Mjekët dhe personeli shëndetësor i Qendrës Shëndetësore Mamurras janë mbledhur këtë të hënë në protestë pranë institucionit ku ushtrojnë detyrën, lidhur me hetimin e nisur ndaj mjekes Anila Lleshi, pas vrasjes me thikë të 85-vjeçares në Fushë Mamurras.

Gjatë deklaratës së tyre, bluzat e bardha u shprehën në mbështetje të koleges së tyre, duke theksuar se ajo ka vepruar në përputhje me ligjin dhe procedurat mjekësore në fuqi gjatë plotësimit të dokumentacionit përkatës.

Në emër të stafit mjekësor foli mjeku Ardian Doçi, i cili kërkoi që rasti të trajtohet me profesionalizëm dhe objektivitet nga organet hetimore, ndërsa theksoi se personeli shëndetësor duhet të ushtrojë detyrën pa u ndjerë i cenuar nga situata që nuk varen prej tyre.

“Sot jemi mbledhur këtu për të bërë një deklaratë për një situatë shumë të pakëndshme, ku mjekes së familjes i është përlyer emri.  Në këtë deklaratë ne kërkojmë nga drejtësia që të zbulojë të vërtetën. Dhe kërkojmë që mos të përlyhet mjekja dhe asnjë nga ne. Ne nuk të kërkojmë këtë mënyrë se zakonisht njerëzit vijnë 3-4 ditë më vonë për të plotësuar një skedë të tillë”, tha mjeku Ardian Doçi.

Mjekja Anila Lleshi po hetohet në kuadër të procedurave që lidhen me plotësimin e dokumentacionit për vdekjen e një 85-vjeçareje, i cili dyshohet se eshte vrare me mjete preres thike nga vajza e saj me probleme te shendetit mendor, e arrestuar tashme nga policia.