Gjykata e Lartë do të shqyrtojë më datë 28 maj rekursin e radhës të kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili kërkon ndryshimin e masës së sigurisë ‘arrest me burg’ duke e zëvendësuar me një tjetër masë më të lehtë sigurie.
Veliaj ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit 2025. SPAK ka renditur ndaj tij 13 akuza, si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.
Kërkesa e Veliajt vjen në një kohë që Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë rishikuan një vendim unifikues të vitit 2011 mbi masën e sigurimit të arrestit në burg dhe kohëzgjatjen e tij. Vendimi i marrë në unanimitet parashikon se kufizimi më i rëndë i lirisë personale, masa e arrestit me burg duhet të merret pasi më parë të jenë shqyrtuar realisht masat e tjera alternative. Po ashtu kërkohet arsyetim rast pas rasti për personin e përfshirë dhe që të jetë prokuroria ajo që të ketë barrën e provës për të justifikuar nevojën e masës ekstreme.
Pas këtij vendimi të Kolegjeve të Bashkuara, lirinë në Gjykatën e Lartë e fitoi ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj. Gjykata e Lartë lehtësoi masën ndaj saj, nga arrest në shtëpi në detyrim paraqitjeje.
Edhe ish-presidenti Ilir Meta përdori kërkoi masë më të lehtë sigurie vetëm një ditë më parë në Apelin e GJKKO-së dhe si argument përdori edhe vendimin unifikues të Gjykatës së Lartë për paraburgimet, por togat e zeza ia rrëzuan kërkesën.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente










