Ballokumet e Elbasanit sipas traditës së vjetër nga zonja Burbuqe Plangarica

14 Mars 2023, 12:46

Një vizitë në Elbasan, në familjen Plangarica. Me të zonjën e shtëpisë, Burbuqe Plangarica gatuajmë Ballokumet e Elbasanit sipas traditës së vjetër në enën 200 vjeçare

Ballokumet e Elbasanit

Përbërësit:

  • 1 kg sheqer
  • 500 gr gjalpë
  • 900 gr miell misri
  • 7 kokrra vezë
  • 2 lëvozhga veze me ujë finjë 

Përgatitja:

Në një enë bakri hedhim sheqerin (sa më i imët aq më mirë) dhe gjalpin e shkrirë të vakët. I rrahim të dy përbërësit fort derisa sheqeri të tretet plotësisht dhe bashkë me gjalpin të fijëzohet. Më pas shtojmë vezët një e nga një (çdo 2-3 minuta secilën) duke vazhduar rrahjet pa ndërprerje. Pas vezëve futet në masën që po përgatitet lëvozhga me finjën e përgatitur më parë, pa e ndërprerë përzierjen me lugë druri. Në hapin e fundit hedhim miellin e misrit gradualisht duke vazhduar trazimin.

Masën e përgatitur e lemë të qetësohet për pak minuta dhe më pas hapim ballokumet në një tavë me letër kuzhine dhe i vendosim të piqen në furrë në temperaturën 150 gradë Celsius.