Zbulohen dokumentet e panjohura të Fishtës në Romë, Bosnje e Kroaci

Zbulohen dokumentet e panjohura të Fishtës në Romë, Bosnje e Kroaci

Gjergj Fishta

Pas kërkimeve të jashtëzakonshme në Arkivat e Romës në Bosnje dhe në Kroaci, studiuesja e njohur Blerina Suta ka zbuluar fakte që hedhin dritë në jetën dhe veprën ende të panjohur të At Gjegj Fishtës.

Ajo ka zbuluar poezinë e parë të At Gjergj Fishtës dhe një dëftesë të Universitetit të Livnos që e prezaton poetin dhe klerikun e njohur si student të shkëlqyer. Poezia e parë e Fishtës, “Al valente poeta sig.Silvie Strahimir Kranjčević, dedikuar poetit të madh lirik kroat, që Suta e ka zbuluar në Muzeun e Sarajevës, të shkruar në vitin 1892 hedh poshtë tezën e Vehbi Balës që cilëson të parën poezi “E popullit”, botuar në “Albania” të Konicës.


Dy dorëshkrimet. Poezia e Fishtës kushtuar S. S. Kranjčević-it (Al valente poeta sig. Silvie Strahimir Kranjčević, 12.XII.1892)

Edhe dëftesa me nota flet shumë... Vetëm nëpërmjet një dëftese ne zbulojmë lehtësisht sesa e ndriçuar ka qenë mendja e Fishtës, por edhe shpirtin e tij rebel. Në shkollat ku edukohet një klerik i ri, ky karakter do t’i kushtonte Fishtës “një mjafueshëm” në sjellje në mesin e të gjitha vlerësimeve shkëlqyeshëm. Suta, Fishtën dhe poetin kroat Kranjčević, të cilit i dedikohet poezia i quan “dy shpirtra rebelë në malësinë e Livno-s”.


Strahimir  Kranjčević-i gjatë periudhës së Livno-s, veshur me kostum kombëtar kroat.

Blerina Suta njihet për kërkimet e pazakonta. Ajo ka bërë disa studime, ku në njërin prej tyre ka zbuluar edhe faqe të panjohura nga vepra gati pesëshekullore e Budit. Kërkimet dhe studimet për Fishtën nga Suta nuk bëhen për herë të parë. Para këtyre zbulimeve të reja, zonja Suta ka bërë edhe një studim tjetër kërkimor “Eposi i At Gjergj Fishtës përball eposit të shkrimtarëve romantikë sllavo-jugor”.

Libri i ri “Hulumtime mbi veprën” e Át Gjergj Fishtës” (Onufri 2018), që sapo ka dalë në dritën e botimit nga “Onufri” flet me gjuhën e përpiktë të sudiueses, ku një pjesë e dokumenteve janë dëshmi të rralla që plotësojnë profilin e klerikut dhe poetit Kombëtar At Gjergj Fishta.



Suta ka rrëfyer në një intrevistë për “Shqiptarja.com” se me pjesën e tjetër të arkivave do të botojë një libër tjetër për Fishtën. Për të zbuluar Fishtën e vërtetë, duket se Suta ka ende punë për të bërë. Materialet i ka gjetur duke kërkuar në burime të panjohura ose pjesërisht të përmendura arkivore në Sarajevë: Guča Gora, Kraljeva Sutjeska e Livno; Romë: Arkivi Historik i Urdhrit Françeskan; etj.

Këto arkiva sipas studiueses “plotësojnë atë pjesë të profilit krijues të Fishtës trajtuar pak ose sipërfaqshëm prej kritikës, por (sidomos) japin mundësinë e leximit sipas këndit të privilegjuar të fakteve, të disa aspekteve të aktivitetit letrar të Fishtës, vështruar sipas erërave politike të çastit.”, thotë Suta. Për studiuesen e njohur, rrimarrja në dorë e atyre materialeve vjen prej bindjes se ende nuk është bërë sa duhet për të ndriçuar një nga profilet më të qëndrueshme dhe komplekse letrare të Shqipërisë së gjysmës së parë të shekullit XX.


Blerina Suta

Intervista
Cila ishte e panjohura për Fishtën që ju nxiti për kërkime të mëtejshme?

-Kërkimet e mia për Fishtën që datojnë që në 2004-n,​kohë e doktoraturës sime në Universitetin La Sapienza të Romës u plotësuan në këtë periudhë të fundit me një sërë dokumentash të hulumtuara në arkivat historikë të fretërve minorë si dhe në arkiva të ndryshme romane. Profesorët e mi të dy kroatë, profesor Matvejević dhe  Jerkov, më ​dhanë mundësinë të shkoj në Kroaci dhe në Bosnje  për kërkime mbi arealin ballkanik të romantizmit, konteksti i duhur ku mund të ndërfutet poetika e Fishtës.

U diskutua gjatë promovimit një poezi, për të cilën Fishtën e kanë keqkuptuar si tekst?
-Në fakt aty atë sallë u diskutua për dy tekste poetike të Fishtës, fillimisht për tekstin kushtuar poetit më të madh lirik kroat Silvije Strahimir​ Kranjcevic ( Al valente poeta sig. Silvie Strahimir Kranjčević, 12.XII.1892) dorëshkrim autograf që gjendet në Dhomën Muze kushtuar Kranjčević-it në Sarajevë. Kjo poezi e shkruar nga Fishta në gjuhën itali​ane,  zhvendos disa vite më përpara datën e poezisë së parë që njohim prej poetit. Analiza që i bëra këtij teksti më çoi natyrshëm drejt hipotezës se “Një lule vjeshtet” botuar për herë të parë në 1909-n te “Pika voëset” i kushtohej pikërisht Kranjcevicit që vdiq parakohe në një vjeshtë të vonë të 1908-s (saktësisht më 29 tetor 1908)disa muaj para se botimit të këtij vëllimi.

Sa vjeç ishte kur ndërroi jetë?
-Ka qenë 45 vjeç kur vdiq, ndërsa kur u njoh me Fishtën ai ishte 27 vjeç e Fishta 21. Kanë qenë shumë miq. Kanë ndarë pasionin për poezinë, deri edhe tek pasionin për fotografinë. Ata kishin një aparat fotografik dhe bënin fotografi amatore, siç thonë studiuesit e Kranjčević-it. Sigurisht hipoteza nuk lidhet vetëm me përputhjen e kohës së ngjarjes së vdekjes së Kranjčević-it me atë të shkrimit të poezisë.

Të dhëna të tjera që kanë të bëjnë me historinë e dorëshkrimit krijojnë gjasat që mund të bëhet fjalë për të njëjtin tekst: nga njëra anë e dhëna e Volajt që flet për humbje të origjinalit të poezisë, dhe nga ana tjetër përmendja nga kritika boshnjake e faktit se Fishta kishte derguar një poezi në gjuhën shqipe në dhomën muze të mikut të tij të pafat pas vdekjes. Pikë së treti, shenjat e pranishme në tekst i japin gjasë hamdendjes se profili njerëzor dhe poetik i Kranjčević-it është aty i pranishëm.

Cilat kanë qenë më saktë interpretimet e ndryshme rreth kësaj poezie?
-Objekti poetik i këtij teskti është bërë burim diskutimesh që luhaten nga rrafshi i hipotezës për një vehtje fizike deri në rrafshimin e hipotezës për një vehtje morale dhe ideale: A. Plasari, V. Volaj, S. Hamiti, A. Xhiku, K. Shala, për të përmendur vetëm disa prej tyre. Madje Plasari shkon në kërkim edhe të “asaj”. Eshte forma e përkryer poetike e këtij teksti që lejon dhe kërkon prerje të reja interpretuese

Fishtën e kanë akuzuar edhe për shovinizëm?
-Mendoj se janë persona që nuk e njohin, ose  e kanë lexuar në lente të shtrembëruar ideologjike veprën e Fishtës. Duke njohur disa anë të personalitetit të tij, falë materialeve arkivore burimore, mund të pohoj se bëhet fjalë për një profil të qëndrueshëm si në pikpamje të raportit me thelbin e qenësinë kombëtare, ashtu edhe të raportit me tjetrin, duke u shfaqur si një figurë e vlerave universale. Mendoj se Fishta paraqet cilësi të një personaliteti me frymëmarrje mjaft të gjerë. 

Çfarë tjetër keni zbuluar në arkivat e Bosnjes?
Materialet arkivore të Bosnjes përfshijnë dëftesat e formimit nëntëvjevjeçar të Fishtës në tre nivelet e shkollimit të tij atje, përveçse letërkëmbimeve që ndriçojnë formimin e tij, librat që lexoheshin në ambjentin kulturor ku jetoi Fishta.  Në Livno-n e kohës kur studionte Fishta kishte dhomë leximi, biliotekë qyteti ku lexoheshin Herder, Cantu të përkthyer në gjuhën kroate, teoricienë të rolit të gjuhës popullore në ndërtimin e kombit. Zbatimi i këtyre teorive është i prekshëm në veprën epike të Fishtës.

Pashë se në studimin tuaj kishte edhe një listë me studentët shqiptarë.
-Sigurisht: për disa vite rresht rishtarët shqiptarë formoheshin në provincën e Bosnjes që në atë kohë ishte nën qeverisjen austro-hungareze.Fishta ishte ndër më të shkëlqyerit e brezit të tij prej gjashtë studentësh siç e tregon vjetari i françeskanëve gjatë vitit të dytë të studimeve në Livno, ku flitet për ligjëratën akademike të fratit të ri.

Cili do të jetë studimi i radhës me materialet që ju keni mbledhur nga arkivat e huaja për Fishtën?
-Ka një sërë letrash të Fishtës që zbulojnë aktivitetin tij gjatë periudhës midis dy luftrave Botërore, mjaft të rëndësishme për t’u dhënë përgjigje edhe akuzave që janë bërë për shovinizëm Fishtës e më gjerë. Fishta është një personalitet kompleksiteti i të cilit nuk mund të studiohet në këndvështrime të ideologjizuara. Me siguri, zbardhja e plotë e sasisë së materialve arkivore të Romës mund të hedhë dritë të mëtejshme edhe për arsyet e vërteta të akuzave që i janë bërë Fishtës.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

5 këshilla si të shtroni tryezën për Krishtlindje

5 këshilla si të shtroni tryezën për Krishtlindje