Kryeministri Edi Rama është kthyer nga SHBA, ku ndodhej prej disa ditësh për vaksinën anti COVID, dhe ka shkuar për ngushëllim në familjen e 25 vjeçarit Klodjan Rasha që u vra nga efektivi i policisë. Rama ka qenë i shoqëruar nga Ministrja e Shtetit, Eliza Spiropali dhe deputeti Ulsi Manja.

Me anë të një postimi në rrjete sociale pak më parë, Rama ka shkruar se sot në orën 18.00 do të ndajë me të gjithë, qëndrimin e tij për vdekjen tragjike të të riut.

"Më në fund në Tiranë! Sot në 18.00 do të ndaj me shqiptarët qëndrimin tim për vdekjen tragjike të 25 vjeçarit nga efektivi i Policisë së Shtetit! Faleminderit paraprakisht kujtdo që do të gjejë kohën të më ndjekë në tv apo fb", shkruan Rama.

Rasha, është qëlluar nga polici reth orës 01:45 të mëngjesit të 8 dhjetorit në rrugën "Dritan Hoxha". Si pasojë e plagëve që ka marrë i riu ka ndërruar jetë në spital. Për këtë ngjarje efektivi është arrestuar dhe në dëshminë e tij, ka thënë se ka dashur ta ndalojë të riun pasi ka thyer orën policiore e jo ta vrasë, por sipas tij 25 vjeçari e ka kërcënuar dhe është larguar me vrap.

Për këtë ngjarje qytetarët dje kanë zhvilluar një protestë në Tiranë, e cila degradoi në dhunë. Policia ka arrestuar 3 organizatorët e protestës së dhunshme, kurse nën hetim në gjendje të lirë ka vënë 2 organizatorët e Durrësit! Në kërkim është këngëtari Arkimed Lushaj i njohur me emrin e artit Stresi dhe 7 protestues të tjerë. Nga protesta sipas policisë kanë mbetur të lënduar 16 efektivë.

Kryeministri Rama në familjen e të ndierit Klodjan Rasha

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:58
Flet për herë të parë e ëma e Klodjan Rashës: Ia dhashë vetë lekët e cigares dhe fjeta, në orën 4 të mëngjesit më thanë që ka vdekur

1607413392_klodianrasha2.jpg

2 ditë pas vrasjes së të birit për herë të parë ka folur për mediat edhe mamaja e 25-vjecçarit të vrarë nga polici mëngjesin e së martës.

Në një prononcim për Top Channel ajo ka thënë se ishte ajo vetë që i kishte dhënë lekët të dilte të blinte cigare. Ajo tha se ai kishte kartën e identitetit dhe telefonin, dhe se ai kishte dy hurma në dorë .

E ëma tha ka deklaruar se e ka parë momentin kur ai ka dalë po pastaj ka fjetur duke menduar se ai ishte kthyer, deri kur në orën 4 të mëngjesit i komunikuan se ai kishte humbur jetën .

E ëma tha se ai është më i urti dhe më i qeti nga 3 djemtë që ka, dhe nuk e imagjinon dot që të kishte armë, sepse përherë ka pasur frikë nga policia, dhe prandaj ajo mendon se kjo ka qenë arsyeja e panikut të tij. Ndërkohë që ai nuk kishte as maskë, pasi ajo thotë se ai shprehej shpesh se i merrte frymën.

Ora 15:04
Rama shkon për ngushëllim në familjen e Klodjan Rashës i cili u vra nga polici

Kryeministri Edi Rama ka shkuar për ngushëllim në familjen e 25 vjeçarit Klodjan Rasha i cili është vrarë më 8 dhjetor nga një polic në Tiranë. Rama ka qenë i shoqëruar nga Ministrja e Shtetit, Eliza Spiropali dhe deputeti Ulsi Manja.