TIRANË- E ashpër ka qenë ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim në reagimin e saj, ku i ka tërhequr veshin opozitës që për herë të parë i quan " ata që kanë qenë në pushtet", duke i thënë që të mos bëjë gabimet e së kaluarës, duke nxitur dhunë në protestat që po organizohen për vrasjen e Klodjan Rashës nga polici.

Në një kohë që presidenti Ilir Meta dënoi dhunën e policëve, por nuk tha asgjë për aktet jo të hijshme të protestueve, apo nga ana tjetër kryetari Lulzim Basha që deklaroi se "është krenar për rininë që nuk po rri duarkryq", Kim thekson se është e gabuar që të sugjerohet se dhuna në protesta është e pranueshme.

Në deklaratën e ambasadores Kim duket se ka dhe një referim të drejtpërdrejtë edhe ndaj gjuhës së dhunës që ish-kryeministri Sali Berisha përdori gjatë një interviste televizive një nate më parë, ku u shpreh se Garda kishte vepruar mirë në vrasjen e 4 protestuesve të 21 janarit dhe se Edi Rama do të qëllohej me 5 snajperë nëse do të shkonte të nesërmen sërish në proteste para selisë së qeverise "Berisha". Kim është e ashpër dhe e qartë për çfarë tha Berisha: "Ata që kanë qenë në pushtet më parë nuk duhet të bëjnë gabimet e së kaluarës, duke sugjeruar se dhuna është e pranueshme", tha Kim.

Ajo ka zbuluar se ka pasur një komunikim me kryeministrin Edi Rama, kryedemokratin Lulzim Basha, kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi dhe Drejtorin e Policisë, Ardi Veliu. Përveç mesazhit të fortë drejtuar opozitës, ose ish-pushtetarëve, ambasadorja ka vlerësuar reagimin e autoriteteve për kapjen dhe vënien përpara drejtësisë të efektivit që kreu aktin, teksa theksoi se qeveria ka "përgjegjësinë të sigurojnë një hetim të plotë dhe transparent të incidentit, të ushtrojnë përmbajtje në mbrojtjen e sigurisë dhe pronës publike"

"Vdekja e Klodjan Rashas është një tragjedi dhe ne i shprehim ngushëllimet më të thella familjes dhe miqve të tij. Ambasadorja Kim bisedoi sot me Kryeministrin Rama, Drejtorin e Policisë Veliu, Kryetarin e Partisë Demokratike Basha dhe Kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim Kryemadhi, për të diskutuar mbi të drejtat e qytetarëve dhe përgjegjësitë e udhëheqësve.

Ajo nënvizoi se ata që janë në pushtet kanë përgjegjësinë të sigurojnë një hetim të plotë dhe transparent të incidentit, të ushtrojnë përmbajtje në mbrojtjen e sigurisë dhe pronës publike, si dhe të sigurojnë përgjegjësi në të gjitha rastet. Në këtë drejtim, ne vërejmë se autoritetet kanë kapur oficerin në fjalë dhe kanë nisur hetimet. Ata që kërkojnë të jenë në pushtet duhet të shfaqin aftësinë e tyre për të udhëhequr në një mënyrë të përgjegjshme, përfshirë edhe duke refuzuar dhunën.

Ata që kanë qenë në pushtet më parë nuk duhet të bëjnë gabimet e së kaluarës, duke sugjeruar se dhuna është e pranueshme. Ambasada e Shteteve të Bashkuara u bën thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje, në përputhje me përgjegjësitë e tyre, në mënyrë që të drejtat e të gjithë qytetarëve shqiptarë të mbrohen, dhe që zërat e tyre, përfshirë atyre në protestë, të kenë mundësi të shprehen dhe të dëgjohen pa dhunë", shkruan Kim.

Ky reagim vjen vetëm pak minuta pasi të niste protesta e tretë radhazi për vrasjen e Klodjan Rashës. Ndërkohë, më herët ka reaguar edhe ambasadori italian në Tiranë Fabrizio Bucci, ku ka theksuar se është kundër përplasjes dhe dhunës, por protesta duhet të jetë paqësore.

Postimi i plotë i ambasadores së SHBA-së, Yuri Kim

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:37
Protesta për Klodjan Rashën/ Ambasadori britanik: Ne e kuptojmë pse njerëzit janë të zemëruar, por t'i zgjidhin gjërat në mënyrë paqësore

Në të njëjtën linjë me diplomatët e huaj në vendin tonë ka qenë dhe ambasadori i britanik, Duncan Norman.

"I shprehim solidaritin dhe ngushëllimet familjes së Klodian Rashës. Drejtësia duhet të vendoset. Dhe duhet parë se po vendoset. Ne e kuptojmë pse njerëzit janë të zemëruar dhe mbështesim të drejtën për protestë paqësore. Le t'i zgjidhim gjërat në mënyrë paqësore", shkruan Norman.

Ora 19:30
Vrasja e Klodjan Rashës/ OSBE: Thirrje për përmbajtje nga çdo lloj dhune dhe që të lejohet ligji të veprojë

Pas SHBA e BE, edhe OSBE bën thirrje për përmbajtje nga çdo lloj dhune dhe që të lejohet ligji të veprojë. 

"Ligjshmëria dhe rendi publik janë në themel të demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri shpreh keqardhjen e saj të thellë për vdekjen e Klodian Rashës dhe besimin se ajo do hetohet si duhet. Mendimet dhe lutjet tona janë për familjen e tij. Tani, ne bëjmë thirrje për përmbajtje nga çdo lloj dhune dhe që të lejohet ligji të veprojë", thuhet në reagimin e OSBE. 

Ora 19:12
Protesta për Klodjan Rashën/ Ambasadori gjerman: Dhuna nuk është zgjidhje

Ambasadori gjerman Peter Zingraf ka bërë thirrje që të shmanget dhuna në protesta. Sipas tij, dhuna nuk është një zgjidhje.

"Ngjarjet e ditëve të fundit më mbushin me shqetësim dhe trishtim. Vdekja e të riut më ka prekur edhe mua shumë. Është e rëndësishme dhe e drejtë, që kjo ngjarje të zbardhet plotësisht. Mendimet e mia janë pranë familjes së viktimës. Por ajo çka na mëson gjithashtu ky rast tragjik është – dhuna nuk mund të jetë zgjidhja. Ushtrimi i lirë i të drejtës për protesta është thelbësor për çdo demokraci. Por, edhe kur bëhet fjalë për gjëra shumë emocionale dhe elementare: vetëm protestat paqësore legjitimohen si demokratike. Unë i bëj thirrje të gjitha palëve, të heqin dorë nga dhuna", shkruan ambasadori gjerman Peter Zingraf.

Ora 18:44
Protesta për vrasjen e Klodjan Rashës/ Soreca: Dhuna duhet të shmanget në çdo rast, nga të gjitha palët

1606554127_luigisoreca.jpg

Pas ambasadores së SHBA-së, Yuri Kim, ka ardhur reagimi edhe i ambasadorit të BE-së, Luigi Soreca. Ai ka vënë theksin që dhuna duhet të shmanget në çdo rast, nga të gjitha palët.

"Shumë i pikëlluar nga ngjarjet e ditëve të fundit. Mendimet e mia janë me familjen e Klodian Rashës. Tani është thelbësore që kjo ngjarje tragjike të hetohet si duhet dhe të vendoset drejtësia, dhe shqetësimet e shprehura paqësisht të dëgjohen. Por dhuna duhet të shmanget në çdo rast, nga të gjitha palët", shkruan Soreca. 

Ora 17:32
Ambasadori italian, Fabrizio Bucci: Pranë familjes së Klodjanit! Jam kundër përplasjes dhe dhunës

Ambasadori i Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me ngjarjet e ditëve të fundit pas vrasjes së 25-vjeçarit, Klodjan Rasha.

Bucci teksa shpreh ngushëllimet për familjen shkruan se është kundër përplasjeve dhe dhunës.

"I trishtuar nga ngjarjet e ditëve të fundit. I gjendem pranë familjes së Klodian Rashës dhe jam i sigurt se drejtësia do të vihet në vend. Por jam kundër përplasjeve dhe dhunës: e drejta për të protestuar duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore. Kështu funksionon në demokraci", ka shkruar Ambasadori i Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci.