TIRANE- Prefekti i Lezhës Altin Jaku, që momentalisht është i dyshuari kryesor për vjedhjen e gati 300 milionë lekëve të vjetra nga një bankë e nivelit të dytë, pritet që në ditët në vijim të thirret nga ana prokurorisë së këtij qyteti për tu marrë në pyetje. “Shqiptarja.com” ka mësuar se një detyrat e prokurorisë së Lezhës është dhe kryerja e disa aktekspertimeve grafike, të firmave të hedhura mbi çertifikatata e depozitave bankare, pasi ka dyshime të arsyeshme se ato janë falsifikuar nga prefekti Altin Jaku, që dikur ka punuar si drejtor i filialit të bankës, ku është bërë vjedhja e lekëve.

Eskpertimi i firmave, do kryhet nga ekspertët e laboratorit shkencor të Ministrisë së Brendshme, pasi të jenë marrë dhe modelet e firmës origjinale të Altin Jakut, nga ku do krahasohen me nënshkrimet në çertifikata. Mësohet se në këtë skemë vjedhje mund të jenë implikuar dhe personana të tjerë, ku nuk përjashtohen dhe dy të dëmtuarit Gjergj Kola dhe Altin Baruti, pasi sipas akuzës ata kanë pasur njohje me prefektin Jaku, dhe për pasojë kanë bashkëpunuar me qëllim nxjerrjen e lekëve jashtë bankës dhe më pas kërkimin e shumave financiare sërisht tek banka, ku paratë ishin denoncuar.

Sipas akuzës, bashkëpunimi i tyre në këtë skemë mbetet vetëm një dyshim, por pritet që pas kryerjes së aktit të ekspertimit grafik dhe pyetjes së imtësishme të tyre, të hedhë dritë më tepër mbi këtë skandal.
 
Marëdhënia shoqërore
“Shqiptarja.com” ka mësuar se i prefekti i Lezhës Altin Jaku gjatë kohës kur ka shërbyer si drejtor banke zakonisht ka pasur marrëdhënie shoqërore ose familjare me klientët. Ai i ftonte ata që të depozitonin kursimet e tyre pranë bankës, dhe pastaj me pëlqimin e tyre, ose duke falsifikuar nënshkrimet e tyre, autorizon veprime për nxjerrjen e këtyre shumave jashtë bankës.

Ndërkohë që në vijim lëshon çertifikata depozite me të cilat garanton ekzistencën e shumave në llogaritë e klientëve. Nisur nga kjo situatë, banka ka kërkuar me ngulm nga ana e prokurorisë së Lezhës që të faktojë nëse lëshimi i çertifikatave të depozitës, është një lloj garancie që zoti Jaku u jepte klienteve, për të garantuar kthimin e shumave këtyre të fundit, edhe pse ata ishin në dijeni të faktit se këto shuma po përdoreshin prej tij,apo në të vërtetë klientët kishin bindjen e plotë se shumat e depozituara gjendeshin në llogari.
 
Mekanizëm i mirëmenduar
 
Në pretendimet që banka ngre në prokurori shprehet se: ”…është e qartë se vepra penale nga Altin Jaku është konsumuar me dashje të drejtpërdrejtë në bazë të një mekanizmi të mirë menduar dhe të aplikuar në disa raste. Edhe në rastin e dytë ashtu si në të parin, ku janë dëmtuar shtetasit Altin Baruti dhe Gjergj Kola ka vend të dyshohet se vepra penale është konsumuar në bashkëpunim, por ky fakt do të evidentohet pas kryerjes së akt-ekspertimit grafik, me anë të të cilit do të verifikohet autenticiteti i nënshkrimit të klientëve….”

Për rrjedhojë banka në cilësinë e denoncuesit të këtij skandali ka krijuar bindjen, se nga prefekti Altin Jaku, janë konsumuar veprat penale pasi nga ky i fundit janë përvetësuar shuma në mënyrë të padrejtë, duke u përpjekur që të ngarkojë me këto detyrime bankën, duke falsifikuar dokumentat bankare, çertifikatat e depozites, dhe duke shpërdoruar detyrën dhe besimin e bankës, njëherësh dhe klientëve. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 22 Dhjetor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)