Vetëvendosje: Në 28 Nëntor marshim për bashkim kombëtar në Tiranë

Vetëvendosje: Në 28 Nëntor marshim për bashkim kombëtar në Tiranë

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë do të organizojë në datë 28 Nëntor një marshim për bashkim të Shqipërisë dhe Kosovës. Marshimi do të nisë nga monumenti i Skënderbeut drejt shtatores së Adem Jasharit.

Njoftimi i plote nga Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë
MARSHIM PËR BASHKIM
Bashkim kauzash me hapa drejt integrimit kombëtar

Shqiptarët nuk e kanë luksin ta shohin 28 Nëntorin thjesht si festë. 28 Nëntori është projekt i pazbatuar. Data përkujton shpalljen e Pavarësisë për një Shqipëri të bashkuar e të begatë, për të cilën dhanë gjithçka heronjtë kombëtarë. Por Shqipëria sot nuk është e begatë, shqiptarët nuk janë të bashkuar. Prandaj, 28 Nëntori është projekt i gjallë, që thërret për ndryshime sociale, ekonomike dhe politike, për rritje të sigurisë e për përparim shoqëror. Këto synime kërkojnë të ecet me hapa konkretë integrues, mes Shqipërisë e Kosovës. Ky integrim do të rrisë cilësisht demokracinë, do të zhvillojë ekonominë, do të forcojë shtetformimin, dhe do të përmirësojë ndjeshëm pozitën e shqiptarëve autoktonë në trojet e tjera dhe të atyre që jetojnë në mërgim.

28 Nëntori, data që na kujton se për sa kohë jemi të ndarë, nuk arrijmë dot begati, zhvillim e siguri.

Pavarësia pa sovranitetin e brendshëm fillon t’i përngjajë një guaske të boshatisur. Demokracia nuk ka kuptim tjetër përveç sovranitetit, dhe sovraniteti është mundësia e një populli për të zhvilluar vetveten. Goditjet ndaj së përbashkëtës, rrënimi i publikes kudo ku ajo shfaqet, po ia cenon Shqipërisë sovranitetin e brendshëm përditë e më shumë. Sovraniteti, zhvillimi dhe drejtësia në Shqipëri janë të pandashme nga çështja kombëtare. Kush rrënon sovranitetin e Shqipërisë, kush rrit pabarazinë shoqërore, kush përfiton prej mjerimit e varfërimit të shumicës, kush thellon padrejtësinë duke dobësuar shtetin e demokracinë, është drejtpërdrejt kundërshtar i çështjes kombëtare shqiptare.

Çështja kombëtare nuk është togfjalësh folklorik, ceremonial e ritual, i zbrazur nga përmbajtja. Ajo është drejtësi e mohuar aktuale dhe historike, sa ç’është edhe projekt për të ardhmen e afërt. Është çështje e trashëgimisë kulturore, sa ç’është dhe e prodhimit dhe punësimit. Është çështje për të drejtat e grave e barazinë njerëzore, sa ç’është edhe luftë kundër varfërisë, diskriminimit dhe pabarazive ekstreme. Ajo është çështje e demokracisë dhe organizimit qytetar që vjen nga populli, kundër oligarkisë e mafias që na sundon nga lart. Është nevojë për mirëmenaxhim të burimeve dhe pasurive kombëtare natyrore, ashtu siç është edhe domosdoshmëri për zbatimin e një strategjie për mbrojten e mjedisit. Çështja kombëtare na lidh me njohjen, përdorimin dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, siç na lidh edhe me të drejtën për arsim pubik cilësor e falas në të gjitha nivelet. Problemet tona burojnë nga të njëjtat shkaqe, prandaj vetëm përpjekja jonë e përbashkët u jep atyre zgjidhje. Bashkimi i kauzave brenda projektit kombëtar sjell mobilizimin e përbashkët qytetar për drejtësi e zhvillim.

Tre dekadat e pluralizmit në Shqipëri janë karakterizuar shpesh nga papjekuria dhe makutëria politike sa i përket çështjes kombëtare, demokracisë dhe rolit të shtetit në raport me shoqërinë e me zhvillimin ekonomik. Pushteti politik shpesh e ka dorëzuar dhe privatizuar publiken, duke rrudhur sovranitetin, e nganjëherë është bërë njësh me klane e oligarkë që kanë monopolizuar e kartelizuar ekonominë kombëtare. Problemet dhe padrejtësitë e mëdha socio-ekonomike na shfaqen në mënyra nga më brutalet në secilën sferë. Prej tyre preken shtresa të ndryshme shoqërore. Ata që vuajnë më shumë nga këto padrejtësi janë gratë, fëmijët, të moshuarit, të rinjtë, njerëzit që jetojnë në periferi, në fshatra e në provinca, si dhe minoritetet. Privatizimet dhe forma e tyre e modës së fundit, PPP-të, pasi shkatërruan dhe mbyllën shumë industri e sektorë ekonomikë, tashmë po rrënojnë arsimin dhe shëndetësinë, po pengojnë kalimin në akset e rëndësishme rrugore, dhe po prishin lumenjtë e bregdetin, po ndotin ajrin dhe ujin e pijshëm. Pabarazia e skajshme e krijuar në Shqipëri është shoqëruar me papunësi e me rroga të ulta, duke u mohuar të drejtat bazë punëtorëve, që prej punës pa kushte e siguri mbeten shpesh me probleme të rënda shëndetësore, e jo rrallë humbin dhe jetën e tyre. Tregtia dhe importet kanë fituar përparësi përballë prodhimit vendas, që mbetet i pambrojtur. Fermerët e bujqit janë lënë në mëshirë të fatit, prodhimet e tyre shpesh përfundojnë në kalbje, përballë një konkurrence të pandershme nga mallra të importuara, që subvencionohen haptazi ose fshehurazi në vendet e origjinës.

Qytetarët e Shqipërisë janë të pakënaqur nga kjo situatë, dhe e kanë shprehur indinjatën e tyre me protesta, por edhe me largime masive nga vendi. Mërgimi masiv është përgjigje e dëshpëruar ndaj mënyrës së qeverisjes, politikave neoliberale ekonomike, dhe dështimit të drejtësisë e sigurisë. Ka patur vende të tjera, që problemin e mërgimit e kanë patur edhe më të madh, por duke investuar në prodhim e duke ndërtuar shtet të së drejtës i kanë përmbysur trendet negative demografike. Shpopullimi mund dhe do të përmbyset nga vetë shqiptarët me vullnet e me sakrifica për një organizim të qëndrueshëm që sjell transformimin e shoqërisë me modele ekonomike që ulin pabarazinë dhe sjellin zhvillim.

Në këtë 28 Nëntor, Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri fton të gjithë qytetarët të marrin pjesë në një marshim në Tiranë, në ora 12:00, nga Monumenti i “Gjergj Kastriot Skënderbeut” te monumenti i “Adem Jasharit”. Heronjtë kombëtarë nderohen jo thjesht me lule dhe ceremoni, por kur ne njëmend ecim në rrugën që ata kanë shtruar. Ne do të ecim në rrugët e kryeqytetit për të bashkuar kauzat dhe vullnetet, njerëzit dhe zemrat, kundër padrejtësive dhe pabarazive ekstreme, për të kërkuar hapa konkretë për integrimin kombëtar për zhvillim e drejtësi, drejt bashkimit për progres dhe siguri, për emancipim.

Tiranë, 9 nëntor 2019

Lëvizja VETËVENDOSJE!
Qendra në Shqipëri

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • rezi: 09/11/2019 18:50

    Mua më duket provokim, nuk bëhet bashkim vetëm se VV mori ca vota më shumë. Më duket provokim se drejtuesi e VV në Kosovë u përpoq të fuste shkopinj nën rrota Qeverisë shqiptare, duke takuar studentë, berishë, metë e lul. Mua më duket provokim edhe paraqitja e Kurtit në Këshillin e sigurimit me flamurin shqiptar. Bëhet një coroditje kur pyesin e shohin flamurin tonë, nuk kuptojnë se si dy shtete dalin me një flamur. Ata që përpiqen të sqarojnë e bëjnë këtë ose alla Berishë, ose alla Tufa, ose alla rugovë...e s'e merr vesh për kë po flasin. Uroj që të mos humbasim emrin e bukur SHQIPËRI e shqiptar.

    Përgjigju
    • Patrioti: 09/11/2019 22:06

      Mos pi shume hashash o rezi se te ban dam

  • Emigranti: 09/11/2019 16:17

    Shumë mirë por do ishte fantastike nëse bëhesh njëkohësisht edhe në Prishtinë, kështu që zëri dhe vullneti jonë i përbashkët të bëhesh edhe lajm ndërkombëtarë, të flasi bota që SHQIPTARËT PO RINGJALLEN! #BashkimiBënëFuqinë

    Përgjigju
  • Emini: 09/11/2019 16:02

    Te behen hapo konkrete per bashkimin e kosoves me shqiprine.Ne mynyre te vecante per levizje te lira e te shpejta te njerzve dhe mallerve,duke hequr disa barjera penguese,nje arritje te tille shqiperija e kabere nevitin 1946-1948 ne kohen e federated jugosllave,kur kosova ishte thjesht nje krahine autonome,ndersa sot pas 50 vitesh eshte shtet i pamvarur dhe sovran.Dy qeverit ajo shqiptare dhe kosovare duhet te avancojn ne frymen e bashkpunomit nje kombe nje qendrim ,duke krijuar nje unjon kombetar ne mes dy shtetesh.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Sali Berisha: Vendimi i parë që do marr kur të vij në pushtet, është rihapja e TikTok

Sali Berisha: Vendimi i parë që do marr kur të vij në pushtet, është rihapja e TikTok