Zbulohen dosjet e diktaturës për aktorët e njohur: Robert Ndrenikës iu arratis vëllai, Qirjaqi i divorcuar, Arbana komunist

Zbulohen dosjet e diktaturës për aktorët e njohur:  Robert Ndrenikës iu arratis vëllai, Qirjaqi i divorcuar, Arbana komunist

Robert Ndrenika

Publikohen disa dokumente të panjohura të nxjerra nga fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së që i përkasin vitit 1989 dhe bëjnë fjalë mbi një korrespodencë të disa institucioneve kulturore dhe artistike të Tiranës, si Teatri Popullor, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore, etj., me Komitetin e Kulturës dhe Arteve të kryesuar nga Alfred Uçi, lidhur me dekorimin me titullin “Artist i Merituar” apo “Artist i Popullit”, të 12 aktorëve dhe artistëve  të njohur të skenës dhe ekranit, si:  Margarita Xhepa, Reshat Arbana, Robert Ndrenika, Roland Çene, Shaban Hysa, Haxhi Dalipi, Dhimitraq Orgocka, Agim Qirjaqi, Ndrek Shkjezi, Alfons Balliçi, Fatos Haxhiraj dhe Ahmet Pasha. 

Të gjitha anët e panjohura të aktorëve dhe artistëve të njohur të skenës, ekranit dhe kinematografisë shqiptare, të shënuara në karakteristikat e tyre përkatëse që mbajnë firmën e drejtorit të Teatrit Popullor të asaj kohe, Muharrem Shtylla, nga biografia familjare që nga Lufta Nacionalçlirimtare dhe më pas, shkollimi, profesionet dhe puna që kishin kryer, rolet dhe pjesët ku ata kishin interpretuar, cilësia e tyre, e deri tek divorcet bashkëshortore, etj.

Dokumentet që po publikojmë në këtë pjesë të librit, i përkasin vitit 1989 dhe aty janë disa propozime të bëra nga Kryetari i Komitetit të Kulturës dhe Arteve të asaj kohe, Alfred Uçi, dërguar Komitetit Qëndror të PPSH-së, për dekorimin e një grupi prej 12 personash, (Margarita Xhepa, Reshat Arbana, Robert Ndrenika, Roland Çene, Shaban Hysa, Haxhi Dalipi, Dhimitraq Orgocka, Agim Qirjaqi, Ndrek Shkjezi, Alfons Balliçi, Fatos Haxhiraj dhe Ahmet Pasha), të gjithë artistë dhe aktorë të njohur të ekranit dhe kinematografisë shqiptare të atyre viteve por dhe më pas, të cilët kryesisht asokohe ishin të angazhuar me punë pranë Teatrit Popullor dhe gjithashtu jepnin mësim pranë Institutit të Lartë të Arteve në Tiranë.

Siç shihet dhe nga dokumentet në fjalë që është nxjerrë nga Arkivi Qëndror i Shtetit (Fondi 14, Ap, Struktura), propozimet në fjalë pasi janë përpiluar nga institucionet përkatëse, kryesisht Teatri Popullor, janë firmosur nga drejtori i atij institucioni, Muharrem Shtylla, dhe i janë dërguar Komitetit të Kulturës, të kryesuar nga Alfred Uçi, i cili karakteristikat përkatëse për çdo njërin prej tyre, i ka dërguar në sektorin përkatës të aparatit të Komitetit Qëndror të PPSH-së që asokohe mbulohej nga Enver Halili. Dhe më pas, pasi është bërë verifikimi i tyre, ato janë dërguar për miratim tek sekretari të Komitetit Qëndror të PPSH-së, Foto Çami, që mbulonte artin, kulturën dhe propagandë, gjë të cilën deri në vdekjen e Enver Hoxhës, e kishte mbajtur Ramiz Alia.

Për brezin e ri që nuk e ka jetuar atë kohë, theksojmë se karakteristika personale, ishte një dokument mjaft i rëndësishëm për çdo kuadër dhe prej saj varej shumë e gjitha puna dhe karriera e tij. Dy nga gjërat më të rëndësishme që nuk mungonin në asnjë karakteristikë kuadri, gjë të cilën do ta shohim edhe në dokumentin në fjalë, ishin: qëndrimi që kishte mbajtur gjatë Luftës Nacionalçlirimtare familja dhe a kishte pasur njeri të dënuar apo arratisur pas çlirimit. Ajo ishte pjesë e dosjes personale dhe mbahej në kasafortë nga dega e kuadrit e institucionit (që ishte e siguruar me hekura) dhe ajo shoqëronte nga pas kudo që mund të transferohej apo emërohej kuadri në punë të ndryshme. Po kështu, këto karakteristika përdoreshin edhe në raste dekorimesh, siç janë këto që po publikojmë. Karakteristika e kuadrit ishte një dokument që nuk para ndryshonte shpesh përmbajtjen e saj, me përjashtime të rralla kur personi pësonte gjëra tepër të rëndësishme në punën dhe jetën e tij.

Ajo që vihet re në këto karakteristika, është fakti që: edhe pse ato dërgoheshin për dekorim, aktorit të njohur, Robert Ndrenika (si dhe disa të tjerëve, si Alfons Balliçi), u janë shënuar edhe anët e “errëta” të tyre, ato biografike, si p.sh. ajo që vëllai i Ndrenikës, ishte arratisur nga Shqipëria në vitin 1961. Gjë e cila kurrsesi nuk mund të mbahej e fshehtë nga askush, madje as nga vetë Ndrenika, kur i duhej për të bërë biografinë e tij, e cila u kërkohej kuadrove herë pas here. Por duhet theksuar, se karakteristika e aktorit të famshëm, Ndrenika, është përpiluar me mjaft dashamirësi nga Alfred Uçi, gjë e cila solli dhe miratimin e saj dhe akordimin e titullit të lartë, “Artist i Popullit”. Pasi siç kemi parë edhe në dokumentet e tjera, ndaj Ndrenikës, ka pasur mjaft akuza, madje deri urdhëra për largimin e tij nga puna si aktor dhe dërgimin e tij larg Tiranës. Gjë të cilat i vinin për të vetmin shkak, vëllanë e arratisur, dhe “hija” e tij e ka rrezikuar shpesh herë karrierën profesionale dhe jetën e tij, por që Ndrenika mundi t’i shpëtonte vetëm në saj të punës, korrektesës dhe talentit të tij.

K A R A K T E R I S T I K E

 RESHAT HAMIT ARBANA – aktor

Ka lindur në Tiranë në vitin 1940. Origjina shoqërore, zanatçi individual. Gjëndja shoqërore, nënpunës. Është anëtar Partie. Banon në lagjen Nr. 5, Rruga “Kont Urani” Nr. 23.

Qëndrimi i familjes së tij gjatë Luftës Nacionalçlirimtare ka qenë i mirë dhe sot famnilja e tij mban qëndrim të mirë moralo-politik. Reshati mbaroi Politeknikumin “7 Nëntori”, punoi në NTASH, mallna, në fillim nga dhjetori 1959 deri në qershor 1959 si tornitor, dhe nga qershori 1959 e deri në qershor 1961, si normist po në këtë ndërrmarje.

Në këtë kohë filloi studimet për aktor në shkollën e lartë të aktorëve. Me mbarimin e shkollës në gusht 1965, deri në tetor 1972, punoi si regjizor dhe përgjegjës redaksie në Radio-Tirana.

Këta e pranuan kandidat partie dhe ka bërë stazhin e partisë në Uzinën Gjeologjike nga tetori 1972 deri në dhjetorin 1973. Pas kësaj date ka punuar në Radio-Televizion si regjizor deri në vitin 1974 dhe nga kjo datë punoi si aktor në Teatrin Popullor.

Është martuar me Afërdita Arbanën, punonjëse në Komisionin e Planit të Shtetit si ekonomiste. Familja e gruas mban qëndrim të mirë politik. Në legjislaturën e fundit është zgjedhur deputet në Kuvendin Popullor. Është komunist i përgatitur ideologjikisht dhe bën përpjekje të vazhdueshme për t’u thelluar në materialet e Partisë dhe të shokut Enver. Në format e edukimit në Parti, diskuton gjithmonë dhe ngre probleme për Teatrin.

Si aktor ka realizuar një sërë rolesh me cilësi të mirë artistike, si në pjesët “Komunistët’, “Përballë vetes”, “Vdekja e një komisioneri”, etj.

Krahas roleve në teatër, ka realizuar edhe një sërë filmash në Kinostudio dhe në RTSH.

Bën përpjekje për ngritjen e tij ideo-profesionale dhe është aktor i talentuar, gëzon simpatinë e kolektivit. Është Artist i Merituar.

Propozojmë që t’i jepet tituli “Artist i Popullit”

D R E J T O R I  (Muharrem Shtylla)   K A R A K T E R I S T I K E

   ROBERT PETRO NDRENIKA –aktor

Ka lindur në Tiranë në vitin 1942, banues në lagjen nr. 5, Rruga “Islam Alla”. Nr. 126.

Është me origjinë nëpunës i mesëm dhe gjëndje nëpunës.

Ka kryer Institutin e Lartë të Arteve për aktor në vitin 1964.

Qëndrimi politik i familjes së tij gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare, ka qenë indiferent. Tani është i mirë.

I jati i tij Petro, nga Vunoi i Himarës, para çlirimit ka shërbyer në Ministrinë e Financave. Nga viti 1945 deri në vitin 1948, shërbeu përsëri në Ministrinë e Financave. Më vonë ka punuar në Komitetin e Fiskulturës në Ministrinë e Shëndetësisë. Tani është në pension. Një vëlla i tij, inxhinier Topograf, në vitin 1961 është arratisur jashtë shtetit. E jëma, Krisafgjia, para dhe pas çlirimit deri sa doli në pension ka qenë arsimtare. Ka filluar punë në Teatër në vitin 1974.

Para se të vinte këtu, ka qenë aktor në Teatrin “Skampa” të Elbasanit.

Është një nga aktorët e talentuar të Teatrit Popullor dhe një nga aktorët më me rendiment.

Kontributi i tij është i madh në teatër dhe në film.

Është i përgatitur ideologjikisht dhe bën përpjekje të mira për t’u thelluar në materialet e partisë dhe të shokut Enver.

Gjatë viteve të fundit, veç kontributit të tij të ndjeshëm në Kinematografi, ka realizuar shumë role kryesore ne pjesët “Nata e dymbëdhjetë”, “Kështua të dua”, “Komunistët”, “Shi në plazh”, “Vdekja e një komisioneri”, role që janë mirëpritur nga spektatori dhe kritika letrare. Mban peshë të madhe në repertorin aktiv dhe është i papërtueshëm në punë. Ndihmon shokët më të rinj në realizimin e roleve që u besohen.

Për merita në punë, Presidiumi i Kuvendit Popullor, i ka akorduar titullin “Artist i Merituar”.

Propozojmë t’i jepet titulli “Artist i Popullit”.

20.1.1989

D R E J T O R I (Muharrem Shtylla)  K A R A K T E R I S T I K E

 AHMET QEMAL PASHA – aktor

Ka lindur në Shishtavec (Kukës) më 7.2.1948, banues në Lagjen Nr. 1. Rruga “Shyqëri Ishmi”, Pallati 32, Shkalla 1. Ap. 12.

Është me origjinë fshatar i varfër dhe nëpunës. Ka kryer Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1970.

Qëndrimi politik i familjes së tij gjatë Luftës Nacionalçlirimtare ka qenë indiferent, kurse tani është i mirë. I jati i tij punon si kamarier në Fier. Nënën e ka greke dhe ka ardhur në vëndin tonë në vitin 1944. Njerzit e nënës i ka në Greqi dhe korrespondon me ta. Edhe e ëma punon në NTUS në Fier. Ka filluar punë si aktor në vitin 1970.

Është aktor me të dhëna të mira profesionale dhe si i tillë i janë besuar shumë role kryesor të cilat i ka realizuar me nivel të lartë ideo-artistik. Mban peshë kryesore në repertorin aktiv të teatrit.

Detyrat i ka kryer mirë dhe me ndërgjegjie. Është i sjellshëm dhe i disiplinuar.

Drejton format e arsimit në Parti. Jep mësim prej vitesh në Institutin e Lartë të Arteve. Është dekoruar me medaljen “Naim Frashëri”

Për meritat e tij në punën krijuese, propozojmë t’i jepet titulli “Artist i Merituar”.

20.I.1989 D R E J T O R I (Muharrem Shtylla) K A R A K T E R I S T I K E

NDREK PALOK SHKJEZI aktor-pensionist

Ka lindur në Shkodër më 4. VI. 1922. Është me origjinë nëpunë i ulët dhe gjëndje nëpunës. Ka kryer arsimin 7-vjeçar. Nuk është i organizuar, ka filluar punë në teatër nga viti 1945, e deri më sot sa doli në pension.

Qëndrimi i familjes së tij ka qenë dhe është i mirë. Ka filluar punë në teatër në vitin 1945. Është ndër pionerët e parë të Teatrit Popullor. Prej vitit 1945 deri sa doli në pension në vitin 1988, ka realizuar mbi 90 role në teatër dhe kinematografi.

Ka realizuar role të ndryshme në pjesët tona dhe të huaja, është shquar veçanërisht si aktor i komedisë. Shquhet në realizimin e roleve të karaktereve.

Edhe tani që është në pension, ai punon veçanërisht me rolet në kinematografi. Për merita në punën e tij Presidiumi i Kuvendit Popullor i ka akorduar Medaljen e Punës dhe Urdhërin “Naim Frashëri”.

Duke u mbështetur në aktivitetin e tij të gjerë cilësor, propozojmë t’i jepet tituli “Artist i Merituar”.

20.I.1989 D R E J T O R I (Muharrem Shtylla) K A R A K T E R I S T I K E

FATOS ZIRAHUDIN HAXHIRAJ – Regjizor

Ka lindur më 1943 në Tiranë. Është me origjinë zanatçi individual dhe me gjëndje nëpunës. Ka kryer Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1963.

Qëndrimi i familjes së tij gjatë Luftës Nacionalçlirimtare ka qenë i mirë. Nuk ka pasur njeri me armikun, apo me organizatat tradhëtare, nuk ka njeri të dënuar apo të arratisur. Xhaxhai dhe daja i tij kanë qenë në rradhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare.  Nuk është i organizuar.

Ka filluar punë në teatër në vitin 1968 si aktor dhe në vitin 1982 është emëruar si regjizor i teatrit.

Detyrat e ngarkuara është përpjekur që t’i kryej mirë.

Gjatë kësaj periudhe ka pasur role në shfaqje teatrale. Rolet që i janë ngarkuar është përpjekur që t’i realizojë me nivel të mirë artistik.

Si regjizor, ka vënë në skenë disa pjesë me nivel të mirë artistik, si nga dramaturgjia kombëtare ashtu dhe nga ajo e huaj, si “Karavidhet”, “Pas provimit të fundit, “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, “Nesër është vonë”, etj., nga dramaturgjia e huaj, “Vdekja e një komisioneri”, “Zbutja e kryeneçes”, etj.

Është punëtor i zellshëm dhe i disiplinuar. Bën përpjekje të vazhdueshme për ngritjen e nivelit ideo-profesional.

Jep mësim në Institutin e Lartë të Artve. Propozojmë t’i jepet tituli “Artist i Merituar”.

 20.I.1989 D R E J T O R I  (Muharrem Shtylla) K A R A K T E R I S T I K E

AGIM SOTIR QIRJAQI – aktor
Ka lindur në Tiranë më 27 janar 1951, banon në Tiranë në Lagjen Nr. 1. Rruga “Labinoti”, pallati i oficerave, shkalla 2. Ap. 62.  Ëshjtë me origjinë shoqërore fshatar i mesëm, i reformës së Pushtetit Popullor dhe në gjëndje nëpunës.

Ka kryer Institutin e Lartë të Arteve për aktor në vitin 1972. Qëndrimi i tij gjatë Luftës Nacionalçlirimtare ka qenë dhe është shumë i mirë. I jati i tij ka përqafuar Lëvizjen Nacionalçlirimtare që në fillimin e saj. Është anëtar i Partisë që në vitin 1942. Pas çlirimit ka punuar gjithmonë në organet e Drejtësisë. E jëma ka qenë gjithmonë punëtore. Tani që të dy janë në pension.

Ka qenë i martuar por në vitin 1982 u nda dhe tani ka një fëmijë.

Ka filluar punë në teatër në vitin 1972. Më pas në vitin 1978 punoi si regjizor në RTV. Pastaj vjen përsëri në teatër në vitin 1982.

Është nga aktorët të talentuar të teatrit dhe mban peshën kryesore në repertorin aktiv. Rolet e realizuar prej tij kanë qenë në nivel të mirë artistik. Ka dhënë kontribut të ndjeshëm dhe në kinematografi.

Bën përpjekje për ngritjen e tij ideo-profesionale. Është serioz dhe kërkues në punë. Është pedagog në Institutin e Lartë të Arteve.

Është dekoruar me Urdhërin “Naim Frashëri” të Klasit të II-të.

Për merita në punë, propozojmë që t’i jepet tituli “Artist i Merituar”.

20.I.1989 D R E J T O R I

 (Muharrem Shtylla)

Memorie.al

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Beni: 25/05/2020 15:45

    Keta jane artiste te medhenj qe po te ishin jashte shtetit do kishin bere miliona,,,por prape eshte mire per neve popullin shqiptar te kemi pasur prane nesh ne ditet tona te veshtira keta artiste te medhenj,,i shprehim me qindra here falenderimet tona ketyre njerezve te medhenj qe na e zbukuruan jeten..aktoret e rinj duhet te ecin ne rrugen e ketyre aktoreve....

    Përgjigju
  • Lui: 25/05/2020 15:36

    Shikoni tani kur te ngrihen nje tufe langaraqesh dhe te sulmojne Reshat Arbanen dhe keta te tjeret qe aderonin ne parti atehere..

    Përgjigju
  • tirana: 25/05/2020 14:21

    Paska qene Qen i Rrahur!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Deputeti i LDK: Veprimet e qeverisë Kurti, e kanë kthyer presionin e Perëndimit ndaj Kosovës

Deputeti i LDK: Veprimet e qeverisë Kurti, e kanë kthyer presionin e Perëndimit ndaj Kosovës