Zef Staku/Poeti shkodran, që
komunizmi e dënoi me vdekje

Zef Staku/Poeti shkodran, që<br />komunizmi e dënoi me vdekje
Në gamën e gjerë të shkrimeve studimore të Mentor Qukut, ndarë nga jeta me 1 qershor 2014, në arkivën tonë ruajmë edhe këtë shkrim të përgatitur prej tij 5 vjet më parë, kushtuar një poeti dhe përkthyesi të veçantë nga shkodra Zef Staku, i cili pati , për fat të keq, një jetë të vështirë mes burgut e persekutimit komunist.

Ai qe dishepull i Mithat Frashërit, Lec Kurtit dhe mik i profesor Prenk Kaçinarit dhe i profesor Mustafa Dervishit. Mbas luftës përjetoi pasojat e regjimit komunist, i cili e torturoi dhe e detyrojë të kalojë mbi 17 vjet në qelitë e burgjeve.
Më poshtë e sjellim për lexuesit tanë këtë shkrim të studiuesit të ndjerë dhe ish –bashkëpunëtorit tonë të vyer Mentor Quku, duke kujtuar njeherazi edhe bashkëpunimin tonë me të.
 
Poeti, shkrimtari dhe përkthyesi i talentuar, Zef Staku lindi më 9 shkurt 1922 në një familje shkodrane qytetare, me tradita atdhetare. Që në rininë e tij u shqua për talentin letrar dhe formimin atdhetar. Tradicionalisht të parët e tij njiheshin brez pas brezi si gjëndistarë të kostumeve kombëtare. Prej tyre Zefi trashëgoi shpirtin poetik, dhe talentin prej shkrimtari. Njihet në Shkodër, si i riu që, më 20 korrik 1941, së bashku me një grup studentësh, hartoi protestën drejtuar rektorit të jezuitëve të Shkodrës, kundër Cordignanos, për shkrimin e tij poshtërues ndaj kombit shqiptar.

Më 7 maj 1942 botoi revistën antifashiste, Zani i Lirisë, e para në llojin e vet në Shqipëri. Më vonë kjo revistë do të vazhdojë me emrin Grupi 28 Nandori dhe më tej me emrin Robni o Liri. Në të tre këto revista ai botoi poezi e artikuj me temë lirimin kombëtar. Qe dishepull i Mithat Frashërit, Lec Kurtit dhe mik i profesor Prenk Kaçinarit dhe i profesor Mustafa Dervishit. Mbas luftës përjetoi pasojat e rregjimit komunist, i cili e torturoi dhe e burgosi dy herë, herën e dytë e dënoi me vdekje, dënim i cili iu kthye me 20 vjet. Mbas daljes nga  burgu u martua me shkrimtaren Lajde Staku, me të cilën pati një bashkëpunim të gjatë.

Njohës i mirë i disa gjuhëve të huaja. Së bashku botuan vëllimin me përralla për fëmijë Prrallat tona. Ka shumë vepra në dorëshkrim, origjinale dhe përkthime, të cilat presin të botohen. Në mes të cilave përkthimi nga rusishtja e Eugjeni Oniegin kryevepër e Pushkinit, si edhe Lusiadet, kryevepër e shkrimtarit poertogez Kamoensit. Para se të vdiste ai i fali publikisht të gjithë ata që i kishin bërë keq, dhe la si amanet që në gurin e varrit të tij të shkruhej epitafi: “Kam një amanet o Perëndi, të lind sërish në Shqipëri” Vdiq më 20 prill 2001, duke lënë dy vajza e dy djem, si dhe një emër të madh, I cili do lartësohet në një të ardhme të afërtë.

Kam patur fatin që, në pleqërinë e tij, ta njoh për së afërmi, e në mënyrë të veçantë trashëgiminë e tij letrare, e cila pothuaj është e tëra e pabotuar. Po japim një shkrim të Zef Stakut, kushtuar poetit më të madh portugez Luis Kamoens (1524-1580). Krahas tij, edhe një fragment nxjerrë nga kryevepra e Kamoens-it, poema “Lusiadet”, përkthyer po nga Zef Staku, i cili ndofta është përkthimi i parë i veprës së tij në gjuhën shqipe. Përkthimi është bërë me rastin e 390 vjetorit të botimit të “Lusiadëve”, por që n’atë kohë nuk iu botua si një ish i burgosur politik që ishte.

Ndërsa biografia e Luis Kamoens-it është shkruar nga Zef Staku me drejtshkrimin standart, poema “Lusiadët” është përkthyer me dialektin e gegërishtes.

Kamoens-i është një autor pak i njohur në Shqipëri, megjithëse me famë botërore. Po ashtu edhe Zef Staku është një poet i shuar në heshtje dhe i mbetur në hije. Sa ishte i ri u hodh në luftën për lirim, më pas e kaloi rininë në burgjet komuniste, i papërkulur dhe intranzigjent në idetë e tij kombëtare dhe demokratike. Staku, ashtu si Kamoens-i,  kaloi rreth 17 vite në burgjet e diktaturës. Bëri shkollën e mesme në jezuitët ku mori kulturë klasike. Zgjodhëm për botim fragmentin që po botojmë sepse i shkonte natyrës dhe ideve të tij kombëtare.

Staku ka bërë të vetin divizën e Kamoens-it, se atdheu duhet mbrojtur nga pushtuesit e huaj, por edhe prej vendasve servilë e të pabesë. Fragmenti i kushtohet heroit shumë popullor në Portugali, Nun Alvares-it. Strofa e parë fillon me një antitezë të fuqishme. Paraqitet portreti i heroit portugez me ballin madhështor, pa e njohur frikën, me dorën ngritur mbi shpatën e tij. Ai sulmon gjithë ato portugezë që kishin poste, tituj dhe dekorata, por që ia kishin me të pabesë atdheut, që i serviloheshin dhe i shërbenin të frikësuar pushtuesit. Pesë strofat e tjera, gjithsej katërdhjetë vargje, mbërthyer mes thonjëzave, japin fjalimin plot dinjitet të Alvaresit, i cili lexohet kështu:

“Po çfarë! Vallë, a ka Portugalia bij të padenjë që i mohojnë asaj luftërat dhe gjakun e derdhur për ta mbrojtur nga pushtuesit? Po çfarë! Vallë, portugezi i cili, dikur, flamurit, i fali lavdi në luftë, sot do të përfundojë me turp? Sot, i robëruar, do të vrapojë të qëndrojë nën pushtetin e Kastiljanëve? Mos vallë u shuan sot, besa, guximi e dashuria, që, kohë më parë, i pat  ky popull trim.

Nuk keni lindur ju nga ata bijtë e Marsit, bij luftëtarë, që dikur, në Valdeves, nën komandën e Enrikut, sulmuan po këta Kastiljanë dhe i bënë urë nën shigjetat e hidhura, që i zhgulën hordhitë e kastiljanëve dhe i shpërndanë ata nëpër gërxhe, që ua morën flamurët e luftës, ua zunë robër e ua përulën gjeneralët kryelartër. Sot, o popull i zvetnuar, mos doni ndoshta, që këtij ngadhnjimi të dikurshëm, t’i përbaltet nderi e t’i humbasë kujtimi?

Mos keni harruar vallë, se po ky armik fodull, që sot ju ka frikësuar, dikur tmerrohej nga gjyshat tone dhe gjunjëzohej përball Denisit dhe Alfonsit. O ju Portugezë, që keni sprovuar shumë kohë një rregjim të tillë të turpshëm, o burra hidhuni në sulm përpara, nën prijësin syshqiponjë, që u ngjallë nderim! Sepse nganjëherë mbretërive u ndërron fati.

Nëqoftëse trimërija e juaj do të jetë e papërkulur, ashtu si është ajo e mbretit që keni zgjedhë mbi fron, me të vërtetë keni për të jetuar ditë që, koha të mos ketë mundësi  t’i shuajë nga kujtesa. Por nëse në udhën e nderit nuk udhëhiqeni nga  kujtimi i shenjtë i të parëve, atëherë tradhtojeni mëmëdheun që u lindi. Unë atëherë do të shkoj i vetëm për ta mbrojtur atdheun nga pushtuesi i huaj.

O Portugali,  që nuk duron zgjedhën e huaj, unë i vetëm, me njerëzit e mij e me këtë shpatë (që dora ja nxirrte përgjysëm prej millit të argjëndtë) do të të mbroj, mbështetje do të më kesh. Po, i vetëm, i tradhtuar prej jush, duke bërë shpagim për mbret e vend, unë jam duke luftuar me atë që ka vendosur të  të pushtojë. Prej Kastiljanësh, por edhe prej jush, unë di ta mbroj atdheun!. “   
 
   
LUIS KAMOENS
Luis Kamoens është më i madhi poet portugez. Për jetën e tij dihet pak. Poeti lindi më 1524, në vitin që vdiq Vasko da Gama, hero të cilin ai e poetizoi në poemën e tij. Kamoensi qe i biri i një detari. Dihet se në vitin 1552 u burgos për një grindje me një farë Gaspar Borges, njeri i përkrahur nga oborri i mbretit  dhe u dërgua në Indinë Lindore ku mori pjesë n’ekspeditat luftarake, tokësore e detare, gjatë të cilave pësoi shumë fatkeqsira. U kthye n’atdhe mbas 17 vitesh. Gjithmonë i varfër, endacak, vdiq në mjerim, në vitin 1580, në moshën 56 vjeçare.

Krijimtaria e Kamoens-it zhvillohet fill mbas periudhës së zbulimeve të mëdha gjeografike, kur Portugalia ishte bërë një fuqi detare e madhe. Vepra kryesore e tij është “Lusiadët” (Lusiadë quheshin portugezët e vjetër). “Lusiadët” është një poemë epike me dhjetë këngë. Vepra u botua më 1572, kur autori ishte 48 vjeç.

Në “Lusiadet” Kamoensi madhnon  momentet heroike të historisë së popullit portugez, të “Lusiadëve”, duke filluar që nga koha e luftërave kundër sundimit romak e duke mbaruar me zbulimet gjeografike portugeze dhe pushtimet e shek. XV. Në qendër të poemës është udhëtimi i parë i detarit të njohur Vasko da Gama. Poema e tij dallohet për realizëm megjithëse në një kuadër mitologjik e fantastik; aty gjejmë digresione të mrekullueshme lirike me karakter autobiografik e filozofik. Poema e tij frymëzoi shumë poetë, dramaturgë e piktorë.

Ne po japim fjalimin e Nun Alvares, një ndër herojtë popullorë, kur flet në një mbledhje të popullit meqë parësia tradhëton e dorëzohet përpara të huajit. Kjo pjesë i ka shoqet e rralla, të kësaj gjinie,  në letërsinë botërore.
Kamoensi ka shkruar dhe sonete, këngë, elegji, satira si dhe tri komedi. Ai qëndron në një radhë me klasikët e mëdhenj Virgjil, Dante, Pushkin, Goethe, Milton, etj.
 
Kamoens
Lusiadët  (Fragment)

………………………………………
Por s’njihte Alvaresi krenar jo frigë,
se ajo ndër ballna madhështor’ s’len mbresë.
Ai s’ish një mendje me gjithë at’droje t’ligë
e n’gjegje atyne burrave t’pabesë
-sado që s’din guximin mirë ta shprehë-
shpërthen, sulmon, mbi shpatën dorën ngrehë:
 
“Po çfarë! Vall’ bij t’padenjë ka Portugali
që i mohojnë krahun, gjakun këtij vendi?
Po çfarë! Vall’ portugezi i cili i fali
lavdi me luftë – sa bota e përmendi -
dikur flamurit, sot me turp do dali?
Nën lavër t’Kastiljanve rob do rendi?
Po besë, guxim e dashuni e qëmotit,
që i pat ky popull trim, u shkimën sodit ?
 
Nga ata bij Marsi s’lindët që dikur
në Valdeves, nën shyt t’Enrikut sulë,
po këta kastiljan ba i  patët urë
nën t’idhëtat shigjeta, hordhitë zhgulë,
shpërnda mbarë at’gërdhajë, grabìtë flamur,
e rob kryelartët gjeneral’ përulë ?
Sot, popull i zvetnuem, këtij ngadhnjimi
mos don t’i zhyhet nderi, t’i tresë kujtimi ?
 
Po e tash s’voni (vall’ keni harrue ?)
ball Denisit e Alfonsit gjunjëzohej
po ky anmik fodull që sot u ka frigsue
e që dikur nga gjyshat tanë tmerrohej.
O portugézë që gjatë keni sprovue
një t’tillë rregjim sa faqja u turpnohej,
nën një prijs shkabë, që u ngjallë nderim, o burra !
Nganjëherë mbretnive u ndrron lëkura.
 
Në qe se trimnija e juej do jetë
e papërkulshme, si e mbretit zgjedhë
prej jush mbi fron, sakt keni prap për t’gjetë
një nga ata ditë që vitet s’shlyejnë tue rrjedhë.
Por n’qe se m’udhë të nderit s’u zatetë
kujtimi i shenjtë i t’parëve ndër mend sjellë,
trathtojeni kët’ dhé që lind u pat;
unë shkoj me e mprojtë nga i hueji, fillikat !
 
Po fillikat, me njerz’ të mijë e kët’pallë
(dora ja nxirte millit t’remtë gjysmë zhveshë)
mue o Lusitani kryenaltë – që n’ballë
turp zgjedhe s’ke – mbështetje do më keshë.
Po fillikat, trathtue prej jush, mbetë kallë,
shpagues për mbret e vend, unë jam tue u ndeshë
me at’ që mendja me e pushtue i ka vojtë;
prej kastiljansh, prej jush, unë di me e mprojtë !”
Shkodër, 1962
Përktheu Zef Staku
 
 
MUSTAFË  DERVISHIT
Hipur kalit vjen taljani
Kokën-bosh m’hekur mberthyer
Krahin-pupël për t’ngallnjyer
Shpirtin-o me katran ndyer
                              për robri.
Ç’jan’ kta niprit e Skenderit
Ç’jan’kta çunat arbënorë;
E kan’ Shqipen ndër krahnorë
E duan’ gjakun si kurorë
                             për trimri.
Nuk e qajn-o shok’t Mustafën
S’qahet djali zemër-hekur
S’qahet luftëtar’ i vdekur
S’qahet dot Shqiptar’i mbetur
                              për liri.
                     
Himarjot Kelmendi (Zef Staku)
(Marrë nga revista “Robni o Liri”, viti 2, nr. 1-2, fq. 7, Shkodër, më 20 mars 1944)
ZEF STAKUT
(Portreti i Zef Stakut)

Mustaf Dervishi, (1920-1943)
Ish profesor i Gjimnazit të Shtetit Shkodër,  dëshmori i atdheut, dha jetën në krye të demonstratës më të madhe që rinia shkodrane shpërthye në Shkodër, më 26 korrik 1943, një ditë më pas rënjes së Musolinit. Me këtë rast, pjesëmarrësi tjetër i kësaj demonstrate, poeti Zef Staku, shok e bashkëpunëtor me Mustafë Dervishin, shkroi këtë poezi.)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Dita e Pavarësisë, përurohet vepra e Mid’hat Frashërit. Vëllimi i dhjetë sjell të gjitha përkthimet e bëra prej tij

Dita e Pavarësisë, përurohet vepra e Mid’hat Frashërit. Vëllimi i dhjetë sjell të gjitha përkthimet e bëra prej tij