Veliu takim me zyrtarët amerikanë mbi Njësinë e Informacionit të Pasagjerit, nënshkruhen dy marrëveshje

Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu takim me zyrtarët amerikanë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, takim me përfaqësues nga Departamenti i Sigurisë së Brendshme dhe ai për Doganat dhe Sigurinë e Kufirit të SHBA-së dhe nga ambasada e SHBA-së në Tiranë.

Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit është zhvilluar një takim i rëndësishëm mbi Njësinë e Informacionit të Pasagjerit. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, drejtues të disa departamenteve në DPPSH dhe përfaqësues nga Ministria e Brendshme kanë pritur përfaqësuesit nga Ambasada Amerikane z. Patrick Shea dhe z. Tobei Arai oficer politik/ushtarak, si dhe përfaqësuesen nga zyra e EXBS, zj. Vilma Guri.   

Në këtë takim, pjesëmarrësit kanë diskutuar mbi të ardhmen e Njësisë së Pasagjerit, hapat e mëtejshëm për sistemet e përdorura nga kjo e fundit në shërbim të sigurisë në përgjithësi e të sigurisë kombëtare në veçanti, si dhe mbi çështje të ndryshme që mund të kenë strukturat policore në kuadër të marrëveshjes ndërmjet dy qeverive të vendeve tona dhe vijimësinë e saj.

Në fokusin e takimit, krahas nënshkrimit të dy dokumenteve teknike përkatësisht “Marrëveshje për sigurinë e Ndërlidhjes ndërmjet MB të Republikës së Shqipërisë dhe Departamentit Amerikan për Sigurinë e Atdheut, Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit të SHBA” dhe “Marrëveshje për Sigurinë e Ndërlidhjes ndërmjet MB të Republikës së Shqipërisë dhe Departamentit Amerikan për Sigurinë e Atdheut, Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit të SHBA për Sistemin e Avancuar e Informacionit për Pasagjerët (APIS)/Sistemi i Automatizuar i Targetimit (ATS) dhe Sistemi i Automatizuar i Targetimit Global ATS-G), u fol gjithashtu për të ardhmen e Njësisë së re të Policisë Kriminale shqiptare të Informacionit të Pasagjerit.

Drejtori i Përgjithshëm, gjatë takimit, vlerësoi rolin e madh të Shteteve të Bashkuara për mbështetjen në ngritjen e Njësisë së Informacionit të Pasagjerit. Ai theksoi se është dashur jo pak punë për bazën ligjore që tashmë është e plotë dhe e përafruar me standardet më të fundit të BE-së dhe ato ndërkombëtare. Njësia tashmë ka selinë e saj në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe me Urdhër të Ministrit të Brendshëm është përcaktuar struktura e saj në varësi të Departamentit të Policisë Kriminale.

Për palën amerikane, Koloneli Shea shprehu falënderimet e tij për bashkëpunimin dhe cilësoi punën e bërë deri tani me Policinë shqiptare, si më e mira ndër vendet me të cilat SHBA është duke implementuar të njëjtin projekt. Gjithashtu, z. Shea konfirmoi dëshirën e SHBA-së për të rritur kapacitetet e Njësisë së Informacionit të Pasagjerit, me trajnime dhe programe të përditësuara për shkak të rëndësisë që ajo ka në sfidat e reja me të cilat përballet bota. Ai vlerësoi përpjekjet e Policisë shqiptare për të patur një nivel të lartë të shkëmbimit të informacionit dhe konfirmoi edhe njëherë rrugën e drejtë të Shqipërisë, në bashkëpunim me partnerët e saj strategjikë.

Në këtë kuadër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit firmosi në fund të takimit, dy dokumentet teknike që përbëjnë bazën ligjore për përdorimin e sistemeve nga ana e Njësisë së Informacionit të Pasagjerit.

M.Q./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord me propozimin për dozë të tretë vaksine për personat mbi 60 vjeç?

Komento


×

Lajmi i fundit

John

Sot ‘dita pa makina’, rrugët ku nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve nga ora 8 e mëngjesit deri në 2 të pasdites