh. Petrit Lekvukaj rilidh kontaktet me familjen pasi u kërkua në ’’Pa gjurmë’’

Kishte pak kohë që kishte dalë nga burgu, Petrit Lekvukaj i humbur në vitin 2012 u njoftua nga shokët se kërkohej në “Pa gjurmë”.

Petrit Lekvukaj theu heshtjen dhe vendosi të bëhet më në fund i gjallë. Nga dita e humbjes dhe shkëputja e kontakteve me familjen, një mbrëmje të nxehtë gushti kur i tha nënës se do ta telefononte, këtë premtim e zgjati gjatë në kohë, ndërsa pas apelit në emisionin ’’Pa gjurmë’’ nga nënë Liza Petriti rilidh kontaktet 7 vite më pas. Ai u zhduk për herë të dytë në vitin 2012, nga Gjermania. Dëshmitë e mbërritura në “Pa Gjurmë” treguan vendndodhjen e tij dhe prej vitesh Petrit Lekvukaj vuante dënimin në burg. Pasi la qelinë, shokët e tij, emigrantë shqiptarë pasi ndoqën në emisionin ’’Pa gjurmë’’ apelin e nënës njoftuan 45-vjecarin duke i mundësuar kështu familjes nga Shkodra rilidhjen e kontakteve.

17- Ligerta Kaja
Letra që la pasi u largua: Ti vrave motrën, mos më prish jetën mua! Apeli drithërues i nënës, vajza e refuzon LIVE: U mësova me mungesën tënde

Humbi kontaktet me të bijën, nëna bëri apelin drithërues. Reagoi nga Turqia, vajza e cila refuzoi nënën: Jam mësuar me mungesën e saj, unë do bëj më të mirën për vajzën time.

Mbi një vit pati humbur çdo kontakt me të vetmen vajzë, që i ka mbetur, pas dramave të njëpasnjëshme që ka kaluar në jetën e saj. Kjo historia e jetës që u rrëfye në emisionin ’’Pa gjurmë’’ nga Joana Azizaj, nëna e Ligerta Kajës. Kjo e fundit i la një letër para se të largohej përfundimisht nga banesa në Greqi ne vitin 2018. Në këtë letër vajza fajësonte nënën për vdekjen e motrës. Ndërsa kjo ikje pa kthim e kishte një mesazh drithërues. Ligerta i kërkonte nënës të mos i shkatërronte jetën edhe asaj.

Pas apelit në Report Tv në emisionin 'Pa Gjurmë' reagon LIVE nga Turqia, vajza e Joanës, Ligerta Kaja: "E ndoqa emisionin ndaj ju telefonova. E vërteta që kam një vit që jam larguar. Jam mësuar me mungesën e saj. Është e vërtetë që ka pasur një jetë të vështirë. Edhe unë më burrin kemi patur vështirësi bashkë. Unë do të bëj më të mirën për vajzën time. E gjeta mbështetjen e nënës sime, por gjithë jetën ne kemi jetuar me mungesën e saj.

Me nënën time nuk shkoja mirë, pasi dëgjoja urdhrat e burrit të saj. I dhashë shans të jetonim një jetë që se kemi jetuar më parë. Ka shumë arsye që vendosa të largohesha. U detyrova të shkoja tek një shoqja ime pasi burri i nënës më përzuri. Unë nuk kam humbur, nuk ka dëshirë. Ia dhashë një herë këtë mundësi. Unë nuk mund t'i fal më gabimet," tha ajo.

Nëna: Unë të dua. Të kam dashur. Kaloje jetën me kë të duash. Vetëm të di a je mirë. Se unë jam e sëmurë. Motra tjetër të kërkon.

Vajza: Motrën e dua shumë dhe nuk do ta lë kurrë. Por është e vogël dhe nuk e kupton. Unë jam në Shqipëri, nëna të vij të më takojë kur të dojë.

Odeta Dume: As Gëzuar nuk do t'i thuash nënës ?

Vajza: Gëzuar të gjithë shqiptarëve. Zoti na i faltë gabimet.

B.K./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Në fushë pa Canin, ekipi i Dinamos dhe trajneri emocionojnë me dedikimin për Martinin e vrarë me thikë në zemër

VIDEO/ Në fushë pa Canin, ekipi i Dinamos dhe trajneri emocionojnë me dedikimin për Martinin e vrarë me thikë në zemër