Ylli Polovina: Si u shpik vajza e
Skënderbeut me emrin Vojsava

Ylli Polovina: Si u shpik vajza e<br />Skënderbeut me emrin Vojsava
Një libër për historinë e mbijetesës së brezave të familjes Kastrioti që prej tri vizitave të Skënderbeut në Itali e deri në ditët e sotme.  Studiuesi Ylli Polovina ngacmon sërish kureshtjen e lexuesve me librin e tij të ri “Pasardhësit e Skënderbeut, si u mbajtën fshehur”. Me fakte e analiza të burimeve mesjetare e autorëve të sotëm Polovina analizon disa çëshje mjaft delikate e të debatuara rreth pasardhësve të Skënderbeut dhe jep përshtypje  për disa çështje që kanë nxitur debate rreth kësaj teme.

Në treguesin e lëndës mund të ndalesh në disa nëntituj ngacmues si: Një monument i madh i Skënderbeut në Romë; Misteri i parë cili qe Lorenco Kastriota?; Kronikat regjistrojnë lojë politike;  Oliver Jens Schmitt; Drejt kurthit?; Isabella origjinale dhe një tjetër e dytë; Gjashtë muajt e parë të Gjergj Kastriotit në Itali, Kastriotët –Zogu, rivalitet i ngacmuar; Në Paris, mbi emrin e Gjergj Kastriotit tre S serbe; Nga se vdiq  Papa Pali II; Ku ndodhej Donika në dimrin e 1466-1467?; Si u shpik  vajza e Skënderbeut me emrin Vojsava? Qeveritari i lartë italian, një Kastriot i rremë, etj...
ylli polovina
(Foto/Ylli Polovina)

Si një ftesë drejt këtij libri ne kemi zgjedhur nënçështjen “Si u shpik vajza e Skënderbeut me emrin Vojsava?”, një analizë e gjatë që ngërthen shumë përpjekje falsifikimesh e shtrembërimesh. Gazeta do ta sjellë këtë analizë për lexuesit në dy numra, sot edhe nesër.
 
SI U SHPIK VAJZA E SKËNDERBEUT ME EMRIN VOJSAVA
Në Napoli është krijuar edhe një trillim tjetër.

Lexuesit, pa ia rrëfyer brendinë, ia bëmë të ditur atë kur treguam disa hollësi të pemës gjenealogjike të Kastriotëve të sjellë në zyrtarisht në Shqipëri prej Xhorxho Marias. Mes të tjerash atje Skënderbeu nuk kishte vetëm një djalë, Gjonin, por edhe një bijë. Emri i saj qe si dikur e gjyshja, Vojsava.

Ndërkohë në faqet e mëparshme të këtij libri tërhoqëm vëmendjen për një detaj: në apartamentin e Stefanisë dhe të Xhorxhos në Kazerta kishte adhurim të plotë për botimin e Karlo Padiliones “Di Giorgio Castriota Scanderbeg e de’ suoi discedenti”.
faksimile
(Foto/Faksimile e pemës gjenealogjike të Kastriotëve, ku shfaqet emri i vajzës së Skënderbeut, Vojsava)

Arsyeja pse ndodhte kjo, qe fare e kuptueshme: libri i Padiliones, i vetmi më i plotë dhe më popullori për gjenealogjinë e pasardhësve të Gjergj Kastriotit, e bënte degën e Napolit si kryesoren, të parën, çfarë donte të thoshte edhe trashëgimtaren e titujve, të pronave, të prestigjit dhe të fronit të Arbërisë së thirrur tashmë Shqipëri. Sipas atij autori degët e tjera kastriotase ekzistonin, por nuk kishin të drejtë të pretendonin këtë status.

Në cilat rrethana u zhvillua ky veprim i zhurmshëm që deri atëherë nuk e kishte munduar aq fort, të paktën në sy të botës, gjindjen e madhe të pasardhësve të Gjergj Kastriotit? Mos sepse qenë bërë një tufë edhe natyrshëm u shkaktua kundërveprimi për të bërë sa më shpejt seleksionimin apo sepse shtytëse ishin motive të tjera? 

Karakteristikë e këtij momenti (libri i Padiliones u botua më 1879) ka të bëjë me një sërë ndryshimesh gjeopolitike në gadishullin ballkanik, kur pas serbëve, grekëve dhe malazezëve, radha e shkëputjes prej Perandorisë Osmane po u afrohej shqiptarëve. Nga historia jonë ne e dimë që këtë kohë qe në evolucion të plotë një përpjekje masive e armatosur për pavarësim: Lidhja e Prizrenit. Periudha e veprimit të saj u shtri në vitet 1878-1881.

E nisur në 10 qershor, në qytetin e Prizrenit, me një tubim të 300 përfaqësuesve të të gjitha krahinave etnike, ajo qe përpjekja e parë, pas kryengritjes antiosmane të Skënderbeut, për t’i dhënë formë një shteti të mëvetësishëm shqiptar. Pati qenë lufta ruso-turke, e cila për pak sa nuk përfundoi me pushtimin, prej fuqisë cariste, të Edrenesë (18 janar 1878) dhe dhjetë ditë më pas të fshatit Shën-Stefan, në prag të Stambollit. Duke përfituar prej kësaj gjendjeje njësitë e armatosura serbe iu sulën Kosovës dhe shkuan gjer në Gjilan. Malazezët në 10 janar pushtuan Tivarin dhe më 19 janar, të nesërmen e hyrjes së rusëve në Edrene, morën Ulqinin. Një javë më vonë, thonë kronikat, ata dolën në brigjet e liqenit të Shkodrës dhe të lumit të Bunës.
libri i ylli polovines
(Foto/Kopertina e librit të Ylli Polovinës)

Shqiptarët, kudo ku ndodheshin, u vunë në alarm. Shpresonin të shpëtonin prej Turqisë dhe tashmë po binin nën një pushtim të ri, edhe më të egër. Por ato që u shqetësuan shumë nga revanshi rus dhe pragshpartallimi i Perandorisë Osmane qenë Fuqitë e Mëdha: Britania e Madhe, më së pari, për rajonin e Lindjes së Afërme dhe Italia e Austro-Hungaria për Ballkanin. Një armëpushim ruso-turk që përfundoi me Traktatin e Paqes të Shën-Stefanit (3 mars 1878), ia mori osmanëve tetëdhjetë për qind të zotërimeve të tyre në gadishull. Viset shqiptare qenë më të sakrifikuarat. Më shumë se një e katërta e tyre tashmë ishte gëlltitur prej fqinjit verior sllav.

Për ta rishikuar Traktatin e Shën Stefanit dhe zyrtarizuar zgjidhje të reja të rendit kontinental, për ta zhbërë këtë gjymtim të madh të fateve të disa popujve, u vendos që Fuqitë e Mëdha të mblidheshin në 13 qershor 1878 në Berlin, me një Kongres. Delegatët shqiptarë në kuvendin e tyre të Prizrenit u mblodhën tri ditë më parë, në 10 qershor. Kërkuan rikthimin e territoreve të shkëputura si edhe lirinë politike për të qenë autonomë.

Një mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e teta qe edhe periudha kur u nxit dhe u shkrua libri i Karlo Padiliones. Viti 1879, kur u botua, zhvillohej në trojet shqiptare luftë për të ruajtur hapësirën etnike nga njëra anë prej fqinjëve serbë e malazezë dhe nga ana tjetër prej osmanëve.

Një mijë e tetëqind e tetëdhjeta qe betejë sërish, në përballje me të dyja rreziqet. Ndeshja e fundit e armatosur e Lidhjes së Prizrenit dhe shtypja e saj nga Perandoria Osmane u krye në prill 1881.

Libri për gjenealogjinë e pasardhësve të Skënderbeut, “Di Giorgio Castriota Scanderbeg e de’ suoi discedenti”, doli në jetë kur, për të zënë një pozicion tepër strategjik në Ballkan, qenë Italia dhe Austrohungaria që së bashku apo veç e veç, u përpoqën të realizonin krijimin e shtetit të pavarur të Shqipërisë. Në një situatë të tillë, të paktën në rastin italian, aksioni i dëbimit të turqve dhe i pushtetit të tyre kërkonte një emër të përveçëm, i cili të kishte autoritetin e mjaftueshëm për ta udhëhequr luftën çlirimtare ose për ta administruar shtetin e ri që do të dilte prej kësaj beteje.

Të paktën për italianët cili mund të qe më i përshtatshëm se një pasardhës i Skënderbeut, ndërsa këta prej qindra vitesh jetonin aty dhe ishin nënshtetas të atij vendi?
Përveç të kaluarës historike të famshme këta garantonin edhe mbajtjen e një lidhjeje të fortë jo vetëm me Romën si kryeqytet i shtetit të tyre laik, por edhe me vetë Krishterimin, nëpërmjet Vatikanit.

Ndërkaq nuk qe veprues vetëm ky projekt i Perëndimit. Ishte edhe një i Lindjes, ku pretendenti do të dilte prej kthinave të Perandorisë Osmane apo, për një manovër më elastike interesash, edhe prej asaj egjiptiane, të mbretëruar nga një dinasti, asaj të Mehmet Aliut, me origjinë të njohur shqiptare.

Veç në Lindje funksiononte edhe një linjë tjetër, ajo sllave, e cila qe rrjetë që thurej në kryeqendrën e Rusisë cariste, në Shën Petërsburg. Kjo kishte dorë të gjatë të saj serbët. Pas vdekjes së Skënderbeut, mes jo pak përpjekjeve për ta bërë atë me origjinë jo shqiptare, por greke dhe sllave, nuk kishte qëndruar duarkryq edhe Mavro  Orbin, autor i një libri me mjaft autoritet tek kombësia e vet: “Mbretëria e sllavëve”.

Qe botuar në 1601 në qytetin italian Pesaro. I njohur në Perëndim me emrin Mauro ai pati lindur në qytetin e Kotorit, në një hapësirë mjaft të afërt dhe të pleksur me etninë shqiptare, sot territor i Malit të Zi. Emri i tij i pagëzimit qe Fran dhe kjo të bën ngasje të madhe të hamendësosh se duhej të ishte shqiptar.

Vetëm kur ky u bë pesëmbëdhjetë vjeç dhe hyri në urdhrin monastik Benediktin e shndërroi atë në një variant tepër të përhapur mes tyre: Mavro.

Në vitin 1599, me që në viset e tij nuk kishte shtypshkronja, shkoi në Itali për t’u kujdesur për botimin e librave të vet. Këtu vizitoi bibliotekën e dukës së Orbinos, ku mundi ta përhapte punën e tij edhe në sajë të ndihmës që i dha përkujdesësi i vet i pasur, Marin Bobaljeviç. Pas kësaj shkoi në Raguzë, ku jetoi deri sa vdiq.

Tashmë Mavro Orbin është vlerësuar si një shkrimtar pansllav dhe vepra e tij kryesore, cituar më sipër, mbetet një krijesë tërësisht ideologjike dhe e ngarkuar me mitologji sllave. Qe kjo arsyeja përse në 1723 libri i tij u përkthye në gjuhën ruse dhe u botua në Shën Petërsburg.

Kur filloi të formësohej shteti sllavojugor, ai i porsadalë dalë nga pushtimi osman dhe që ashtu, në kërkim të një hegjemonie ballkanike Serbia po hynte në shekullin e njëzetë, për të justifikuar përpjekjet shovene, me synim edhe tjetërsimin etnik të shqiptarëve, u mbështetën tek doktrina Orbin.

Qe ky momenti kur, për fat, përherë e më shumë u shtua numri i historianëve që filluan ta vlerësonin atë si të pasaktë.

Pikërisht ky Mauro ka qenë i pari dhe i vetmi mes kolegëve të tij të të gjitha kohërave, i cili ka sajuar historinë e vajzës Vojsava të Skënderbeut. Atij i duhej kjo shpikje vetëm ideologjikisht. Synonte të forconte në identitetin sllav të Gjergj Kastriotit dhe të dinastisë së tij e t’i jepte përparësi absolute, mbi atë arbëre, kësaj përkatësie etnike. Nënën e tij, Vojsavën, Orbin, pra i pagëzuari gjer në pesëmbëdhjetë vjeç me emrin e viseve tona Fran, e konsideronte tërësisht serbe dhe prania (e fantazuar) e një mbese me të njëjtin emër, do ta paraqiste jo si rastësi, por si një origjinë të vijuar, të vetëdijshme, ngulmuese, të themeltë e të shndërruar në rregull e traditë trashëgimi.

Të mos harrojmë se Mauro Orbin e dinte edhe atë që asnjë historian, madje edhe ajo e gjysmëshekullit realkomunist, nuk e ka mohuar dhe do të mjaftonte për t’i nxjerrë në pah, tek Kastriotët, gjakun e përgjysmuar mes shqiptarëve dhe serbëve. Vetë Gjoni, i biri i Skënderbeut (në këtë rast edhe i vëllai i motrës së sajuar), qe martuar me një serbe të mirëfilltë, bijë princi: Irenë Brankoviç.

Qe Karlo Padilione që e besoi tezën e Mauro Orbinit dhe e vendosi në librin e tij, Vojsavën fantazmë, në krye të pemës gjenealogjike. Duke shkuar pas historianit pansllav ai shkroi se kjo bijë e Gjergj dhe e Donika Kastriotit qe martuar me një sllav tjetër, princin malazez Stefan Cërnojeviçin, ndërsa dihet dhe është plotësisht e dokumentuar që me të vuri kurorë jo e bija e fantazuar, por e motra e Skënderbeut, Mara.

Veç e gjithë kjo përpjekje e Karlo Padiliones do të qe më e justifikuar sikur ai të mjaftohej me vetëm këtë pasaktësi,sepse tejngarkimi i identitetit të familjes Kastrioti me përkatësi serbe në ato momente, në 1879, kur në trojet shqiptare po luftonte pa u epur Lidhja e Prizrenit, nuk e ndihmonte aspak çështjen e pavarësimit shqiptar prej Perandorisë Osmane, edhe pse shtetit me kryeqendër Beogradin i voliste ato kohë nxitja e çdo kryengritjeje antiturke.

Mendojmë se Padilione më tepër se me theksim të qëllimtë lidhjeje politike sllave, ka synuar të zbukurojë origjinën e pasardhësve të Skënderbeut, saktësisht degës së Napolit, me sa më shumë lidhje familjesh të shquara fisnike. Këtë gjë mund ta kenë dëshiruar edhe ata që e kanë nxitur të shkruajë, të cilët prej kësaj përkatësie, kanë menduar se përfitojnë shkallë më të lartë fisnikërie.

Kur është përgatitur, shkruar dhe botuar libri “Di Giorgio Castriota Scanderbeg e de’ suoi discedenti” ishin në jetë, në moshë dhe autoritet të plotë, prej degës kastriotase të Napolit, Xhovani, markezi i Auletës, 32 vjeç si edhe Ferdinando, stërgjyshi i Xhorxho Marisë, me 54 vite jetë.

I pari, siç tashmë e dini, ka qenë tepër i qartë në pikëpamjet e tij proshqiptare si edhe në kulturën e vet ndihmëtare, por aspak ndërhyrëse dhe imponuese. I dyti, nuk ka lënë gjurmë si individ me ndikim të posaçëm.

Gjithsesi, qoftë edhe si ide periferike, nuk mund të përjashtohet që ky libër të jetë i porositur, i sponsorizuar, ose të paktën i nxitur, prej ndonjë përfaqësuesi të kësaj dege të Kastriotëve. Nuk kemi pse anashkalojmë edhe një shteg tjetër interpretimi: të jenë struktura shtetërore italiane ato që kanë ndërhyrë për llogari të maksimalizimit të influencës dhe të përfitimit prej ngjarjeve ballkanike.  Nuk ka sesi shpjegohet ndryshe që edhe enciklopedia e shumënjohur, Treçani, në edicionin e saj të vitit 1931, në kohën e lulëzimit të plotë të fashizmit në Itali, me autor Anxhelo Perniçe (Angelo Pernice), zërin “Kastriotët” e nis me fjalët “Familje princërore shqiptare e bërë e famshme nga Gjergji, zakonisht i quajtur Skënderbe...Bij të Gjergjit qenë Gjoni dhe Vojsava...”

Historiani i rëndësishëm italo-arbëresh Attilio Vaçaro në Kuvendin Ndërkombëtar “Giorgio Castriota Scanderbeg (1405-1468)”, të mbajtur në Universitetin Orientale të Napolit në 1-2 dhjetor 2005, e vlerëson librin e Padiliones si “me përmasa modeste..., por jo për këtë arsye i papërfillshëm”.

Por shtrembërimi i qëllimshëm i fakteve tek “Di Giorgio Castriota Scanderbeg e de’ suoi discedenti” nuk është kaq shumë i rëndë tek sajimi i Vojsavës bijë, por e përshkrimit të Akiles, birit natyral jashtëmartesor të dukës Ferrante, si të ligjshëm. Madje Karlo Padilione shkon edhe më tej në këtë punë të dyshimtë: Akilen e konsideron birin e parë mes gjithë djemve të tjerë.

Por kjo histori fëmijësh të ligjshëm dhe jo të tillë të nipit të Skënderbeut, Ferrantes, ka nevojë të shpjegohet që të mund të kuptohet plotësisht rrengu “napolitan” i vitit 1879.
 
Gjithçka që do të tregojmë nis në fillim pranverë të vitit 1468, kur pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, bashkëshortja e tij, princesha Donikë, e shoqëruar nga djali i vetëm, Gjoni trembëdhjetë vjeçar, si edhe disa vejusha komandantësh shqiptarë të rënë në luftë, kapërceu detin për t’u vendosur në Itali.

Ajo nuk po ikte si një emigrante që nuk do të rikthehej më në principatën e vet. Në atë pragpranverë po e kapërcente detin bashkë me princin trashëgimtar për ta vijuar luftën përkohësisht prej andej dhe në rastin më të parë për t’u rikthyer.

Kastriotët qenë një familje e vjetër autoktone, madje me lëvizshmëri të dukshme në hapësirën verilindore të arbërve, por si dinasti pushteti në trojet shqiptare zotëronin historinë e vetëm katër brezave.

Veç qenë një familje me etje të fortë për të ushtruar ndikim e qenë të parët, me vullnet të madh për t’i mbërritur synimet e tyre politike dhe pasurore, me këmbëngulje të papërmbajtur zgjerimi dhe me rregulla shumë të rrepta të ruajtjes të së drejtës së trashëgimisë.

Gjergj Kastrioti i pamartuar për një kohë të gjatë dhe çështja e kalimit tek pasardhësi i principatës së tij e sidomos i statusit të kryekomandantit të Lidhjes Shqiptare të Lezhës, qenë preokupuese për jo pak qarqe e individë të fortë të kohës. Dihet, pastaj, që kur martesa e vonë me Donika Arianitin e dha frytin e gëzuar të një djali (Gjoni lindi afërsisht në vitin 1455) ndodhi edhe tradhtia e madhe e nipit të tij, Hamzait, atij që pas vdekjes së të ungjit, në kushte të mungesës së një fëmije mashkull nga Donika dhe Gjergji, do t’i takonte kurora e Arbërisë.

Si ndodhi që më vonë, pas lindjes së shëndetshme të Gjonit, çifti princëror Kastrioti nuk bëri më fëmijë të tjerë, se e provuan por nuk ia dolën dot apo u mjaftuan me lindjen e parë, për fat një mashkull dhe jo femër, është një temë joshëse jo vetëm për historianët.

Sidoqoftë jeta e trembëdhjetëvjeçarit në atë ikje drejt brigjeve të gadishullit të Apenineve si edhe ajo e pasardhësve të tij meshkuj në Itali merr rëndësi të veçantë. Madje në tokat përtej detit e mbart këtë peshë edhe më të madhe se në trojet amtare. Në Itali dhe në Evropë Skënderbeu kishte një emër tepër të madh dhe familja e tij, pra trashëgimtarët, një vlerë shumë të posaçme për t’u përdorur qoftë edhe në mënyrë propagandistike në luftën e gjatë që kontinenti i krishterë po bënte kundër perandorisë osmane me fe zyrtare islamizmin.

Zhvillimet që ndodhën pas mërgimit të përkohshëm të familjes së Gjergj Kastriotit ishin të tilla që brenda një dekade pothuaj e shuan mundësinë e rikthimit të tyre. Megjithëse vetë Gjoni dhe të paktën dy nipër të tij dëshmohet se në krye të komandove të ndryshme të financuara e pajisura nga Republika e Venedikut apo Mbretëria e Napolit kanë rihyrë në Shqipëri për akte diversioni, kapje plasdarmesh apo edhe operacionesh të gjëra çlirimi, ajo ikje e pragpranverës 1468 kishte qenë pa rikthim.

Që prej këtij çasti familja princërore Kastrioti e vazhdoi jetën e saj larg trojeve të shqiptarëve dhe për fat të trishtë edhe larg lidhjeve e vëmendjes reciproke të dy palëve, duke krijuar kështu një nga gropat më të mëdha të kujtesës sonë kombëtare.

Në dy feudot që të atit ia kishte falur për shërbime të veçanta mbreti Ferdinand i Napolit, Gjoni nuk e humbi shkallën e fisnikërisë, por e vazhdoi: u quajt dukë. Në trashëgimin e titullit ai nuk pati asnjë problem: qe djalë i vetëm.

Problemet nisin më pas, ku fillon vërtet një labirint. Këtë e ka zhbiruar më mirë se kushdo prej studiuesve të familjes Kastrioti në tokat italiane Xhankarlo Valone.
 
(Vijon nesër...)

Shkrimi u publikua sot (21.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

I emëruar i Trumpit për emigracionin mbikqyri një valë deportimesh në të kaluarën

I emëruar i Trumpit për emigracionin mbikqyri një valë deportimesh në të kaluarën