E ftuar në këndin e gatimit të “Rreze Dielli” Katerina Gremo, shefe kuzhine si dhe autore e disa librave në fushën e kulinarisë. Katerina Gremo jeton prej disa vitesh në Athinë.
Byrek me speca gogozhare
Përbërësit:
- 1 pako peta
- 1 kg speca
- 2 qepë të thata
- 300-400 gr djathë të bardhë
- 2-3 vezë
- 1 tufëz majdanoz
- 1 lugë kafe fara speci djegës
- 2 lugë miell misri ose miell ermik
- 1/2 filxhan çaji vaj
- Kripë, piper
Brumë i hollë për petat:
- 1 filxhan çaji miell
- 1 filxhan ujë
- ½ filxhan çaji vaj
Përgatitja:
Presim qepët në fije të holla, ndërsa specat në rrathë ose gjysmë rrathë të holla. Në një tigan të thellë kaurdisim qepët me pak kripë. Sapo qepët të bëhen transparente shtojmë specat dhe vazhdojmë kaurdisjen për pak minuta. Rregullojmë shijen me kripë, piper, majdanoz. Pasi specat të jenë zbutur lehtësisht shtojmë miellin, i përziejmë dhe i lëmë mënjëanë të ulin temperaturën. Më pas shtojmë djathin e thërmuar dhe vezët e rrahura lehtë. Përziejmë miellin me ujin, vajin dhe pak kripë.
Lyejmë një tavë me vaj, shtrojmë petat e zhubrosura një e nga një duke i lyer me brumin e hollë të pregatitur. Në gjysmat e petëve shtrojmë mbushjen me speca dhe më pas vazhdojmë me petat e tjera derisa të mbarohen. Në fund e spërkasim byrekun me brumin e hollë me vaj, e presim në racione dhe e pjekim në furrë të nxehtë në temperaturën 180 gradë për 45-50 minuta.