Zef Ujkaj, Skenografi i shquar
që e dërguan të punojë bojaxhi

Zef Ujkaj, Skenografi i shquar<br />që e dërguan të punojë bojaxhi
Disa ditë më parë artistët durrsakë të skenës festuan 61-vjetorin e krijimit e teatrit “Aleksandër Moisiu” të qytetit bregdetar. E bashkë me të përkujtuan edhe një prej njerëzve që kontribuan më shumë në “rritjen” e këtij institucioni artistik, skenografin Zef Ujkaj. Zefi vdiq më 18 janar të vitit 1990. Kam qenë shumë i ri kur skenografin e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit e degdisën në një punë tjetër, që nuk kishte asnjë lidhje me formimin dhe aftësitë e tij.

Zef Ujkaj do ta kalonte pjesën tjetër të jetës duke punuar si bojaxhi. Ishte viti 1975 dhe sistemi dictatorial, që e trasferoi apo “qarkulloi” siç njihej atëherë fjala më e butë, e goditi rëndë Zef Ujkën. Vetëm 39 vjeç, në kulmin e energjive të tij krijuese atë e larguan nga skena ku “ndërtoi” me dhjetra pamje të realitetit ku jetonte dhe “ku do të donte të jetonte”.

Kolegët aktorë e regjisorë, por edhe punonjësit e Parkut të Mallrave që kanë punuar me të vazhdojnë të respektojnë kujtimin e njeriut të kulturuar, që kontribuoi në jetën artistike të Durrësit jo vetëm si skenograf e piktor, por edhe si vizionar i mendimit kulturor. Ne, bashkëqytetarët më
të rinj në moshë e kujtojmë tek lëvizte në qytet me pardesynë të lidhur në mes dhe me mustaqet e dendura, që përpiqeshin të fshihnin trishtimin.
 
Pasioni për pikturën
Zefi u lind në Tiranë më 16 mars 1936. “Pikturën e kishte pasion dhe gjithë kohën e lirë rrinte duke pikturuar, nga gjymat në oborr deri te gjyshja e te ne vëllezërit - shkruante dikur vëllai i tij i ndjerë Gjergj Ujkaj. “Gjyshja I thonte: “Hiq dorë nga ai zanat, se nuk ia ka parë hajrin njeri”-kujton Gjergji. Por pasioni ishte më i fortë. Gjatë gjimnazit Zefi nisi të vizitonte studion e skulptorit të njohur Sabri Tuçi në Durrës. Punimet e djaloshit tërhoqën vëmendjen e specialistëve dhe megjithëse 20 vjeç ndjek mësimet në Liceun Artistik të Tiranës. Nuk do të zgjaste shumë. Pas disa muajsh thirret të kryejë shërbimin ushtarak, sigurisht në një brigadë pune, pasi rridhte nga një “familje e deklasuar”. Por Zefi nuk dorëzohet. E përfundon Liceun dhe bashkënxënësit mbajnë mend suksesin e punës me të cilën mbrojti diplomën, “Nusja kosovare”.

Një tablo që entuziazmoi edhe pedagogët e tij të shquar Zajmi, Buza e Kaceli. Zef Ujkaj u bë skenografi zyrtar i teatrit “Aleksandër Moisiu” falë një rrethane fatlume. Paraardhësi i tij doli në pension. Do të fillonte një periudhë krijimi, në të cilën nuk mjaftonte muza e piktorit. Teatri si art kolektiv kërkonte idetë e të gjithëve nga regjisori e aktorët deri te ndriçimi e fonia. Me Zefin skenografia u bë një nga pikat më të forta të teatrit të Durrësit. “Zefi nuk qe vetëm skenograf i klasit të parë, por e hidhte vështrimin edhe mbi lojën e aktorëve dhe në artin e regjisorit-kujton për ATSH-në Artisti i Popullit Gjergj Vlashi. Ato njohuri të thella nuk i kishte fituar në shkollë sepse atë ia mohuan, por me punë këmbëngulëse, me impenjim serioz. Si intelektual i mirëfilltë Zefi u formua në tryezën e punës me libër dhe penel në dorë”-shkruan regjisori i njohur Vlashi.
 
Artisti i formuar

 Por megjithë ndihmesën e madhe që kishte dhënë në skenografi Zefin e larguan nga teatri pikërisht në kohën e pjekurisë e kur mund të jipte më shumë. Larguan nga teatri edhe bashkëshorten e tij, aktoren e njohur Filika Ujkaj, duke ia rënduar gjëndjen ekonomike të familjes.
Zefin e dërguan të punonte … bojaxhi. Edhe atje, si gjithmonë ai ishte dinjitoz dhe punëtor.

“Në Parkun   Mallrave respekti për të qe i lexueshëm dhe masiv – thotë Kujtim Plangarica, një nga shokët e afërt të punës. “E thërrisnin Baca Zef-kujton Plangarica, duke vazhduar: Ashtu natyrshëm jashtë organikës u krijua një vend pune si dizenjator, ndonëse ndonjë zë i veçuar thërriste: E, ai bojaxhiu që ju e quani piktor”.  Diktatura i hoqi nga dora penelin dhe i dha furçen e bojaxhiut.  “Mendonte se kështu e kishte çarmatosur, por Zefit mund t’ja thyeje penelin, por nuk mund t’ja mposhtje shpirtin e papërkulur, burrërinë, karakterin e fortë dhe integritetin shpirtëror dhe mendor-shprehet regjisori Gjergj Vlashi.

Vazhdoi të punojë në kavalet si një piktor me aftësi të spikatura siç dallohet veçanërisht te “Portreti I gjyshes”, një hetim psikologjik që të mrekullon, siç shkruan Gjergj Vlashi.
“Tablonë e fundit e jetë së tij Zefi e punoi në ballkonin e shtëpisë dhe ua kushtoi dy vajzave të mrekullueshme Xheinit dhe Silvit, të cilat së bashku me Filikën i rritën plot kujdes prindëror. ZefUjkaj i ndjeu ndër të parët rrymat e ngrohta të demokracisë që nisën të fryjnë në acarin e diktaturës; dalloi shenjat e para të një agimi të ri që po lindte pas natës së gjatë. 24 vjet më parë, u fik pas një sëmundjeje të rëndë në moshën 54-vjeçare.
 

Shkrimi u publikua sot (19.01.2014) në suplementin Rilindasi të gazetës Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane