Zjarret/ Siguria në pallate e në kullat e reja në Shqipëri! Hulumtimi i Report Tv! Ligji mangësi për mbrojtjen nga zjarri

Zjarri i këtyre ditëve, që përfshiu në 3 orë një pallat prej 10 katësh, duke treguar të gjithë vështirësitë e ndërhyrjes së zjarrfikësave, ngre një dyshim: Sa të sigurta janë kullat që po ndërtohen në Tiranë në rast zjarri? Nëse mjetet e zjarrfikësave nuk arritën dot katet më të larta të një ndërtese vetëm 30 metra, çfarë do të mund të bënin në pallate që tashmë kanë arritur në 150 metra?

Zjarrfikëset në Shqipëri kanë tri lloje autoshkallash: E para arrin 18 metra lartësi (baraz me një pallat 6 katësh), e dyta 32 metra dhe modeli i tretë nuk i kapërcen 54 metrat lartësi, që i korrespondon një pallati prej 18 kate. Problemi i parë me të cilin duhet të përballen zjarrfikësit, është të gjejnë hapësirë përreth pallatit për të arritur dhe për të vendosur autoshkallën: shpesh pallatet janë ndërtuar aq afër dhe rrugët aq të ngushta sa nuk e krijojnë këtë mundësi. Në zjarrin e këtyre ditëve, për shembull, u mundësua përdorimi vetëm i shkallës prej 18 metra (ajo më e vogla) ndërkohë që duhej ajo prej 32 metrash; kjo solli një vonesë në operacionin e shuarjes së zjarrit në katet e larta dhe shtoi dëmet. E megjithatë ligji ua imponon zjarrfikësave të certifikojnë nëse një pallat i ri garanton hapësirën e mjaftueshme për ndërhyrjet e autoshkallës se tyre. Kush e ka firmosur certifikatën e atij pallati?

Në çdo rast, lartësitë që arrijnë autoshkallat në Shqipëri janë minimale nëse konsiderojmë përmasat e 6 kullave më të larta të Tiranës: Alban Tower arrin një lartësi prej110 metra, Air Albania Tower 112 metra, Eyes of Tirana 130 metra, Hotel Intercontinental 133 metra, DownTown Tirana 150 metra dhe kulla e ardhshme gjigande Mali i Tiranës do të arrijë 185 metra.

Nuk ka autoshkallë në botë që do të mund të arrijë këto lartësi dhe në këtë pikë hyjnë në lojë elementë tjerë të sigurisë. Problemi i parë që vë në rrezik një pallat, ashtu si një qiellgërvishtës, është materiali me të cilin është veshur fasada për të garantuar përtej estetikes edhe izolimin termik. Në Shqipëri, në ndryshim nga vende të tjera Europiane, nuk është parashikuar asnjë detyrim që materiali të jetë anti-zjarr. Në pallatin që u dogj këto ditë madje ishte një shkumë me bazë nafte dhe kështu shumë e djegshme dhe ja pse flaket kaluan nga një kat në katin tjetër kaq shpejt. Materialet anti-zjarr janë shumë të kushtueshme dhe pronarët, në mungesë detyrimesh ligjore, zgjedhin materialet më ekonomike. 

Atëherë, çfarë materialesh janë zgjedhur për veshjen e qindra pallateve dhe veçanërisht të kullave të larta në Tiranë?

Duke mos mundur të veprojnë nga jashtë nëpërmjet autoshkallave tepër të shkurtëra, zjarrfikësit ndërhyjnë në kullat shumë të larta duke punuar nga brenda. Këtu hyn në lojë një element i dytë i sigurisë, që ligji e imponon edhe në Shqipëri: Një impiant anti-zjarr që i garanton çdo kati furnizimin me ujë për zjarrfikësat. Por edhe këto impiante, për të qenë vërtetë efikasë në rast zjarri, janë shumë të kushtueshëm. Për shembull, në pallatin e djegur këto ditë, rezerva e ujit e pallatit u mbarua shumë shpejt, kështu efikasiteti i saj ishte nul. Si janë impiantet anti-zjarr të montuar në pallatet e tjera dhe veçanërisht në kullat e Tiranës? A kanë pompa të pavarura (domethënë të palidhura me rrjetin elektrik të pallatit që është i pari qe stakohet ne rast zjarri) dhe rezerva uji të mjaftueshme për të ndihmuar zjarrëfikësit në punën e tyre për shuarjen e zjarrit?

Pastaj ka dhe elementë të tjerë sigurie të domosdoshme për të përmbajtur zjarrin në një pallat, siç janë portat zjarrprerës, që izolojnë një kat nga tjetri; portat e hyrjeve nëpër apartamente apo dritare që i rezistojnë zjarrit nga 60 në 90 minuta; përdorimi i kabllove elektrike anti-zjarr, të cilat në rast të kundërt funksionojnë si fill dinamiti dhe shumë kushte të tjera që shtojnë kostot e ndërtimit dhe që në Shqipëri nuk janë të detyrueshëm.

I vetmi detyrim janë shkallët emergjenca të parashikuara vetëm për pallatet te hapura për publikun, si shkolla dhe hotele.

Përfundimi është se, mungesa e kontrolleve nga një anë dhe mungesa e detyrimeve ligjore nga ana tjetër, të bëra bashkë me përpjekjen e pronarëve për të kursyer për kostot e ndërtimit, shpeshherë dhe në kurriz të sigurisë, i bëjnë pallatet e reja në Tiranë shumë të ekspozuar ndaj rreziqeve të zjarrit dhe sidomos ndaj vështirësisë për t’i shuar. Fakti që deri tani nuk ka pasur ndonjë tragjedi, duket vetëm e rastësishme. Ka ardhur momenti që qeveria ta përballojë këtë problem duke vendosur rregulla anti-zjarri më strikte në ndërtime dhe kontrolle më të rrepta.

Natyrisht, duke modernizuar edhe strukturat dhe pajisjet e zjarrfikësave, që duhet të jenë në gjendje t'i përgjigjen sfidave të reja që shoqërojnë ndërtimin e pallateve kaq të larta.

B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Pesë pyetje për 2025-ën

Pesë pyetje për 2025-ën