Ylli Pata: Pse të gjithë presin shtatorin! Ja ç’po ndodh në politikën shqiptare

Ylli Pata: Pse të gjithë presin shtatorin! Ja ç’po ndodh në politikën shqiptare

Sali Berisha, Ilir Meta dhe Edi Rama

Një nga politikanët më të njohur proeuropianë të Ballkanit, liberdemokrati serb Çedomir Jovanoviç, në një intervistë në Podgoricës, që u botua edhe në mediat shqiptare, e cilësoi Dritan Abazoviçin një “adoleshent politik të vonuar”. Sipas Jovanoviçit, kryeministri i Malit të Zi, ka treguar se “mungesën e pubertitetit në moshën e duhur po e kompenson tani”.

Një frazë simbolike për të vizatuar apo për të përhapur mesazhin e “pjekurisë politike” nga udhëheqësit e vendit.

E kur i kthehesh gjendjes në Shqipëri, natyrisht që as nuk ka një pikëtakimi qoftë edhe tangencial një symbol i tillë. Kjo pasi ne kemi sot e kësaj dite fenomenin e dominimit politik të adoleshentëve që trazuar gjithë vendin me sjelljen e tyre gjithë teka në vitet 90 kur nevojitej pjekuri e maturi e sot kur Shqipëria po tenton të lërë adoleshencën e tranzicionit, po përjetojmë fenomenin e “andropauzës politike”, pra atë të insistimit antidialektik të njerëzve që kanë pasur gjithëçka në këto 30 vjet, ku jo vetëm kanë hyrë të rinj e janë bërë gjyshër, por ajo që më e frikshmja është se 4 breza shqiptarësh janë rritur duke parë e përjetuar një kastë politike që riciklon vetveten e nuk largohet.

Edhe pse realisht janë politikisht në andropauzë, nuk kanë mundësitë dhe kapacitetet për t’i dhënë diçka vendit dhe të ardhmes së tij.

E tillë është edhe panorama e “Jurasiç Park-ut” shqiptarë të dinosaurve, të cilët pikërisht ngaqë nuk kanë kapacitetet, aftësitë, mundësitë dhe përkrahjen për të përfshirë vendin në një lëvizje rinovuese politike, po kërcënojnë çdo ditë për zhurma, prishje, “thyrje në mes” apo edhe veprime të tjera me pullë të kuqe, si një shenjë tipike andropauzike.

E në këtë atmosferë gushti, ku kemi përjetuar dy pamje të ndryshme: atë të paralajmërimit të mazhorancës për disa ndryshime ligjore që do të godasin Sali Berishën dhe Ilir Metën, si dhe kërcënimin e tyre se kjo do të shkaktojë revolucion, trazira, largim të Ramës dhe zgjedhje të parakohshme. E që si epilog do të kishim kthimin në qeveri të Sali berishës dhe Ilir Metës, të cilët e kanë bërë fakt të kryer, madje po japin në konferenca të përditshme shtypi se cilat do të jenë ato vendime që do firmosin në ditët e para të pushtetit.

Pra po flasin për pushtetin e nesërm, një pushtet që nuk do të jetë i kësaj mazhorance por i grupit që një pjesë është në opoizitë që në 2013-n, e një tjetri që është pa pushtet që nga 25 korriku i këtij viti.

Po realisht çfarë mund të ndodhë në shtator? Zhvillimi më i rëndësishëm është natyrisht amendimi i ligjit për bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit. Një akt politik i Kuvendit, i cili përveç polemikave të egra, kërkon edhe 84 vota në Kuvend, ngaqë do të duhet të ndryshohet Kodi Zgjedhor.

Pra, Partia Demokratike si grupi më i madh opozitar në Kuvend është para dilemës: të rrëzojë kërkesën e Autoritetit të Dosjeve, ku ka dy anëtarë të saj apo të mbrojë politikisht Ilir Metën.

Është realisht një “vijë teodosi” për opozitën e djathtë shqiptare, sidomos për atë pjesë që kërkon të kapërcejë Jurasic Park-un e specieve që i takojnë periudhës “përpara akullnajave”.

Ndërkaq, ka një tjetër nismë që është sjellë në Kuvend nga mazhoranca, e cila kërkon të largojë apo të ndalojë që të marrin pjesë në politikë personat e cilësuar “Non grata” nga SHBA dhe vendet e tjera të Perëndimit.

Të dyja nismat, duket më shumë si një provokim politik sesa një zhvillim real që mazhoranca të ketë përfitime politike. Madje, në interest ë PS-së është që ujrat tek opozita të jenë në këtë linjë, pasi çdo provokim e trazim mund të provokojë efekte të disallojshme.

Pastaj, duke mos pasur numrat, pra tre të pestat e Kuvendit për ta bërë një draft në ligj, duket si një veprim politik “trazovaç” dhe natyrisht i paparashikueshëm i mazhorancës. E këtu, nuk duket se po tentohet një veprim adoleshencial për t’ju kundërvënë andropauzës politike nga ana tjetër, por sipas gjasave, lëvizjet janë më të komplikuara se kaq. E këtu duket se edhe partnerët perëndimorë të vendit, duan një mbyllje të statusquo-së së rënduar 30 vjeçare në kastën politike të vendit.

Shqipëria, tashmë me nisjen zyrtare dhe formalisht të Negociatatve për Anëtarësim me BE-në, përfundimisht e ka mbyllur tranzicionin 30 vjeçar e po hyn në fazën e pjekurisë dhe stabilitetit të shtetit, politikës, zhvillimit ekonomik e financiar, por më me rëndësi të institucioneve shtetërore dhe nivelit të demokracisë.

Ky provokacion i shtatorit, nuk duket se ka arsye tjetër veçse për të vënë në lëvizje procesin e ndenjur të dialektikës politike në vend.

Opozita parlamentare që nuk është me Berishën dhe Metën, është para një prove të rëndësishme “zjarri”. E ka gjasa të kemi në shtator edhe prononcime nga partnerët perëndimorë të Shqipërisë. Pra gjasat, janë që në shtator realisht jemi para ndryshimi të madh. Por çfarë mund të ndodhë nëse opozita do të votojë për të mos larguar Ilir Metën nga politika? Sipas gjasave do të hapet e shpërfaqet më me hollësi dosja e tij në Sigurimin e Shtetit, por edhe dosjet e tjera që besohet se janë zbuluar që kanë shpëtuar pa lagur nga Komisionet “Mezini” e “Bezhani”. 

Një implikim më i thellë i politikës në këtë aferë, sidomos i opozitës do të sjellë vdekjen përfundtare të këtij substrakti e sipas gjasave lidnjen së shpejti të një opozite të re. Ndërkaq, sado zhurmë, si Berisha, ashtu edhe Meta, nuk do të munden dot të riciklohen, pavarësisht tentativave për të kaluar habitatin e Jurasic Park-ut shqiptar. Por gjasat, janë që të shikojmë edhe zhvillime të tjera më të vrullshme, të cilat mund të trazojnë debatin public, mund të zgjojnë e rrisin më shumë qëndrimin opozitar të njerëzve, por nuk mundet që të thyhet sistemi politik.

Në një Shqipëri zyrtarisht në negociata me BE-në, zgjedhjet janë ciklike, e ata të parakohshme ndodhin vetëm nëse një process politik në Parlament e provokon një zhvillim të tillë. Në një vend europian, zgjedhjet qoftë edhe të parakohshme janë mekanizmi thelbësor për shtysën politike të vendit, por natyrisht atë nuk e sjell asnjë aktor i vjetër i skenës politike. E në fjalëkryqin e shtatorit, që pritet të jetë mjaft zulmëmadh ende nuk është llogaritur një faktor që konsiderohet edhe më eksploziv siç është Prokuroria e Posaçme apo SPAK…

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Propozimi i Ramës për ligjin e ri për emigrantët në Britani, Spahiu: I vështirë, por nëse realizohet do ishte gjë e bukur dhe mbështetje

Propozimi i Ramës për ligjin e ri për emigrantët në Britani, Spahiu: I vështirë, por nëse realizohet do ishte gjë e bukur dhe mbështetje