Vdes një 71-vjeçar nga Durrësi, 31 raste të reja, infektohen punonjëse fasonerie, një mësues dhe efektiv për herë të dytë, 33 të shëruar (VIDEO)

TIRANE-Shkon në 36 numri i viktimave nga COVID-i në Shqipëri. Në 24 orët e fundit ka ndërruar jetë në spitalin infektiv një pacient 71 vjeçar nga Durrësi, i shtruar prej më shumë se dy javësh. Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 300 testime për të dyshuar të prekur me Covid19 nga të cilat janë konfirmuar 31 raste pozitive, 13 më pak se dje, pjesa më e madhe kontakte familjare të rasteve të konfirmuara pozitivë, por ka disa raste të reja në proces hetimi në Elbasan, Vlorë, Shkodër dhe Tiranë.

Shpërndarja e rasteve të reja është si vijon: 8 raste në Tiranë, 6 në Pukë, 5 në Shkodër, 5 në Vlorë, nga 2 raste në Durrës, Krujë, Elbasan, dhe 1 rast në Lushnje.
Lajmi i mirë është se gjatë 24 orëve të fundit numri i të shëruarve është më i lartë se ai i të prekurve nga Covid19. Janë shëruar 33 qytetarë. Aktualisht në spitalin infektiv po marrin sherbim 48 pacientë, prej tyre 7 janë në terapi intensive. Në vendin tonë janë aktualisht 346 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë ku ka transmetime komunitare.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u bërhi thirrje qytetarëve për ndërgjegjësim, "të jemi më të kujdesshëm për shëndetin tonë dhe të afërmve tanë ndaj Covid19, të respektojmë distancimin fizik jo më pak se 1.5 m, aty ku nuk është e mundur të respektohet të përdoret maska mjekësore, të evitojmë grumbullimet masive, në ceremoni festive, mortore, fetare, të evitojmë kontaktet, dhënien e duarve dhe përqafimeve, të respektojmë higjenën respiratore, kollitje e teshtime të kryhen në këndin e brrylit dhe të gjitha masat duhet të kombinohen me higjienën e  larjes së duarve. Është shumë e rëndësishme që në këtë luftë kundër Covid 19 të jemi të gjithë bashkë".

COVID-19 – Statistika (12 Qershor 2020)
Testime totale                         19862
Raste pozitive                          1416
Raste të shëruara                    1034
Raste Aktive                             346
Humbje jete                              36 (Qarku Tiranë 21, Durrës 7, Fier 4, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë               199
Shkodër             45
Krujë                  32
Kamëz               23
Durrës               15
Pukë                   7
Lushnje              6
Vlorë                  6
Elbasan              3
Mat                    2
Tropojë              2
Korçë                 1
Librazhd            1
Mallakastër       1
Lezhë                1
Berat                 1
Ura Vajgurore   1

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:46
11 raste të reja me COVID në Shkodër, Pukë dhe Malësi të Madhe

Sot në Shkodër janë 4 raste me COVID, një në Malësi të Madhe dhe 6 në Pukë duke e çuar në 11 numrin në total në 24 orët e fundit.

Ora 09:40
Nënë e bijë nga Belshi infektohen me COVID në QSUT

Sot janë shënuar dy raste të reja me COVID në Belsh, nënë e bijë, të cilat janë infektuar në Tiranë. Nënë e bijë kanë qenë në Tiranë në QSUT dhe dyshohet të jenë infektuar aty, ndërsa tani janë karantinuar në shtëpi.

Ora 08:57
Tre raste në Durrës, polici për herë të dytë me COVID infekton edhe gruan

Në Durrës sot janë shënuar tre raste të reja me COVID. Njëri është punonjës policie i cili rezultoi pozitiv për herë të dytë. Efektivi ka infektuar edhe gruan. Ndërkohë që është shënuar edhe një rast i ri sot në Durrës, duke e çuar në tre numrin.

Ora 08:19
Një mësues me COVID në Krujë, e bija punonjëse fasonerie infekton nënën

Sot në Krujë pritet që të konfirmohen dy raste të reja me COVID. Bëhet fjalë për nënën e një punonjëse fasonerie e cila është infektuar nga e bija dhe për një mësues. Ndërkohë sot vijojnë testimet në fasoneri për të parë nëse ka të infektuar mes kontakteve të punonjëses së infektuar.

Ora 07:45
5 të infektuar në Vlorë, vatër e re në një fasoneri

Edhe ditën e sotme duket se do të kemi një numër të lartë të qytetarëve të infektuar me COVID. Burime për Report Tv pohojnë se në Vlorë në 24 orët e fundit kanë rezultuar 5 raste pozitive me COVID, 4 prej tyre familjarë të rastit të parë, të djeshëm si dhe një rast i ri, vatër e re në një fasoneri. 

Në total në 24 orët e fundit janë kryer 14  tampone, mes tyre 12 familjarë të rastit të parë, pra të djeshëm. Dje u regjistruan 44 raste me koronavirus dhe një qytetar nga Lushnja ndërroi jetë.

Tre ditët e fundit shifrat kanë qenë në nivel alarmant, duke sjellë paralajmërimin e kryeministrit Edi Rama se nëse nuk ka ndërgjegjësim mund të rikthehet karantina.

/I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Planet e administratës së re amerikane për reformimin e FBI-së

Planet e administratës së re amerikane për reformimin e FBI-së