Xhafaj, Bushati dhe lista me gabime e Lulit

Xhafaj, Bushati dhe lista me gabime e Lulit

Ka pasur dy drama të vogla që janë konsumuar në selitë e dy partive më të mëdha të Shqipërisë të hënën në darkë, teksa Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve priste listat e kandidatëve për zgjedhjet e 25 prillit. Drama e parë, parimore dhe me gjuhë të zhveshur, siç duhet jetë një debat për standartet brenda një partie. Ndoshta më e kufizuar seç duhet, por e drejtë dhe me vend për një parti të vitit 2021. Drama e dytë, ajo e një mish-mashi emrash e kartvizitash për t’u sistemuar në minutën e fundit, nën shenjën e frikës nga “kandidati numër 5” dhe nga të tjera fantazma që sillen rrotull në zyrën e Lulzim Bashës që nga dita që ka marrë në xhep çelësat e Partisë Demokratike.

Brenda dramës së parë të konsumuar në harkun e një mbledhjeje, ish-ministri i jashtëm Ditmir Bushati duket se ka pasur një shkëmbim të fortë verbal me kryetarin e partisë së tij, ndërkohë që ai dhe të tjerë nxirreshin nga listat e kandidatëve, në shkëmbim të një liste burrash e grash të mirë por disa herë edhe të panjohur, si dhe të disa ish-ministrave të LSI, që do të jenë thika në ijen e LSI gjatë fushatës elektorale.

Mediat kanë botuar gjerësisht kritikat e Bushatit, duke vënë gjithashtu në dukje spostimin e disave prej të fundit “socialistë DOC” të mbijetuar ndaj valës mavi që ka përfshirë PS-në e viteve të fundit. Xhafaj, Kodheli e ndoshta edhe Majko (si dhe disa të tjerë para tyre), janë projektuar që t’i bashkohen përjashtimit të Bushatit pas zgjedhjeve, për shkak të pozicionit të larguar në listën, ku fjala vjen, shndrit shumë shkallë më sipër emri i një farë Alqi Bllako, që duhet ta kërkosh në Google, për të kuptuar se cili është , nga vjen e çfarë bën.

Largimi i brezit të vjetër të socialistëve ka vite që ka nisur në PS-në e re. Mesa duket tani i erdhi rradha edhe gjeneratës së mesme, asaj të Ditmir Bushatit, që siç e tha vetë personi në fjalë, nuk futet as te rishtarët, as te senatorët. Ky fenomen mund ta bëjë partinë e Ramës me kompetitive në terren, mund të sjellë më shumë energji tek një pjesë e elektoratit, por ky është një bast që duhet provuar.

Largimi nga koka e listave i senatorëve, ul presionin mbi kandidatët në terren dhe jep idenë e një rinovimi brenda partisë. Shton gjithashtu angazhimin e figurave të njohura në parti për të shtyrë rekrutimin e votave dhe zgjuar bazën e fjetur nga tetë vite qeverisje.

Deri më sot Edi Rama ka ecur me moton se “fitimtari nuk gjykohet”. Madje me këtë devizë ka shmangur edhe zgjedhjet për poltronin e tij prej kohësh që s’mbahen mend. Një sjellje si kjo mund ta justifikojë vetëm ajo çka vetë Rama citohet t’i ketë thënë mbrëmë Bushatit në kryesi: Mund të na quash çfarë të duash, të gjitha këto që thua mund të jenë të vërteta, për sa kohë kemi këtë opozitë përballë, ne do të vazhdojmë të jemi këtu derisa të dalë një forcë e re që të na fshijë të gjithëve. Nëse kjo frazë është vërtetë e dalë nga goja e Ramës, nuk ka më nevojë për asnjë koment.

Lista që PS paraqet në zgjedhje është një hap i qartë drejt përpjekjes për t’u sjellë konform pozicionimit të kundështarit përballë. S’jemi të mirë, por këta janë më të këqinj se ne. Ky është një kriter reduktiv dhe i paplotë për një parti moderne që pretendon të ketë një vizion edhe për vitin 2030, por është një lëvizje që mund të justifikohet në funksion të zgjedhjeve, kur i hedh një sy dramës tjetër përballë, asaj të opozitës më të madhe, Partisë Demokratike.

Lulzim Basha pati një defekt të vogël teknik me listat që paraqiti në KQZ, në mesnatën mes të hënës dhe të martës. Dëshmi e një rrëmuje krejt të pajustifikuar emrash dhe pozicionesh, pasi opozita ka pasur katër vjet kohë të mendohet e të lëmojë listat e saj për zgjedhjet aktuale.

Lista e kandidatëve të Lulzim Bashës pasqyron në mënyrë perfekte autorin formal të saj, kreun e partisë. Një lider i dyzuar mes nevojës për të sistemuar aleatët, frikës ndaj Berishës dhe hijes kërcënuese të Ilir Metës. Ka futur në vende të sigurta në lista të gjithë krerët aleatë, të cilët deri më sot janë ç’mësuar totalisht të fitojnë beteja zgjedhore me vota, pasi emërohen deputetë nga PD sa herë që ka zgjedhje.

Shpërfillja ndaj Komisionit Nishani është një tjetër dukuri e shëmtuar e kësaj liste. Hyrja e Berishës në garë, apo përjashtimi i disa të tjerëve, kundrejt shkeljes së gjithçkaje për të cilën u krijua komisioni në fjalë nga Basha, tregon se Doktori, e bashkë me të edhe ata që i rrinë rrotull, vijon të mbetet një prani e kudondodhur edhe tetë vjet pasi Berisha ka ikur nga zyra e kreut të partisë. Një parti që nuk gjen forca të ndahet nga e shkuara e saj, është e destinuar të paguajë haraçin. Basha mesa duket s’e ka fare problem këtë gjë. Është mësuar me të qenit nën hije dhe ndjehet mirë aty.

Ndërkohë që Edi Rama dëshmoi dhe një herë se është në gjendje të ofrojë gjetje që tërheqin vëmendje, Lulzim Basha tregoi se s’ka mësuar thuajse asgjë që nga viti 2017. Lista e tij tregon koherencë dhe mungesë totale lëvizshmërie, vizioni dhe idesh. Zyrtarë partie të provuar tashmë edhe më parë, aleatë të lodhur dhe pak emra të rinj – lista e Bashës ngjan me një film të parë, e kjo nuk është një premisë e mirë për një parti që kërkon pushtetin.

PD ka ndërtuar një listë pak konkuruese për këto zgjedhje, ndërkohë që do t’i duhet të ruhet edhe nga aleati politik, por jo elektoral, LSI. Në kushtet e një gare ku secila nga dy partitë e tjera, PS e LSI, do të luftojnë deri në votën e fundit, lista e Bashës mund ta gjejë veten duke luftuar në dy fronte, e kjo është një rrethanë që do të konsumojë energji dhe vota. Pikërisht siç ishte e shkruar në planet e Ramës, i cili luftoi gjatë për një garë treshe për 25 prillin, e jo një betejë dyshe, me PS në njërën anë dhe një koalicion të madh opozitar në anën tjetër.

Ngritja e siparit të listave, e bën fushatën e prillit konkrete dhe të zbuluar. Tashmë llogaritë bëhen me emra realë dhe idetë janë më të qarta rreth rezultatit final. Pozita dhe opozita kanë lëvizur edhe një herë tjetër në markim të njëra-tjetrës. Kjo ka prodhuar lista të nevojshme, jo lista të mira. Çka ja ul që sot stekën pushtetit të nesërm, i cilitdo qoftë ai.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Visi: 09/03/2021 20:29

    Ka vetem nje problem. Ne te ashtuquajturen PS vendimmarja eshte e Rames. Ai eshte kryetari, partia, kuvndi dhe qeveria. Dhe kjo eshte humbja me e madhe tronditese ne keto 30 vite. Ne PD si duket ende nuk ka nje stad te tille. Per aftesi apo paaftesi te Bashes, sidoqofte, eshte tregues jo negativ. Taktika e "rinovimit" ku kreu eshte me keq se plaku Merre eshte njesoj si thote populli te lash ate me ate tjetren.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?