Vangjeli: Kryepolici Nano, betejën e parë e ka me Ramën dhe Çuçin

Vangjeli: Kryepolici Nano, betejën e parë e ka me Ramën dhe Çuçin

Kreu i Policisë së shtetit, Gledis Nano

Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu u largua nga detyra duke paraqitur dorëheqjen me motivacionin “për të qëndruar më pranë familjes”. Në gjykimin tuaj ishte shkarkim apo dorëheqje?

Më shumë se dorëheqje dhe më shumë se largim, ikja e ish-kryepolicit Veliu ishte zgjedhje e kryeministrit Rama: një zgjedhje mes ministrit të tij të brendshëm dhe drejtorit të policisë. Bledi Çuçi nuk donte të vazhdonte më tej bashkëpunimin me njeriun kryesor të policisë dhe vetëm ditët e fundit dhe në mënyrë të papritur mundi të marrë dhe lejen e eprorit të tij për ta ndërprerë atë bashkëpunim. Ai ishte i kënaqur që një gjë e tillë po ndodhte dhe e tregoi dukshëm atë me një shprehje frazeologjike kur u pyet për mundësinë e largimit të Veliut. Ajo shprehje në shqip ka kuptim të keq: vaji i kandilit tregon zakonisht një fund pa kthim dhe në fakt i tillë është largimi nga rradhët e policisë së Veliut. Kjo frazë që bëri xhirron e rrjetit nga reporterët e rinj, një pjesë e madhe e të cilëve e raportonin pa e ditur mirë kuptimin e vjetër të saj, u korrektua më pas nga mbasditja nga eprorët e tyre nëpër redaksitë e lajmeve. Ishte frazë e papërshtatshme, por jo aq e fajshme sa tentuan ta bëjnë kritikët e ministrit. Ishte më shumë një zë i brendshëm nga ata që në politikë duhet të jenë kurdoherë të heshtur dhe nuk duhen thënë kurrë në publik sesa thjesht një psherëtimë revanshi ndaj vartësit të mundur.

Njeriu që firmosi dorëheqjen, Rama, që nuk shqetësohet të shfaqet ndryshe nga sa është, që nuk e ka preokupim të thotë tjetër nga ajo që mendon, që nuk shtyhet më të bëjë të kundërtën e asaj që i intereson, i bëri një falenderim atipik për stilin e tij drejtorit të dorëhequr. Falenderimi me zemër që i bëri Veliut dëshmon që firma e tij ishte hedhur me gjysmë zemre.

Largimi i një drejtori policie, edhe pa përfunduar mandatin, nuk është ndonjë dramë e madhe në vetvete. Por koha kur ndodh një akt i tillë, qoftë dhe me make up-in e dorëheqjes, është shumë e rëndësishme. Siguria publike është në nivele shumë të pranueshme dhe Zoti mos e dhëntë, koka e kryepolicit mund të shërbente në raste të tjera në të ardhmen, si kurban për halle të cënimit të sigurisë. Qoftë Çuçi vetë, qoftë edhe Edi Rama, mund ta kishin kryer një akt të tillë në një kohë më të përshtatshme politikisht për ta dhe më të ligë për vetë Veliun.

Ish-kryepolici është akuzuar nga opozita, por jo vetëm prej saj si “shërbëtor i pushtetit”, por edhe lidhur me disa ngjarje të rënda që kanë ndodhur si vrasjet në Elbasan, vrasja e 25-vjeçarit nga policia që çoi në dorëheqjen e ministrit Lleshaj, apo edhe dy policë të ekzekutuar në Lezhë brenda 8 muajve. Si e vlerësoni punën e Veliut në këtë gjysëm mandati që drejtoi?

Një inxhinier makinash mund të pohojë se një veturë mund të prishet edhe në kushte ideale, pa dalë fare në rrugë, edhe nëse nuk lëviz fare. Drejtimi i një makinerie të ndërlikuar si Policia e Shtetit, ku ndikojnë, kushtëzojnë dhe diktojnë shumë faktorë e aktorë të ndryshëm, brenda dhe jashtë rradhëve të saj, madje më shumë jashtë sesa brenda, nuk mund të gjykohet në kohë paqeje. Fati e desh që Veliu ta drejtojë këtë organizatë në kohë të trazuar politike dhe në një spirale të rrezikshme protestash, kryesisht ato të organizuara nga opozita. Kush nuk ka idenë se çfarë ëndërrohej të ndodhte ndryshe nga sa ndodhi, kush nuk kupton sesa e brishtë ishte paqja sociale në vend në ato kohë, kush mendon se ishte e thjeshtë të tejkaloheshin situatat pa viktima, është viktimë e naivitetit ose e padijes së tij. E vërteta e thjeshtë ishte se njëra palë kërkonte viktima në protestë, me shpresën e 21 Janarit bis. Vetëm fati, frymëzimi ndryshe i kryeministrit dhe dy ministrave të tij të brendshëm Xhafaj e Lleshaj, vetëpërmbajtja dhe profesionalizmi i policisë dhe natyrisht, edhe ndikimi i padiskutuar amerikan dhe ultimatumet në anglisht, shmangën një trajektore dhune me pasoja të paparashikueshme në Tiranë. Ekuilibret e shoqërisë shqiptare janë kaq të brishtë sa edhe një çetë me jeniçerë politikë të përbetuar, të majtë apo të djathtë, mund ta bëjnë gjëmën në çdo kohë, nëse të gjithë faktorët e tjerë që janë përballë, nuk veprojnë bashkë dhe në të njëjtën kohë. Në këtë prizëm, kontributi i Veliut dhe stafit të tij të ngushtë, duhet çmuar dhe besoj se do të çmohet duke e shkëputur shpejt atë nga pozicioni i kryefamiljarit të përkushtuar pensionist, siç “kërkoi” edhe vetë të bëjë përpara përfundimit të mandatit. Pjesa tjetër është edhe statistikë, edhe perceptim. Nga pikpamja formale rendi është në një periudhë të stabilizuar. Nga pikpamja e kriminalitetit ndryshe, atij lloj krimi që nuk luftohet dot me çizme polici dhe kobure në dorë, ky është një diskutim krejt tjetër që nuk ka të bëjë me ish-drejtorin e policisë.

Kryeministri Rama emëroi Gledis Nanon në krye të Policisë së Shtetit, një personazh i spikatur sidomos në luftën kundër terrorizmit dhe me certifikata mirënjohjeje nga SHBA-ja. A ishte zgjedhja e duhur, pasi ka edhe një vlerësim për figurën e tij edhe nga opozita?

Një nga mjeshtëritë pak të njohura, një nga zanatet e në zhdukje e sipër në Tiranë, është edhe “shkenca” e përdorimit të burimeve njerëzore. Karriera dhe ecja përpara gjithmonë e më shpesh, gjithmonë e më lart nuk po kushtëzohen më nga merita individuale dhe aftësi profesionale. Mënyra e përzgjedhjes dhe emërimit të njerëzve, pavarësisht përjashtimeve që përforcojnë rregullin, është gjithmonë e më e mbyllur, gjithmonë e më e centralizuar. Rasti i zotit Gledis Nano me të gjitha gjasat është një përjashtim i lumtur nga ky rregull dramatik. I përshkruar si profesionist, me kredenciale morale më të mëdha se spaletat lokale, ambicioz në sensin politiv, siç e përshkruajnë miqtë dhe ende pa rekorde të liga, siç pranojnë me zor edhe cinikët e kritikët, Nano është aty ku duhej të ishte. Dhe sipas të gjitha gjasave, aty ku edhe amerikanët do të donin të ishte. Gjithë çfarë i duhet tani janë dy gjëra themelore: të ketë fat dhe të dijë të vendosë ekuilibrat e duhur në një trinom të ndërlikuar mes tij, kryeministrit dhe ministrit të brendshëm. Çdo drejtor i përgjithshëm policie, mjafton të lexojë ligjin për të kuptuar se cila është forca e tij reale dhe se në përditshmëri, drejtimi konkret i trupës i jep një pushtet shumë më të madh se ai që ka drejtuesi politik i institucionit dhe madje edhe se vetë kryeministri që e firmos atë në detyrë. Deri më sot, me përjashtime shumë sporadike dhe në raste shumë të rralla, drejtorët e policisë janë sjellë maksimumi si zëvendësministra përballë ministrit dhe në ndonjë rast tjetër, edhe si policë trafiku përballë kryeministrit.

Edhe pse duket e çuditshme, është fakt dhe jo perceptim që përkundër natyrës së tij individualiste, Rama është padyshim kryeministri që ka ndërhyrë më pak se kushdo tjetër në përditshmërinë e policisë. Në mënyrë të habitshme, Rama që kontrollon dhe llojin e gurit që do të shtrojë sheshin e një fshati, ju ka lënë dorë të lirë ministrave të tij të brendshëm të sillen shpesh edhe si kryepolicë. Rama është ekstremi tjetër i paraardhësit të tij Berisha, që sillej edhe si komandant garde, edhe si shef komisariati, edhe si drejtues operacional në aksione konkrete policie. Kjo “indiferencë” e Ramës, e civilit që duhet se ka fobi nga armët dhe uniformat, është në fakt aleati më i madh i drejtorit të ri të policisë.

Nga ana tjetër, në një kohë tjetër dhe në situata të tjera, zoti Nano me gjasë duhet të kuptojë se organizata që ai nisi të drejtojë, ka probleme shumë të mëdha, por ato janë konceptuale dhe morale. Ato nisin me menaxhimin e burimeve njerëzore dhe me detyrimin e shumë segmenteve të larta të policisë që të mos bëjnë më shumë se një punë. Domethënë, të mos paguhen në më shumë se një bordero dhe të mos ndajnë interesa financiare natën me ata që i “gjëmojnë” me kobure në dorë për t’i kapur ditën.

Aleati tjetër, por me shumë gjasa, i përkoshëm ishte raporti i tij i parë me opozitën. Ai ishte një raport pozitiv dhe bën përshtypje në terren shqiptar ku të gjitha opozitat janë reflektive: domethënë, kundër gjithçkaje që zgjedh qeveria. Fakti që së paku nuk e sulmuan Nanon pa hyrë ende në zyrë, nuk ndihmon kryepolicin e ri, por i jep një spaletë modeste vetë opozitës.

Në 30 vitet e fundit pjesa më e madhe e drejtuesve të policisë janë akuzuar si “të lidhur politikisht me pushtetin”, përse ndodh kjo, edhe pse strukturat policore veprojnë me ligj të veçantë, jo në varësi qeveritare?

Kjo është një akuzë e saktë qoftë kur e bënte dje opozita e Ramës, qoftë kur e bën opozita e sotme. Politizimi i policisë është fakt dhe jo opinion. Do të ishte fat nëse Nano, siç shpresohet, do të arrijë t’i heqë nga fyti kravatën politike policisë. “Dashuria” e politikës me policinë është përqafimi që e ka tkurrur, mpakur, vrarë, rivrarë, por dhe ringritur e rijetësuar organizatën e mijëra grave dhe burrave që sakrifikojnë shumë më shumë sesa fasha të tjera të shoqërisë shqiptare. Dhe që ndaj të cilëve, në këmbim, një shoqëri gjithmonë e më cinike, gjithmonë e më thellë në krizë morale, afron shumë pak mirënjohje dhe shumë gurë edhe atëherë kur duhet t’u japë lule dhe falenderime. Ose edhe i afron lekë nën dorë “për shërbime policie”, kur të tjerë pushtete duhet t’i çonin në pranga njerëzit me uniformë./ Gazeta "Fjala" 

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Historia e kremtimit të Krishtlindjeve

Historia e kremtimit të Krishtlindjeve