Zbulohen përsëri armë dhe uniforma ushtarake në veri të Kosovës, Sveçla: Uniforma britanike e amerikane, skenar ogurzi për të fajësuar dhe shtete të tjera!

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se gjatë një bastisjeje të kryer në pjesën veriore të Kosovës sot, më 3 Dhjetor, janë gjetur armë, municione e pajisje të tjera ushtarake.

Ai ka publikuar edhe një video të armëve që u sekuestruan në rrjetin social Facebook, duke shpjeguar se ishin fshehur në një ahur, duke mos bërë të ditur se në cilin vend u kryen bastisjet.

“Përveç uniformave të ushtrive të Serbisë dhe Rusisë, në këto dëshmi shihen uniforma të ushtrive të Shteteve të Bashkuara dhe asaj britanike dhe ky fakt shpërfaq planet dhe skenarët ogurzi për të kryer krime e sulme dhe për të fajësuar shtete të tjera”, shkroi ai.

Ministri theksoi se kushdo tenton të cënojë rendin kushtetues dhe sigurinë e vendit, nuk do t’i ikë ndëshkimit.

“Ky është municioni, armët dhe uniformat që janë gjetur sot gjatë nje bastisjeje në veri të vendit. Këto të gjitha janë gjetur të fshehura nën një ahur. Çdokush që tenton të cenojë rendin kushtetues, sigurinë e vendit, nuk do të mund t’i ikë ndëshkimit. Republika e Kosovës, forca e ligjit të drejtë në shtetin tonë demokratik do të ngadhënjejë”, shprehet Sveçla.

Që nga sulmi me mjete plasëse në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok më 29 nëntor, autoritetet e Kosovës po kryejnë bastisje në pjesën veriore të shtetit, të banuar me shumicë serbe. Gjatë bastisjeve, Policia e Kosovës ka njoftuar se ka sekuestruar lloje të ndryshme armësh, pajisjesh ushtarake dhe uniforma.

Po ashtu, nga dhjetë të shoqëruarit në Polici, si të dyshuar për përfshirje për shpërthimin në Ibër-Lepenc, dy nga ta janë dërguar në paraburgim për një muaj. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha më herët gjatë 3 dhjetorit se në bastisjet e kryera në veri, kanë gjetur, ato që ai i cilësoi si “elemente ruse”.

Kosova ka fajësuar Serbinë për shpërthimin në Zubin Potok, por Beogradi ka mohuar përfshirjen në sulmin, të cilin e ka dënuar dhe ka thënë se do ta hetojë. Shpërthimi ndodhi më 29 nëntor në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut – komunë me shumicë serbe në veri të vendit. Policia e Kosovës ka thënë se sulmi është kryer me lëndë shpërthyese deri në 20 kilogramë.

Sulmi në Zubin Potok është dënuar ashpër nga faktori ndërkombëtar. Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

A.Q/S.Ç/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    2 Dhjetor, 20:45

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?



×

Lajmi i fundit

AMA apel prindërve dhe adoleshentëve: Kujdes ndaj sfidës së 'Superman' në TikTok! 20 adoleshentë përfundojnë në spital

AMA apel prindërve dhe adoleshentëve: Kujdes ndaj sfidës së 'Superman' në TikTok! 20 adoleshentë përfundojnë në spital